Miku

Autorja: Ana Maria Matute

Përkthyesja: Flora Nikolla

Një mëngjes u zgjua shpejt dhe shkoi të kërkonte mikun e tij në anën tjetër të luginës. Por miku i tij nuk ishte, dhe kur u kthye nëna e tij i tha: ”Miku vdiq. Djali im, mos mendo më për të dhe kërko fëmijë të tjerë për të luajtur. Fëmija u ul në qoshkun e portës me fytyrë ndër duar dhe bërryla mbështetur mbi gjunjë.
“Ai do kthehet”, mendoi. Sepse përndryshe nuk do të ishte e mundur atje të ndodheshin kamioni, pistoleta prej letre, ora që kishte ngelur…!
Erdhi nata me një yll shum të madh dhe fëmija nuk donte të darkonte. “Hajde brenda shpirt se bën ftohtë “ i tha e jëma. Por në vend që të futej në shtëpi djali u çua nga qoshja dhe u nis në kërkim të mikut të tij, të kamionit, të pistoletës prej letre, të orës që kishte ngelur. Kur arriti aty pranë zëri i mikut nuk e thirri, nuk e dëgjoi as në pemë, as në pus. Qëndroi gjatë gjithë natës duke e kërkuar dhe ishte një natë e gjatë, gati e bardhë që ia mbushi me pluhur kostumin dhe këpucët. Kur dielli lindi, fëmija kishte gjumë dhe etje, shtriu krahët dhe tha: “Sa budallaqka që janë këto lodra “.
“Kjo orë që nuk ecën nuk vlen për asgjë”. E hodhi në pus dhe u kthye në shtëpi, nëna hapi derën dhe i tha: “Sa është rritur ky fëmijë, Zoti më ndihmoi të rritej kaq shpejt” dhe i bleu një kostum burri sepse ai që mbante i vinte shumë i shkurtër .

FËMIJA QË NUK DINTE TË LUANTE

Kishte një fëmijë që nuk dinte të luante. Nëna e shihte që nga dritarja e shtëpisë tek shkonte e vinte nëpër rruginat e ngushta të kopshtit, me krahët e lëshuar pa jetë në dy anët e trupit. Fëmijës, lodrat shumëngjyrëshe, topat e rrumbullt, kamionat e mëdhenj nuk i pëlqenin. I vështronte, i prekte me duart e tij të zbehta, jo shumë të pastra, të varura si dy këmbana të shurdhëra dhe pastaj shkonte tutje në kopësht, në tokën pa çati. Nëna e vështronte e shqetësuar fëmijën që shkonte e vinte me hije ndër sy: përse duhet të sillet kështu, përse nuk i pëlqen të luajë? Por i jati i thoshte me gëzim: “Nuk di të luajë, sepse nuk është një fëmijë i zakonshëm. Është një fëmijë që mendon”.
Një ditë nëna u mbështoll mirë me pallton e saj dhe e ndoqi djalin në shiun e imët që binte duke u fshehur mes pemëve. Kur fëmija arriti në të dalë të kopshtit, u ul krruspullasi dhe filloi të mblidhte gjithfarë insektesh. Të gjitha i fuste në një kuti të vogël, pastaj u ul në shesh dhe filloi t’i nxirrte një nga një. Me thonjtë e tij të pistë, gati të zinj, ai lëshonte një zhurmë të vogël: krak !…dhe i këpuste atyre…kokën.

Përktheu: Flora Nikolla