Ëndërrimtari

Valentina Saraçini

I thanë hapi ëndrrat
Dorëzo dhembjet
Pastaj i thyen gjymtyrët
Bënë torzo me shtatë vrima

Ia nxorën sytë

Ai prapë pa veten
Më larg në Eden
Ku agullon paqja

Pastaj ktheu gjeneve t’foshnjës
Lindur në ndërrim motesh
Që andej pret në këmbë

Udhëve më del i tëri sy
Zhbën ankthin
Psherëtima hënore e tij
Ëndërrat që nuk fliten
Përtërijnë gjithçka

Këtu e përtej
Nuk verbohet kurrë
Është ëndërrimtar

NGRIRJE

Dhembje e njerëzisë
Futet hije kristaleve
Shpirtra të fraquar

Smira plasdarm
Zhbën shkëlqimin e akullt

S’ka stalaktite stalagmite
Të puqen në përjetësi
Jashtë përkunden hije uji
Ngrehina e sy ujor, mbërthyer në kaos

Hije akullnajash rrëshqasin
Malet t’i bëjnë ishuj

Tokësorët ecin mesit

Pa of ta tretin hënën
Në shkëlqimin e parë të agut
Solemnisht si shampanjë
Ta pijnë të vërtetën
Me shkumbë fluska mikromakro fatesh
Humbasin alkimisë së Kohës

Mesit zëra të pafjalë
dimërit kërkojnë t’ia ngrijnë pritjen

Unë pridhem në marrëzi
Nga poshtë kërkoj lart
Shkëlqimin e bardhë

Purpur plandosem në dhembje
Të bëhem akull
Aaakuuull

Në trungun e ullirit

Të ishte si dikur
Brigjeve nuk do të hidhnim
Gjethe të thara ulliri

Detin e nxirë nuk do ta zbardhim
Me valë tërbese të heshtura frikshëm
Nga shikimet hënore

Çapuritje kujtimesh kësaj vere
Plandosen vrimave të ullirit
Ngrijnë buzë Kalasë së braktisur

Prridhen me paqen

Se dhembjet që nuk zhbëhen
Kridhen herë në fund herë brigjeve
Detit çuditërisht të kaltër

Si dikur diçka nga trungu ik
Tivar korrik’97


A N T I M I T I K Ë

I Luftë e heshtjes

JU nuk jeni fëmijët e Edipit
Eteokli e Poliniku
Efialti dhe Oti binjakë nuk jeni

Nuk mund t’u shpallni luftë zotave

Ju malet s’i mbani dot
S’mund t’i zhvendosni
I zhbëni ato

Nuk do të vdisni në Had,
Lidhur me gjarpërinj

Tashti vdiset kudo, sido

II Nga frika nuk vdiset

Ti hiqesh i madh nuk je Tideu
s’e vret padashur vëllaun, s’ikë
nga atdheu që s’e ke

Ti tjetri, s’je Kroni që
gëlltit fëmijët e vet
që pridhet nga frika e përmbysjes

S’je as Rea që shpëtoi Zeusin të birin
të përmbysin Kronin
t’ia sjellin vdekjen shpëtim

Nga frika nuk vdiset
Pa dhimbje s’jetohet

II Ju s’jeni zota

JU s’jeni të uriturit
Zota të Olimpit
Ambroz nuk hani
Ju zotat Nuklear
Frikës i rrini ballë
Me Olimpin zhvendosur

Gjëlloni si Kroni
Të mpirë në vaje
Foshnjash të gëlltitura

Të forasur në pije magjike
Nëntë herë të hidhura
Sodisni varret e mëdha

Çdo ditë,kudo
Homazhe i bëni vdekjes
Frymëve të njerëzve në ankth

Ju s’jeni zota
Për ju nuk shkruan Homeri,
Sofokliu, Seneka, Eskili

Me ju niset e vdiset
Nga hiri juaj s’ngritet Feniksi
Shpëtim ju vjen përmbysja

Ju s’jeni zota
Ju s’jeni faltore
Ju s’jeni

Epitaf për Ju

Pa dhimbje s’jetohet
Tashti vdiset kudo, sido

Nga frika nuk vdiset

Malet zhbëhen në Olimp
Mjafton një ëndërr e etur
Të vdesim pa ju

Ju s’jeni zota
Ju s’jeni këtu, s’jeni

DHEMBJE TRUNGU

Nuk kisha parë
Ethet të shkojnë marramendshëm
Trupit kokës
Lëngimet të dergjurat
Trokëllimat pa zë

Fantazmat robëruese
Mes kuajve të bardhë
Njëri pas tjetrit
Symbyllur veshprerë
Me aureolë gjithfarë shenjtorësh

Skëterrës anosur
Stinë thepisur
Deje degdisur

S’kam parë ndonjëherë

Gjëma t’u ngjitet kulmeve
Vendlindjeve të ikura
Vetmive qiellore molisjeve
Ëndërrimtare e zhgjëndërrimtare
Ecejakeve mërgimtare gjirmëtare
Gjokshapur këmbëthyer
Shkretëtirës bojëzezë

Në trungun tënd
Nuk dua të shoh të paparat

TRUNGU

Bëhesh përmendore pritjesh
Ngre lart duar, qafën
Këmbët cung kohëve të leckosura
Druajnë nga ankthet tua palë-palë
Nga toka jote heshtjen flori

Ti je me plumb
Plumb dhembjeje shekujve
Argjend që zbardh kokat e nuseve, nënave
Dhe je pemë e këputur pa pjekur
Si foshnja

Luajnë me ty
Portrete londineze parisiene, kremliniane
Dhëmbët i zbardhin mbi përpëlitjet tua
Të shtrojnë darkave të fshehta
Kur të të kenë kafshuar mirë çuditen
Ç’mendje ke, ç’rrënjë të thella të ka