Rose Wilder Lane (5 dhjetor 1886 – 30 tetor 1968) ishte shkrimtare, gazetare dhe eseiste amerikane, si dhe një nga themelueset e mendimit libertarian në SHBA. Ajo ishte vajza e vetme e shkrimtares së njohur Laura Ingalls Wilder. Lane pati një karrierë të shquar si gazetare dhe romanciere, duke udhëtuar gjerësisht nëpër botë dhe duke shkruar për revista të njohura.
Në vitin 1926, Lane, Helen Dore Boylston dhe shërbëtorja e tyre franceze udhëtuan nga Franca në Shqipëri me një makinë të cilën e kishin quajtur Zenobia. Udhëtimi u përshkrua në librin Travels With Zenobia: Paris to Albania by Model T Ford, botuar në vitin 1983. Lane u dashurua me Shqipërinë dhe jetoi aty për periudha të gjata gjatë viteve 1920, duke ndarë kohën mes Shqipërisë, Parisit dhe fermës së prindërve të saj në Missouri.
Gjatë viteve 1940, ajo u bë një nga zërat më të rëndësishëm të lëvizjes libertariane, duke mbrojtur lirinë individuale dhe kufizimin e pushtetit shtetëror. Librat dhe esete e saj, si dhe lidhjet me figura të tjera si Ayn Rand dhe Isabel Paterson, ndihmuan në formimin e bazave ideologjike të kësaj lëvizjeje. Lane mbetet një figurë e rëndësishme në historinë e mendimit politik dhe letërsisë amerikane.
Ajo poashtu ishte korrespondente lufte, punë të cilën e filloi me një angazhim në Zyrën e publicitetit të kryqit të kuq amerikan në Europën e pas Luftës së parë botërore. Ajo vazhdoi të punonte me Kryqin e kuq deri në vitin 1965, duke raportuar nga Vietnami në moshën 78-vjeçare për revistën Woman’s Day, për të ofruar “një këndvështrim femëror”. Gjatë punës me Kryqin e Kuq, ajo udhëtoi gjerësisht në Evropë dhe Azi.