Cila do të jetë ajo erë e re?
Jake Alexander, një zezak i trashë e i madh, gjysmë skocez e gjysmë afrikan, ishte duke tundur një fërtere të madhe me proshutë të fërguar, në sobë gazi, në dhomën e pasme në shtypshkronjën e tij në Johanesburg, kur në vesh i ra trokitja në derën e hyrjes së dyqanit. Zhurma e yndyrës në fërtere dhe zërat e të pesë burrave në dhomën e pasme i mbulonin gati të gjithë zërat nga jashtë, me sa dukej trokitja kishe zgjatur për ca kohë meqë nuk prante fare. E largoi fërteren nga zjarri, me një dorë derisa me tjetrën bëri gjestin e heshtjes me padurim, thuase donte t’i heshtte edhe zërin e burrave edhe zhurmën e fërterës përnjëherë. Duke e kuptuar gjestin e tij si kujdes, burrat me të shpejtë i ngritën gotat me pikat e fundit të brandit të fundditës që po e pinin pa u ngutur, i cakëlluan dhe e nisën teposhtë atë që kishte mbetur. Klaasi i vogël, i verdhë, me flokë si tela leshi të kuqrremtë, i mblodhi pa u ndier gotat dhe i fshehu pas perdes së ndytë që mbulonte raftin.
“Kush është?” bërtiti Jake, duke i fshirë duart e yndyrëta për pantallona.
U ndie një britmë e mprehtë e tallëse e pasuar nga një zë anglezi: “Unë – Alisteri. Pash zotin, Jake!”
Trashalluku e ktheu fërteren në zjarr, kaloi nëpër shitoren e errët, la pas shtypëset e plogështa, arriti te dera dhe e hapi duke e vërvitur. “Z.Halford!” tha . “ Më vjen mirë t’ju shoh. Urdhëroni hyni. Atje nga prapa nuk dëgjohet asgjë.” Anglezi i ri me sy të butë, buzë të ashpra e flokë të drejtë e të pangjyrë që vareshin teposhtë, nga tepja e kresë, në formë spiraleje të ndytë e të ngatërruar, u largua pas t’i bënte rrugë një zonjushe, që ajo të mund të hynte para tij. Para se Alisteri të arrinte t’i njohtonte, ajo i zgjati dorën Jake-it dhe ia shtrëngoi butësisht, duke buzëqeshur. “Mirëmbrëma, Jennifer Tetzel,” – tha ajo.
“Jennifer, ky është Jake Alexander,” zotëriu i ri ia arriti të hynte brenda, prapa supeve të saj.
Ata të dy hynë në ndërtesë nga rruga, duke kaluar nën harkun e formuar nga shkrimi NDËRTESA E ERËS SË RE. “Cila është ajo erë e re?” pyeti zonjusha me zë të lartë, hareshëm, derisa ishin duke pritur në korridorin e errët për t’u hapur dera, e Alister Halfordi nuk e dinte nëse i referohej zbulimit të minierës së thellë të arit e cila e kishte shpëtuar Johanesburgun nga fati jetëshkurtër i kampit të minierave në vitet e nëntëdhjeta, apo optimizmit pas zgjidhjes së problemit të punëtorëve në vitet e njëzeta, apo rimëkëmbjes pasi që mbaroi lufta e standardit të artë në të tridhjetat- me të vërtetë, askush nuk kishte ide për vjetërsinë e këtyre ndërtesave në këtë skaj të shkatërruar të qytetit. E tash, duke hyrë brenda e duke lënë pas korridorin e zymtë e të shkretë, i cili kundërmonte pluhur dhe dërrasa të mykura – kundërmim pritjeje – ata u takuan me jetën, me aromën e ftohtë të ngjyrës dhe aromën e ngrohtë shtëpiake të yndyrës së derrit – kundërmim pranimi. Nuk kishte shumë dritë në puntorinë e braktisu. Mikpritësi u ndesh për muri dhe e ndezi një llampë të zhveshur, lart në tavan. Për një çast, që të tre mbetën duke rrudhur sytë e shikuar njëri tjetrin: zezaku me trashësinë e njeriut të botës, i veshur keq – jo nga skamja por sigurisht sepse ashtu i pëlqente – me këmishë sportive të shqyer prej nga shiheshin dy pala barku, plot qime që fshihnin kërthizën, e formonin një buzëqeshje të gjërë, por të pabuzë, pantallonat e një kompleti të mirë, të shpërthekuar e të lidhur rreth beli me një kravatë në vend të rrypit, dhe një palë këpucë të shtrenjta sportive, mbathu pa çorapë; anglezi i ri në komplet të vjetruar stofi të gjelbërt, të prera në stilin neo-eduardian, prerë deri në bel që e bëntë të dallohej se ka mbetur që nga ditët e studimeve; zonjusha e bardhë, e bukur, të cilës posa i ra drita, Jakeit përnjëherë iu duk shumë e njohur.
Ai nuk e kishte takuar asnjëherë më parë por e njihte këtë tip femrash mjaft mirë – i kishte parë sa e sa herë në mbledhjet e kongresit të demokratëve, dhe organizatave të tjera në të cilat të bardhët përparimtarë takojnë zezakët përparimtarë. Këto ishin gratë e bardha të cilat, Jake e dinte, ngulnin këmbë duke e pranuar vetveten si të barabarta me ju. Kjo ishte më e keqe, mendonte ai, se sa famullitarët të cilët ngulin këmbë duke të pranuar si të barabartë me veten. Famullitarët kanë kaluar dhjetë vjet shkolle dhe shtatë vjet në universitet e shkollë të teologjisë; e ju i keni bartur thasët me perime prej tregut deri te veturat e të bardhëve prej moshës tetë vjeçare deri atëherë kur je bërë shegërt i shtypësit, dhe femra jote e parë, sikur nëna jote, ka qenë shërbëtore, të cilën e ke vizituar në dhomën në skaj, dhe gëllënjka e parë i ëhiskeyit ka qenë, sikur edhe shumë kënaqësi tjera, i vjedhur derisa i bardhi nuk vërente. Megjithatë famullitari i mirë këmbëngulte se jeta jote është plotësisht e njëjtë me të tijën: ti je ndier ashtu si ai. Por këto gra – oh, Jezu! – këto gra janë ndier ashtu si je ndier ti. Ato ishin të sigurta. Ato mendonin se e kuptojnë nënçmimin e zezakëve që ecin rrugëve vetëm nga ndalesa për kalim e shkruar nga të bardhët, dhe fajësia e mendjemadhësia e zezakëve me fytyra të ndritura mjaft sa për tu përvjedhur, të arratisur nga lëkura e tyre, në vende të ndaluara për ta, kinema, bare, librari – të shënuara “ VETËM EUROPIANËT”. Po, pafrymë e me ndjeshmëri të theksuar, këmbëngulnin të kalonin duke u kolovitur përgjatë vijës së ngjyrosur. Nuk kishte të ikur nga të kuptuarit e tyre. Ato, bile, insistonin ta ndienit lëndimin e tyre në identifikimin e tyre të vetvetes me ndjenjat e juaja…
Ja ku ishin flokët e zez të gruas së vendosur (vitin e kaluar i mbanin të lidhura shtrënguarshëm mbrapa në nyjë të çuditshme; sivjet ishin të prera e kaçurela sikur të ndonjë qeni të llastuar), të rrumbullakët, balli i thatë e i papudrosur që të mos e theksojë ngjyrën e zeshkët, goja e kuqe, mollëzat e buta, sytë e mëdhenj, të bukur e plot jetë, të lyer shumë, që mund të të shikojnë me aq ndershmëri dëshirimi e intelegjente – dëshirim për të vëzhguar se çka ndiente Jake Alexander, një zezak i madh e i trashë që interesohej për femra, para, brendi e boks. Sidoqoftë, kush është ai që kërkon femër të ta shikojë ndershmërinë? Çfarë ka të bëjë e gjthë kjo me femrën – me atë që meshkujt dhe femrat kanë për njëri-tjetrin në sytë e tyre? Ajo kishte të veshur një fund të gjerë të zi, një bluzë të bardhë pambuku që zbulonte një pjesë të mirë të gjinjve të saj, dhe vathë që dukej sikur t’i kishte mbaruar ndonjë farkëtar nga mbeturinat e hekurit. E në këmbë kishte sandale, lidhëset e të cilave e kishin lënduar ndërmjet gishtave, ndërsa thonjtë e këmbëve i kishte të lyer ngjyrë gjaku. Përkundër tyre duart i kishte të pambajtura, të verdha e të paregulluara – e në njërin gisht të hollë i rrotullohej një unazë e madhe e praruar. Ajo ishte e bukur, pohoi ai me neveri.
Ai qëndronte aty, i trashë, plot yndyrë duke u nënqeshur dy vizitorëve aq përtueshëm sa që shikimi i tij i përtueshëm të fyente. Më në fund pyeti, “Cka ju pruri në këtë skaj të qytetit, Z.Halford? Shëtitja me zonjushën?”
Anglezi i ri ia shtrëngoi krahun Jakut, aty ku mbaronte mënga e tij e shkurtër e këmishës së shkyer. “ Vetëm mendova të të shoh Jake,” – tha ai gëzueshëm.
“Urdhëroni, urdhëroni brenda,” – tha Jake duke ngritur tonin, e duke i zvarritur këmbët para tyre drejt shoqërisë në dhomën e pasme. “ Ja këtu, dhe një karrigë për zonjushën?” Ai largoi një deng faturash nga një karrigë kuzhine në çimenton e pluhurosur, e ngriti karigen dhe e vendosi sërish në mes të grupit të meshkujve të cilët ishin ngritur me përtesë me të hyrë të vizitorëve. “Maxi Nduben e njeh? Dhe Tembën? – tha Jake, duke bërë me shenjë kah dy meshkujt që e rrethonin.
Alister Halford pohoi njoftësinë me Maxin, duke murmuruar me një ngrohtësi të sjellshme, një afrikan i vogël me fytyrë të hollë në tesha të pastra biznismeni, pastaj u kthye kah Temba dhe duke u pyetur e duke nguruar tha, “A jemi takuar? Kur?”
Temba ishte zezak – përzierje e gjakut të skllevërve zezakë dhe zotërinjve të bardhë, të bashkuara para shumë kohësh, në kohën kur Kepi i shpresës së mirë ishte port freskimi për Dutch East India Company. Ai ishte i gjatë dhe i zbehtë, me mollën e madhe të Adamit , sy futë të zi, dhe me shikim të një muzikanti të ndonjë xhaz grupi; mund të paramendoni trumpetën të ngritur deri në tavan në ato duar të gjata e të verdha, që përkulen, me shpinë të përkulur përpara për të nxjerrë një notë të ulët. “Në Durban, vitin e kaluar, Z.Halford, ju kujtohet?” – tha ai me ngazëllim. “Jam i sigurtë se jemi takuar – ose ndoshta unë vetëm ju kam parë atje.”
“ Oh, në Kongres? Sigurisht se më kujtoheni!” Halford kërkoi falje. “Ju ishit në delegacionin nga Kepi?”
“ Zonjusha – ?” Jake Alexander bëri me dorë mes zonjushës, Maxit dhe Tembës.
“Jenifer. Jenifer Tetzel,” tha ajo qartaz, duke zgjatur dorën. Ishte një moment konfuz kur të dy burrat u nisën drejt saj dhe pastaj të dy ngurruan duke i lënë rrugë njëri tjetrit. Më në fund përfundoi edhe shtrëngimi i duarve, dhe zonjusha e re u ul plot vetëbesim në karigë.
Jake vazhdoi, i shkujdesur, “Oh, dhe natyrisht Billy Boy – “ Alister dalloi me kujdes zezakun me sy të dëshpëruar e të skuqur, i cili qëndronte me pritesë, ca hapa mbrapa, pas disa dengave të letrave – “ dhe Klaas dhe Albert.” Klaas dhe Albert kishin në përzierjen e gjakut të tyre edhe racë të bushmanëve, që u jepte atyre një verdhësi dhe ashpërsi të batraçianëve, sikur të ndonjërës nga ato bretkosat të cilat (parahistorike si bushmanët) sipas mitit, besohet, se kanë mbijetuar deri në kohët moderne (pak më pabesueshëm se vet bushmanët që kanë mbijetuar) duke i kaluar shekujt të mbyllur në ballon ajri nëpër shkëmbinj. Sikur Billy Boy, edhe Klaas dhe Albert ishin tërhequr mbrapa, dhe, sikur përulja kah dengat e letrave, muri ose dritarja të ishin përshëndetje në vetvete, dy zezakët e vegjël dhe afrikani i madh vetëm i kishin ngulitur sytë tek dremitjet mashkullore të Alisterit dhe buzëqeshja e ndritshme e zonjushës së re.
“Keni ardhur nga Kepi për ndonjë gjë speciale?” i tha Alister Tembës derisa i bëri vetes vend në këndin e tavolinës që ishte plot me blloqe fotografish, copa të shtypësit, posterë, një shishe me qumësht të tharbur, një kravatë flutur, një palë krahoshe të kuqe dhe disa shishe të zbrazëta të koka-kolës.
“ Kam jetuar në Durban një vit. E shfrytëzova rastin e transportit deri në Jo’burg,” tha Temba shalëgjatë.
Jake u rehatua pa vështërsi, i mbështetur në stufë dhe duke e pasur zonjushën Jennifer Tetzel përballë të ulur në karrigë. Ai e ktheu kokën kah Temba dhe tha, “ Banana djalosh i vërtetë.” Të rinjtë e bardhë të rritur në traditën e ashpër anglo-saksone të provincës së Natalit shpesh i kanë quajtur, e edhe ata veten e kanë quajtur “banana djem”, edhe pse gjithnjë e më pak prej tyre kanë ndonjë lidhje me numrin e zvogëluar të pronave të mëdha të bananeve të cilat dikur i kanë pasuruar pronarët e tyre. Fytyra e gjerë e Jakut, ku mollëzat e tij të ndritshme pembe të pamjes së malësorit – të trashëguara, bashkë me emrin e tij, nga babai skocez – tregonin vetëm përmes trashësisë së tij, lëkurës si prej leshi natyral, të rrudhura lart si falenderim i shakasë së tij. Edhe Temba e ngriti kokën dhe qeshi, molla e Adamit i dridhej, kur paramendoi vetveten si djalosh i bardhë në shkollë shtetërore duke luajtur kriket.
Asnjë vend nuk është si qyteti i Kepit, apo jo? iu drejtua zonjusha atij, duke kthyer kokën në mënyrë joshëse në njërën anë, sikur ky pohim të ishte diçka e përbashkët ndërmjet tyre.
“Zonjusha Tetzel ka ardhur të përkujdeset për ne. Ajo është nga Kepi,” shpjegoi Alister.
Ajo u kthye kah Temba ashtu siç ishte, me tërë bukurinë dhe provokueshmërinë e saj. “Do të thotë se jemi fqinj?”
Jake e vendosi njërën këmbë rehatshëm mbi tjetrën dhe një qeshje e ndërprerë shpërtheu nga pjesa e brendshme pembe e buzëve të tij.
“Ku keni jetuar?” vazhdoi ajo, kah Temba.
“Në banesat e kepit,” tha ai. Banesat e kepit janë gërmadha me ngjyra të shkreta në kaçuba jashtë qytetit Kep.
“Unë gjithashtu,” tha vasha shlirshëm.
“Po bën shaka” tha Temba butësisht, e pastaj ktheu shikimin shqetësueshëm nga duart e tij, si të kishin ato faj për ndonjë lëvizje të ngathët. Ai nuk kishte menduar të tingëllonte aq i afërt; fjalët nuk ishin të qëlluara.
“Kam jetuar atje gati dhjetë muaj” tha ajo.
“Paj, disa njerëz kanë shije të çuditshme,” tha Jake, duke qeshur, askujt veçanërisht, sikur ajo të mos ishte aty.
“Si ashtu?” Temba e pyeste atë me respekt dhe me dro..
Ajo përmendi emrin e një plani social rehabilitues që zbatohej në gërmadha. “Unë jam, momentalisht, ndihmëse e drejtorit për këtë punë. Ka të bëj me llojin e punës që bëj në Universitet, andaj më kanë dhënë leje për pesëmbëdhjetë muaj nga puna ime e zakonshme.”
Maxi vërejti me interesim mënyrën si e përdori ajo fjalën “punë”, sikur të ishte jaran i ndonjë instaluesi uji; ai dhe shokët e tij të shkolluar afrikanë – gazetarët dhe arsimtarët – kanë kujdes që gjithmonë të flasin për “profesionet” e tyre. “Punë të mira,” tha ai, duke qeshur qetë.
Ajo i vendosi këmbët rehatshëm para veti, duke i përdredhur në karrigën e fortë, dhe I tha Tembës me një sinqeritet prej burri, “Eshtë vend i tmershëm. Pash zotin si ia ke arritur të jetosh atje? Unë nuk besoj se mund të duroj më shumë se edhe disa muaj, dhe unë gjithmonë e kam pasur banesën time në qytet për të ikur atje të dielave.”
Derisa Temba buzëqeshte, duke i kthyer anash ngadalë sytë e tij të qitur, Jake e shikoi drejt në sy dhe i tha, “Atëherë pse, zonjushë, pse?”
“Oh, nuk e di. Sepse nuk po shoh pse dikush tjetër – dikush prej tyre që jetojnë atje – do të duhej, po supozoj.” Ajo qeshi para çdonjërit që të mundej nga dobësia, padobia filantropike e asaj që tha. “Faj, çka-ke-ti…
Maxi i mblodhi supet, sikur të përmendej ndonjë sëmundje e shtrenjtë të cilën nuk ka pasur mundësi t’ia lejojë vetes dhe simptomet e të cilës nuk mund ti marë me mend.
Ishte një moment qetësie; dy zezakët e shkurtër dhe zezaku i madh që qëndronin të mbështetur për muri shikonin të shqetësuar, sikur ndonjë lloj signali të pritej, me siguri prej Jake Alexander, shefi i tyre, njeriu i cili, sikur edhe ata, nuk ishte i bardhë, megjithatë i cili kishte biznesin e vet dhe kishte veturë, para dhe miq të çuditshëm – ndonjëherë edhe miq të bardhë, sikur këta. Ata tre ishin të veshur me tesha të vjetra keq të kombinuara të cilat i veshin të gjithë punëtorët e shtresave të ulëta që nuk janë të bardhë, në Johanesburg, dhe ata nuk e kishin harruar aftësinë e fshatarëve për t’i ngulitur sytë, hutueshëm, hutueshëm.
Jake ia shkeli syrin Alisterit; ishte një nga veset e tij – shenjë libri, shenjë e komedianit në skenë. “Po si po të shkojnë punët, djalosh, si po të shkojnë?” tha ai.
Ndërrimi i tij i bisedës ishte thënia e tij, që ishte bonhemi e bareve; me pak fat ai mund të hynte edhe në ndonjë bar. Me një kapelë për t’ia mbuluar flokët dhe jakën e palltos të ngritur, ku i shndritnin vetëm pak mollëzat e faqeve të kuqërremta ai ishte përvjedhur shumë herë me Alisterin në baret e ndyta të hoteleve të Johanesburgut dhe kishte kaluar mirë. Në anën tjetër, Alisteri ia kishte arritur disa herë me të njëjtën gjë, kur e kishte shoqëruar Jakun në tavernë në rrethinë zezakësh, ku nuk ishte e lejuar për të bardhët të hyjnë, sikur që nuk ishte e lejuar për askë të pinte aty; Alister kishte ikur dy herë nga dritarja për t’i shpëtuar sulmit. Alister kishte qenë vetëm tetëmbëdhjetë muaj në Afrikën Jugore si korrespondent i një gazete të Anglisë, dhe vetëm pse ishte dy apo tri vjet larg këtyre trimërive çunake këso incidentesh dukej se i jipnin një lloj kënaqësie nostalgjike; atij i dukeshin argëtuese. Jake, sa i përket atij, kishte vendosur para shumë kohësh (me ndihmë të madhe të parave që i kishte fituar) se do ta merrte biznesin e një bari zezakësh si shaka. Kombinimi i këtyre dy qëndrimeve, që rrjedhnin nga situata aq shumë të ndryshme, e kishte bërë që miqësia në mes tyre të ishte më pak e vetëdijshme se që është zakonisht ndërmjet një të bardhi dhe një zezaku.
“Më kanë thënë se do të bëhet mirë të shtunën mbrëma?” i’u drejtua Alisteri me ton pyetës ndokujt që ishte në ngjarje. Ai fliste për ndeshje boksi në mes dy zezakëve në kategori të rëndë, njëri prej të cilëve ishte nën mbikëqyrjen e Jakut.
Jake nënqeshi me mosbesim, si ndonjë nënë e dashur. “Paj, Pikkie është djalosh i mirë,” tha ai. “Të them, do të jetë diçka që vlen të shikohet.” Ai lëvizi pak këmbët e tij të ngathëta duke imituar pa zë bokserin i cili i bie vetes, dhe u shemb në stufë, e beli i dridhej nga të qeshurat pafrymë.
“Shumë cigare, shumë konjak, Jake”, tha Alister.
“Në rastin tim, ka shumë femra, djalosh.”
“Sapo ishim duke i uruar Jakut” tha Maxi me zërin e tij të butë e të qartë, tonin e llastuar e ironik të të mbrojturit i cili është më superior se vetë patroni i tij, pasi Maxi gjithashtu ishte njëri nga djelmoshat e Jakut – i një lloji tjetër. Edhe pse Jake kishte kuptuar se për të ishte qesharake të jetë në anën e gabuar të barit, ai ishte poaq i kuptueshëm për ata që e merrnin seriozisht dhe politikisht, siç bënte Maxi, kur ishte me ndonjë të ri plot energji, i cili, të themi, kishte talent në ring ose dëshironte të shkonte në Amerikë të bëhej këngëtar. Ata të gjithë mund ta lironin veten nga xhepi i Jakut, dhe shtypshkronja e tij, dhe dhoma e tij në pjesën e poshtme të qytetit, ku standardi i ndërtesës kishte rënë shumë nën atë të të bardhëve por ishte shumë më i lartë se sa ai që shumica e zezakëve ishin mësuar ta kenë.
“Urime, për çka?” pyeti zonjusha e bardhë. Ajo kishte një mënyrë të të shikuarit përreth, pyetës, prej fytyre në fytyrë, që vinte nga të mësuarit e të qënit në qendër të vëmendjes nëpër ndeja.
“Po, mund të ma shtrëngosh dorën, djalosh” i tha Jake Alisterit. “Unë nuk e kam parë, por këta shokë më treguan se shkurorëzimi im ka kaluar. Eshtë në gazeta sot.”
“Ashtu? Por nga sa dëgjova unë, nuk do të jeshë i lirë për një kohë të gjatë,” tha Alister me shpoti.
Jake qeshi paksa i shqetësuar, dhe shtypi njërin nga dhëmbët e artë me thonin e tij të fortë. “Ke dëgjuar për paketin që po e pres nga Zulu?” pyeti ai.
“Zulu?” tha Alister. “Unë mendova se Lila ishte nga Stellenboch.”
Maxi dhe Temba qeshën.
“Lila? Cila Lila? tha Jake me një pafajësi të egzagjeruar.
“Ti qenke shumë mbrapa,” i tha Maxi Alisterit.
“E di, unë i dua – ashtu si të rrumbullakëta,” tha Jake. “S’më interesojnë të hollat, për staza të gjata.”
“Por Lila i kishte flokët e kuqe!” e nxiste Alisteri. Atij i kujtoheshin flokët e drejtuar e të ngjyrosur që nuk ishin në përputhje me vashën e mirë zezake, vrimat e hundës të së cilës zgjëroheshin sikur disa lloje të caktuara bimësh ujore mishtake kur kërkojnë gjah.
Jenifer Tetzel u ngrit dhe e ndali gasin në stufë, mbrapa Jakut. “Ajo proshutë do të bëhet sikur fije e shkrumuar,” tha ajo.
Jaku nuk lëvizi – vetëm e shikoi atë përtueshëm. “Kjo nuk është mënyrë se si bisedohet në prani të zonjushës.” Ai u ngërdhesh pa kurrfarë ndjenje faji.
Ajo i buzëqeshi dhe u ul, duke i lëvizur vathët. “Oh, edhe unë vetë jam e shkurorëzuar. Mos po ju ndalim nga darka? Vazhdoni hani. Mos u mërzitni për ne.”
Jaku u kthye, i lëvizi pak copat e thata, dhe e largoi fërteren. ”Ç’hamam, jo,” tha ai.
“Në çdo kohë. Por – “ duke u kthyer kah Alister – “a nuk doni edhe ju të hani pak?”
Ai shikoi përreth, i pazot dhe i pabrenga, sikur të donte të bënte me dije mungesën e pjatave dhe mungesën e pakujdesisë në përgjithësi të gjërave, të cilat gratë e bardha janë mësuar ti përdorin kur hajnë. Alister tha shpejt, jo, i kishte premtuar Jeniferit ta çonte në Moorjee.
Natyrisht Jaku është dashur ta dijë; një femër si ajo dëshiron të shkojë në lokal indian në Vrededorp për të ngrënë, edhe pse ishte e bardhë dhe e lirë të hajë në hotelin më të mirë në qytet. Ai e ndiu papritmas, pas të gjithave, hapësirën e vjetër mes tij dhe Alisterit të hapej: çka shihnin ata në këso femrash – të krekosura, të mprehta, që shohin çdo gjë, që dinë çdo gjë, që flasin si meshkujt, që dëshirojnë të tregojnë gjithë kohën se, përveç gjinisë, ato janë plotësisht të njëjta me meshkujt? Ai e shikoi Jeniferin dhe teshat e saj, dhe mendoi si mund të duket një femër e bardhë: një nga ato femrat europiane, të mëdha, të buta me flokë të verdha e kaçurrela, me këpucë me take shumë të larta që i bëjnë të dridhen butë kur ecin, me erë të fortë, sikur e luleve të njoma, që duket se vjen nga gjinjtë e tyre të spikatur përfundi dantellës edhe pembe edhe të kaltër edhe të gjitha gjërave tjera që veshin – femrat me asgjë rezistuese në to përveç, atyre thonjve të thekësuar të kuq, në gishtërinjtë e paeshtra, të varrosur në të bardhë, që të gërvishtin pa fuqi në pëllëmbët tua.
“Është dashur të ishit sot me mua në drekë,” tha Maxi duke mos iu drejtuar askujt në veçanti. Ose ndoshta zëri i butë, tingujt e majave të gishtërinjve, ishin të drejtuara kah Alisteri, i cili e njihte punën e Maxit si organizator i unioneve tregtare afrikane. Grupi në dhomë përqëndroi vëmendjen tek ai ( Temba me një ulurimë të vockël inkurajuese të atij i cili e ka dëgjuar storien më parë), por Maxi u ndal për një moment, duke qeshur pikëllueshëm për atë që do të tregonte. Pastaj tha, ”E njihni George Elson?” Alisteri bëri me shenjë. Ai ishte gjykatës i bardhë që ishte arrestuar dy herë për pjesëmarje në lëvizjet anti-bareve-të ngjyrsorua.
“Oh, George? Unë kam punuar shpesh me Georgen në Kejp-taun,” shtoi Jenifer.
“E,” vazhdoi Maxi, “George Elson dhe unë shkuam në njërin nga qytetet industriale në East Rand. Ne i intervistonim shefat, kuptoni, jo meshkujt, dhe në fillim çdo gjë ishte në rregull, edhepse, një apo dy herë vashat në zyre mendonin se unë jam shoferi i Georgut – “Djaloshi juaj mund të presë jashtë.” Ai qeshi, duke treguar dhëmbët e tij të vegjël e të përsosur; çdo gjë e tij ishte mirë e ndërtuar – duart e tij të zeza me gishtërinj të drejtë, vrimat e hundës së tij të vogël afrikane të kthyera, veshët e tij të vegjël, që zgjateshin pranë anëve të kokës së tij delikate. Të tjerët rrinin të qetë, pa zë, por zonjusha e re qeshi, gjithashtu.
“Bile pimë edhe çaj në një vend,” vazhdoi Maxi. “Një nga vashat erdhi me dy gota xhami dhe një gotë teneqeje. Por George e mori teneqen.”
Jenifer Tetzel qeshi sërish, me qëllim.
“Pastaj mu në kohë të drekës erdhëm në këtë vend që desha t’ju tregoj. Burrë i mirë, menaxheri. Asnjëherë nuk më shikoi shtrembër, më quante zotëri. Dhe pasi që biseduam, i tha Georgut, “Pse nuk vjen te unë për drekë?” E George natyrisht i tha, “Faleminderit, por jam me këtë mikun.” “Oh, krejt në rregull.” tha ai. “Merre edhe atë.” “Dhe, shkojmë së bashku te ai në shtëpi, dhe ai zhduket në kuzhinë, dhe pastaj kthehet e ulemi në dhomë dhe pimë birrë, dhe pastaj vjen shërbëtori dhe thotë se dreka është gati. Si ishim duke ecur për në dhomën e ngrënies, më mori për krahu dhe më tha, ”Drekën ta kam shtruar në tavolinë në stoep. Do të shohësh se është plotësisht pastër dhe mirë, të njëjtën që do të hamë ne.”
“Për bukuri” murmuroi Alister.
Maxi qeshi dhe mblodhi supet, duke i shikuar të gjithë përreth. “Eshtë e vërtetë.”
Pasi që të ftoi, dhe pasi që pitë së bashku birrë?” tha Jenifer kujdesshëm, duke e kafshuar buzën e poshtme, sikur të ishte ndonjë problem që duhej zgjidhur në mënyrë psikologjike.
“Natyrisht,” tha Maxi.
Jake dridhej nga të qeshurat, si ndonjë Silenus i ndytë. Nuk dilte asnjë zë nga ai, por pështyma i ndriste në buzë, dhe beli i tij, në lartësi të syve të Jeniferit, dridhej.
Temba tha kthjellët, me tonin e atij që vullneti i mirë ia bën të vështirë të besojë në situatën aspak të lehtë në të cilën gjindet, “Mua, gjithsesi më duket këtu më vështirë se sa në Kep. Nuk më kujtohet, e dini, për autobusët. Gjithmonë më nxjerrin jashtë nga autobusët europianë.”
Maxi bëri me shenjë te barku i madh i Jakut. “Oh, ju tregoj unë një edhe më të mirë se kjo,” tha ai. “Diçka që ndodhi në zyrë një ditë. Kështu, problemi me mua është, si duket, se nuk flas si vendasit.” Kësaj radhe të gjthë qeshën, përveç vetë Maxit, i cili, me instiktin e narratorit të mirë, mbajti pamje të drejtë, modeste e të butë.
“Ta dini se kjo është e vërtetë” ndërhyri zonjusha e bardhë. “Nuk keni shumicën e zanoreve zakonisht të buta të afrikanëve. Dhe ju nuk e keni theksin afrikan, si shumica e afrikanëve që s’mund ta largojnë, edhe kur i braktisin gjërat afrikane.”
“Sidoqoftë, më është dashur të telefonoj në një firmë disa herë,” vazhdoi Maxi, “dhe fillova ta njoh zërin e vashës në anën tjetër të telefonit, dhe ajo filloi ta njihte timin. Sipas të gjitha gjasave, asaj i ka pëlqyer zëri im, pasi që filloi të bëhej më e shoqërueshme. Ne u dëfryem pak, i treguam emrat e njëri tjetrit, si të ishim fëmijë të vegjël – emri i saj ishte Peggy – dhe ajo tha më në fund, “A nuk e ke ndërmend të na vish në zyrë ndonjëherë?” Maxi u ndal për një moment dhe e preku njërën anë të buzës me gjuhë me një gjest të shpejtë e nervoz. Kur foli sërish, zëri i tij ishte i qetë, si zëri i ndokujt që duke treguar ndonjë shaka papritmas i kujtohet se ndoshta megjthatë nuk është edhe aq e mirë. “Dhe i thashë se do t’i vizitoj të nesërmen, rreth orës katër. Dhe shkova, mjaft i sigurtë, ashtu siç u thashë. Ajo ishte një vashë e bukur, bjondinë, po e dini, me flokë shumë të pastër – supozova se ajo i kishte krehur enkas për mua. Ajo ngriti sytë dhe tha “Po?” duke e zgjatur dorën ta marrë librin e porosive ose paqetën që mendonte se e kam sjellë. Unë ia mora dorën e shtrëngova dhe i thashë, ”Ja ku jam taman me kohë – Unë jam Maxi – Maxi Ndube.”
“Çka bëri ajo?” pyeti Temba me padurim.
Ndërprerja duket se ia rivendosi Maxit vetëbesimin për storien. Ai mblodhi supet plot gaz. “gati sa s’ma këputi dorën, e pastaj e shtyri si të ishte ndonjë gjë e tmerrshme, dhe qafa e veshët iu skuqën aq shumë sa m’u duk se do të digjej flakë. Sinqerisht, veshët i shëndrisnin plotësisht. Ajo u mundua të shtirrej se e kishte ditur tërë kohën, por unë mund ta vëreja se ajo u tmerrua mos dilte dikush nga zyrja brenda dhe e sheh duke folur për dore me një vendas. Kështu që më erdhi keq për të dhe u largova nga aty. Nuk qëndrova bile as për takimin që e kisha të caktuar me shefin e saj. Kur shkova sërish javën e ardhshme për ta mbajtur takimin e shtyer, ne u bëmë sikur nuk ishim parë asnjëherë.”
Temba duke i përplasur gjunjtë tha: “Zot, sa kisha dashur t’ia shoh fytyrën!”
Jake e fshiu një lot nga faqet – sytë i kishte kaltërt qeltë, dhe i lotonin shumë lehtë kur qeshte – dhe tha, “Kjo do të mbushë mend të mos flasësh me mburrje, burrë. Pse ti s’mund të flasësh si të gjithë ne?”
“Oh do të kem kujdes në “Missus” dhe “Baas” në të ardhmen,” tha Maxi.
Jenifer Tetzel ua ndërpreu të qeshurin me zërin e saj të ftohtë e praktik. “E shkreta vashë, me siguri i ke pëlqyer shumë, Maxi, dhe është dëshpëruar shumë. Nuk duhet të sillesh keq me të. Eshtë vështirë të dënohesh pse nuk je i zi.”
Momenti ishte më shumë i çuditshëm se sa irritues. Bile edhe Jakut, i cili ishte i sigurtë se asesi nuk ka gjasa për një lidhje mes të bardhëve dhe të zinjve nuk iu duk qesharake, vetëm lëvizi shikimin shpejt prej zonjushës së re te Maxi, në një çast mes zemërimit, që e kishte harruar para shumë kohësh, dhe të qeshurit, që papritmas e braktisi. Në fytyrën e tij kishte admirim më shumë se çdo gjë tjetër – admirim i pastër e ziliqar. Kjo ishte më e mira deri tani. Kjo ishte më interesantja.
“Vërtetë?” i tha Maxi Jeniferit, duke i kafshuar buzët e duke ngritur vetullat e duke e shikuar. Jaku shikonte. Oh, ajo do të kalonte kohë të vështirë me Maxin. Maxi nuk do ta harronte vuajtjen e të qënit i zi aq shpejt. Nuk keni shumë shpresë që t’ia qëlloni se çka ndien Maxi në moment të caktuar, sepse Maxi jo vetëm që nuk të lejon ta dish se si ndihet por edhe të bën ta kuptosh gabueshëm. Por, kjo megjithatë ishte më e mira.
Ajo sërish e shikoi Maxin, duke i hapur sytë shumë, duke e përdredhur këmbën e saj në sandale te nyja, duke qeshur. “Me të vërtetë, të siguroj.”
Maxi i’u përkul butë, dhe i liroi rrugën duke ulur dorën poshtë.
Alister kishte rrëshqitur nga vendi ku ishte ulur në tavolinën e mbushur përplot, dhe tash, duke i mëshuar me shaka Jakut me bërryl në bark tha “Ne duhet të shkojmë.”
Jake e fërkoi veshin dhe tha prapë, ”A jeni të sigurtë se nuk doni asgjë të hani?”
Alister tundi kokën. “Ne shpresuam se do të na ofroni pije, por – “
Jake qeshi me të madhe, por kësaj rradhe me të vërtetë u brengos. “Paj, të të them të vërtetën, kur dëgjuam trokitjen, thamë mos ish kush që nuk duhet, pranfaj i ramë në fund shishes. Nuk kam asnjë pikë deri nesër. Kërkoj falje, shokë. Më duhet të ju kërkoj falje juve, zonjushë, por ne zezakët duhet të pimë fshehtas. Sikur ta dinim se jeni ju dy…”
Maxi dhe Temba ishin ngritur. Dy zezakët e mençur, Klaas dhe Albert, dhe sombre Billy Boy zvarriteshin të pafuqishëm, dhe sorollateshin.
Alister tha “Tjetër herë, Jake, tjetër herë. Do të të lajmërojmë me kohë dhe ti do të mundesh ta sigurosh.”
Jenifer i përshëndeti Temban dhe Maxin me dorë, u tha “Natën e mirë! Natën e mirë!” të tjerëve sikur ata të mos dëgjonin në atë dhomë të vogël. Nga dera, ajo papritmas i tha Maxit, “Mendoj se duhet të ta them. Për atë storien tjetër – të parën, për drekë. Nuk besoj. Më fal, por sinqerisht nuk besoj. Është shumë jologjike për t’u besuar.”
Ishte vetësakrifikues i fundmë në mirëkuptim të sinqertë. Nuk kishte asnjë kufi deri ku ai kuptim nuk do të shkonte. Sadoqë që nuk mund t’i besonte Maxit, ajo duhet ta mbajë fatin e saj mirë, të vendosur me të, duke pranuar mosbesimin e saj. Ajo do të shkonte deri aty sa ta quante gënjeshtar për t’i treguar me sinqeritetin e saj sa shumë e respektonte – të insiunojë, ndoshta, se ajo ishte me të, edhe në nevojë të zbulojë diçka sa i përket të bardhëve që ajo, sepse edhe ajo ishte e bardhë, s’mund të besojë. Ishte përpjekja e saj e fundit për Maxin.
Burreci, i ndërtuar pa gabim i kryqoi duart dhe buzëqeshi dhe e shikoi atë duke shkuar. Maxi nuk kishte kurrfarë çmimi.
Jake i shikoi vizitorët e tij jashtë shitores, dhe e fiki dritën pasi që mbylli derën pas tyre. Duke u kthyer pas nëpër errësirë, ku ndihej era e ftohtë metalike e presave të tij, ai dëgjoi, për disa çaste, zërin e qartë të zonjushës së bardhë dhe murmurimën angleze të ulët e neutrale të Alisterit, shokut të tij, që ecnin nëpër rrugicë për të dalë në rrugë.
Ai mbylli sytë pak kur u kthye në dritë dhe te fytyrat që i kishte përballë në dhomën e pasme. Klaas i kishte marrë gotat e palara pas perdes dhe i mbante ato një nga një nën muslluk në lajntore. Billy Boy dhe Alberti ishin afruar dhe kishin dalë nga nënhija e kishin mbështetur bërrylat në një deng letrash. Temba ishte ulur në tavolinë, dhe e përdridhte këmbën. Maxi nuk kishte lëvizur, qëndronte njëjtë si pak më parë, me duart e kryquara. Askush nuk foli.
Jake filloi të fishkëllonte butë nëpër zbrastësinë mes dhëmbëve të parmë, dhe e ngriti fërteren me përshutë, shikoi rrathët e kthyer të mishit, të zhytur në yndyrën e ftohtë, dhe e uli sërish me mendjen gjetkë. Qëndroi ashtu për një çast, i rëndë, duke i shikuar të gjthë, por askush nuk bëzajti. Syri i tij ndeshi në karrigen që e kishte pastruar për Jenifer Tetzel të ulej. Papritmas e shqelmoi, fort, ashtu që ajo fluturoi matanë. Pastaj, duke i fërkuar duart e tij të mëdha dhe duke shpërthyer në një fishkëllimë të zëshme për të përcjellur improvizimin e serisë së hapave të vallëzimit tha “Tash, djema!” dhe posa u trazuan ata, ai e përplasi fërteren në pllakë dhe e lëshoi gasin derisa filloi të bubullojë përfundi saj.
Përktheu: Jehona XHAFER