A janë gratë njerëz
Është dukuri e të gjitha lëvizjeve, sado qëllimmira qofshin, që pionerët e tyre, duke marrë vrull të tepërt, të humbasin vizionin e vet, që është i qartë. Duke dashur të reagojmë ndaj thënies së moçme se “gruaja është damar më i dobët” apo ndaj thënies edhe më fyese “gruaja është krijesë hyjnore”, më duket se i kemi lejuar vetes të humbim rrugë, duke ngulmuar se “gruaja vlen aq sa edhe burri”, gjithnjë pa u ndalur të mendojmë se çka kuptojmë saktësisht me këtë. Se çka duhet të mendojmë, siç ma merr mendja mua, është diçka, aq e qartë, sa që ka prirje të shmanget fare nga vëmendja jonë, me fjalë të tjera: jo secila grua është e fortë, e mençur, artiste, e matur, punëtore etj, falë virtytit të gjinisë së vet, po aq sa, cilido burrë që do ta përmendim; por se, gruaja është qenie e zakonshme njerëzore, po aq sa mund të jetë edhe burr, i cilido qoftë ai, me të njëjtat preferenca individuale dhe me po ato shije e preferenca që i takojnë individit. Ajo që secili e urren është që gjithnjë të konsiderohet si pjesear i një klase e jo si person individual. Natyrisht se, një masë e konsiderueshme e klasifikimit është e nevojshme për qëllime praktike: nuk ka dëm në thënien se gratë, si klasë, kanë eshtrat më të imët se sa burrat, se bartin rroba më të lehta, kanë më shumë qime në kokë e më pak në fytyrë, në kishë e në kinema shkojnë më me rregull ose se kanë më shumë durim me të vegjëlit e zhurmshëm. Po në këtë mënyrë, mund të themi se, njerëzit e bëshëm të të dy gjinive zakonisht janë më babaxhanë se të dobëtit, apo se mësimdhënësit e universitetit të të dy gjinive janë më pedantë në të folur se sa punëtorët e bujqësisë, apo se komunistët e të dy gjinive janë më të egër se sa fashistët ose e kundërta. Ajo që është e paarsyeshme dhe irituese është të marrësh me mend se shijet dhe preferencat e kujtdo qoftë kushtëzohen nga klasa të cilës i takon ai person. Ky ka qenë gabim i shpeshtë që burrat e kanë bërë kur ka qenë fjala për gratë – është gabim i njëjtë, të cilin feministet, sikur kanë ngapak prirje ta bëjnë kur është fjala për veten e tyre.
Le të marrim p.sh. qortimin më të zakonshëm se, gratë e sotme, gjithnjë dëshirojnë “të kopjojnë çkado që bëjnë burrat”. Ka një pjesë të së vërtetës në këtë qortim, siç ka edhe dokrra të kulluara e të pazbutura fare. Ka një numër të punëve e të kënaqësive të cilat burrat me kohë i kanë përvetësuar për vete. P.sh., dikur, burrat mbanin monopolin në arsimimin klasik. Kur pioneret e universitetit te grave kërkuan që gratë të lejoheshin të shkollohen në universitet, përnjëherë u dëgjua e madhe fort, thirrja: “Pse iu dashka grave të mësojnë Aristotelin?” Përgjigjja është JO se të gjitha gratë do të bëhen më të mira, ngaqë kanë mësuar Aristotelin, aq më pak për arsyen që e mendonte Lord Tenisoni se, po të mësojnë Aristotelin, gratë do të jenë edhe mike më të përshtatshme për burrat e tyre, por thjeshtë ngaqë: “ajo që duan gratë si klasë është e parëndësishme. Dua të mësoj Aristotelin. Është e vërtetë se shumica e grave nuk japin pesë para për të, sikur edhe një numër i madh burrash të pashkolluar që zbehen e ligështohen kur ai u bie ndërmend, por ngaqë Unë, kështu siç jam individ ekscentrik, dua të di për Aristotelin, e them se nuk ka gjë në qenien time e nuk ka asnjë funksion të trupit tim që të më pengojë të mësoj Aristotelin.” ¼
Pra kur dëgjojmë se gratë përsëri kanë prekur ndonjë gjë që më parë ka qenë privilegj vetëm i burrave, mendoj se duhet ta pyesim veten: a janë këto trousers or braces. A është ajo gjë me vlerë, e dobishme dhe e përshtatshme për njeriun, si e tillë? Apo, ajo është ndonjë gjë e panevojshme, e shëmtuar dhe është përvetësuar vetëm sa për të grabitur përkatësinë e tjetrit? Këto punë e profesione, sot. Vërtet është qesharake që të vihesh në punën e burrit vetëm e vetëm që të mund të thuash se “edhe gruaja mund ta bëjë të njëjtën punë, urra!” E vetmja arsye e qëndrueshme për t’u marrë me ndonjë punë është se ajo punë të përket ty dhe se ti ke dëshirë të merresh me të.
Në këtë pikë, dikush edhe mund të thotë: “Po, e gjithë kjo është në rregull. Mirëpo, gruaja është ajo që gjithmonë përpiqet ta imitojë burrin. Ajo është krijesa inferiore. Sipas një rregulle, s’ka burrë që përpiqet t’ua marrë grave punën e tyre. Burrat nuk kërkojnë mënyra se si të futen në punët e shtëpisë e t’i nxjerrin gratë nga puna që me të drejtë u takon.”
Natyrisht se nuk kërkojnë mënyra për t’u futur në punët e shtëpisë. Ata tashmë janë futur aty.
Le të pranojmë mendimin se gratë duhet të mbeten në punët e tyre, ato punë që dikur e një kohë i bënin aq mirë, pra se të fillonin të flisnin për vota e të drejta të gruas. Pra, le të kthehemi në Mesjetë dhe të pyesim se, çfarë do të fitojmë si shpërblim, nëse heqim dorë nga disa privilegje politike e arsimore që i gëzojmë sot.
Lista e punëve që do të duhej të na ktheheshin është shumë e gjatë: e gjithë industria e tjerrjes, e gjithë industria e ngjyrosjes, e gjithë industria e thurjes. E gjithë industria e nozullimit dhe, kjo gjë nuk do ta kënaqte Lady Astor-in, e gjithë industria kombëtare e birrarisë dhe e alkoolit. E gjithë industria e konzervimit regjies dhe mbushjes, si dhe e tharjes së mishit. Po ashtu (meqë aso kohe burri shpesh nuk ishte në shtëpi me muaj të tërë, ose ishte në luftë ose në ndonjë punë), edhe një pjesë e mirë në udhëheqjen e pasurisë së patundshme. Ja, këto janë punët e grave, e çfarë ka ndodhur me to? Që të gjitha janë në duart e burrave. Është fare në rregull të thuhet se gruaja e ka vendin në shtëpi, veçse shoqëria bashkëkohore, të gjitha këto aktivitete të këndshme e shumë profitabile, i ka nxjerrë nga shtëpia, ku gruaja përkujdesej për to, dhe ia ka dorëzuar industrisë së madhe, që të udhëhiqen e organizohen prej burrash në krye të fabrikave të mëdha. Madje edhe mjelësja me kapelën e saj të thjeshtë është zhdukur, që të mund të zëvendësohet me mekanikun që përkujdeset për mjetin mekanik të mjeljes.
Tani, ka fort të ngjarë se burrat e industrive të mëdha i bëjnë të gjitha këto punë më mirë seç i bënin gratë nëpër shtëpi. Mbetet fakti se shtëpia përmban shumë më pak aktivitete interesante nga ato që dikur i kishte. Për më tepër, vetë shtëpia është rrudhur e bërë sa një banesë e vogël, sa që po të ngushtojmë punën e gruas vetëm për reprodukim e rritje të familjes, s’ka hapësirë ku ajo do të mund të bënte qoftë edhe këtë punë të vetme. Është e kotë të nxisim gruan e së sotmes të lindë dymbëdhjetë fëmijë, sikurse gjyshja e saj. Ku t’i vendosë, e gjora, pasi që t’i ketë lindur? Pastaj, ku të gjendet ai burrë modern që do të donte të merrej me ta? Është marrëzi kryekreje që t’ia marrësh gruas profesionet e saj tradicionale e pastaj të ankohesh, ngase ajo kërkon profesione të reja. Çdo grua është qenie njerëzore, njeriu nuk mund ta përsërisë shumë shpesh këtë gjë, dhe qenia njerëzore duhet të ketë profesionin e vet, nëse ai ose ajo nuk dëshiron të bëhet njeri i mërzitshëm për botën.
Nuk ankohem se burrat kanë përvetësuar gatimin. Nëse ata mund të gatuajnë njësoj si gratë, apo edhe më mirë, atëherë patjetër duhen lejuar ta bëjnë këtë. Veçse, do t’u duhet të zgjedhin. Në rast se e pranojnë parimin e drejtë se punën duhet ta bëjë ai që e bën atë më së miri, atëherë kjo rregull duhet të vlejë për të gjithë njëlloj, në mënyrë universale. Nëse, gratë në zyrë punojnë më mirë se burrat, ato duhet të punojnë në zyrë. Nëse cilado grua mund të bëhet juriste e zonja, apo mjeke, arkitekte ose inxhiniere, atëherë, ajo duhet lejuar që ta dëshmojë veten. Së pari, të shtrojmë rregullën se puna është më e rëndësishmja, pastaj atë punë ta lëmë të hapur për secilin individ, qoftë burrë apo grua, qoftë i hollë apo i trashë, qoftë i gjatë a i shkurtë, i bukur a i shëmtuar, që është i zoti të bëjë atë punë më mirë se çdokush tjetër në botë.
Tani, shpeshherë pohohet se për gratë puna nuk është më e rëndësishmja. Çka bëjnë gratë (çirret bota) me lirinë që kanë? Cila është ajo grua për të cilën është më e rëndësishme puna, se sa shtëpia dhe familja? Janë të pakta gratë e tilla, e pranoj. Fatkeqësia qëndron në faktin se ato shumë shpesh detyrohen të zgjedhin mes punës, dhe familjes e shtëpisë. Sipas rregullës, burri nuk është i detyruar të zgjedhë. Atij i takojnë të dyja. Në fakt, nëse ai dëshiron të ketë familje dhe shtëpi, zakonisht i duhet të ketë edhe punë, nëse mund të gjejë. Sidoqoftë, ka pasur edhe gra, si p.sh. Mbretëresha Elizabetë dhe Florens Naitingejl, të cilat patën mundësi të zgjedhin – zgjodhën punën dhe patën sukses. Ka pasur dhe ende ka shumë burra që kanë sakrifikuar karrierat e tyre për gratë, nganjëherë me pasoja katastrofike si p. sh. Antony ose Parnell-i. Kur vie puna për të zgjedhur, atëherë cilido burrë a grua duhet të zgjedhë si qenie individuale njerëzore, dhe si e tillë t’i bartë edhe pasojat.
Si qenie njerëzore! Gjithmonë më zbavisin, siç edhe më iritojnë, fjalëbartësit që na informojnë për harenë e zbulimit, se ata vetë kanë pyetur gjithë ato gra që punojnë dhe se të gjitha u janë përgjigjur se “janë mërzitur nga zyra, dhe se me dëshirë të madhe do të dilnin prej aty”. Për perëndinë, cili njeri nuk sëmuret nga zyra dhe kohë pas kohe nuk do të dëshironte ta dilte prej saj? Për çdo ditë gratë që punojnë nëpër zyra humbin gjithë atë kohë, duke u solidarizuar me kolegët e tyre meshkuj që ankohen se me dëshirë do të dilnin nga zyra. S’ka njeri që e do punën, ditë e përditë. Se, puna është mallkim, dihet, dhe sikur gratë ta dëshironin punën e amshuar, nuk do të ishin njerëz fare. Meqë janë qenie njerëzore, e duan punën as më pak e as më shumë nga kushdo qoftë tjetër. Nuk e duan larjen dhe zierjen që vazhdimisht përsëritet, po në atë masë që nuk e duan as daktilografimin dhe qëndrimin e vazhdueshëm pas banakut të dyqaneve. Disa prej tyre, më me dëshirë shtypin në makinë shkrimi, se sa që pastrojnë gjithë ditën me furçë në dorë, por kjo aspak nuk do të thotë se ato nuk e gëzojnë të drejtën, si qenie njerëzore, që ta çojnë ne dreq të mallkuar makinën e shkrimit, sa herë që u mbushet mendja. As që mund të merret me mend numri i burrave të cilët për çdo ditë e mallkojnë makinën e shkrimit; mirëpo një gjë e tillë nuk do të thotë se të gjithë ata do të ishin më të lumtur, sikur të merreshin me ndonjë qëndismë të thjeshtë. E po ashtu edhe gratë.
E pranova se ka fare pak gra të cilat punën e vet do ta vendosnin në radhë të parë nga të gjitha punët e kësaj bote. Do të vazhdoj të pohoj se edhe numri i burrave që do ta bënin një gjë të tillë është fare i vogël. Në të vërtetë, ekziston, mbase, një në njëmijë që i përkushtohet punës me pasion, për hir të vetë punës. Ndryshimi qëndron në faktin se, në rast kur ky një në njëmijë është burrë, thjesht, themi se ai është i dhënë pas punës, me pasion të madh; e në rast se është grua, themi se është njeri i përçudshëm. P.sh. nuk ka argëtim më të mirë se sa të shikosh historianët e së kaluarës, duke u ngatërruar në atë që me kënaqësi e quanin “problemi” i mbretëreshës Elizabetë. Kanë shpikur arsyet më të komplikuara dhe më të habitshme edhe për suksesin e saj si sovran, si edhe për politikën e saj dinake të martesës. Ajo ishte vegla e Burleit, ishte vegla e Leisesterit, ishte e marra e Eseksit; ishte e sëmurë, ishte e deformuar, ishte burrë i maskuar. Ishte mister, dhe duhet të ketë ndonjë solucion të jashtëzakonshëm. Vetëm në kohën e fundit, disa njerëzve mendjendritur u ka shkuar mendja se fundi i fundit zgjidhje e enigmës është fare e thjeshtë. Ajo mund të ketë qenë një nga ata njerëz të pakët që është lindur në profesionin e duhur dhe e ka vënë atë profesion në radhë të parë. Si pasojë e kësaj, një seri e tërë gjërash, u zgjodhën si me magji. Ajo e dashuroi Leisestërin, përse pra nuk u martua me të? Paj, për të njëjtat arësye që një numër i madh mbretërish nuk janë martuar me të dashurat e tyre, ngaqë një gjë e tillë do të krijonte probleme në makinerinë e shtetit. Përse ishte aq gjakpirëse dhe jofemërore, sa të mund të nënshkruante urdhërin e vdekjes për Merin, mbretëreshën e Skocisë? Për të njëjtat arsye që e bënë mbretin Gorgjin e V të thotë se në rast se Dhoma e Lordëve nuk e miraton Projektligjin e Parlamentit, ai do të krijojë fisnikë të tjerë të rinj po aq në numër, sa të mjaftojnë për ta kaluar atë, sepse ajo, sipas masës së kohës së saj, ishte sovran kushtetutar, dhe e dinte se ka një kufi përtej së cilit sovrani nuk mund të kundërshtojë Parlamentin. Meqë ishtë qenoe e rrallë njerëzore dhe ia kishte vënë syrin punës, ajo bëri atë që i duhej bërë; duke qenë qenie e zakonshme njerëzore, hezitoi në masë të madhe, para se të ndërmerrte masa të papëlqyeshme, por sa për misterin femëror, këtu nuk ka një gjë të tillë, sikur ajo të kish qenë mashkull e jo femër, askush nuk do ta merrte as udhëheqjen e saj të shtetit e as qenien e saj njerëzore, si diçka të mistershme. Që të dyja i kishte të mrekullueshme, siç qe edhe vetë person i mrekullueshëm. Ndër të arriturat e saj më të çmueshme ishte se arriti të dëshmojë se sovraniteti është një nga punët të cilën mund ta bëjë edhe gruaja, e cila është e mbrujtur për këtë punë.
Gjë që lind pyetjen se cilat janë ato punë, nëse ka të tilla, që mund të quhen punë grash. Të paktë janë ata njerëz që do të shkojnë aq larg, sa të pohojnë të gjitha gratë janë të mbrujtura për të gjitha punët e burrave. Dhe, atëherë kur njerëzit e thonë një gjë të tillë, kjo është veçanërisht acaruese. Është marrëzi të insistosh se ka po aq muziciente e matematiciente, sa edhe muzikantë e matematicienë, faktet janë tjetërfare, dhe më së shumti që mund të kërkojmë, është se shfaqet ndonjë Damë Etel Smith apo Meri Somervill, duhet lejuar që ta bëjë punën e saj pa u përfolur gjinia apo aftësia e saj. Ajo që kërkojmë, është që të jemi individë njerëzor, sado të posaçëm e të rrallë qofshim. S’ka kurrëfarë dobie nga thënia: “Ti je një vajzë e vogël, prandaj duhet të luash me kukulla”; në rast se përgjigja është “Nuk dua!”, tjetër s’ka se çka thuhet. Shumë pak gra lindin me afinitet për mekanike, mirëpo, në rast se ka ndonjë të tillë, është e kotë të përpiqesh ta bindësh të bëhet diçka tjetër. Kurrsesi nuk guxojmë të themi se shfaqjet e herëpashershme të ndonjë gruaje me afinitet për mekanik, vërtetojnë se të gjitha gratë mund të bëhen mekanike gjeniale, po qe se shkollohen për këtë punë. Kjo, nuk është e vërtetë.
Mendoj se, një pjesë e mirë e konfuzitetit është krijuar për shkak se nuk bëhet dallimi në mes të diturisë së veçantë dhe aftësisë së veçantë. Ka disa çështje të caktuara te të cilat ajo që quhet “pikëpamje e gruas” është e vlefshme, ngase ato përfshijnë dituri të veçantë. Gratë duhen pyetur për gjërat, siç janë arkitektura e shtëpisë dhe e banimit, sepse, në kushtet e sotme, gratë ende merren në masë të madhe me shtëpitë dhe orenditë e kuzhinës dhe mund t’i sjellin dobi të veçantë diturisë për këto fusha. Ngjashëm me këtë, disa prej tyre (jo të gjitha) dinë më shumë për fëmijët, se sa shumica e burrave, dhe këtu, mendimi i tyre si gra, është i çmueshëm. Siç është i çmueshëm mendimi i minatorëve për minierë apo i mjekëve për sëmundjet. Mirëpo, ka çështje të tjera, si p.sh. letërsia apo financat, për të cilat “pikëpamja e gruas” nuk ka ndonjë rëndësi të posaçme. Në fakt, as që ekziston. Këtu nuk përfshihet ndonjë dituri e veçantë, dhe mendimi i gruas për letërsi apo për financa është i vlefshëm vetëm si vlerësim individual. Disa imbecilë të lindur dhe disa redaktorë revistash, herë pas here më lusin të them diçka për shkrimin e romaneve detektive “nga pikëpamja e gruas”. Këtyre kërkesave njeriu mund t’u përgjigjet vetëm kështu: “Ik, mos u bëj i marrë. Sipas kësaj mund të më pyesësh edhe se, cili është këndi femëror i trekëndëshit të barabrinjtë?”
Njëherë më pati pyetur një burrë, e vërteta është se kjo ka ndodhur në mbarim të një darke shumë të mirë dhe komplimenti i shprehur mund të këtë rrjedhë nga këto rrethana, siç më shkon përdore që të shkruaj biseda aq të natyrshme në mes burrash, kur ata janë vetëm. A thua, mos isha anëtare e ndonjë familjeje të madhe e të përzier, që ka shumë shokë e miq? U përgjigja se ishte krejtësisht e kundërta, unë isha fëmija i vetëm dhe praktikisht kurrë nuk kisha folur me asnjë mashkull të moshës sime, deri sa mbusha diku rreth 25 vjet. “Paj,” ma ktheu ai, “s’ma kishte marrë mendja se një gruaje (d.m.th mua) mund t’i shkonte përdore që këtë ta bëjë në mënyrë aq bindëse.” U përgjigja se kjo gjë më shkoi ndoresh, kur këtë problem u përpoqa ta zgjidhja, duke i bërë burrat e mi, deri në atë masë që është e mundur, të flasin si qenie të zakonshme njerëzore. Një aspekt i tillë i kësaj çështjeje duket se e befasoi atë tjetrin; nuk foli tjetër, por i mori me vete ato që i thashë për t’i bluar më vonë. Mbase, ndonjë ditë edhe atij do t’i shkojë mendja se, gratë, sikurse edhe burrat, kur janë vetëm për vetëm, gjithashtu, flasin si qenie të zakonshme njerëzore.
Në të vërtetë, përvoja më ka mësuar se, edhe gratë, edhe burrat janë në esencë njerëzor dhe ka fare pak mister te cilado gjini, përveç misteriozitetit ngacmues të njerëzve në përgjithësi. Edhe pse për qëllime të veçanta është e mundshme që ende të jetë e nevojshme, siç nuk ka dyshim se ishte në të kaluarën jo fort të largët, që gratë të bashkohen, si gra, për të siguruar njohjen e kërkesave të tyre si gjini, jam e sigurt se ka ardhur koha që të theksohen më me ngulm kërkesat e secilës grua, por edhe të secilit burrë, si person individual. Është thënë se gratë nuk kanë espirit de corps; ne kemi dëshmuar se kemi, mos na bëni të kalojmë në lajthitjen tjetër në insistimin agresiv feminist se për çdo çështje ekziston “pikëpamja”. Të vësh një klasë në kundërshtim me një tjetër, vazhdimisht, rinia kundër pleqve, puna fizike kundër asaj mendore, të pasurit kundër të vobektëve, gruaja kundër burrit, do të thotë të ndash bazën e shtetit; dhe, nëse e çara futet shumë thellë, nuk do të ketë asnjë mjet përmirësimi, por vetëm forcë dhe diktaturë. Nëse dëshiron të ruash demokracinë e lirë, duhet ta vendosësh atë, jo në klasë e kategori, ngase kjo të shpie në shtetin totalitar, ku askush nuk guxon të veprojë e të mendojë, por vetëm si pjesëtar i një kategorie. Duhet ta vendosësh atë në individin Tomin, Dikun, Herin, në individin Xhek e Gjill, në fakt në mua dhe në ty.
Perkthëu: Sazana Çapriqi