Aborti
Përkthyesja: Enida Rusi
Dikush që duhet të lindte iku.
Sapo toka rrudhi gojën,
me burbuqet që dalin si puhi nga lëmshi i saj,
unë ndërrova këpucët, dhe u nisa për në jug.
Tutje pas Maleve Blu, atje ku
Pensilvania ngrihet pa mbarim,
me flokët e saj të gjelbra, si një
mace e ngjyrosur,
me rrugët e përmbytura si një dërrasë për të larë rrobat;
ku, në të vërtetë, toka çan djallëzisht,
një zgavër të errët nga e cila ka rrjedhur qymuri,
Dikush që duhet të lindte iku.
bari i rritur dhe i ushqyer si qepujkat,
dhe unë që vras mendjen se kur do të çahet toka,
dhe unë që vras mendjen se si mbijetojnë gjërat e brishta,
atje në Pensilvani, takova një burrë të vogël,
jo Rumpelstiltskinin, aspak, aspak…
ai mori plotësinë që nisi dashuria.
Gjatë kthimit në veri, edhe vetë qielli u hollua
si një dritare e laratë që nuk sheh asgjëkund.
Rruga qe e sheshtë si një fletë llamarine.
Dikush që duhet të lindte iku.
Po, o grua, një llogjikë e tillë do të çojë
drejt humbjes pa vdekje. Ose thuaj atë që kishe ndërmend,
ti frikacake… ky fëmijë që unë po gjakos.