Domosdoshmëria e “perspektivës femërore” në etnologji

Lydia Sklevicky

Jo njëherë, historia ka treguar, se fjala “grua” e ndarë nga rendi i padiskutueshëm evident përkon me fjalën krizë. “Çështja e gruas”, “të drejtat e gruas”, “problemi femëror”, pavarësisht nga sintagma që shtron një diskurs i caktuar, shfaqet në muzg të ndonjë krize. Prandaj, lidhjen mes gruas dhe etnologjisë do ta filloj me krizën që mbërthen etnologjinë në fund të viteve të gjashtëdhjeta(1).
Që nga konstituimi i saj si shkencë, etnologjia është e orientuar në studimin e kulturave “të tjera” të ashtuquajtura primitive. Kur bëhet fjalë për etnologjinë jashtëevropiane, mirëpo dhe për atë evropiane, pa dallim në distancën hapësinore, e padiskutueshme është distanca mes dy kulturash: asaj që shtron pyetjet përballë tjetrës e cila është lëndë interesi shkencor. Në të dy rastet, ai që vështron, komenton, intervenon dhe konceptualizon kulturën dhe shoqërinë që dallon nga e tija, nuk është pjesëtar i asaj kulture. Mirëpo, në rastin e kulturës jashtevropiane, kjo qasje ishte e mundur në një periudhë të caktuar historike – periudhës së epërsisë politike të Perëndimit të zhvilluar ndaj kulturave “memece” të robëruara dhe të pangritura. Ndër të tjera rezultati fundamental i emancipimit të shoqërive “primitive”, për të cilat domosdoshmëria e rishqyrtimit radikal të traditës etnologjike ka pasur jehonë të madhe jashtëshkencore, ishte ai i cili e ballafaqoi etnologjinë me kufizimet e veta.
Lidhja e etnologjisë me politikën kolonialiste mund të përcillet edhe me anë të orientimeve teorike të cilat dominojnë që nga evolucionizmi unilinear i shekullit të nëntëmbdhjetë, dhe i cili paraqet figurën e “egërsirës” në kohën e ekspanzionizmit më të shprehur kolonial, kështu që kolonializmi duket e drejtë dhe “teorike”. Andaj, etnologjia nuk është >>ndërgjegjja e papastër e Perëndimit<<, siç vërtetonte Claude Levi-Strauss, por më tepër është >>besim në superioritetin e vet<<(J.Copans). Lënda e studimit shndërrohet në prodhim ideologjik në atë mënyrë që “primitivizmi” i këtyre shoqërive ( me të gjitha konotacionet e mundshme), konstruohet dhe formulohet në bazë të qëndrimeve të interesave të jashtme, të cilat janë të huaja për bashkësinë e cila studjohet. >>Fushëveprimi empirik i etnologjisë është prodhim i historisë politike dhe ekonomike, e cila integron shoqëri të ndryshme brenda orbitës materiale dhe intelektuale të Perëndimit<<(2), thekson etnologu françez Jean Copans. Dallimet mes bashkësive perëndimore dhe “primitive” nuk konsiderohen si pasojë e dallimeve historike (zhvillim jo i njëjtë), por mirren si dallime specifike të cilat karakterizojnë vetë natyrën e tyre. Të marrim, si psh., dallimin i cili insiston në të dhënat historike të shoqërive perëndimore dhe të dhënat johistorike të shoqërive të cilat i studjon etnologjia. >Po sikur shoqëritë autoktone të kishin studjuar vetveten, do të thuhej se merren me histori dhe filologji, e jo me etnologji< përfundon Levi-Strauss. Kur në një moment bashkimi i përmendur i shkencës dhe i dhunës së organizuar politike u bë më se kompromitues (si psh., skandali rreth projektit Camelot, pjesëmarrja e drejtëpërdrejtë e etnologëve në shpijunazhë, etj.)(3), u shfaq nevoja e ballafaqimit të kundërthënieve , gjer më atëherë të pranishme në mënyrë të fshehtë,dhe atë në dy plane: 1) në planin e gërshetimit të veprimtarisë së etnologjisë, dmth., identifikimit të saj me praktikën kolonialiste dhe idetë mbi botën; 2) brenda vetë disiplinës .dmth., lëshimeve që janë bërë që të kuptohen dhe të pranohen kufijt dhe karakteri i veprimtarisë vetanake. Në të vërtetë, shikuar në mënyrë shkencore, njohuritë etnologjike përmbajnë veti të >diturisë kolonialiste<, në të cilën >dëshira për të arritur njohuri mbi një popull të caktuar, vendoset jashtë tij <(J.Galtung)(4) Në këtë mënyrë edhe etnologu – >autokton< është viktimë e së njëjtës marrëdhënie të fuqisë dhe të pabarazisë, sepse pasqyrën mbi rrethin e vet e adopton prej një dore tjetër >më kompetente<, dmth., ashtu si është parë, formuluar dhe formësuar nga ana e >të ardhurit< me ndihmën e aparatit të tij kategorial. Të dy këto plane mund ti konsiderojmë si burime kundërthëniesh, të thurrura në themelet e traditës shkencore dhe >objektivizmit< të saj. Edhe pse demistifikimi i idesë së objektivitetit shkencor shihet edhe më heret në formën e dyshimit radikal në kuadër të shkencave të tjera shoqërore(T.Kuhn, C.E.Mills, T.Roszak etj.), ky problem duket më i ndërlikuar kur bëhet fjalë për etnologjinë. Ndikimi i pozitës shoqërore, politike dhe ekonomike te hulumtuesi, në zgjedhjen e mënyrës së qasjes, e të dhënave, dhe interpretimit të tyre, fuqizohet edhe më tepër me faktin se pos dallimeve klasore dhe ideologjike ekzistojnë dhe një sërë karakteristikash kulturore të cilat hulumtuesin e ndajnë nga lënda e studimit. Kufizimi i >vështrimit prej së jashti< si bartës i objektivitetit shkencor, ka imponuar nevojën e futjes së supozimeve të reja metodologjike – shumëdimensionaliteti i konceptimit të realitetit imponon zëvendësimin e idesë në fuqi, diturisë objektive me diturinë ideore te fituar në bazë te vështrimit nga një perspektivë e caktuar. Pranimi i qëndrimit se dituria është patjetër parciale, dhe se ajo përfshinë realitetin nga pozita e veçantë e vështruesit, do të mundësojë,dituri të reja dhe më objektive, në atë rast kur një aspekt më tepër nuk paraqitet si totalitet. Shpalimi i plotë i konceptit mbi etnologjinë si disiplinë neutrale dhe e pavarur dhe kritika mbi aleancën e saj politike (qoftë koloniale, siç është rasti tek etnologjia jashtevropiane, qoftë klasore kur bëhet fjalë për atë evropiane) bëri me dije se veprimtaria shkencore, nëse dëshiron të veprojë në harmoni me interesat dhe nevojat e vërteta të njerëzve të cilët i studjon, duke mos inkurajuar kryesisht interesat vetanake dhe profesionale të disiplinës dhe përfaqësuesve të saj, domosdo duhet të zë fillin e një disipline të angazhuar, të vetëdijshme mbi implikimin e veprimtarisë së vet në botën jashtëshkencore. Mirëpo, kritika e paradigmave etnologjike, të cilat përkrahnin jobarazinë në mes të zhvilluarve dhe të pazhvilluarve, nuk mbetet vetëm në këto relacione te përgjithshme nacionale. Në vazhdën e debateve më të ashpra mbi kufijt e qasjes etnologjike, si në shtetet industriale ashtu edhe në shtetet në zhvillim (deri vonë >terren< i privilegjuar për hulumtime etnologjike), shfaqet vetëdijësimi për atë se tradita e studimit të disa grupacioneve shoqërore (rëndom margjinale, siç janë gratë, rinia, të ngjyrosurit, pakicat), përmban të gjitha elementet e qasjes kolonialiste. Problematizimi specifik i çështjes së gruas dhe veprimtarisë së saj në kuadër të etnologjisë, inkuadrimi i gruas në shkencë, dalja e saj nga një lloj i vecantë i >padukshmërisë<, gjithashtu dhe në etnologji, fitoi shtytjen më të madhe për lirinë e gruas, që në mënyrë të përgjithshme të rishqyrtohen, dhe të >demaskohen< konstatimet tradicionale mbi gruan dhe pozitën e saj, marrëdhënieve mes dy gjinive, ndarjes së punëve në mes tyre, dhe karakterit femëror dhe mashkullor në disa shoqëri. Kjo lëvizje, e cila gjatë viteve të shtatëdhjeta përjeton lulëzimin e vet të plotë në botën akademike >senzibilizoi< shkencëtarët (para së gjithash gratë), qe në një mënyrë të re të dekolonializuar ti qasen hulumtimit të grave si grupacion margjinal shoqëror, i cili përbën gjysmën e popullatës njerëzore. Kritika për qasjen joadekuate që i bëhet gruas në kuadër të etnologjisë është pjesë e kritikës mbi seksizmin ekzistues në shkencë, si në shkencat natyrore ashtu dhe në ato shoqërore, i cili i njeh, i konsideron si të drejta, i interpreton >interesat dhe veprimtaritë e meshkujve në shoqërinë e cila dallohet dhe ndahet sipas gjinisë< (Ann Oakley)(5), dhe në të cilin kategoria e gjinisë , krejtësisht e lënë pas dore në shkencat shoqërore është problem i konstrukcionit të vet social, ose është plot me paragjykime mbi prirjet dhe karakteristikat >e përjetshme< të gjinive.
Do të përmbledh këtu pikat më themelore të kritikës etnologjike të aplikuara në qasjen e studimit të gruas.

  1. Gruaja, si në kulturat tjera, ashtu dhe në të vetën është ai >tjetri<. Përcaktimi i saj ështe gjithnjë negativ – gruaja është shkurtesë e nocionit >njeri< që nuk është mashkull. Ndryshueshmëria e saj, e njohur dhe e kuptuar njëherë e përgjithmonë, është komentuar si thelb i saj ahistorik. Kategoria univerzale biologjike e sexit ( si kategori natyrale e ndarjes së gjinive) nënshtron dhe mjegullon shikimin e kategorisë së gjinisë (gender)(6), e cila është rezultat i imponimit shoqëror të ndarjes mes sexeve dhe rezultat i marrëdhënieve në planin e ekonomisë seksuale, marrëdhënie këto, të cilat qeniet njerëzore të gjinisë femërore dhe mashkullore i shndërrojnë në meshkuj dhe femra.
    Prandaj konceptualizimi adekuat i gruas(7) është njëra ndër detyrat e para të cilat i ka vendosur kjo perspektivë e kritikës etnologjike.
  2. Atë çfarë komenton kritika etnologjike si integrim ndryshimesh të kulturave të cilat janë lëndë hulumtimi, dhe ajo e cila shtron pyetje në rrethin intelektual të orbitës materiale të Perëndimit, është, në të vërtetë kritikë hegjemoniste e ndikimit mashkullor (male bias) në supozimet teorike, prej të cilave patjetër rrjedh një tip i caktuar i të dhënave etnografike. Teoria e tillë, ta quajmë mashkullore, është prodhim i traditës akademike të cilën kryesisht e kanë krijuar meshkujt, dhe zë fillin në strukturën industriale, perëndimore, të shoqërisë qytetare pjesë e së cilës është.
    Në themelet e supozimeve të veta, teorikët kanë futur paragjykime ideologjike që kultura e tyre personale ka mbi gruan dhe pozitën e saj, kështu që shumë më heret e kanë dënuar gruan në një padukshmëri relative, duke u koncentruar në masë të madhe në profesionet dhe veprimtaritë e mashkullit(8).
  3. Kolonializmi shkencor me rastin e studimit të gruas, logjikisht lidhet në ndarjen univerzale, e në bazë të kësaj dhe në kundërshtimin e sexeve mes vete. Mashkulli-etnolog këtu është si outsider I dyfishtë: ai është i huaji në kulturën që hulumtohet, e gjithashtu është dhe i huaji në >botën femërore<. Si do të mund të gjejë çelësin e >gjuhës femërore< (gjuhën e trupit, ndjeshmërinë, sensualitetin, komunikimin e gruas brenda grupacionit personal) me gjithë barrën e rëndë të paragjykimeve ekzistuese mbi rolin e gruas në shoqërinë e tij? Pasiguria e ndërmarrjes së kësaj pune forcohet dhe nga një fakt tjetër: Në të shumtën e rasteve ai mund ti afrohet botës femërore me anë të ndërmjetësimit të strukturës lokale >mashkullore<, ose si e quan Edwin Ardener(9), grupit dominant, për dallim prej grupit të shtypur, e të qetë. Ky autor komenton epërsinë e ndikimit mashkullor si prani dominante të mashkullit – si etnolog tregues, dhe njerëzve për të cilët etnologët raportojnë, të vënë përballë mospranisë relative të gruas. Dominimi mashkullor bazohet në faktin se në kulturat e studjuara më lehtë arrihet te modelet meshkuj sesa te modelet të cilat formulojnë gratë. Kjo tendencë është pasojë e përvojave dhe veprimtarive të ndryshme të meshkujve dhe femrave. Meshkujt pa dyshim janë pjesëmarrës më të shpeshtë të aktiviteteve politike dhe diskursit publik, janë më të gatshëm sesa gratë, të cilat në të shumtën janë të kufizuara brenda rrethit familjar. Duke iu falenderuar lëvizshmërisë më të madhe, ata më shpesh bijnë në kontakt me pjestarë të bashkësive të tjera, dhe në përputhshmëri me këtë, janë të ballafaquar me problemin e definimit >të vetvetes dhe të grave të veta<, përballë > të tjerëve dhe grave të tyre<. Ashtu të përcaktuara, modelet e shoqërive këmbehen, e në të njëjtën kohë u vihen në dispozicion anëtarëve më pak mobil të shoqërisë, të cilët mund ti marrin kur të shfaqet nevoja. Prandaj gratë, në kushte të caktuara, të ballafaquara me problemin e definimit, mund të marrin modele të shoqërisë në atë formë si janë të formuluara nga meshkujt (si grupacion dominant). Modelet të cilat mud ti formulojnë gratë në bazë të përvojave të veta, pavarësisht nga meshkujt, nuk janë lëndë e diskursit publik prandaj dhe nuk mund të shprehen ashtu si modelet meshkuj në situatat dhe me mekanizmat e njëjta të komunikimit. Po, si janë mundësitë e studimit të grave kur në terren dërgohen gratë hulumtuese? Analiza që i bëhet literaturës tregon se edhe këtu mund të vërtetohet analogjia me gjendjen e përgjithshme në disiplinë.
    Gruaja jonë – etnologe ( a është rastësi, që pavarësisht nga numri i veprimtareve, nuk është rrënjosur gjinia femërore e profesionit) në të shumtën i gjason etnologut të urtë autokton i cili njohuritë mbi kulturën e vet i adopton nga dora e dytë.
    Autoriteti i mashkullit në shoqërinë tonë është aq i shprehur sa që gruaja, në etnologji ose në cilindo profesion tjetër mund të arrijë respekt ose autoritet vetëm nëse merret me çështjet të cilat meshkujt i konsiderojnë si të rëndësishme. Kështu kanë vepruar me vite të tëra gratë – etnologe, shumë rrallë mund të zbulosh ndonjë ndryshim mes punës së tyre dhe punës së meshkujve etnolog. Edukimi profesional inkuadroi dhe mësimin e mendimit nga perspektiva mashkullore, kështu që nuk do të duhej të çuditemi pse gratë shtronin pyetjet e njëjta që shtronin dhe meshkujt(10).
    Ekzistojnë dhe përjashtimet, siç janë psh, punimet e Margaret Mead ose studimi klasik i Phillis M. Kaberry Aboriginal Women: sacred and profane (1939) e cila arriti të depërtojë gjer tek dy modelet e definimit të shoqërisë: deri sa meshkujt vërtetonin se ekziston epërsia mashkullore, gratë , në disa dëshmi të veta, këtë e mohonin shumë ashpër.
  4. Shumëdimenzionaliteti i konceptimit të realitetit në bazë të idesë në fuqi, dhe për të cilën shihet se gabimisht është quajtur dituri objektive, pretendon në zëvendësimin e saj me idenë e diturisë, të fituar në bazë të perspektivës së caktuar të vështrimit. Me këtë rast hapet një sferë e re mundësishë, për atë çfarë kam paralajmëruar si perspektivë femërore në etnologji. Objektiviteti i gjertanishëm, në të vërtetë këndi mashkullor i vështrimit, sillte njohuri të mangëta mbi tërësinë e botës njerëzore, në këtë mënyrë dhe mjaft të shtrembëruara, që do të thotë joshkencore.
    Tani ekzistojnë themelet për këtë.. Gjatë dhjetëvjetshëve të fundit është I pranishëm procesi i rishqyrtimit të traditës etnologjike, dhe synimi mbi rindërtimin e etnologjisë së tillë e cila do të rihulumtojë në mënyrë radikale rrënjët dhe kufizimet e veta, dhe do ti ridefinojë postullatet e veta, për të cilët gruaja do të bëhet e >dukshme< jo vetëm brenda disiplinës, por e pranishme edhe në shoqëri. Antropologjia luftarake ( është në lidhje të drejtëpërdrejtë me antropologjinë vepruese), e cila dëshiron të mundësojë horizonte të reja në analizën e seksualitetit në shoqëri , do të marr tipare të orientimit të ri dhe në bazë të një numri të madh të punimeve në bazë të këtyre këndvështrimeve dhe supozimeve do të fitojë emërtimin antropologjia e gruas(11). Krijimi i një perspektive të tillë alternative nuk është i mundur pa kritikën e mëparshme të burimeve, siç kam përmendur dhe më parë, burimeve të ndërmjetësimit mashkullor. Gruaja (veprimtaria e saj, tërë bota e saj, modelet e shoqërisë si e përjeton ajo), gjer tani e mbrapsur në margjinë të ngushtë funksionale, e dukshme në atë masë, në të cilën është e pazëvendësueshme për funkcionimin e shoqërisë së caktuar, megjithatë has në një shprehje më të përshatshme në disa sfera të hulumtimit të kulturës. Ardener konsideron se studimi i ritualeve dhe simbolizmit ka mundësuar komunikimin më të lehtë me gratë, ngase shumë të dhëna nga kjo sferë kanë të bëjnë me vetë gratë, dhe se të dhënat e sjellura shpesh u kundërshtojnë modeleve meshkuj të shoqërisë. Kryqëzimi i të dhënave të arritura në këtë mënyrë, me ato të cilat ofrojnë këndvështrim mashkullor të botës, do të thot heqja e perdes e cila ka errësuar konkreten e ekzistencës, jo vetëm të grave, por edhe tërë bashkësisë. Detyrë tjetër është ndërrimi i optikës së hulumtimeve në terren. Literatura nga lëmi i antropologjisë së grave, duke përsëritur në mënyrë të dekolonializuar disa nga hulumtimet në terren , e kuptuar këtu si >e demaskulinizuar<, ka arritur njohuri shumë interesante. Më tej, perspektiva femërore do të mundësojë pushtimin e sferave të reja të hulumtimit, do të mundësojë problematikën e ndarjes në bazë të sexeve në shoqëri, dhe kultura të ndryshme, problematikë kjo ndaj së cilës teoria ishte indiferente, e kuptontë si të dhënë, dhe të cilën e ka integrua, dhe në të ka vënë themelet(12) pa e hulumtuar.
    Perspektiva femërore ka mundësi dhe përgjegjësi që të kontribuojë në riinterpretimin dhe ridefinimin e kategorive themelore të ekzistencës njerëzore, të korigjojë mënyrën ekskluzive të interpretimit e cila ka mbizotëruar gjatë tërë historisë së zhvillimit të shkencës etnologjike, të hulumtojë kontinentin e pahulumtuar dhe të orientohet në shkatërrimin e rendit evident ideologjik.

Shënime:

Vetë kuptimi etimologjik i fjalës grua drejton në nivelin e njëanshëm semantik të këtij nocioni. Sipas Fjalorit Etimologjik të autorit Petar Skok, fjala grua ka rrënjë indoevropiane dhe do të thoë të lindësh, ndërsa fjala mashkull nga rrënja që do të thotë të mendosh, të zotërosh.
Jean Copans, >De léthnologie á l’anthropologie<, në Copans, Godelier, Tornay, Backes-Clement: L’anthropologie: science des sociétés primitives?, Éditions E.P., 1971. Lydia Sklevicky, >Antropolog heroj u akciji<, Pitanja, 1977, 4-5, f. 69 Johan Galtung, >After Camelot<, në: The Rise and Fall of Project Camelot, red. I.Horowitz, Cambridge M.I.T. Press, 1967, f. 296. Ann Oakley, >The Invisible Woman: Sexism in Sociology<, në: The Sociology of Housework, Martin Robertson, Oxford, 1978, f.2. Gayle Rubin, >Traffic in Women: Notes on the ‘Political Economy ‘ of Sex, në: Toward an Anthropology of Women, red. Rayna R. Reiter, Monthly Review Press, N.Y. & London, 1975, f.178-180.
Felicity Edholm, Olivia Harris, Kate Young, >Conceptualising Women<, Critique of Anthopology 3, 1977, 9-10, f. 101-130. M.Z.Rosaldo, >Woman, Culture and Society: A Theoretical Overview<, në: Woman, Culture and Society, red. M.Z.Rosaldo dhe L.Lamphere, Stanford Univ. Press, 1974, f.3. Edwin Ardener, >Belief and the Problem of Women<, në: The Interpretation of Ritual, red. J. S. La Fontaine, Tavistock, London, 1972. Cituar sipas K.Milton, >Male Bias in Anthropology<, Man 14, 1979, 1. Sally Slocum, >Woman the Gatherer: Male Bias in Anthropology<, në: Toward an Anthropology of Women, f.49. Zarana Papic, Lydia Sklevicky, >Ka antropologiji zene<, Revija za sociologiju,1980, 1-2. Christine Delphy, >A Materialist Feminism is Possible<, Feminist Review, 1979, 2, f.87.