Organizata
Rreth nesh
Qendra “Women’s Publishing and Research Center Sfinga”, u themelua në vitin 1997 nga Sazana Çapriqi, me qëllim të emancipimit të gruas nëpërmjet artit dhe botimeve. Në vitin 2001, Sfinga regjistrohet si shoqatë dhe vazhdon karshi publikimit me aktivitete të ndryshme për aftësimin, edukimine grave në fusha të ndryshme të jetës dhe organizimin e ngjarjeve me tema të ndryshme mbi pozitën e gruas në shoqëri me qëllim të nxitjes së mendimit kritik dhe aktivizmit për emancipimin e gruas.
Në vitin 1997, u botua numri i parë i revistës Sfinga. Si rezultat i pozitës inferiore të gruas në një shoqëri patriarkale e të mbyllur, shkrimi i gruas në gjuhën shqipe, në Kosovë, krijohet shume vonë, e si i tillë, ka vështirësi të inkuadrohet në skenën e krijimtarisë që nis më herët. Në mungesë të një fondi më të gjerë të krijimtarisë letrare, redaksia e Sfingës vendos që 50% e hapsirës t’i lihet literaturës së përkthyer, me shpresën e informimit e publikut për vlerat, pritjet dhe trendet bashkëkohore nëpër botë. Gjithashtu vendoset që shkrimeve nga gratë t’i shtohen edhe shkrimet për gratë. Revista Sfinga kështu fillon rrugëtimin për krijimin e një atmosfere krijuese intelektuale, si dhe për thyerjen e mentalitetit përplot mangësi e defekte në planin e raporteve mes gjinive.
Numri i parë megjithëse botohet në rrethana konflikti, nuk krahasohet me kushtet e numrit të dytë, që vënë në dilemë redaksinë, të vazhdojnë me botimin apo të ndalen. Por Sfinga vazhdon me botimin e një numri të ri të revistës për 7 vjet rradhazi. Në editorialin e parë të Sfingës thuhet: “Sfinga” nuk bën pyetje vdekjeprurëse, ajo vetëm hap dilema të këtejbotshme, dhe kështu edhe vepron. Gjatë këtyre viteve, Sfinga ka hapur dilema nga më të ndryshmet si: mungesa e shkrimtareve në librat shkollor, heshtja apo fshehja e dhunës ndaj gruas, vendimi për krijimin e parlamentit me 30% gra, grantet për trajnimet e grave, lëvizja e grave në Kosovë, e shumë të tjera.
Në kohën kur u botua revista Sfinga, kishte për qëllim që t’a ndihmonte pozitën e gruas në Kosovë, e tani, vite më vonë, ajo na shërben si pasqyrë e rrugëtimit të çështjeve të ndryshme në Kosovë.