Dëshmi të përpjekjeve heroike feministe
-Përkitazi me botimin e librit të Virgjinia Vulfit “Një dhomë për vete”,
përkthyer nga Sazana Çapriqi dhe botuar në “Lura”, 1997
Edhe pse pat kritika të shumta që akuzuan Virgjinia Vulfin për mbyllje në ëndërra androgjene, ajo megjithatë arriti të formohet si një heroinë feministe. Siç thotë edhe Gjejn Markus protesta e Virgjinia Vulfit kishte për qëllim jo vetëm që ta rrënonte dominimin e kulturës së mashkullit, por ta kthejë pozicionin e të drejtës së femrës si dhe kushtet historike në të cilën ajo da ta realizonte këtë të drejtë. Libri i saj “Një dhomë për vete”, sadoqë duket se tek ne arrinë me një vonesë gati shtatëdhjetëvjeçare, megjithatë kur kihen parasysh rrethanat tona mendoj se nuk është vonë, meqë femra jonë në jetën e saj vazhdon të ecën një rruge shumë specifike. Koha të cilën po e jetojmë dëshmon se një libër i tillë do të hapë mundësi komunikimi dhe tek femra jonë do të ngjallë një ndjenjë që më seriozisht të rreket me përmirësimin e poezisë së saj, mbase më lehtë do ta kuptojë faktin se ekzistojnë dy botëra; njëra për femrat, tjetra për meshkujt.
Vetë titulli i librit “Një dhomë për vete” sugjeron qëndrimin e Virgjinia Vulfit, e cila e ka krejt të qartë pozitën e femrës, për të cilën edhe sikur janë bërë muret. Në këtë libër ajo merret me fatin e femrës në kontekst historik, duke argumentuar faktin se ajo ishte vetëm një objekt i krijuesve meshkuj. Përbuzja e femrës, injorimi dhe flijimi i saj gjatë shekujve, që ka për objekt ky libër, dëshmojnë se femra ka bërë një rrugë tepër të mundimshme, pasojat e së cilës as sot nuk mund t’i sanojë në nivel të kënaqshëm. Vetë fakti se në këtë libër Virgjinia Vulf shtron pyetjen se “A jeni në dijeni se jeni kafsha më e diskutueshme në gjithë universin”, dëshmon se ajo përnjëmend është marrë seriozisht jo vetëm me përshkrimin e pozitës së femrës, por përmes formave të ndryshme pacifiste është përpjekur që edhe ta ndërrojë atë.
Nëse provojmë ta kundrojmë kuptimin e këtij libri nga pozita e femrës sonë sot, mund të gjejmë shembuj të cilët vetvetiu ndërtojnë analogji të çuditshme, mbase me shembuj nga faza të ndryshme të historisë, por megjithatë mjafton të ndalemi në konceptin elementar të Virgjinia Vulfit që dëshmon se femra krijuese duhet të ketë para dhe një dhomë për vete nëse do të bëjë letërsi. Natyrisht që ne jemi dëshmitarë se femra jonë nuk i ka këto. Kjo pse ajo kryesisht jeton në rrethe patriarkale dhe pa iniciativë që të provojë për ta ndërruar pozitën e vet, meqë për këtë dihet se s’pari duhet t’i dalë në ndihmë mashkulli, s’paku me lirimin edhe nga mbeturinat e konceptit të patriarkatit. Këtu ndoshta është e tepërt të fitet për pozitën intelektuale dhe në veçanti për atë materiale në të cilën ndodhet femra jonë krijuese sot. Kur femra jonë jo vetën krijuese ende vazhdon të jetë e pranishme në jetën kulturore, politike dhe shoqërore shpesh për hirë të përfaqësimit gjinor,njëmend nuk mund të bëjmë fjalë në kontekst të këtij libri, por librin duhet ta marrim si ligjëratë tepër të nevojshme për njohjen e pozitës së femrës në përgjithësi, pra dhe të krijueses në veçanti. Edhe Virgjinia Vulf e pranon se jeta e femrës, ajo e kohës elizabetiane, që për shumë arsye është e afërt me kohën tonë, gjendet e shkapërderdhur dhe nuk mund të përmbledhet në një libër, pa le më në një shkrim çfarë është ky.
Nëse i besojmë Virgjinia Vulfit se nuk dihet asgjë për femrat para shekullit XVIII, njëmend kjo dëshmon për pozitën e mjerueshme të femrës jo vetëm krijuese. Virgjinia Vulfi për të dëshmuar femrën si intelekt të barabartë me mashkullin, në këtë libër sjellë emra të krijueseve të cilat lanë gjurmë, si; Xhejn Ostin, Motrat Bronte, Afra Ben, Lejdi Vinçes etj. Përmes këtij theksimi ajo tregon orientimin e saj feminist, por çdo herë në kornizat e një apologjie korrekte. Virgjinia Vulf e ka hetuar mirë se femra kur shkruan nuk mund t’i shmanget frikës dhe urrejtjes së mashkullit. Për ta ilustruar këtë ajo sjellë poezinë e Lejdi Vinçelsit në të cilën lakuriqëson fatin e femrës intelektuale, puna e së cilës është “një marrëzi e kotë, apo një faj kryelartë”.
Ky libër i botuar në vitin 1929 tingëllon përnjëmend si një ese feminist radikal, kundër “nënçmimit” të “mendjes” femërore. Si i tillë ky libër është i mbushur me tone polemizuese kundër botës së mashkullit, mbi të cilën Virgjinia Vulf edhe ndërton doktrinën e saj feministe. Edhe ky libër është dëshmi se përpjekjet e Virgjinia Vulfit kanë të bëjnë me nxjerrjen e femrës nga margjinat e jatës prej ku ajo nuk mund të bëjë kurrëfarë ndikimi në rrjedhat e jetës. Ajo kërkon që rivaliteti i pashpallur, por tmerrësisht i pranishëm mes mashkullit dhe femrës të shndërrohet në marrëdhënie të sinqerta. Që gruaja të mos jetë vetëm sa për ta zbutur zemërimin e mashkullit në rast të ngjalljes së pasioneve të tij, Virgjinia Vulf jo më shumë se në librat e saj të tjerë edhe në këtë libër angazhohet për një pozitë më të favorshmë dhe më të ndershme, do të thoshim për femrën. Prandaj libri si i tillë, përnjëmend mund të na shërbejë si një doracak jo vetëm neve krijueseve, por femrës sonë në përgjithësi.