Ana femërore e Zotit dhe fshehtësitë e letërsisë alkimiste

Autorja: Ariana Pallata

“Buzë lumit Pjedra isha ulur dhe po qaja”

Ndryshe nga filozofia tradicionale, që shpjegon “arsyeshmërinë” e anës maskuliste të Zotit, letërsia alkimiste (të fshehtat e së cilës i njeh mirë braziliani Paulo Koelo), hulumton anën femërore të Zotit. Romani “Buzë lumit…” andaj, është një epope tronditëse, e cila, nëpërmjet një letërsie alkimiste agjiton një religjion të ri: t’i besosh dashurisë!
“Rrezik është të dashurosh. Dashuria është si droga. Në fillim paraqitet ndjenja e euforisë, më vonë, apo, që të nesërmen, dëshiron më shumë (…) Së shpejti, mësohesh me atë person dhe fillon të varesh nga ai. Pastaj mendon nga tri orë, dhe e harron dy minuta. Nëse nuk është pranë teje, ndihesh si narkomanët kur nuk e konsumojnë drogën. Në atë moment je e gatshme të bësh çdo gjë për dashuri”.
Romani “Buzë lumit Pjedra isha ulur dhe po qaja” (NA MARGEM DO RIO PIEDRA EU SANTEI E CHOREI) është bestseleri që arriti famë botërore, i shkruar në vitin 1994. Rrëfimi i Koelos, para së gjthash, është tregim i thjeshtë dashurie, por ky tregim mbrun në vetvete porosinë e të pranuarit të sfidave jetësore, besimin te dashuria dhe të kënaqurit me jetën – si filozofi e ekzistencës…
Pos religjionit, edhe besimi te dashuria (“të duash dhe të jesh i/e dashur”) është formula magjike, me të cilën njeriu dëshmon se është qenie shpirtërore. Dashuria, e ashtuquajtur edhe si ‘kimi e shpirtit’ mbijeton edhe në luftë e në robëri, por edhe në liri. Dashuria mbijeton edhe kur vajtojmë e mallkojmë, me një fjalë, kjo ndjenjë, në çdo hap është e pashkatërrueshme. Se kjo është një realitet, mund të vërejmë nga bestseleri i Paulo Koelos “Buzë lumit Pjedra isha ulur dhe po qaja”, ku shkrimtari brazilian, me një poetikë të rallë dhe me një stil mbresëlënës, jep definimin e “labirinthit të dashurisë”, që noton në thellësinë e misterieve të jetës, perceptim ky që shpesh duket tërësisht i sferës imagjinative, por në të njëjtën kohë është edhe realitet. Paulo Koelo është i lindur në Rio de Zhaneiro, në vitin 1947. Pas udhëtimit nëpër botë, ai kthehet sërish në Brazil, ku arrin të bëhet kompozitor. P. Koelo ruajti magjinë e okultizmit që nga mosha 25 vjeçare, pasi që kaloi rrugën e gjatë 830 km. më këmbë. Në vitin 1986 shkruajti librin “Ditari i një magjistari”, i cili nëntëmbëdhjetë javë ishte në krye të librave më të shitur në Brazil.
Narratorja, ngjarjen e fillon me momentin magjepsës, kur një “po” ose “jo”, jetën e saj do të mund ta ndryshonte në tërësi. Pilari dhe udhëtari i saj ishin njohur në fëmijëri, u ndanë në rininë e hershme dhe përsëri u takuan pas njëmbëdhjetë vjetësh. Ajo ishte femër, të cilën jeta e kishte mësuar të bëhet e fortë dhe të mos u jepet ndjenjave. Megjithatë, ekzistojnë çaste kur mbi të gjitha mbizotëron ndjenja, kur atë fillon të udhëheqë zemra e jo arsyeja, dashuria shndërrohet në gjënë më të çmuar, rreziku pranohet pa kapricie kurse jeta arrin të bëhet e adhurueshme. Por, të gjitha këto zgjasin vetëm disa çaste… Sot, në botën bashkëkohore, në të shumtën e rasteve bota femërore, nirvanën e kërkon në narkotikë, që koincidon me një thënie të Pilarit, kryepersonazhit të Kuelos: “Rrezik është të dashurosh. Dashuria është si droga. Në fillim paraqitet ndjenja e euforisë, më vonë, nesër, dëshiron më shumë (…) Së shpejti, mësohesh me atë person dhe fillon të varesh nga ai. Pastaj mendon nga tri orë, dhe e harron dy minuta. Nëse nuk është pranë teje, ndihesh si narkomanët kur nuk e konsumojnë drogën. Në atë moment je e gatshme të bësh çdo gjë për dashuri”.
Udhëtari i saj është njeri i cili posedon prirje t’i shërojë të tjerët, dhe që te religjioni kërkon zgjidhjen e problemeve të brendshme shpirtërore. Ai ka shumë dilema, por, i sfiduar nga kjo ndjenjë, ndërdija gjithnjë e grish kah i flet zemra. E dashuronte Pilarin që nga fëmijëria, por edhe pas largimit të tij, edhe pas rrugëtimit të gjatë, kjo dashuri nuk shuhet. Kur takohen pas njëmbëdhjetë vjetësh, në Madrid, ai kishte ruajtur gjerdanin e saj (Pilarit), të cilin ajo e kishte humbur para afër njëzet vjetësh. Atëherë, ai nuk kishte fuqi t’ia shprehte ndjenjat e veta, ai ngurronte, por e dëgjoi zemrën dhe fjalia ishte shumë e thjeshtë “Të dua”. Njeriu gjithmonë vuan, kur nuk është në gjendje të vendosë…Ata bashkohen përsëri, me ngushëllimin që t’i përcjellin ëndrrat e tyre. Që këtë ta arrijnë duhet t’i tejkalojnë shumë pengesa: frikën nga ligjërimet, ndjenjën e fajtorit, paragjykimet.
“Zot i madh, ma kthe besimin. Më bëj që edhe unë të jem mjet i punës tënde. Më jep rastin të mësoj, përmes dashurisë sime. Sepse, dashuria, askë, asnjëherë nuk e ndan nga ëndrrat. Të bëhem përcjellëse dhe bashkim i njeriut që e dua. Le të bëjë ai çka duhet bërë – por përskaj meje”- kjo ishte lutja e Pilarit, dëshirë kjo që iu realizua pas shumë peripetive. Me gjasë se duhet luftuar shumë në jetë për të arritur deri te një realizim i qëllimeve. Por, jo. Dashuria nuk kërkon kalkulim – ajo kërkon çiltërsi dhe pakëz ndiesi. Buzë lumit Pjedra lotët e Pilarit thua se bëheshin akull, ata lundronin nëpër këtë lumë, për të arritur te ndonjë tjetër, që të bashkoheshin me lotët e ndonjë zemre të thyer, për t’u kthyer përsëri në pikënisjen e tyre. Zoti, përherë e ofron rastin në jetë. Ashtu i ofroi edhe udhëtarit të Pilarit, që së bashku të puonjnë për ëndrrat e tyre…
Bota e këtij romani sensibilison shpirtin e çdo femre, i jep fuqi dhe shpresë të besojë se dashuria di të jetë e bukur, se ajo të bën të ndihesh univers më vete, ajo të fisnikëron… Pra, e vlen të kërkosh dhe të luftosh për të apo jo!? Vuajmë pa nevojë, ngase dashuria është embrioni i pjekurisë sonë. Sa më shumë që duam, jemi aq më afër përvojës shpirtërore. Le të na shpjerë në një bashkim vaji i Pilarit buzë lumit Pjedra.
Definimi i të vërtetës shpeshhehë është i paakceptueshëm, gëzimi ndonjëherë vie si dhuratë, por më së shpeshti si pushtim. Vuajmë, përjetojmë momente të rënda, ballafaqohemi me shumë zhgënjime – por e tëra është kaluese, dhe nuk lë vrragë. Dashuria shëron. Por, ajo duhet hulumtuar parreshtur, sikur Koelo që merr guximin ta definojë hapur kuptimin e romanit të tij -hulumtimi i anës femërore të Zotit…Në këtë roman, gjen shprehjen intenca e Kierkegardit për “anën femërore të Zotit”, ndryshe nga filozofia tradicionale, por e shprehur me një gjuhë të bukur, subtile dhe të kuptueshme për të gjitha strukturat e lexuesve.