EDITORIAL – nr. 1
Ambienti ynë kulturor përveç botëkuptimeve patriarkale të trashëguara, sot është i ngarkuar edhe me një barrë tejet të rëndë tensionesh politike e sociale, si i tillë rëndon edhe më shumë pozitën e femrës e cila ka trashiguar një traditë diskriminuese si gjini dhe një mospërfillje e trajtim përçmues si intelekt, në tërë historinë e hershme dhe më vonë. Si rezultat i pozitës së palakmueshme në një shoqëri patriarkale e të mbyllur, shkrimi i femrës në gjuhën shqipe, në Kosovë, krijohet shumë vonë. Prandaj, edhe ai fond shkrimesh që mund të quhet letërsi e femrës nuk lë shumë vend për adhurim për nga niveli intelektual e artistik.
Nis botimi i revistës “Sfinga” si organ letrar, artistik, shkencor me prirje analitike, pikërisht nga shtytjet profesionale për të ndihmuar sadopak krijimin e një atmosfere krijuese e intelektuale në mesin e femrave krijuese, si dhe për të ndikuar në një thyerje mentaliteti të konservuar, përplot mangësi e defekte në planin e raporteve civilizuese të gjinive.
Insistimi i redaksisë që 50% e hapësirës t`i lihet literaturës së përkthyer është i motivuar nga mungesa e pazakonshme dhe absurde e një fondi më të gjërë të këtij lloj shkrimi te ne. Gjithashtu me këtë dëshirojmë të plotësojmë mungesën e informatës te ne, për vlerat, format, prirjet, trendet etj. që sot ekzistojnë në botë në mesin e asaj që quhet literaturë femërore.
Vetëdijësimi në rritje i ambientit tonë se trashëgimia patriarkale, si dhe tensionet gjithnjë e më të mëdha politike në hapësirën tonë e zvogëlojnë vazhdimisht cilësinë e jetës sidomos për femrën e cila gjithmonë është në pozitë më të disfavorshme se sa mashkulli, krijon urgjencë veprimi me qëllim të përmirësimit të kësaj gjendjeje.
E nënshtruar në çdo aspekt, e nënçmuar, si intelekt, femra me sa duket e fshehi thellë në vete të mos themi e zhduki fare dëshirën për t’i luftuar këto rrethana poshtëruese, mbase kryesisht e frikësuar nga përqeshja që mund ta përjetojë, nga satanizimi që mund t’i bëhet, nga indiferenca që mund të has si dhe nga gjasat shumë të mëdha që një përpjekje e tillë të dështojë fare.
“Sfinga” nuk bën pyetje vdekjeprurëse, ajo vetëm hap dilema të këtejbotshme.