Revista 2

Shkrimtarja angleze V. Woolf në fillim të shekullit shkruante se gruaja nuk ka atdhe. E zhveshur nga çdo liri dhe pa asnjë të drejtë elementare ajo është krejtësisht e pafuqishme të ndikojë në çfarëdo rrjedhe të shoqërisë. Nga kënvështrimi i saj nuk ka rëndësi se kush e udhëheq shtetin, anglezi, francezi a gjermani. Pozita e saj mbetet e njejtë. Fundja, gruas nuk i lejohet as të luftojë…Në prag të luftës së dytë botërore, ajo e tmerruar nga lufta, e vetëdijshme për pafuqinë e saj që të ndikojë sadopak në pengimin e kësaj lufte, vret veten duke mos qenë në gjendje t’i përballojë pamjet e tmerrshme nga lufta…
Përsëri këmbanat e luftës bien. Zhurma e tyre shurdhon çdo tingull tjetër. Në mars ranë viktimat e para në Kosovë. Mes tyre fëmijë, gra shtatzëna….Pamjet tmerrojnë. Para krimit njeriu s’ka si të mos stepet.
Në gjithë këtë vorbull krimi e tmerri, gratë e Prishtinës vendosën të nisen me bukë në dorë për të çarë rrethimin e për të shpëtuar jetërat e njerëzve. Një kolonë e gjatë me gra të cilat janë nisur këmbë të shkojnë deri në qendrën e krimit ku shuhet jeta e qindra grave e femijëve të pafajshëm e të pafuqishëm. Duke shkelur këtë rrugë e duke flakur atë frikë, ato pushtojnë pjesën e vet të lirisë. Me vete bartnin mesazhin e madhërishëm të paqes e jo atë të dhunës e urrejtjes. Edhe në momentet më të rënda kur përsëri manipulohet me gruan për shkaqe politike, kur rrezikohet vetë qenja fizike e gruas. Ajo nuk e humbë kurajon. Gruaja është krijuar për të lindur jetën e jo për ta shuar ate. Ky është mesazhi që sot gruaja shqiptare ia transmeton mbarë botës. Ajo tash nuk rrezikohet si grua po si qenie njerëzore sadoqë fati sërish e gjuan me peshën e vet diskriminuese e të pamëshirshme.
Në çastin kur revista përgatitej për shtyp ndodh e gjithë kjo katrahurë që shtron dilemën, të vazhdohet apo të ndërpritet deri në kohë më të qeta. Detyra e shenjtë e krijimit të jetës nënkupton edhe përpjekjet për ta ruajtur e rritur atë. Gruaja e këtij fundshekulli në Kosovë i gjason me shumëçka gruas pa atdhe të fillimit të shekullit në Angli. Njëra nga arsyet pse revistat e këtilla në Kosovë duhet të nisin pikërisht tash, tepër vonë. Po gruaja shqiptare e fundit të këtij shekulli i gjason poashtu me shumëçka gruas angleze të kohës së vet. Një arsy e madhe për të vazhduar me numrin e ri të kësaj reviste që pretendon të krijojë një nivel elitist të gjykimit, të krijimit, të mbijetimit edhe në kushtet e këtilla aspak të përshtatshme për një punë të këtillë.