Përshpirtjet e Havës

Sazana Çapriqi

Atë natë,
kur ata të shtatit
më dhunuan në llogor,
t’u luta Ty që nga rropullitë e mia
të pështyjsh farën e rodit të qenit;

përse nuk më dëgjove, Perëndi,
asnjë mëkat s’të kisha bërë?

Lutur Të kisha
së paku për një çast më flak
nga mbikqyrja e xhelatëve të mi,
vetes me thonj t’ia nxjerr rropullitë;

përse nuk më dëgjove, O Zot
asnjë mëkat s’Të kisha bërë?

I jam shmangur ujit,
i jam shmangur bukës,
që vdekja
të mëshirohej ndaj lutjeve të mia,

por si të mëshirohet vdekja
kur çdo gjë është në duart Tua, Madhëri,

I lusja ata
që më dhunuan,
ata që më therën time Ëmë
ata që ma dogjën shtëpinë,
u përbetohesha në emrin Tënd
se të gjitha do t’ua falja nëse më vrasin
nëse më copëtojnë katër copash

Nuk ma dëgjuan lutjen, Perëndi
por më dhanë mollën ditë e natë duke prekur
se si përparonte fryt i tyre.
Atë mëngjez,
kur për herë të parë
fëmija lëvizi,
t’u luta Ty
që njeriu im Aliu
nga fushëbeteja të mos kthehet;
nuk më dëgjove, Perëndi,
pa bëre
të më çojnë në spital,
të më mbajnë katër doktorë
të më shtrinin për duar e këmbë,
të mos mund ta ngulfas ketë fëmijë
të cilin me shumë se diellin
e doja të vdekur ta shihja,
ose që ai
të ëmën të vdekur ta shohë,
pse nuk më dëgjove,
zoti im i dashur,
kur s’të bëra gjë,
sikurse edhe ky filiz i pafajshëm,

Më jëp fuqi
i mëshirshmi Zoti im,
që ta rris këtë fëmijë mashkull
të cilin askush veç Teje
s’do ta ruante,

dhe jepi merhamet,
këtij fëmije që,
me njerëz e me të vërtetën
e tyre të jetojë,.

fatprera Nëna Hava e tij
po të përshpirtet Ty.

Përktheu ; S.Çapriqi.