Kërkoj një grua

Autorja: Judy Syfers

Përkthyesja: Sazana Çapriqi

Sipas klasifikimit të njerëzve unë bëj pjesë në grupin që quhet – gratë.Unë jam Grua. Dhe jo krejt rastësisht, unë jam edhe nënë.
Jo shumë kohë më parë në rrugë e hasa një mikun tim që sapo kishte dalë nga divorci. Kishte edhe një fëmijë, i cili, natyrisht ishte me ish gruan e tij. Tani ai kërkon një grua tjetër. Një mbrëmje derisa isha duke hekurosur, mendoja për të dhe befas më shkoi ndër mend se edhe unë sikurse ai do të dëshiroja të kem një grua. Përse e dua gruan?
Do të doja të kthehem në shkollë që të mund të pavarësohem ekonomikisht, që të mund të mbajë veten e po të jetë nevoja edhe ata që do të vareshin nga unë. E dua një grua që do të punonte për të më shkolluar mua. E dua gruan që të kujdeset për fëmijët e mi derisa unë të shkollohem. Të mbajë shënim se kur duhet t’i dërgojë për vizita rutinore te mjeku dhe dentisti. Poashtu të mbajë shënim edhe vizitat mjeksore të miat. E dua gruan të kujdeset që fëmijët e mi të hanë me rregull dhe të jenë të pastër. E dua gruan që t’i lajë rrobat e fëmijëve dhe t’i mirëmbajë ato. E dua gruan të jetë edukatore e mirë për fëmijët e mi, të kujdeset për shkollimin e tyre, të mos e lë pas dore as shoqërimin e tyre me shokë e shoqe, t’i çojë ata në park, në kopshtin zoologjik etj. E dua një grua që të përkujdeset për fëmijët kur ata të sëmuren, një grua që do të mund të rrijë me ta kur të kenë nevojë për përkujdesje të shtuar, sepse unë natyrisht që nuk do të mund të bëj mungesa në shkollë. Gruaja ime duhet të gjejë mundësi që të bëj mungesa në punë por të mos e humbë punën. Mungesa nga puna mund të shkaktojë zvogëlim të të ardhurave të saj, herë pas here, por ma merr mendja që këtë do të mund ta duroj. S’është nevoja të them se gruaja ime do të gjejë e do të paguajë kujdestaren e fëmijëve për atë kohë që ajo do të jetë në punë.
E dua një grua që do të përkujdesej për nevojat e mia fizike. E dua një grua e cila do të mbajë të pastër shtëpinë time. Që do të pastrojë dhomën time dhe atë të fëmijëve të mi. E dua gruan që të m’i lajë, hekurosë e t’i mbajë në rregull rrobat e mia, të blej të reja kur të jetë nevoja dhe të përkujdeset që gjërat e mia gjithmonë të jenë në vendin e vet në mënyrë që unë të mund t’i gjej në çast kur të më duhen. Dua një grua që do të gatuajë, një grua që është kuzhiniere e mirë. Një grua që do të planifikojë menynë, do t’i blejë zarzavatet e nevojshme, do të ziejë gjellën të shtrojë sofrën bukur e pastaj t’i lajë të gjitha derisa unë të vazhdoj me mësimet e mia. Dua një grua që do të kujdeset për mua kur të sëmurem e do të ketë mirëkuptim për dhembjen time dhe për kohën që do ta humbas nga shkolla. Dua një grua që do të vijë me ne kur familja jonë të shkojë diku për pushime në mënyrë që dikush të vazhdojë përkujdesin për mua dhe fëmijët e mi kur do të kem nevojë për pushim dhe për ndërrim të ambientit.
Dua një grua e cila nuk do të më mërzisë me dërdëllitje e ankesa për obligimet e grave. Por e dua një grua që do të më ndëgjojë kur të kem nevojë të shpjegoj ndonjë vështirësi që do ta hasi në mësime gjatë kohës së studimeve. Dua një grua që do t’i daktilografojë shkrimet e mia pasi që unë t’i shkruaj ato.
Dua një grua që do të kujdeset për imtësirat e jetës sime shoqërore. Kur miqtë të na ftojnë mua dhe gruan për dreka e darka, gruaja të organizojë përkujdesjen për fëmijët. Kurdo që në shkollë të takoj njerëz që më pëlqejnë dhe dua t’i argëtoj, dua që gruaja të pastrojë shtëpinë, të gatuajë gjellë të posaçme, të na e shtrojë sofrën mua dhe shokëve dhe të mos më ndërpresë kur të jem duke folur për gjëra që na interesojnë mua dhe miqëve të mi. Dua një grua që të kujdeset t’i ushqejë dhe t’i vë në gjumë fëmijët para se të arrijnë miqtë e mi ashtu që fëmijët të mos na pengojnë. E dua një grua që do të përkujdest për nevojat e miqëve të mi në mënyrë që ata të ndjejnë rehati, të kujdeset që ata të kenë shpuzoren, të kujdeset që të ju pëlqejë ushqimi, tua mbushë pjata për herë të dytë po të jetë nevoja, tua rimbushë gotat e venës kur t’i kenë zbrazur, tua bëj kafenë sipas dëshirës. Dua një grua që do ta dijë se herë pas here kam nevojë të dal në mbrëmje vetëm.
Dua një grua që do t’i kuptojë nevojat e mia seksuale, një grua që do të bëj dashuri me pasion e me zell të madh sa herë që unë të ndjej dëshirë, një grua që do të kujdeset që unë të jem i kënaqur. E që natyrisht nuk do të kërkojë vëmendje seksuale kur unë të mos jem i disponuar për një gjë të tillë. E dua gruan e cila do të marrë përgjegjësi të plotë për kontracepcion, sepse unë nuk dua fëmijë të tjerë. E dua gruan që do të më qëndrojë besnike në mënyrë që të mos kem nevojë ta koklavis jetën time intelektuale me xhelozi. Por e dua gruan që do ta kuptojë se nevojat e mia seksuale mund të kërkojnë më shumë se sa bindja strikte ndaj monogamisë. Fundja më duhet të ju përshtatem njerëzve sa më shumë që të jetë e mundur.
Nëse, rastësisht takoj një person tjetër më të përshtatshëm për grua se sa gruaja që e kam, dua lirinë që ta zëvendësojë gruan time me atë tjetrën. Natyrisht, në këtë rast do të dua të filloj jetë të re; gruaja ime do t’i marrë fëmijët dhe do të marrë përgjegjësi të plotë për ta, veç ajo vetë, që unë të jem i lirë.
Kur të mbaroj shkollën dhe të gjej punë, dua që gruaja ime ta lëshojë punën dhe të rrijë në shtëpi ashtu që të ketë mundësi më shumë të përkujdeset për detyrat dhe obligimet e gruas.
O Zot, po kush nuk do të dëshironte një grua?

Përktheu: Sazana Çapriqi