Heshtja e natës
Jam vetëm…
Më shoqërojnë shqetësimi, dëshpërimi, pritja e mbi të gjitha heshtja që dëgjohet pas muzikës, nga kasetofoni i vogël që mezi e rrotullon shiritin nga lodhja.
Fëtyrës më përplasen mendime të çuditshme! Pres! Nuk e di çfarë pres, por më duket shumë e afërt dhe e mirë. Është kjo pritje imagjinare që u lind nga fantazia ime. Më frikëson!
Shqetësimi rrethon kopshtin tim të ëndërrave. Ngadalë, pa u ngutur fare, pushton çdo pjesë timen.
Pres! Pritja shtrydh shpresat e mia, shpresat që ngadalë i kaplon rrjetë e zbehtë marimange. Harrohen.
Nevrikosem. Nervoza mbulon shprehjen e mëparshme të fëtyrës sime të dëshpruar. Armatosa imagjinatën dhe… theva. Dogja çdo kufi që shtrydhte ndjenjat e mia të bukura. Prap, pritja!
E urrej këtë botë?
E urrej se më shikon me përbuzje, dhe nuk më lejon të gjej atë që kërkoj?
Mjegull kujtimesh të tëra në mua. Vetëm, përsëri vetëm.
Shoqëruar me natën, heshtjen. Pritja sjell zëra që vlojnë në mua: durimi, përballimi, shpresa… heshtja që qëndron pas pritjes…
Nuk dua të pres.