Simon de Bovoar — Një feminizëm tjetër
Simon de Bovoar, e njohur si intelektuale e qarqeve ekzistencialiste franceze, si shkrimtare dhe filozofe, shumë herë e përmendur si bashkudhëtare jetësore e Sartrit, për të cilët martesa ishte një gënjeshtër borgjeze, në thelb ishte femër me një identitet të fuqishëm dhe themeluese e analitikës së lëvizjes femërore.
Çështjen femërore ajo e vendos në kontekst filozofik, madje në kontestin e filozofisë së ekzistencializmit. Duke bërë fjalë për aspektet themelore të filozofisë së ekzistencializmit ajo tërheq paralele mes kësaj filozofie dhe femrës. Etika e saj është njëkohësisht etikë feministe dhe ekzistencialiste, etikë të cilën ajo e shpjegon në tërësi në veprën e saj “Mbi moralin e dymendësisë”. Femra është prezente në veprën e saj në dy mënyra, në mënyrë shkencore dhe letrare. Në rastin e parë ajo është objekt i analizës shkencore, e në rastin e dytë personazh letrar.
Si vepër e saj kryesore llogaritet “Gjinia tjetër”, e cila konsiderohet si njëra ndër veprat më serioze analitike lidhur me çështjen femërore. Vepra tjera me rëndësi janë: “Memoaret e një vajze të edukuar mirë”, “Të gjithë meshkujt janë të vdekshëm” etj.
Kur përmendet Simon de Bovoar nënkuptohet jo vetëm veprimtaria e shkruar e saj, por edhe vetë jeta e saj. Një nuëmr i madh i historianëve të lëvizjes femërore emrin e saj e radhisin nën: FEMINIZËM EKZISTENCIALIST, që nënkupton lëvizje të femrës gjatë viteve të gjashtëdhjeta, vite të cilat përputhen me vitet e revolucionit seksual. Vendosja e emrit Bovoar në radhën e feminizmit ekzistencialist ndodh për shkak të kontributit të saj teorik e jo praktik për çështjen femërore. Bovoar e pranon metodologjinë e filozofisë së ekzistencializmit të Sartrit si ndihmë për të shpjeguar fenomenin e femrës si pjesë aktive të shoqërisë. Mund të thuhet se mendimi i saj është një alternativë e rëndësishme e filozofisë së Sartrit mbi ekzistencën dhe qenien. Deri sa feminizmi në tërësi mbështetet në lëvizjen femërore për ndryshim të legjislativave shtetërore ose ndryshime në jetën private shtetërore të njeriut, Bovoar investon në shkrime. Një pjesë e konsiderueshme e shkrimeve të saj bën pjesë në atë që Sartri e quan letërsi të angazhuar. Autori i përdor fjalët e veta për të arritur një qëllim, një qëllim human që duhet të ndihmojë për çlirimin e njerëzve dhe do të ishte një version i mundshëm i angazhimit. Bovoar nuk ka nevojë për një tjetër aktivitet lidhur me femrën, ajo këtë aktivitet e realizon nëpërmjet filozofisë dhe letërsisë së angazhuar të saj për femrën.
“Unë nuk kam qenë një feministe militante, nuk kisha ndonjë teori lidhur me të drejtat dhe obligimet femërore, por, nuk pranoja që të definohem si “një fëmijë”, në të tanishmen nuk e kam paramenduar veten si një femër, unë isha unë”.1 Është e vërtetë se, si autore ajo nuk përkrah ndonjë teori specifike se, cilat do të duhej të ishin të drejtat e femrës, por, përfundimisht, përkrah një qasje analitike ndaj femrës, duke filluar që nga definimi i subjektit femëror, e deri tek analizat e tjera. Bovoar nëpërmjet “Gjinisë tjetër” e promovon analizën si metodë të angazhimit femëror për më shumë të drejta dhe për hapësirë më të gjerë në shoqëri. Lëvizjes femërore i mungonte pikërisht bazamenti teorik i kombinuar mirë me një metodë analitike. Vetëm pas njohjes së thellësishme të pozitës së femrës në shoqëri, ekziston mundësia që një pozitë e tillë të ndryshojë në kahe pozitive.
BIOLOGJIA
Sipas kësaj, nuk do të thotë se Bovoar shërbehet me një metodologji të filozofisë së pozitivizmit për të shpjeguar dallimet biologjike mes gjinive. Kryesisht, bëhet fjalë për një kombinim mes mendimit shkencor, i cili luajti një rol të veçantë gjatë formimit të radikalizmit empirik në shekullin XIX dhe realitetit të ekzistencës së qenies në dilemën e tanishme të asgjësisë, nga ana tjetër. Duke parashtruar pyetjen se “ç’është femra në botën e gjallë dhe cili lloj i gjallesës femërore realizohet në femrën”2, Bovoar tenton të analizojë aspektin biologjik të dallimit mes gjinive, aspekti i cili, megjithatë, nuk është i mjaftueshëm për të shpjeguar fenomenin për të cilin bëhet fjalë. Aspekti biologjik, megjithatë duhet të ndërlidhet me aspektin social të ndarjes mes gjinive. Mendimi i saj se epiteti GJALLESË FEMËR në gojën e gjallesës mashkull tingëllon si përçmim edhe pse ai vetë nuk turpërohet nga animaliteti i tij, por, përkundrazi, krenohet, megjithatë i tejkalon kufijtë e biologjisë dhe fiton dimensione sociale. Në fund të fundit, konceptet e përçmimit nuk kanë të bëjnë fare me biologjinë, por ato janë kategori të sjelljes mes njerëzve.
Një diskutim tjetër provokohet lidhur me principet e aktivitetit dhe pasivitetit. Polemika kryesore e autores së njohur i kushtohet idesë së përgjithshme se “femra vetëm e jep materien, ndërkaq principi mashkullor është fuqia, aktiviteti, lëvizja dhe jeta”.3 Kjo ide është e promovuar nga ana e Hegelit dhe nëse kemi parsysh faktin se filozofia e ekzistencializmit është një kundërvënie ndaj sistemit hegelian të parashtrimit të problemeve, e bën akoma më të kuptueshëm mospajtimin e Bovoares me këto principe. Por, duke vazhduar më tej, në kapitullin e “Gjinisë tjetër”, në të cilën ajo flet mbi aspektet biologjike të gjinisë, analiza që bën ajo thjeshtësohet në një analizë të zakonshme të llojit, analizë të zhvillimit të gjinive gjatë evolucionit, dhe rolit të tyre të veçantë në ruajtjen e llojit. Lufta për ekzistencë bën që, herë njëra, e herë tjetra gjini të jetë më e pavarur, varësisht nga kushtet e zhvillimit. Por, shoqëria nuk identifikohet dot me llojin, e nëse do të ndodhte një gjë e tillë, gjërat do të ishin shumë më të thjeshta dhe do të zhvilloheshin me radhë duke u përsëritur. Të dhënat biologjike janë një ndihmë e madhe, posaçërisht kur kombinohen me aspektet psikologjike, ekonomike dhe ontologjike të shoqërisë. “Biologjia nuk është e mjaftueshem që t’i japë përgjigje pyetjes që na preokupon: përse femra është tjetër”4, për këtë arsye pozitivizmi nuk mjafton si i tillë, sepse për plotësim janë të nevojshme dhe aspekte të tjera dhe mendime të tjera filozofike.
Duke hulumtuar fushat e tjera për analizë të gjinisë, Bovoar kalon në stadin e psikologjisë. Përfundimet të cilat ajo gjen duke përdorur metodat e psikologjisë, janë ato se përkatësia gjinisë dhe gjërat e tjera që lidhen me një përkatësi të tillë, varen nga ajo se si ndjehet njeriu. Femra është gjallesë femërore, në kufijtë brenda të cilëve ajo e ndjen veten si të tillë – thotë ajo. Domethënë, nuk ka rëndësi se cilit grup i takon personaliteti, nëse vetë ai nuk vendos për një gjë të tillë, kurse për një vendim të tillë ndikojnë edhe ndjenjat, të cilat janë ndër kreatorët elementarë të personalitetit. Afekti femëror në këtë rast është një faktor i veçantë.
Gjersa në një ndarje të tillë biologjike të gjinive, kur njëra gjini identifikohet me transcendenten e gjinia tjetër me imanenten, në pjesën që ka të bëjë me psikoanalizën e femrës, bëhet fjalë kryesisht për polemizim me tezat frojdiane mbi seksualitetin femëror, të cilat janë njëkohësisht edhe temë e polemikave të një numri të konsiderueshëm të teoricienteve të feminizmit. Duke identifikuar forcën libidiale me fuqinë mashkullore, femrës i uzurpohet e drejta e kënaqësisë. Sipas Bovoares dhe teoricienteve të tjera të fazës më të vonshme të feminizmit, të quajtur feminizëm postmodern, problemi i Frojdit qëndron pikërisht në identifikimin e femrës me një model mashkullor, identifikim i cili krijon te femra ndjenjën e një mashkulli të sakatuar. Një nga dallimet mes feminizmit ekzistencialist të Bovoarit dhe feminizmit postmodern të Kristevës dhe Bryknerit është se Bovoar mjaftohet me formën globale të mendimit mbi femrën, kurse për dallim nga ajo, postmodernistët e vendosin kënaqësinë femërore dhe sensualitetin e saj në një sistem specifik të ekzistencës njerëzore.
Pandan i kompleksit mashkullor të Edipit për femrën është kompleksi i Elektrës – është njëra ndër tezat e Bovoar-it, por ajo nuk përqendrohet në shpjegimin e tezës së saj. Tërë ky aspekt i ndjenjave që ka të bëjë me dashurinë dhe sensualen është i lidhur me fëmijërinë e njeriut. Te mashkulli është e fuqishme etja për nënën, etja për femrën e parë të cilën ai e kërkon te të gjitha femrat e botës, urrejtja e Elektrës është urrejtje kundër nënës me të cilën duhet ndarë babain, të ndahet autoriteti i cili është elementi kryesor që provokon mosdurim mes femrave, sepse ato dëshirojnë të identifikohen të paktën me një pjesë të vogël të autoritetit të cilin e rrezaton mashkulli në rendin shoqëror të quajtur nga Lakani si rend i babait. Nga ky kompleks i shprehur fitohet figura e PERSONALITETIT TË AKULTURUAR FEMËROR: “Sa i përket femrës, kompleksi i saj i inferioritetit fiton formë të mohimit të druajtur të feminitetit të saj”5 – gjë që përbën një shembull tipik të akulturimit dhe të turpërimit nga vetvetja. Ajo e lakmon pozitën e fuqishme të mashkullit në shoqëri dhe familje. Ajo dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me të, sepse ai është i fuqishëm, kurse nga ana tjetër nuk fiton gjë nëse ka marrëdhënie të mira me një femër. Nga një shoqëri e tillë ajo fiton vetëm probleme të pazgjidhshme, të cilat i mëson nga institucioni i quajtur bisedë femërore. Prandaj, Elektra antike është e hidhëruar me femrën, me femrën e cila ka braktisur babain, bashkëshortin, rregullin – një braktisje e tillë është e barabartë me tradhtimin e atdheut, atdheut me kufijtë e krijuar nga strategët mashkullorë, të cilët janë pritur bindshëm në shtëpi nga gratë e tyre, gjersa kanë krijuar shtete çfarë u janë dashur atyre. Erika Jong, në mënyrë letrare dhe ironike mendon lidhur me tezën frojdiane të lakmisë femërore për fuqinë mashkullore, duke thënë se i lakmon meshkujt të cilët janë të etur për zbrazëtirën, zbrazëtirën e cila gjendet në trupin e femrës, me shpresën se etja do ta lindë fëmijën dhe se zbrazëtia do ta bëjë të plleshme errësirën. Por, thekson Jong, meqë ajo vetë është femër, nuk mund vetëm t’i fryjë poezisë, por të njëjtën ta shtypë në makinë shkrimi, jo vetëm të fillojë fëmijën, por të njëjtin edhe ta mbajë, dhe jo vetëm kaq, por edhe ta ushqejë, ta marrë me vete çdokund, kurse meshkujt të shkruajnë vargje mbi misteret e amësisë. Njëra ndër idetë e feminizmit është ajo se, për femrat dhe sistemet e funksionimit të saj duhet të shkruajnë vetë femrat. Nuk ka shpjegim tjetër për një fenomen të këtillë, përveç shpjegimit përmes kategorive të inferioritetit dhe superioritetit. Kjo shihet nga dukuria e tendencës për zgjidhje të problemeve të femrave nga meshkujve, ose të problemeve të femrës së racës së zezë nga femrat e racës së bardhë.
Polemika me psikoanalizën frojdiane dhe adleriane, të cilën e bëjnë teoricientet e feminizmit që nga Bovoari e këtej, është luftë për ndryshim të sistemeve vlerësuese të psikoanalizës së përmendur. Pse psikologjia do të bënte përjashtim nga një civilizim falokratik.
Duke kërkuar teori gjithnjë e më të reja për të shpjeguar fenomenin femëror, Bovoar kalon, nga teoria biologjiko-psikologjike, në teorinë e materializmit historik. Ajo do të shkruajë komente mbi veprat e Engelsit dhe Babelit për femrën dhe çështjen femërore në shoqërinë socialiste. Materializmi historik çështjes së femrës i qaset nga këndi ekonomik dhe këndi i ndarjes së punës. Ndarja e punës është shkaku kryesor i pozitës inferiore të femrës në shoqëri. Bovoar bën një ndarje të rëndësishme mes mësimit teorik të filozofëve të marksizmit dhe praktikës në vendet socialiste. Përderisa Englesi ishte i mendimit se socializmi si sistem politik duhej të shuante familjen si një formë e panevojshme e organizimit të shoqërisë, praksisi socialist kaloi nëpër disa faza eksperimentale lidhur me çështjen femërore. Meqë kërkohej barazi mes njerëzve, ajo duhej realizuar edhe mes gjinive. Gjatë viteve të para të socializmit, një barazi e tillë realizohej me anë të ndërtimit të imazhit të femrës e cila ka konstrukskon fizik mashkullor, e fuqishme si mashkulli, femër e cila ishte aktive gjatë ndërtimit të centraleve elektrike me punë vullnetare dhe paralelisht lind fëmijë pa klithur fare, nënkuptohet si mashkull. Në një mendim të tillë kolektiv, ku ishte turp që interesi individual të vendosej para atij kolektiv, erosi dhe kënaqësia u shndërruan në elemente të parëndësishme, të cilat duheshin tejkaluar sa më shpejt. Por, meqë një sistem i tillë u tregua si i pasuksesshëm, kreatorët e tij u kthyen pas, duke kërkuar nga femrat të pranojnë martesën si institucion dhe të shndërrohen në objekte erotike. Ashtu sikur Sartri dhe bashkëmendimtarët e tij, edhe Bovoar angazhohet për një tjetër socializëm, një socializëm demokratik, në të cilin nuk do të ekzistonin klasat, por gjatë procesit të shuarjes së klasave nuk do të shuhej edhe individi: “çështja e fatit individual duhet të mos e humbë rëndësinë e vet, e rëndësinë e vet duhet ta ruajë edhe dallueshmëria gjinore-seksuale”6
Kjo pjesë, e cila i dedikohet socializmit si sistem politik është pejsa e vetme e veprës “Gjinia tjetër”, për të cilën Bovoar deklaroi në intervistën e fundit të saj se do të ndryshonte po të kishte mundësi të tillë. Edhe pse ajo e përkrah idenë për realizim praktik të ideve filozofike, në pjesën e përmendur të veprës së saj, Bovoar paralajmëron se, jo gjithnjë, teoria mund të realizohet në mënyrë praktike. Kurse, siç dihet, çështja femërore është gjithnjë shumë mirë e zgjidhur në teoritë e ndryshme sociale.
MITOLOGJIA FEMËRORE
Në fillim, ishte Gea, ajo që e krijoi çiftin e parë, mandej i krijoi Titanët, mandej Karibdën, ashtu që kalimi mes Karibdës e Scilës të jetë frikë e çastit dhe lumturi mes tyre. Miti për femrën, miti për nënën e cila lind, është ai i cili karakterizon femrën gjatë tërë civilizimin e deritashëm dhe Bovoar hulumton pikërisht një mit të këtillë. Komunikimi nëpërmjet miteve është nëjra ndër mënyrat e komunikimit mes dy gjinive. Por, edhe mitologjia është e ndarë, kështu që ekziston mitologjia e matriarkatit dhe mitologjia e patriarkatit. Humbja e pushtetit, humbja e rëndësisë së femrës pas kordës agrare në të cilën sundonte principi i tokës, brendësisë dhe imanencës, rezulton me procesin e këmbimit të miteve. Mitet në të cilat personalitet kryesor ishte femra, këmbehen me mite ku mbisundojnë personalitetet mashkullore. Një ide të ngjashme hasim edhe në analizën kulturologjike të gjinive në veprën NJËRA ËSHTË TJETËR nga Elizabet Badenter. Vepra “Gjinia tjetër” është një përmbledhje e miteve të ndryshme për femrën, për magjinë që sjell trupi i saj dhe për enigmën me të cilën është e mbështjellë ajo. Të gjitha tabutë që kanë të bëjnë me ciklin dhe me trupin e femrës, Bovoar i shpjegon si frikë të mashukllit nga sistemi femëror i funksionimit. “Femra e frikëson mashkullin, tek ai krijohet frika nga enigma e trupit të cilin mashkulli e projekton nga femra”7. Po ashtu, edhe një numër i konsiderueshëm i mendimtarëve postmodernë të feminizmit, karakteristikat patriarkale të shoqërisë i komentojnë si frikë nga femra dhe seksualiteti i saj. Frika? Ndonjëherë fitohet përshtypja se meshkujt e vendosin si paravan ashtu që të mos mund të njohin disa gjëra, sepse, duke njohur dukuritë nga të cilat kanë frikë, do të ndërrojnë mënyrën e jetës dhe mënyrën e të menduarit. Kurse, siç dihet, ata të cilët mendojnë që kanë të drejtë, nuk janë të interesuar për ndryshime. Nuk duan ndryshime, sepse nuk dinë se a do t’i përjetonin ato. Njohja e seksualitetit femëror njëkohësisht është edhe tejkalim i rubikonit drejt një kuptimi tjetër për botë.
Mitologjia ndahet mes politeizmit dhe monoteizmit, bazamenti mitologjik i të dy sistemeve të besimit është patriarkal, por me një dallim esencial, politeizmi dallon për një numër më të madh personalitetesh femërore. Afrodita, e cila lind nga shkumba. Demetra, e cila vendos të lëshojë Olimpin dhe në tërë botën të kërkojë fëmijën e vet – ky kërkim pas fëmijës provokon urinë në tërë botën. Në Greqinë antike, perëndesha e mençurisë ishte femër, edhe pse në mendimin filozofiko-politik, subjektit femëror nuk i kushtohej rëndësi në rrethanat e atëhershme politike. Në shikim të parë duket sikur ekziston një mendim i përgjithshëm se racio – mendimi, i përket mashkullit kurse emocionalja – ndjenjat, i përkasin femrës, por, vetëm në mendimin antik grek ekziston mundësia që racionalja të identifikohet me femrën, e cila lind nga koka e një mashkulli. Ky proces i imagjinuar i lindjes nga ana e mashkullit është më i thjeshtë dhe më pak imistik sesa lindja të cilën e realizon femra. Nëse, femrës, prerja i bëhet në bark, mashkullit, prerja i bëhet në kokë. Domethënë, mençuria e Athinës nuk mund t’i jepet secilës femër, por vetëm femrës së lindur nga mashulli, përkatësisht nga koka e mençur e tij.
Ndoshta pikërisht një lehtësi e tillë e të shkruarit të mitologjisë, artit dhe filozofisë antike, ishte shkak për zhdukjen e veprave të kësaj kohe gjatë periudhës së skolastikës. Sipas Simon de Bovoar, “fitorja më e madhe mashkullore përmbahet në kultin e Marisë që është rehabilitim i femrës me tërë disfatën e saj”8. Funksionimi saj si nënë është gati i padukshëm, meqë amësia atë nuk e bën të fuqishme dhe nuk i siguron pozitën e dëshiruar.
Pas analizës së miteve pagane dhe politeiste, pas një diskutimi të zgjeruar mbi bazamentin patriarkal të religjioneve monoteiste, pas qasjes kritike ndaj traditës së mesjetës, Bovoar i kthehet dimensionit filozofik të femrës, i cili tregohet si dimension filozofik i Tjetrës. Dilema qëndron në mendimin se a duhet femra të mbetet vetëm një ide, apo të shndërrohet në një realitet objektiv. Si duket, megjithatë, femra në mendimin filozofik është e projektuar si një ide dhe se në momentin kur ajo bëhet e prekshme dhe objektive, bëhet e rrejshme. Sipas kësaj, meqë objektiviteti është i rrejshëm nga femra kërkohet që të jetë e imagjinuar. Si verifikim të kësaj teze, që është tezë e mendimit seksist, Bovoar bazohet në mohimin e institucionit të martesës në një nga fazat filozofike të Kjerkegorit, që është një këmbim më raportin real të idesë së femrës. Femra është ekzistencë dhe ajo ekziston si e tillë par se të jetë esenciale në ndonjë dukuri, por ajo është njëkohësisht një hulumtim i përhershëm në kërkimin e vetvetes, në kërkimin e vetëbesimit mbi ekzistencën e saj, ekzistencën për veten, që e ka harruar diku në të kaluarën. Ajo, ndoshta, nuk është gjë në këtë botë, por është gjithçka në botën e tjetrës, në botën në të cilën komunikohet me vlera të tjera të saj. Ndërtimi i kësaj bote, megjithatë, është punë e rrezikshme. Jezusi u dënua nga Pilati sepse dekalroi se ishte mbret, mbret në mbretërinë e njohur vetëm për të. Por, ndonjëherë është i ndaluar edhe ndërtimi i mbretërive imagjinare në të cilat njerëzit do të lëviznin në mënyrë të lirë. Ndonjëherë është i rrezikshëm edhe vetë mendimi dhe guximi i të imagjinuarit të të drejtave individuale. Identifikimi i obligueshëm me të tjerët gjatë kërkimit të vetvetes çon deri te pesimizmi për Tjetrën.
SHKRIMTARËT DHE FEMRAT
Femra është mbretëreshë e botës dhe robëreshë e dëshirës.
(Balzak)
Femra është qenia e vetme e cila mund të qajë dhe të qeshë për të njëjtën shkak, e shpeshherë këtë e bën njëkohësisht.
(Molier)
Simon de Bovoar nuk i përkrah disa nga mendimet e feminizmit radikal të tipit – nuk është me rëndësi se ç’mendojnë meshkujt për femrat. Ajo është interesuar që ta tregojë mendimin që ka gjinia tjetër për femrën. Femrat dhe shkrimtarët janë një kombinim me interes. Asnjë letërsi nuk do të tërhiqte vëmendjen, po qe se në të nuk do të haseshin personazhe femërore. Bovoar ndalet në veprimtarinë e disa shkrimtarëve, veprat e të cilëve i çmon si tipike lidhur me çështjen femërore: Monterlan, D. H. Lorens, Klodel, Breton dhe Stendal. Lidhur në veprën e Monterlanit, ajo mendon se ai i takon grupit të shkrimtarëve, të cilët, duke mos pasur ndonjë aktivitet më të mençur, angazhohen që femrën ta zbresin nga froni i lartë i saj, fron i fituar nga roli i saj amësor. Në veprën e tij paraqitet një energji negative ndaj femrës dhe ndaj karakteristikave njerëzore të saj, paraqitet një frikë e madhe nga dashuria femërore të përshkruar si një ndër format më të rrezikshme të marrëzisë. I Gjithëfuqishmi është mashkulli më superior, pikërisht sepse nuk është i lindur nga femra dhe sepse ka urdhëruar që femrat t’i lindin edhe ata të cilët shndërrohen në meshkuj. Monterlani udhëhiqet nga definicioni negativ për femrën, si një personifikim i të gjitha vlerave negative në botë; si një kolektivitet gjinor me mungesë të inteligjencës mashkullore. Mendimet e këtij lloji, Bovoar i komenton me një dozë të caktuar të kriticizmit. Mendime të ngjashme lidhur me femrën do të hasen shpesh dhe për shkak të komplekseve patriarkale, të njëjtat nuk posedojnë në vete ndjenjën për tjetrën. Të menduarit nga perspektivat e superioritetit, si përfundim ka situatën, në të cilën të bardhët do të tregojnë se çështë më mirë për të zinjtë, të gjithë të tjerët se ç’është më mirë për hebrenjtë dhe, kuptohet, meshkujt do të flasin për femrat, sepse vetëm ata dinë më së miri se ç’është më mirë për to.
Veprimtaria e D. H. Lorensit është një rast tjetër. Bovoar e pranon mendimin e tij se “gjinia nuk është plagë” e cila duhet shëruar, por, përkundrazi, një realitet i cili duhet përjetuar. Lorensi është kryesisht i gatshëm të flasë për baraspeshën e cila duhet të vendoset mes gjinive, kurse komunikimi dhe bashkimi i gjinive si përfundim ka lumturinë. Bovoar nuk e kundërshton idealin e femrës së vërtetë, të ofruar nga Lorensi, sepse ai është ideal i femrës e cila pa kurrfarë kufizimi pranon që të identifikohet si Tjetër.
Në vazhdim, duke folur mbi shkrimtarët dhe femrat, Bovoar bën kërcime nëpër letërsi duke kaluar nga erotizmi i Lorensit deri te koncepti katolik i moderuar i Klodelit për femrën, për të cilën ajo mendon se, edhe pse ka për qëllim afrimin e femrës pranë Perandorisë, megjithatë një femër e tillë asnjëherë nuk fiton pozitën e vërtetë, ajo do të jetë vetëm femër ne hierarki, në hierarkinë në të cilën gjithnjë ka qenë e qartë se cili është vendi i femrës.
Një vend tërësisht tjetër femra zë në poezi, aq më tepër në poezinë e autorit Andre Breton. Në poezi, femra i pranon atributet e gojës, çelësit, dyerve dhe urës, nëpërmjet cilave ajo bëhet sinonim i të folurit, hapjes dhe komunikimit. Poezia, thonë poetët, është vendi i vetëm, ku gjithçka është e mundur, ku mund të realizohet edhe ajo që nuk imagjinohet dot në botën tjetër. Mund të realizohet femra si bukuri, si qenie dhe si Tjetër.
Shëtitjen të cilën e bën mes veprave letrare dhe shkrimtarëve të cilët femrën e përshkruajnë në forma të ndryshme, varësisht nga bekgraundi i tyre në marrëdhëniet ndërgjinore, Bovoar e përfundon me Stendalin. Ajo shpreh një mendim afirmativ për këtë autor të njohur të realizmit francez, për shkak të pranimit realist të dukurisë së emancipimit të femrës nga ana e tij. Sipas tij, me emancipimin dashuria nuk humb gjë, por përkundrazi, marrëdhëneit humane fitojnë një dimension tjetër. Sa më e barabartë që është femra, aq më mirë ajo mund të kuptohet dhe të komunikojë me mashkullin.
Emërues i përbashkët i të gjitha mendimeve të përmendura është identifikimi i femrës me sensualen: “femra paraqitet si ndjenjë, ndjenja e mashkullit mbillet në barkun e nënës, mandej ngjallet në përqafimin e të dashurës, kështu që femra bashkohet me natyrën dhe e pasuron”9. Pas kësaj mbetet e hapur dilema e shtruar nga filozofia femërore, se a është e koncentruar në femrën vetëm intuita e ndjenjave? A ekziston një vend për të, në atë që quhet sistem racionalist i teoretizimit dhe filozofimit? Si duket, për shkak të një zhvillimi historik të rrethanave, kur është bërë fjalë për femrën, aspektit të ndjenajve i është dhënë një përparësi e dukshme. Por, vendi i saj është edhe në hapësirat e racionales dhe ndoshta ajo duhet të insistojë të futet atje me vlerat e saj shpirtërore. Femra e cila mendon, nuk është femër aseksuale, por, përkundrazi, është femër me identitet, femër e cila parashtron pyetje, e cila di të përgjigjet, femër e cila tenton që t’i njohë çështjet dhe e cila njëkohësisht është edhe femër e dashur.
NIVELET E FORMIMIT TË FEMRËS
“Femra nuk lind si femër, ajo bëhet femër me kalimin e kohës”10 – ajo bëhet femër duke kaluar nëpër të gjitha stadet të cilat kanë të bëjnë me jetën e saj. Femra ritet, por ritja e saj është horizontale dhe vertikale, ashtu siç është pozita e saj e përgjithshme në shoqëri. Filozofia e personalitetit femëror përbëhet nga tri pjesë kryesore: formimi, situatat në të cilat ajo gjendet dhe arsyetimi për pozitën e saj.
Formimi i femrës fillon që nga fëmijëria, mandej vjen periudha kur ajo shndërrohet në vajzë të re, pas saj hyrja në jetën intime dhe seksuale, kurse Bovoar e përmend si fazë të formimit femëror edhe homoseksualitetin femëror, si mënyrë specifike dhe margjinale të formimit të femrës.
T’i kthehemi sërish frazës fillestare se femra nuk lind si femër, por bëhet femër me kalimin e kohës. Si ndodh një gjë e tillë? Për një transformim të tillë ndikon shoqëria me të gjitha ligjet e pashkruara të saj, të cilat përcaktojnë personalitetin dhe sjelljen e femrës së vërtetë. Një proces i tillë fillon shumë herët, që nga fëmijëria, kur fëmijëve u tregohet se ç’është e turpshme për fëmijën mashkull dhe çka për fëmijën femër. Kategoritë sociale të edukimit nuk janë të njëjta për të dy gjinitë, që në start: “mashkulli nuk kërkon që të jetë i përqafuar… Mashkulli nuk shikohet në pasqyrë… Mashkulli nuk qan”11 dhe kështu, që nga fëmijëria, para vetes i kemi djemtë dhe vashat e vogla, që luajnë lojëra të cilat kanë të bëjnë me martesa mes vete dhe gjatë lojës komunikojnë me fjalorin të cilin e dëgjojnë në shtëpi, ose i luajnë rolet të cilat i kanë mësuar nga më të moshuarit. Gjatë verifikimit të tezave të saj mbi kënaqësinë, Bovoar mbështetet në mendimin e Sartrit se seksualiteti është koekstensiv ndaj ekzistencës.
Nëse fëmija mashkull edukohet ashtu që të jetë i guximshëm, i pamëshirshëm dhe iniciativ, ose thënë me fjalë tjera, edukohet me principin e aktivitetit, fëmija femër edukohet me principin e pasivitetit, ajo duhet të jetë e mirë, të mos flasë me zë të lartë, të jetë e këndshme dhe t’u pëlqejë atyre nga të cilët varet fati i saj. Sipas Bovoarit, femrës i imponohet psikologjia e viktimës dhe një psikologji e tillë femrës i imponohet nëpërmjet jetës së përditshme të saj. Mashkulli është heroi, kurse ajo është viktima, e cila duhet shpëtuar. Mashkulli është heroi, i cili mundet, por nuk është i detyruar ta shpëtojë femrën, pritja pasive për të (heroin), është pritje e cila e lodh dhe e bën histerike e të urrejtur.
Një aspekt tjetër nga ndikimi i procesit të edukimit në marrëdhëniet mes gjinive është edhe kureshtja për trupin, për mënyrën e funksionimit të tij dhe për mënyrën e krijimit të jetës. Kalimin nga stadi, kur, lidhur me aktin e lindjes së fëmijës dëgjohen gënjeshtra të ndryshme, deri në çastin kur realiteti bëhet i qartë, Bovoar e vlerëson si shumë të rëndësishëm. Në memoaret e saj, stadet e formimit personal, ajo i përshkruan në një mënyrë deskriptiv: në moshën e adoleshencës ajo ka kuptuar se si lind fëmija, por nuk ka kuptuar dot se cili është roli i babait në një proces të tillë. Përgjigja e prindit kësaj pyetjeje është e paqartë dhe e tillë mbetet për një kohë të gjatë.
Shkalla e dytë e formimit të femrës është periudha e vajzërisë. Këtë periudhë jetësore Bovoar e përshkruan në “Gjininë tjetër”, por në një formë edhe më precize e përshkruan në “Memoaret e një vajze të edukuar”. Kjo periudhë jetësore karakterizohet me një edukim të seksit, ashtu si gjatë fëmijërisë. Kjo është periudhë e planifikimit të ardhmërisë, e planifikimit të pozitës në shoqëri dhe e krijimit të qëllimeve të mëdha, të cilat mund të realizohen vetëm nëpërmjet mashkullit, i cili është Shpëtimtari, Mesia, gjithçka “Unë jam e vetmuar. Gjithnjë jem itë vetmuar. Gjithnjë do të jem e vetmuar – ky ishte lajmotivi të cilin e zbuloja gjithnjë në një skaj të fletoreve të mia” – thotë Bovoar, për të deklaruar se ngushëllimi i saj i vetëm ishte ndjenja për Tjetrën. Bovoar shtron edhe dilemën mes vetmisë dhe jetës me tjetrin dhe rastin e dytë e çmon si një flijim të madh. Memoaret e saj janë një pasqyrim alternativ, letrar dhe filozofik i familjes së klasës së mesme, në të cilën personaliteti mund të ndërtohet intelektualisht, por kurrë nuk mund t’u largohet skemave të cilat i vendos para personalitetit shoqëria gjysmëkonservative. Sipas saj, vetinhibimi i fëmijës femër shkaktohet për shkak se fëmija rritet mes femrave të cilat janë përgjegjëse për edukimin e saj. Duke folur për jetën e saj personale, Bovoar përshkruan jetën e vajzës së re, jetë e cila jetohet mes mureve të një apartamenti të vogël në Paris, mes mureve brenda të cilave gjithnjë dihet se çka është e lejueshme të bëhet dhe çka jo, se cilat libra mund të lexohen dhe cilat jo. “Nuk mundet – më tha ajo – mos i prek librat të cilat nuk janë për ty”12. Kështu ndërtohet psikologjia femërore, e cila është psikologji e kureshtjes për të ndaluarën.
Cili është modeli i femrës së dëshiruar nga meshkujt? – është njëra ndër pyetjet e parashtruara nga Bovoar. Në skemën e përgjithshme të formimit të personalitetit femëror, varësisht nga aj ose ç’presin të tjerët nga ajo, ajo formohet e tillë siç e dëshirojnë të tjerët, pikërisht për shkak të frikës potenciale nga vetmia. “Të jesh femër e dashur, do të thotë të tregohesh si e pafuqishme, pasive, e parëndësishme, e zbutur”13. Kështu ndërtohet psikologjia femërore, e cila është psikologji e kureshtjes për të ndaluarën.
Cili është modeli i femrës së dëshiruar nga meshkujt? – është njëra ndër pyetjet e parashtruara nga Bovoar. Në skemën e përgjithshme të formimit të personalitetit femëror, varësisht nga ajo se ç’presin të tjerët nga ajo, ajo formohet e tillë siç e dëshirojnë të tjerët, pikërisht për shkak të frikës potenciale nga vetmia. “Të jesh femër e dashur, do të thotë të tregohesh si e pafuqishme, pasive, e parëndësishme, e zbutur”14 Secili verifikim i vetvetes e zbret poshtë feminitetin dhe mundësinë e flertimit. “Memoaret”, flasin për jetën në të cilën gjëja më e rëndësishme është adaptimi ndaj modelit që të tjerët ia imponojnë femrës. E vetmja mënyrë që femra të realizojë veten në shoqëri, është mundësia që ajo të bëhet një faktor ekonomik, sepse, nëse nuk realizon një gjë të tillë, për shkak të pozitës së parëndësishme të saj gjithnjë do të mbetet jashtë konkurencës. Prandaj ajo gjithnjë ëndërron për një sukses pasiv, siç është martesa. “Gjithçka sillet rreth asaj që femrës t’i ndërpritet ambicia e saj personale, një person i madh shoqëror e detyron që brenda martesës të gjejë arsyetim dhe pozitë shoqërore.”15
Kureshtja për jetën seksuale është një element tjetër në “Memoaret”, si një ndër elementet më të rëndësishme te një femër. Erotizmi femëror është specifik për shkak të pozitës shoqërore të saj. Si përfaqësuese e shkollës filozofike të ekzistencializmit, sipas të cilës shoqëria është një faktor me rëndësi për jetën dhe formimin e personalitetit dhe teza e kundërt se personaliteti me angazhimin e vet mund të ndikojë në shoqëri, Bovoar, që të gjitha periudhat e një femre: fëmijërinë, jetën familjare dhe seksualitetin e saj i ndërlidh me ndryshimet shoqërore. Ajo përqëndrohet në analizën kulturore dhe sociale të fenomenit të virgjërisë te femra, duke marrë parasysh se një situatë e tillë e përcakton perspektivën e saj si person me autoritet ose pa autoritet në shoqëri. “Me virgjëri femrën e ka dënuar civilizimi patriarkal”16, sepse është mënyra më e suksesshme e vendosjes së kontrollit ndaj seksualtietit të saj. Femra është ajo e cila duhet të posedohet, ashtu siç posedohen të gjitha gjërat e tjera në botë, dhe nëpërmjet të një posesioni të tillë, mashkulli e dëshmon fuqinë dhe autoritetin e tij në shoqëri. Prandaj, ajo duhet t’i përkasë vetëm atij dhe askujt tjetër. Në këtë rast nuk flitet për nderin e saj (nderi është një kategori tepër e lartë për një qenie siç është femra), por për nderin e tij, sepse ai është faktor në shoqëri. Këto janë kategoritë e civilizimit patriarkal, në të cilat humbja e pozitës së privilegjuar në shoqëri paguhet edhe me vdekje, ashtu siç përshkruhet në “Kronikën e një vdekjeje të paralajmëruar”, nga Gabriel Garsia Markez. Vdekja nuk është gjë, me rëndësi është të jesh i respektuar dhe të mos lejosh që të jesh i turpëruar nga një femër.
Ekziston mundësia që femra t’i ndjekë mundësitë margjinale për realizimin e seksualitetit të saj, dhe atë, duke u realizuar në homoseksualitetin e vet, në këtë rast jeta homoseksuale është në funksion të realizimit të filozofisë personale të jetës, jetës e cila jetonte në margjinat e shoqërisë. Në studimet femërore lesbizmi trajtohet si një mënyrë e realizimit të personalitetit dhe Simon de Bovoar e trajton si të tillë.
Ajo i kundërvihet mendimit se kur është fjala për këtë dukuri, kjo ka të bëjë me një diskrepancë organike dhe hormonale. Edhe pse në fillim të analizës së saj mbi femrën ajo bazohet në fakte biologjike, ato nuk mjaftojnë për shpjegim të gjërave, sepse një pjesë e fenomeneve janë pasojë e kushteve shoqërore. Homoseksualiteti: “ai është një qëndrim i zgjedhur sipas situatës, i motivuar dhe i zgjedhur në mënyrë të lirë”
Nëse mblidhen të gjithë faktorët, fitojmë shpjegim për një zgjedhje të bërë. Situatën e tillë Bovoar e ndërlidh me kompleksin e realizimit dhe të kërkimit të vetvetes. Ndonjëherë fjala është për përpjekjen për të dëshmuar se nuk ekziston asnjë nevojë për botën mashkullore, por në të cilën përpjekje është fshehur vetë ideja e pranimit të botës së tillë. E gjithë filozofia e jetës njerëzore është tendencë e ndërtimit të komunikimit me tjetrin, sepse jeta nuk jetonte në vetmi. Por, është me rëndësi se si ndërtohet marrëdhëniet ndërnjerëzore. Shpesh ndodh, që, në mungesë të suksesit që komunikimi të vendoset në mënyrë normale, përjashtimi të përbëjë hapin e dytë. Përjashtimi seksual bën pjesë në hapat e tillë. Përjashtim i cili pasi është bërë duhet respektuar dhe ndoshta duhet analizuar shkakun e ndërmarrjes së një hapi të tillë.
SITUATAT DHE FEMRAT
Pas formimit të saj, me rëndësi janë situatat në të cilat gjendet femra dhe si sillet ajo në situatat e ndryshme. Cilat janë ato? Sipas Bovoar-it ato janë: situata e femrës së martuar, e nënës, e jetës shoqërore, e prostitutës dhe situata e pleqërisë. Sa i përket Bovoar-it, martesa është destinim që shoqëria ia imponon femrës, për të kontrolluar ambicien personale të saj. Me mënyrën e të jetuarit të jetës së saj në bashkësinë jashtëmartesore me Sartrin, ajo i bëri një sfidë kontrollit shoqëror mbi jetën e saj “Unë u përpoqa që të përshkruaj në GJININË TJETËR se, pozita e femrës, realizimi i kësaj çështjeje do ta sulmojë botën në vetë rrënjët e saj; unë dëshiroja ta njihja femrën, ta përshkruaja, por asnjëherë nuk kam menduar që me fuqinë e mendimit tim t’ia uzurpoja të gjitha fshehtësitë e rëndësishme të saj” 17. Por, jeta martesore nuk është fshehtësi dhe mendimi i Bovoar-it për këtë çështje është me interes. Mendimi për forcimin e pozitës ekonomike të femrës na paraqitet edhe këtu, por tani me argumentin se, një pozitë e fuqishme ekonomike do ta lëkundte institucionin martesor. Me hyrjen në martesë, femra e humb identitetin e saj, edhe pse është diskutabile se, sa është i mundur formimi i një identiteti të tillë nën tutorizmin e babait. Ajo vetëm kalon nga një bashkësi në të cilën kryesor i është babai, në një bashkësi tjetër në të cilën bashkëshorti është kryesori. Ajo bëhet zonjë, me sakrificën që t’i shkojë pas bashkëshortit të saj dhe jetën e vet t’ua adaptojë kërkesave të tij. Martesa është një karrierë e mirë, thotë logjika e shoqërisë qytetare, sepse nga një femër e cila në shtëpi u shërben vëllezërve dhe babait, të paktën e bën zonjë të një shtëpie. Femrës e cila është e mbajtur në mënyrë të rreptë në bashkësinë e parë familjare, martesa i ofron edhe një lloj lirie. Nuk është e vërtetë se femra ka disa të drejta në civilizim. Këtë ide Bovoar e shpjegon në këtë mënytë: Vasha e mjerë para martesës e di që gjasat i zvogëlohen me kalimin e viteve, shkuesit janë më të paktë në numër, ajo nuk ka zgjedhje më të mirë sesa beduinja të cilën e këmbejnë me një kope dhensh18. Martesa është menduar që t’u ndihmojë bashkësive të vogla borgjeze duke u ofruar siguri materiale dhe erotike. Ç’do të thotë të ndjehesh i kënaqur? Do të thotë: të mos kesh tërmete të mëdha të ndjenjave, të mos kesh pikëllime dhe kënaqësi të mëdha. Martesa nuk mund të ekzistojë nëse nuk ekziston vaktësia mes partnerëve. Ndjenjat e fuqishme, ngjarjet e mëdha tronditëse janë tepër të rënda që të mund t’i durojë institucioni martesor. “Lidhja trupore bëhet institucion, kënaqësia me tjetrin është e tejkaluar në interes të shoqërisë”19
Femra krijon qendër të botës nga shtëpia e saj, e cila automatikisht shndërrohet në subjekt me rëndësi më të madhe për të. Ndërmjet mureve të shtëpisë së saj ajo mbyll miniatura dhe e mbyll jetën e saj të cilën e jeton me një ritual të përditshëm. Njëra ndër karakteristikat e martesës është mërzia; si të iket nga ajo, nga sistematika e jetës së përditshme. Mërzia të cilën e përshkruan Bovoar nëpërmjet personazheve të veprave të Virgjinia Vulf-it dhe nga ditari i Sofia Tolstoit është mërzi e përditshmërisë. Bovoar nuk e pranon martesën si institucion, sepse mendon se nuk ka intimitet në të, e si mund të ekzistojë institucioni i cili lidh dy persona e që nuk bazohet në marrëdhënie private të ndërsjella. “Në asnjë nga cilësitë e saj, ai nuk sheh angazhim ta saj – për to garanton shoqëria, vlerat e saj janë të përmbajtura në institucionin e martesës” 20
Në atë institucion nuk ekzistojnë marrëdhënie të ndërsjella të ndërtuara në mënyrë të shëndoshë. Femra ndjehet mirë, atëherë kur mashkulli është jashtë shtëpisë, atëherë ajo mund të bëjë duart e saj ligjore. Nëse dy persona nuk arrijnë dot që të vendosin marrëdhënie të ndërsjella humane, shoqëria nuk mund të bëjë një gjë të tillë për ta. Njerëzit kanë nevojë për një lloj tjetër të komunikimit, të ndërtuar në bazë të emocioneve dhe mirëkuptimit.
DESTINIMI I NËNËS
Femra është enigmë, zgjidhja e së cilës quhet amësi
(Niçe)
Ky është një përcaktim fiziologjik, nga i cili nuk iket dot, sepse të gjitha rrugët në jetën e femrës çojnë drejt amësisë. Lidhur me këtë vokacion natyror të femrës, Bovoar e parashtron pyetjen e kontrollit të lindjes. Ajo është e pakënaqur që një çështje të rëndësishme siç është të lindurit, shoqëria borgjeze e lidh me çështjen e moralit. Si është e mundur që shoqëria dhe organet përkatëse të saj t’i duan fëmijët më tepër sesa nëna e cila duhet t’i lindë? Kjo etikë është e papranueshme, sepse nëpërmjet saj ata duan që femrën ta lidhnin për shtëpinë, ashtu që ajo të heqë dorë nga ambiciet e saj për shkak të ambicieve të bashkëshortit të saj. Vepra e shkruar e Bovoarit ka një karakteristikë të përgjithsme: hapje të diskutimit për probleme të njëjta, por nga aspekte të ndryshme. Aspekti i parë është aspekti filozofiko-sociologjik i përshkruar në “Gjininë tjetër, kurse tjetri është aspekti i intimitetit dhe sensibilitetit i përshkruar në “Memoaret” dhe veprat e tjera të ngjashme. Kur ajo bën fjalë për filozofinë e flijimit të nënës në “Gjininë tjetër”, duket sikur eksperiencës personale i qaset në mënyrë analitike, eksperiencës së njëjtë të cilën e përshkruan në mënyrë intime në “Memoaret e një vajze të edukuar” (Memoires d’une jeune fille rangee) dhe “Një vdekje e ëmbël” (Une morte tres douce)
E çuditshme është në komunikimin me nënën. Ky komunikim fillon nga fëmijëria që nga bashkëjetesa dhe konflikti me atë qenie. Nëna e ndjek vajzën që nga fillimi, me të fillon edhe konflikti me shoqërinë dhe rendin të cilit i përmbahet nëna. Nëna e ka vështirë të pranojë mënyrën e jetës të cilën e jeton Simona, dhe kjo është tema të cilës Bovoar i qaset shumë shpesh si shkrimtare. Vështirë pranohet mënyra e jetës së fëmijës – femër, posaçërisht kur ajo nuk u përmbahet normave të cilat i vendos shoqëria. Në komunikimin nënë – bijë është përshkruar drejtpërsëdrejti konflikti i vajzës e cila nuk dëshiron që si model të marrë jetën e nënës së vet. Në jetën e nënës ka gjithnjë shumë flijim për të tjerët, tepër durim ndaj injorimeve dhe dashnoreve të babait. Ajo, e bija, nuk dëshiron të jetë si e ëma, qengj i flijimit në situatën e quajtur martesë. As e ëma, nga ana e saj, nuk pajtohet me të, por është e kënaqur në veten, sepse do ta bënte të njëjtën po të mundej. Ajo identifikohet me bijën e suksesshme, sepse ashtu do të dëshironte të ishte edhe vetë. Gjinia e nënës është eksperienca e parë, thotë Bovoar: “Duke shikuar gjininë e nënës, kjo gjini ishte shokante për mua. Për mua nuk ekzistonte asnjë trup tjetër, asnjë trup nuk kishte përparësi. Si fëmijë, atëherë e dëshiroja, si adoleshente, atëherë më inspironte me një pulsim provokativ, ai ishte një karakter klasik, i dyfishtë dhe i shenjë, një tabu.”21
Ndjenja e neverisë, të cilën e përshkruan Bovoar, nuk është e njëjtë me ndjenjën e Rokantenit në romanin e Sartrit NEVERIA, ku kjo ndjenjë kalon në agoni. Neveria ndaj trupit të nënës ekziston gjersa ekzistojnë të gjitha tabutë lidhur me trupin dhe personalitetin që posedon atë trup. Vetëm pas rrënimit të tabuve mund të kuptohet filozofia e trupit i cili transcendenon dhe që realizohet duke jetuar dhe duke u rritur. A do të thotë kjo se edhe shtatzënia ka filozofinë e vet? Këtij procesi Bovoar i jep karakteristika të pritjes, ndryshimit dhe regjenerimit. Femrat, regjenerimin e botës e kuptojnë në mënyrë interesante, “është kënaqësi e madhe që të lindet fëmijë mashkull, ata kanë ëndërruar të lindin hero, kurse heroi i takon gjinisë mashkullore”22. Bovoar këtë e karakterizon sërish si akulturim të personalitetit femëror. Prandaj, Bovoar thekson se fëmijës shumë më tepër mund t’i ofrojë femra e cila ka jetë më të pasur personale. Por, në asnjë mënyrë femra nuk barazohet me mashkullin nëpërmjet amësisë.
T’i kthehemi sërish pjesës intime të veprës së Bovoarit, e cila i kushtohet nënës – veprës “Një vdekje e ëmbël” (Une morte tres douce). Ko është vepër mbi vdekjen e nënës, vdekje e cila nuk u ngjan vdekjeve të tjera. Gjatë ditëve të fundit të jetës ajo bën një përsëritje të tërë asaj që është e kaluar si jetë. Deri sa flet për nënën, fitohet përshtypja se Bovoar flet për femrat në një mënyrë të përgjithshme dhe duke folur e analizon martesën dhe të githa periudhat e jetës së një femre. Jeta e nënës ndryshon plotësisht që nga vdekja e bashkëshortit të saj. Pas kësaj vdekjeje ajo ndjen se fiton përsëri lirinë e vet dhe e fiton mundësinë për organizim të jetës sipas dëshirës së vet. Vetëm edhe një argument për natyrën negative të martesës borgjeze, siç e quan Bovoar martesën: “Ajo vazhdonte të flinte pranë burrit të cilin e donte, edhe pse ai nuk bënte dashuri më me të; ajo shpresonte, priste, harxhohej për asgjë”23 Për shkak të komunikimit të tillë, vdekja e mashkullit është edhe mundësi për të organizuar jetën në një mënyrë tjetër. Jeta e vajzës e cila zhvillohet shumë afër jetës së nënës krijon mendimin se nëna kurrë nuk mund të humbet, por, përkundrazi, ajo duhet të jetë e pranishme si një ekzistencë permanente, si përshkrim i eksperiencës së një jete të tërë. Fundi i saj është i njëjtë si lindja në një kohë mitike. Ndjenja e humbjes është e njëjtë si ndjenja për jetë, nga e cila mungon diçka. Ajo është mungesë e femrës së rëndësishme pranë vetes.
JETA SHOQËRORE DHE PLEQËRIA
Asgjë nuk mund ta pikëllojë femrën sa sedra e dëmtuar: nuk më ka ndodhur të shoh që një femër, e cila është e veshur keq, të jetë e disponuar dhe e sjellshme.
(Balzak)
Femra jeton për të tjerët, ajo është pasqyrë e vatrës së saj dhe duhet një gjë të tillë edhe të dëshmojë, moda është e menduar pikërisht për një qëlim të tillë. Sipas de Bovoarit, për femrën e cila nuk punon gjë, kjo është mënyra e vetme e shprehjes së vetvetes. Me lidhshmërinë ndaj modës, ajo mund të shprehet si personalitet, sepse moda është e menduar si e njëjtë për të gjithë dhe nëpërmjet saj femra mund ta harxhojë kohën kur nuk punon në shtëpi. Pamja e jashtme është me rëndësi, sepse vetëm nëse ajo u përmbahet rregullave të vendosura për pamje, mund ta mbajë pozitën në shoqëri, të fituar pa meritën e saj. Këto qëndrime të Bovoarit përputhen plotësisht me mendimet radikale feministe lidhur me filozofinë e veshjes së femrës. Sipas kësaj, femra duhet ta posedojë në vete atë që vlen, përndryshe pjesa tjetër është vetëm formalitet. Jeta shoqërore dhe të gjitha gjërat e tjera të cilat e shoqërojnë atë, nuk kanë rëndësi, sepse ajo jetë shoqërore është vetëm luajtje e lojës së dyfishtë, prandaj, Bovoar, duke i komentuar trekëndëshat e dashurisë thekson se këto situata janë të lidhura me martesën e cila është e mërzitshme si institucion. Jeta mondane mundëson një lirim të vogël të shtrëngimeve, por, megjithatë, ajo vetëm i jep legjitimitet institucionit të martesës.
Periudha e martesës është, po ashtu, njëri ndër angazhimet letrare të Bovoarit. Pleqëria është një periudhë komplekse në jetën e një femre edhe kur ajo nuk dëshiron të pranojë një realitet të tillë. “Unë nuk dua të pranoj se jam plakur, por gjërat duhen shikuar drejt në sy… Pas ca ditësh do t’i bëj shtatëdhjetë e tetë vjet. Këto janë shumë vite, duhet të hap një faqe tjetër”24 – pranimi i realitetit, pra, është vështirë i durueshëm për femrën. Ndonjëherë vështirësitë pasojnë pas tendencës që të bëhet ajo që është dëshiruar, por që, për shkaqe të ndryshme nuk është realizuar dot. Vjeshtën jo vetëm në jetën e femrës, por edhe në jetën e përbashkët të çiftit të dashuruar, Bovoar i përshkruan me një realitet që ndonjëherë ngjan me fotografimin. Mund të thuhet se ekziston një formë e natyralizmit në veprën e saj “Pleqëria”, siç është p. sh. përshkrimi i viteve të fundit të jetuara me njeriun e dashur, mandej fundi – jo rastësisht thuhet se fundi pasqyroeht më lehtë, ashtu si perëndimi i diellit që ishte inspirim për fillestarët e impresionizmit. Veprimtaria e Bovoarit për femrën, përmban në vete sistemin e funksionimit të jetës njerëzore. Ajo ndërton filozofi nga jeta, gjatë përjetimit dhe tejkalimit të vetvetes, duke e realizuar kështu jetën me të tjerët. “Gjaku i huaj” (Le sang des autres) është rrëfim për një proces të tillë. Tregimi për filozofinë e jetës dhe të vdekjes me të tjerët, sepse edhe pse jeta është tepër e shkurtër, megjithatë duhet ndarë me të tjerët që të mund të jetohet. Kështu arrihet më lehtë deri në periudhën e pleqërisë. Deri te vdekja ambivalente, kur njeriut nuk i vjen keq për gjë, meqë jeta është e ndarë mirë dhe me njerëz të dashur.
TË GJITHË MESHKUJT JANË TË VDEKSHËM
Ky është titulli i njërës nga veprat e Bovoar-it, që ka të bëjë me një ndër çështjet me interes të qenies njerëzore, me çështjen e vdekjes, madje me vdekjen e gjinisë. Vdekja është fati i përbashkët i njerëzve në këtë botë, por mund të ndodh që ndonjëherë dikush të jetë i pavdekshëm. Kjo ide tingëllon ngjashëm me idenë e Kjerkegorit në veprën e tij “Ose-ose”, ku flet për një varr, mbishkrimi i të cilit ishte: I MALLKUARI. Pasi që njerëzit nga kurreshtja e hapën këtë varr, u pa që varri ishte i zbrazët. A ka mallkim më të madh se dënimi me jetë të përjetshme? – siç duket, kjo pyetje është shumë prezente te ekzistencialistët. Bovoar në veprën e saj flet për një personazh i cili është i lindur që në shekullin e trembëdhejtë i dënuar me pavdekshmëri me vetëdëshirë. Pavdkeshmëria është provokim për përjetim të shekullit, sfidë për jetë të përjetshme në ardhmërinë, në ardhmërinë e cila ka gjasa të mëdha të bëhet realitet, por atëherë parashtrohet pyetja se a ekziston ardhmëria. “Unë jetoj por nuk kam jetë, unë nuk kam për të vdekur dhe nuk kam ardhmëri, unë nuk jam askush. Nuk kam as histori dhe as fytyrë”25 Njeriu mund të jetë edhe i pavdekshëm shpirtërisht dhe një gjë e tillë është edhe e durueshme, por problemi qëndron te trupi, si e duron ai pavdekshmërinë. Trupi i pavdekshëm frikëson nga prekja erotike, të paktën ashtu mendojnë dashnoret e Foskës, personazhi kryesor i pavdekshëm: “Më frikëson trupi yt. Ai i takon një bote tjetër”26. Përse Bovoar e parashtron problemin e pavdekshmërisë? Mos, ndoshta, dëshiron të ndërtojë një metafizikë të ekzistencës së gjinisë? Shumë thjesht, çështja e jetës, kurse, së bashku me të edhe çështja e vdekjes, janë çështjet themelore të filozofisë. Cili është aktiviteti i një mashkulli i cili nuk mund të vdesë? Si do t’i përjetojë ai ngjarjet më të rëndësishme të Evropës Perëndimore gjatë shtatë shekujve? Në jetën e gjatë të tij, tërë energjinë ai do ta shpenzojë në luftëra dhe revolucione, si përufndim të të cilave fiton vetëm ekzil politik. Njëra ndër idetë themelore është fakti se bota nuk mund të zhvillohet pa ndryshime, por, për ndryshimet e tilla janë të nevojshëm njerëz, madje njerëz të vdekshëm, të cilët kanë për t’i çmuar ato pak vite të jetës të cilat i disponojnë dhe dëshirojnë që t’i bëjnë akoma më të bukura. Pavdekshmëria i jep njeriut një tragjikë komike lidhur me këto ndryshime.
Femra e fundit e cila jeton një pjesë të jetës së saj me Foskën e pavdekshëm dhe pasi dëgjon nga ai tregimin për pavdekshmërinë, pas admirimit të parë, ajo mëson se ai megjithatë është i vdekshëm, ashtu siç janë të vdekshëm të gjithë meshkujt e kësaj bote. Por, ata e kanë imagjinuar pavdekshmërinë, për shkak të mungesës së lehtësisë për ta pranuar të njëjtën. Vdekja vjen nga sytë e një femre – do të thoshte Çezare Paveze; mes amshimit që sjellin sytë e një femre dhe jetës së gjatë të mërzitshme, nga frika e së panjohurës, meshkujt heronj e zgjedhin pavdekshmërinë e mallkuar, e cila megjithatë është vetëm një fiksion. Por, pikërisht aty, mashtrohen, sepse gjithçka në botë është vetëm fiksion, kurse meshkujt e pavdekshëm nuk ekzistojnë.
ETIKA FEMINISTE DHE EKZISTENCIALISTE
Etikën e Bovoarit e gjejmë në të gjitha veprat e saj. Ajo shtron pyetjen mbi arsyetimin etik të shumë gjërave dhe institucioneve në shoqëri dhe në jetë. Disa ide nga filozofia e moralit, Bovoar i diskuton në veprën e saj MBI MORALIN E DYMENDËSISË, në të cilën flet për disa çështje të moralit dhe të filozofisë ekzistencialiste. Ajo polemizon me qëndrime të mendimtarëve të ndryshëm, të cilët mendojnë se ekziston një ndarje mes filozofisë së ekzistencializmit dhe filozofisë së absurdit, por Bovoar insiston në dymendësinë e dëshpërimit, duke thënë se nëse ekzistencializmi preokupohet me dëshpërimin, nuk do të thotë se pajtohet me të. Frikën nga ekzistenca, Bovoar e përshkruan si një ndër gjërat më negative për njeriun. Ajo është energji negative e cila është e pranishme në botë. Nëse Niçe ndërton një filozofi të tërë me idenë e Mbinjeriut, i cili ngrihet mbi njerëzit e tjerë me fuqinë e mendimit të vet dhe me guximin për të ndërmarrë hapa personal, Bovoar në mendimin e saj filozofik sjell konceptin e Nënnjeriut, i cili tenton që ta ndrydhë tendencën e tij natyrore për të ekzistuar. Ai i cili nuk ka rrezik para vetes, as që mund të ekzistojë në realitetin botëror. “Në jetën time bëra ç’desha” – thotë de Bovoar, në njërën nga intervistat e saj të fundit. Nuk ka gjë më të mirë sesa nga kjo botë të shkojmë pasi të kemi jetuar jetën, ashtu siç kemi dashur dhe nuk kemi jetuar që jeta të na jetojë ne. Por, për të realizuar një gjë të tillë është i nevojshëm guximi. Nënnjerëzit të cilët dëshirojnë ta tregojnë veten si njerëz seriozë nuk mund të bëjnë një gjë të tillë. Ata janë tepër seriozë, për të qenë edhe të guximshëm njëkohësisht.
Një ndër temat me rëndësi të etikës së ekzistencializmit është sjellja ndaj lirisë. Nuk mjafton që njeriu vetëm të jetë i lirë. Liria fiton kuptim vetëm nëse edhe njerëzit përreth nesh janë të lirë. Çdo akt i ndërmarrë kundër lirisë së tjetrit është akt kundër lirisë së përgjithshme. Gjithnjë, kur flitet për realizimin e qëllimeve, e liria është një nga to, flitet edhe për mjetet për realizim të qëllimeve. Idetë e Bovoar-it për qëllimet dhe mjetet për realizimin e tyre janë të kundërta me idetë e Makiavelit për të njëjtën çështje. Qëllimi që duam ta arrijmë nuk është i rëndësishëm, nëse me anë të mjeteve rrënohet baraspesha në raportet të cilat janë të rëndësishme mes njerëzve.
Bovoar përqëndrohet edhe në tema të tjera morale, duke vënë në dyshim shumë vlera të cilat janë treguar si absolutisht morale në klasifikimin shoqëror të vlerave. Morali është kategori relative dhe ajo që një herë një shoqëri e shpall si morale nuk do të thotë se me të vërtetë qëndron ashtu. Me shtrirjen e dilemave për martesën, për ardhmërinë e amësisë, për prostitucionin, për historinë dhe mitologjinë, Bovoar e bën të diskutueshme bazën sociale për funksionimin e kësaj bote, e cila jeton dhe funksionon në një sistem të vlerave patriarkale, të cialt janë të pranuara, për fat të keq, si vlera universlale. Parashtrimi i të drejtës për alterantivë është një ndër problemet më të rëndësishme të filozofisë së moralit, dhe, me këtë, Bovoar jep një kontribut të madh në etikën feministe ose etikën e studimeve femërore, e cila pretendon të bëhet një degë e pavarur e studimeve akademike.
1S. de Bevoir, “La force de l’age”, Gallimard, Paris, 1959, f. 73.
2C. De Bovoar, “Vtoriot pol”, Nasa kniga, 1989, Shkukp, f. 29.
3Ibid, f. 34.
4Ibid, f. 64.
5Ibid, f. 65.
6Ibid, f. 70.
7Ibid, f. 161.
8Ibid, f. 213
9Ibid, f. 243.
10Ibid, f. 334.
11Ibid, f. 11.
12Ibid, f.15.
13S. De Beauvoir, “Memoires d’une jeune fille rangee”. Gallimard, Paris, 1958, f. 114.
14C. de Bovoar, “Btoriot pol”, Nasa knjiga, 1989, Shkup, f.82.
15C. de Bovoar, “Vtoriot pol”, Nasa knjiga, 1989, Shkup, f. 82.
16Ibid, f. 121.
17Ibid, f, 184
18S. De Beauvoir, “Memoires d’une jeune fille rangee”, Gallimard, Paris, 1958, f.49
19C. de Bovoar, “Vtoriot poll”, Nasha knjiga, 1989, Shkup, f.194
20Idib, f.200
21Ibid, f. 265.
22S. de Beauvoir, “Une mort tres douce”, Gallimard, Paris, 1959.
23S. De Bovoar, “Gjinia tjetër”, Nasha kniga, 1989, f. 321.
24S. de Beauvoir, “Un mort tres douce”, Gallimard, Paris, f. 92.
25Ibid, f. 27.