A ekziston dashuria ideale?

Autorja: Ariana Pallata

THUAJI ZEMRËS PO

Ç’është vërtet dashuria? Pos asaj që dihet: dashuria është ekstazë dhe mundim, liri dhe robëri dhe e tëra në trurin e njeriut, pra pos anës shpirtërore, psikologët janë të mendjes se dashuria është para së gjithash një proces kimik. Por si të arrihet dashuria ideale? Një përgjigje alternative në “temën e dashurisë” e jep shkrimtarja italiane Susanna TAMARO me romanin “Va dove ti porta il cuore” (Thuaj zemrës po), roman, botoi MÇM “ÇABEJ”, Tiranë 1996, në përkthim të Dritan Çelës. Një roman që i ka munguar kaherë lexuesit shqiptar. Duke lexuar këtë roman, vetëkultivojmë suptilitetin, sensibilitetin dhe mprehim ndjenjën e dashurisë. Tamaro shtron çështjen: Përse jemi, ç’kuptim ka jeta jonë dhe kah vemi ne?
Susanna Tamaro lindi në Trieste më 1957. Jeton në Romë. Më 1989 botoi romanin e saj të parë “Me kryet mbi re”. Më 1991 boton një libër me tregime, i përkthyer në shumë gjuhë të Evropës dhe, një vit më pas, një libër me përralla për fëmijë. Por, ai që i dha famë botërore është bestseleri i pashmangshëm “Thuaji zemrës po”. Pas këtij suksesi, me padurim është pritur edhe libri më i ri, po ashtu bestseler, “Anima mundi” (Shpirti i botës), i cili ishte paralajmëruar për 24 janar të këtij viti, dhe kritikët parashikuan se ky roman do të arrijë popullaritet e poashtu do të tejkalojë veprën e fundit. Bestseleri “Thuaji zemrës po” përjetoi sukses të madh sikur gjithandej në botë poashtu edhe në hapësiren kulturore shqiptare. Ky roman është inskenuar edhe si film me të njejtin emër; Është i pagëzuar si roman “femëror”, jo vetëm për arsye se protagoniste kryesore janë dy femra, por edhe për atë se me tërë ngjarjen ishte e orientuar nga lexueset e “gjinisë së butë”…
Bestseleri i Tamaros është një unikat i llojit të vet, gjithçka ndryshon nga bestselerët klasik. Në lëxim të parë, ky roman mund të mos duket tërheqës për arsye se përmban në vete disa elemente të koklavitura, madje edhe politike, por megjithatë në veprën e Tamaros femra ballafaqohet me diçka tërësisht të re. Tamaro në mënyrë indiferente ia zgjëron kufijtë botës nga këndi femëror, ajo madje arrin që t’ua thejë paragjykimet si lexuesve të rëndomt ashtu edhe vetë kritikëve të veprës, për arsye se përshkrimet e saj marrin një dimension më të gjërë, më të thellë. Romanin ajo e transformon në gjallëri, në jetë, në realitet, i cili mund të jetë jo vetëm i ëmbël por edhe në të kundërtën, çfarë është vërtetë realiteti (realiteti shpeshëherë di të jetë i hidhur por duhet pranuar edhe si të tillë). Pra, romani transformohet në një vepër të gjallë duke u shndërruar në një udhërrëfyes dhe në këtë proces marrin pjesë edhe lexuesit jo vetëm me anë të leximit por edhe me transformimin e vetes.

Ç’THONË DIJETARËT PËR DASHURINË DHE SEKSIN?

Rrëfyesja e kësaj drame suptile (narratorja – Ollga) ngjarjen e fillon dhe e mbaron me ditarin që ia destinon të mbesës.
Ç’është ajo që na nxit të jetojmë? Apo ajo që madje për një çast të vetëm na bën të shijojmë amshimin? Ernesto Sabato thotë: “Pavdekësia është fotografia e rrotulluar e amshimit. Amshimi është e sotmja absolute – koha nuk ekziston.” Më tutje Sabato në esenë “Dashuria, arti dhe amshimi” shfaq mendimin se në afshin dashuror apo religjioz dalim jashtë kohës, duke e kthyer kështu çastin në absolut. Ky është çasti kur vijmë në kontakt me amshueshmërinë, pra me Zotin. Në “njëjtësimin me absoluten” na duket se Susanna Tamaro e ka pikëmbështetjen e romanit të saj, të cilin nëse nuk e keni lexuar, këtë duhet ta bëni patjetër!
Si të jemi “përtej” ekzistencës absurde dhe kohës kufizuese, si t’i prekim majat e shembëllesës së absolutit? Një orvatje që njeriu e gjakon tërë jetën. Derisa Vilhelm Rajh e kërkon “shpëtimin përmes seksit” duke e potencuar anën fizike të seksit si qenësore, Tamaro udhërrëfen në romanin e saj për një ideal të dashurisë shpirtërore (romantike) dhe kontaktit fizik, që do të thotë se njeriu duhet t’i hap të gjitha dritaret e shpirtit dhe trupit, për ta arritur këtë ideal. Analog me teorinë e Rajh-ut që i jep përparësi orgazmit të përkryer para dashurisë romantike psikologët dhe seksologët citojnë një këshilldhënës anonim të quajtur Mauri i cili është i bindur se kënaqësia seksule dhe deliri religjioz janë që të dyjat parapërgatitje për t’u takuar me zotin…”Me të vërtetë seksi është një dhuratë e posaçme e zotit për njerëzimin. Por kuptimi i tij i vërtet qëndron në atë se fetarët fitojnë nëpërmjet kënaqësisë së orgazmit një parandjenjë të “kënaqësisë së amshueshme” në parajsë. Ky anticipim i kënaqësisë qiellore e përgatitë besimtarin për takim me Zotin – por më kusht që i ka kryer gjithmonë detyrat e tij fetare.”
Në romanin e Tamaros hasim një kronologji të ngjarjeve pak a shumë të tensionuara, kemi të bëjmë me një dashuri kozmike, fillojmë të hyjmë në një botë të re ku me ndihmën e intuitës arrihet komunikimi telepatik, hapsirën e përshkon hapja e dritareve të shpirtit dhe trupit, pra realizimi i plotë i dashurisë…
Një qasje e tillë shkakton kaos të njëmendët në botën femërore, sepse nirvana (amshimi-në çast) kërkohet jo në raportin ideal mashkull-femër (dashuri kozmike dhe orgazëm të përkryer) por në narkotikë, në përkatësi sektave të ndryshme që propagandojnë meditacionin etj. Tamaro e ka alternativën e vet letrare: Ta kuptosh dhe ta dëgjosh zemrën! Ajo gjatë përpëlitjeve të saj me jetën në vend se të dorëzohet gjurmon, lufton parreshtur për arritjen e kësaj nirvane.

TË AKUZOSH SECILIN!

Vetë fëmijëria e Ollgës ishte e një lloji piramidal që, në cilën do anë shikuar tehu i saj godet dhe dërmon thellë shpirtërat e brishtë të femrave. E ëma dhe i ati i saj ishin martuar jo nga dashuria, por nga nevoja që të krijonin një familje të fisnikëruar. Ajo vetë u martua pa shijuar ndjenjën e vërtetë të dashurisë, e që vazhdimisht kjo ndjenjë e shtyente ta pyeste veten se me të vërtetë e dashuronte Auguston apo e përcillte ndjenja e mëshirës për të. Sidoqoftë, pas gjashtë muajsh njoftimi ata ikin nga Triesta për të jetuar në L’Akuila. Jeta bashkëshortore nuk ishte edhe aq e bujshme, siç u ndodh rëndom femrave që lidhja e tyre nuk funksionon me asgjë, por ajo, intensitetin e vet e fiton kur Ollga shkon në Ilixha të Porretos. Dhe këtu fillon që Ollga për herë të parë të ndjehet femër dhe Zot! Kur atje takohen dy shpirtra, dy zemra, aty arrihet bashkimi i përsosur ngase, siç thotë autorja, kërkimi vlen po aq sa fitorja. Ernesto ishte ai me të cilin narratorja e ndiente veten të plotë, të hareshme, të ndieshme, pa brenga. Në lidhjen e saj me Erneston, Ollga kishte lindur vajzën Ilaria.
Një citat i Ernestos e përforcon këtë bindje duke pohuar se “Në jetën e çdo burri ekziston vetëm një grua me të cilën mund të arrijë bashkimin e përsosur, dhe në jetën e çdo gruaje ekziston vetëm një burrë më të cilin ajo është e plotë”.
S. Tamaro me këtë roman na shtyn të besojmë se harmoni në jetë ka shumë pak, të gjitha janë variacione të një simpatie epidermike, kalimtare, afërsi trupore apo të karakterit, me një fjalë marrëveshje shoqërore. Më tepër shohim vuajtje për një dashuri platonike të paarritshme, ndjehet kudo një zbrazëti, një pakënaqësi shpirtërore; ajo zbrastësi është baras me një moskënaqësi bashëshortore. Andaj rrjedhave të jetës së përditshme vazhdimisht ju jemi në kërkim të ideales, “ideologji” kjo ende e parealizuar.
Prej momentit kur Ernesto vdes në aksident trafiku, Ilaria më nuk paraqet gëzim për Ollgën, por tani ishte vetëm një barrë me të cilën çdo herë e më shumë ishte në dyluftim. Ishte kjo ndjenjë e paeskivueshme me të cilën ajo i hakmirrej mllefit që kishte me veten, mundohej ta kompensonte dashurinë me urrejtje. Çuditërisht, fati tragjik i përcolli atë e bijë; Ilaria pasi kupton se Augusto nuk është babai i saj i vërtetë, jeta e saj përfundon tragjikisht në aksident trafiku (një koincidencë jetësore). Ilaria, në rrafshin psikologjik, një jetën e njeriut kërkon dokën e fytyrës së babait – identifikimin me të. Po, Ilaria në secilin mashkull kërkonte babën!

DASHURIA E LUMTUR? A EKZISTON AJO?

Tamaro përmes situatave jetësore vjel fakturën letrare për t’u vertëtuar se dashuria e përsosur kërkon trupin dhe shpirtin, plotëninë.
“Atë natë, papritur kisha kuptuar një gjë: mes shpirtit dhe trupit ka shumë e shumë dritare të vogla; së andejmi, në qofshin të hapura kalojnë emocionet, në qofshin gjysmë të mbyllura pikojnë pak e nga pak; vetëm dashuria porsi një shkulm ere mund t’i çelë tejembanë të gjitha së toku, sa hap e mbyll sytë…”
Mbase kjo hipotezë ende vlen për të gjithë të dashuruarit e botës: ngritu lart, diku tek një yll universi, rri pa lëvizur, hesht, merr frymë thellë dhe prit – atëherë dëgjo zemrën dhe shko kudo që të shpie ajo – thuaj zemrës po!
Ky është një roman dashuror në të parë, madje i mrekullueshëm, por që pas një rileximi të shpie në botën psikologjike të personazheve ku do të meditosh: Ç’është ajo dashuria e lumtur? Dhe, a e vlen? Por, kush vret mendjen për dashurinë e lumtur? A ekziston ajo fare? Tamaro me romanin e saj i bën një traktat mundësisë së arritjes së dashurisë ideale.
Pyetje edhe më tutje kontestuese e më shumë delikate për femrat shqiptare…Dashuria? Vizatimet që tregojnë burrat e shpellave duke i kapur gratë e shpellave për flokësh duke i zvarritur për t’i kthyer në shtëpi? Dashuri! Helena e Trojës, që ia solli qytetit që e adoptoi 10 vjet rrethim? Dashuri?Romeo e Xhulieta? Dashuri…Përgjithësisht sa më shumë që mësojmë për dashurinë, aq më shumë duket misterioze dhe absurde. Tamaro sugjeron të kërkuarit, sepse kërkimi vlen poaq sa fitorja!
Bota e këtij romani tejet suptil (tamam femëror) të Suzana Tamaro është një univers qëllimisht naiv, i bukur dhe ndijor. Një rilexim është baras me një festë.