Gjeometria shpirtërore dhe gjuhësore e një romani
Përkitazi me romanin Njeriu im të H. Halimit
Romanin Njeriu im të Hida Halimit e lexova, jo “me një frymë”, siç thuhet rëndom për ndonjë vepër ngashënjyese, e cila të josh me bukurinë dhe hirin e saj, por me intervale të frymëmarrejve të vështirësuara dhe të hiatuseve, si pasojë e përjetimeve shpirtërore “gjoemetrikisht të kufizuara”. Mbase, “mëkatare” për këtë është autorja e këtij romani, e cila lexuesit i lë me pak tejdukshmëri kuptimor e për parandjenjën e epilogut dhe me shumë angazhim të dijes dhe të shijes që prej strukturës sipërfaqësore të gjuhës të depërtojë në vertikalen e mendimit dhe të përjetimit. Kjo ta rikujton një lloj simfonie sa vizuele, aq edhe akustike gjuhësore, ku vështirë parandjehen kadencat vijuese dhe thuajse nuk parandihet as parashikohet kadenca përfundimtare. Mbase, këtu qëndron edhe joshja ngashëruese për të arritur deri te fjalia e fundit. Andaj, këtë roman, të cilin më mirë do ta quaja dramë të shkruar në prozë poetike, me dialogë të imagjinuar dhe monologë të përjetuar, me strukturën përmbajtësore, stilistiko – gjuhësore dhe vizuele, të lë shumëfish pa frymë, pa ndjenjë dhe aftësi profetike që ta parashohësh epilogun.
Lexuesi, në intervale, mbetet pa frymë, kur prej horizontales gjuhësore përplot figura të fuqishme stilistike, që zgjojnë vizione psikolinguistike, psikoanalitike, përjetime emocionale sugjestive, herë – herë kureshtje enigmatike, paradoksale, përpëlitet të depërtojë në përmasat e dialogëve dhe monologëve të një kohe dhe hapësire, gjithsesi, të ngushtë. Kështu, edhe efekti vizuel i tekstit, ku prej rrjedhës horizontale të gjuhës kalohet në një hapësirë të universit të solilokut, pra në një vertikale të strukturës së romanit, ndeshim sërish në vizualizimin horizontal të hijatuseve mes fjalëve që sajojnë fjali, kryesisht pa shenja pikësimi, me distanca hapësinore jo të zakonshme në krijimtarinë tonë letrare, por që ndeshen ndonjëherë te ndonjë krijues i njohur bashkëkohor.
Në stacionin hekurudhor të Fushë-Kosovës, aty ku bashkëjetojnë lëvizjet e gjallëria me pritjet inerte dhe heshtjet që flasin me gjuhën e vet, parakalojnë apo qëndrojnë më gjatë figura të gjalla që bëjnë hije dhe bartin brenga, vuajtje, përjetime dhe dëshira të një mozaiku jetësor. Drama shpirtërore dhe psikike e Prenës, e dalë nga një solilok, gufon dhe shpërthen me magjinë e gjuhës në një vijë komunikimi të drejtë, të tërthortë apo parabolike për të sajuar skicën e gjallë dhe lëvizëse të një trekëndëshi me pikat e dëshmitares numër 2, Lanit dhe Besit (apo Irnit të imagjinuar). Ç’është e vërteta, duke pritur me kureshtje takimin e parë me sintagmën e thjeshtë njeriu im, ku përcaktorin formal pronor e shihja dhe e përjetoja me ndjenjën e intimitetit dhe të subtilitetit shpirtëror, ndesha edhe në një trekëndësh diellor, tjetërfare prej këtij trekëndëshi të gjallë shpirtëror, ku tre personazhe, në raporte të ndërsjella gjeometrike të shpirtit, komunikonin me paradoksin e heshtjes dhe të vetmisë fizike e shpirtërore. Komunikonin me tri dimensione kohore.
Kësaj baze gjeometrike të imagjinuar, padyshim jo të rehatshme dhe të papërshtatshme për shpirje fizike dhe shpirtërore, mbivarej në projeksionin vertikal pika e përhershme e gjyqit, pikë kjo e cila, deshe s’deshe, lëshohej pjerrtas mbi tri pikat e trekëndëshit, duke sajuar kështu strukturën dhe konstruktin hapësinor të fatit dhe të shpirtit të njeriut tonë. Çekani i gjyqit, shpatë e Dimokleut, sikur më tepër kërcënohej me aritminë e ngatërrimit të kontestit, sesa orvatej ta zgjidhte këtë brenda kësaj skene të ngushtë shpirtërore dhe fizike. Sikur përpëlitej ta mbante peng arkitekturën e brishtë dhe jokomode të piramidës psikike dhe shpirtërore, brenda së cilës zhvillohej drama e njerëzve tanë.
Brenda kësaj piramide magjike dëgjohen sonata e rapsodi, rrëfehen legjenda, këndohen, në heshtje, balada, këngë lirike dhe epike, ringjallen dhe lëvizin portretet. Prej natyrës së gjallë apo të vdekur në pëlhurë, lexohen gjestet, lëvizjet, shikimet, dëgjohen frymëmarrjet dhe nuhaten parfumet.
Në këtë hapësirë priten dhe përcillen trenat, me lot në sy dhe valvitje të shamive të vashave që janë martuar në kohën e ardhme. Parakalojnë apo vendnumërojnë në kohë, fëmijë të lagjeve të varfëra, fytyrënxirë nga pluhuri i thëngjillit të djegur, i cili, duke u filtruar përmes telit, përçohet diku larg në hapësira e ambiente ekologjike. Këta fëmijë, fajtorë pse kanë merituar të lindin, shpresojnë dhe kënaqen me refrenet “a do cigare zotëri”, kurse “disa nga ato” e përdorin si lëndë të parë gjeometrinë e trupit pa ndjenja dhe pa shpirt, duke u ushqyer me trupin e vet dhe duke e ngrënë vetveten. Zymtësi në atmosferë, zymtësi dhe trupngushtësi e një shpirtgjerësie në piramidën hermetike të njeriut tonë.
Përfundimin e dramës me sintagmën Perënditë perëndojnë e ndieva dhe e përjetova si fundin e një dite pa gjumë, si një ditë të errët gjatë të cilës u rropata me shpirtin dhe trupin tim në piramidën e imagjinuar dhe të përjetuar si jokomode, si një trup gjeometrik joracional dhe paradoksalisht të ngushtuar në fushën e gjerë të Kosovës. Nata që vijon pas perëndimit të perëndive në krahët e saj mbështjell ciklin e lindjeve të reja, me ndonjë bir dheu të pashmangshëm, dhe me shumë, e gjithnjë e më shumë lindje të burrave të dheut.