Në margjinat e veprës letrare të Marina Cvetajevës
Gjithherë kur përmendet letërsia ruse e gjysmës së parë të këtij shekulli na shkon mendja tek një grup i veçantë poetësh e prozatorësh, krijimtarinë e të cilëve studiuesit e kanë quajtur letërsi e nëntokës (underground), letërsi e të mallkuarve etj. Krijuesit si Boris Pasternak, Ana Ahmatova, Nikollaj Gumiljov, Osip Mandeljshtam, Boris Pilnjak, Ilja Erenburg janë sot emra të çmueshëm në krejt letërsinë botërore të shekullit XX.
Pa dyshim në mesin e këtij grupi me ndjeshmërinë e veçantë dallohet edhe poetja e prozatorja Marina Cvetajeva (1892-1941). Jeta e saj ishte e mbushur përplot tragjedi, zhgënjime, përçmime e dhembje. Një pjesë të madhe të jetës ishte e detyruar ta kalojë në emigracion. Nga viti 1922 deri më 1925 ishte e strehuar në Pragë e nga 1925 deri më 1939 jetoi në Paris. Më në fund vendosë të kthehet në Rusi bashkë me të birin e vogël, ku tashmë gjendeshin burri, i cili ishte oficer i Gardës së Bardhë dhe vajza. Por zhgënjimi i saj ishte i madh. Të shoqin ia kishin pushkatuar komunistët ndërkaq vajza i ishte internuar. Cvetajeva u vendos në lokalitetin Jelagubi (afër Kazanit) në Republikën tatare, pa familjen, pa miqtë e vjetër e të dashur. Më kot u munduan intelektualë të ndryshëm ta anëtarësonin në Lidhjen e shkrimtarëve (më i zëshmi ishte sidomos shkrimtari Paustovski). Më 1941 bëri vetëvrasje. Edhe i biri po atë vit i vdiq pasi i ishte bashkuar ushtrisë në front.
Gjithë ato krajata e vuajtje në jetën e saj të shkurtër ishin tepër për një grua të brishtë, finoke, të tërhequr e të ndrojtur. Megjithatë prodhimi i saj letrar është shumë i pasur. Ajo krijonte pandërprerë, gjithnjë si në ethe, poezi, tregime, drama. Për të gjallë iu botuan veprat “Albumi i mbrëmjes”, “Fanari magjik”, “Poema e shkallinave”, “Vargjeve të Çekisë”; tragjeditë lirike në vargje “Ariadna”, “Fedra”, tregime e novela të shumta. Por pjesa më e madhe e veprave të saj të plota u botua vetëm pas luftës së dytë botërore, më 1953 në Njujork, më 1965 në Moskë dhe më 1972 në Paris.
Krijimtarinë letrare të Marina Cvetajevës nuk duhet veçuar nga trendet e përgjithshme letrare të kohës në gjithë Evropën. Ajo njihte shumë mirë sidomos letërsinë gjermane, poezinë e saj romantike, Hëlderlinin e Gëten, por edhe Rajner Maria Rilken, bashkëkohësin e saj. Një episod nga biografia e saj na rrëfen se si ajo i kishte dërguar Rilkes një letër të gjatë më 1926, por letra kishte arritur me vonesë, pasi Rilke kishte vdekur.
Shpirti subtil i Cvetajevës para së gjithash hetohet në lirikën dhe në prozën e saj. Ajo poezi është plot ritëm të brendshëm, përgjithësisht pa përmbajtje e aspak deskriptive. Do të mund të thuhej se poezia e saj krijon kultin e vërtetë të fjalës, të verbit poetik. Për nga përmasat e kompleksitetit, të hemetizmit e të polisemantizmit dhe në bazë të sistemit të saj përgjithësisht të mbyllur gjuhësor e idiomatik nga studiuesit, për një kohë të gjatë është konsideruar e pazbërthyeshme e e papërkthy-eshme.
Jo vetëm në secilën poezi, por në secilin varg, në secilin rresht të prozës së saj gjejmë nga një copëz të shkëputur të jetës së saj, të fëmijërisë së saj, nga një jehonë të së kaluarës.
Në parathënien e librit të saj të hershëm poetik “Nga dy libra”(1913) ajo theksonte: “Këngët e mia janë ditar, poezia ime është – poezi e emrave personalë. Të gjithë do të ikim një ditë. Për pesëdhjetë vjet të gjithë do të jemi nën dhe. Do të dalin fytyra të reja nën qiellin e amshueshëm. Dhe ndjej një vullnet që të gjithë atyre që ende jetojnë t’ i thërras:
Shkruani, shkruani sa më shumë , Shënojeni çdo çast, çdo gjest, çdo ofshamje. Dhe jo vetëm gjestin – por edhe formën e dorës që e ka krijuar; jo vetëm ofshamjen – por edhe shprehjen e buzëve nga ku ka dalë.”
Gjithsesi nuk është larg një sensibiliteti të tillë as proza e Cvetajevës, e cila po ashtu karakterizohet nga një lirizëm i theksuar dhe nga karakteri përgjithësisht autobiografik e intim. Proza ndër më të gjatat të saj “Shtëpia pranë Pimenit të vjetër”, një fragment të të cilës po e botojmë këtu të përkthyer është një përshkrim i vërtetë lirik, gati verist i historisë tragjike të familjes së saj dhe i të afërmve të saj. Aty pleksen realja me imagjinaren, bota tokësore dhe ajo e përtejvarrit, ëndrra me zhgjëndrën. Në tregimin “Djalli” e gjejmë fëmijërinë e saj të trazuar dhe një dashuri të çuditshme e të pashpjegueshme për gjëra të rralla e misterioze. Lirizmi, vrulli i nostalgjisë, limontia e rezignata i karakterizon edhe tregimet “Nëna dhe muzika”, “Për babain”, “Nata e huaj”.
…“Po ju shkruaj për babain. Na ka dashur shumë, na konsideronte si “të talentuara, të afta, inteligjente”, por tmerrohej për shkak të dembelisë sonë, arbitraritetit, paturpësisë, dashurisë për atë që ai e quante “ekscentrizëm” (kur i kisha 16 vjet, unë e desha Napoleonin dhe në ikonostas vendosa portretin e tij). Asja kishte mbushur 8 vjet, unë 10, kur vajtëm jashtë vendit – nëna atëherë u sëmur nga tuberkulozi… Dimrin e vitit 1905 – 6 e kaluam në Jaltë. Ishte ai dimri i fundit i nënës. Në mars filloi të pështyjë gjak. Sëmundja, e cila më heret as që hetohej, po zhvillohej me shpejtësi të rrufeshme. “Më çoni në shtëpi, dua të vdes në Trjohprudnoj!” (rrugica ku gjendej shtëpia jonë).
Një ditë para se të vdiste m’u drejtua mua dhe Asjës: “Kur më shkon mendja se çdo budalla do t’ ju shohë të rritura, e unë…” E pastaj: “Më vjen keq vetëm për muzi-kën dhe diellin!” Tri ditë para vdekjes kishte mundime të tmerrshme, nuk fjeti për asnjë çast.
Nënë, provo të flesh…
Do të flej mjaft – në varr!
Edhe në poezi , por veçanërisht në prozë Cvetajeva shkruan për veten. Do të mund të pohohej pa hezitim se ajo është ndër krijueset e para e të rralla në tërë letërsinë botërore që hyri thellë, me tërë qenien në botën, në shtresimet e karakterit e të psikologjisë së femrës. Ajo shkruante dhe mendonte si grua. Feminizmi i saj, kështu nuk ishte kundërvënie reale botës ku zotëronte gjithsesi gjinia tjetër e as kapitullim, ai ishte një dëshmim i përhershëm, i ashpër e i sinqertë i përkatësisë së saj shpirtërore.
Është me interes studimi i raporteve të Cvetajevës me shkrimtarët tjerë të ko-hës në Rusinë staliniste. Aleksandër Blokun e kishte parë vetëm një herë në jetë, Ana Ahmatovën e kishte njohur së pari më 1940, një vit para vdekjes. Letërkëmbimi i saj me Pasternakun, autorin e romanit të famshëm “Doktor Zhivago” është shumë i gje-rë, ndonëse ata fare pak herë ishin takuar. Nga një rrëfim për raportet e tyre mësojmë se pas kthimit në Moskë Cvetajeva kishte takuar sërish Pasternakun dhe se nga ai kishte marrë një litar për të lidhur valixhen e saj të stërvjetëruar. Dhe mbase pikërisht ai litar i shërbeu për t’i marrë vetes jetën në Jelagubi më 1941.
Tragjedia e saj dhe e pjesës më të madhe të krijuesve letrarë të kohës së saj në Rusi qëndronte tek një raport krejtësisht negativ, mospërfillës e madje policor ndaj letërsisë e ndaj bartësve të saj. Ahmatovës që nga viti 1926 e deri më 1940 gati i ishte ndaluar tërësisht të botonte dhe ishte praktikisht e proskribuar. Zhdanovi më 1940 e kishte quajtur “gjysmë murgeshë e gjysmë lavire”. Isak Babeli u burgos më 1939 dhe që nga atëherë i humbi çdo gjurmë; Gumiljovi, burri i Ahmatovës u burgos më 1921 dhe menjëherë u pushkatua, Jesenini u var në një hotel të Leningradit (Sankt Peterburg) më 1925, Majakovski bëri vetëvrasje më 1930, shumë të tjerë si Pasternaku e Ilja Erenburgu qenë të detyruar të emigrojnë.
Vepra letrare e Cvetajevës ka tejkaluar kohët dhe sot konsiderohet një marga-ritar i çmuar në letërsinë evropiane të shekullit XX. Në radhë të parë poezia e saj qëndron në traditën më të mirë të poezisë simboliste e ekspresioniste të gjysmës së parë të këtij shekulli.