Lidhja e shputave sipas traditës kineze

Përkthyesja: Remzije Ajeti

“Dhimbja, natyrisht, na jep një mësim të rëndësishëm: asnjë çmim nuk është tepër i lartë, asnjë metodë nuk është tepër neveritëse, asnjë operacion nuk është tepër i dhimbshëm, nëse gruaja duhet ta arrijë bukurinë. Ngritja e pragut të tolerancës mbi dhimbjen dhe romantizimin e asaj dhimbjeje fillon shumë herët me anë të socializimit, i cili shërben që gratë të përgatiten për lindje, për vetëmohim dhe plotësimin e dëshirave të burrave”. (Andrea Dworkin)

Plot njëmijë vjet, vajza me shputa të palidhura në Kinë nuk ka mund të martohej dhe me vetë këtë fakt as të mbijetonte. Nënat kanë qenë të detyruara t’ua lidhin shputat bijave të tyre. Gratë me shputa të lidhura, me tërë peshën e tyre ecnin duke u luhatur mbi thembrat e tyre, gjë që konsiderohej si shumë sharmante. Meqenëse, për hir të pamundësisë së të ecurit normal ato kryesisht qenë të dënuara të jetojnë brenda shtëpisë, shputat e lidhura u bënë simbol i virgjërisë dhe pastërtisë së seksit. Për dallim nga brezi i virgjërisë, shputat e lidhura, pas deformimit të suksesshëm, nuk mund të “të hapeshin me çelës”. Besnikëria ishte e garantuar.
Me lidhjen e shputave më së shpeshti fillohej, kur vogëlushet ishin midis moshës katër dhe shtatë vjet. Lidhja zakonisht bëhej duke mbështjellë lecka rreth shputave ashtu që katër gishtat, përveç gishtit të madh të këmbës, lakoheshin nën shputë, kurse gjithë shputa lakohej në mënyrë që sa më shumë t’i afrohej thembrës. Në atë mënyrë bëhej më ngusht dhe më gjerë, kurse shputa mbetej e lakuar në formë të harkut. Lidhja çdo ditë ngushtohej ashtu që shputa të mund të hynte në këpucë të vogla të punuara enkas, këpucë që çdo herë ishin më të vogla, të cilat i ngjanin bulëzës së lules së lotusit. Dhimbjet ishin të padurueshme. Thënë më shkurt, vogëlushet ecnin duke u zvarritur mbi duar dhe gjunjë, kurse plagët pandërprerë infektoheshin dhe të shpeshta ishin edhe komplikimet siç janë enjtja, paraliza dhe gangrenat.










Në fotografi shihet një këpucë e vogël e dekoruar jashtëzakonisht bukur, në të cilën duhej futur shputën e femrës pas përfundimit të veprimit të lidhjes, i cili zgjatte rreth dy vite. Madhësia ideale e shputës ishte rreth 7 centimetra !

Bukuria dhe dëshira për t’i poseduar gratë, matej me madhësinë e shputave të tyre. Ndërmjetësuesit e martesave nuk shtronin pyetjen: “A është e bukur?”, por “Sa i ka të mëdha shputat?!” Konsiderohej që fytyra edhe ashtu vjen si dhuratë nga qielli, mirëpo shputa e lidhur keq ishte shenjë e përtacisë.
Duke qenë se tërë pesha e trupit qëndronte mbi thembër, të ecurit shkaktonte shtrëngimin e muskujve të vaginës, prandaj kinezët pohonin se të bërit dashuri me gruan me shputa të lidhura (lakuara) është njësoj si të bësh dashuri me virgjëreshën (!). Pjesa më e rëndësishme shputës së lidhur ishte hapësira e rrumbullakët, e cila krijohej gjatë lakimit të harkut të shputës. Ajo hapësirë e rrumbullakët në formë të një gjysmëvrime gjatë aktit seksual, herë pas herë trajtohej si vaginë e dytë (Jackson, 108). Me mija vite për kinezët ledhatimi i shputës së lakuar të gruas shkaktonte pasion të njëjtë erotik, të cilin sot e shkaktojnë gjinjtë e gruas për burrat e shoqërive perëndimore.
Të lidhurit (lakimi) e shputës sa do gjë e tmerrshme, në esencë nuk dallohet nga të shkulurit e vetullave, operacionet plastike të fytyrës ose liposukcioni. Të gjitha këto metoda tregojnë gatishmërinë e vetëgjymtimit me qëllim që të kënaqen standardet shoqërore. Bukuria e gruas dhe seksualiteti i saj janë të lidhura ngusht dhe që të dyja janë të orientuara në radhë të parë drejt plotësimit të kërkesave të burrave. Standardet e bukurisë dhe të parametrat e joshjes seksuale të grave i përcaktonin ata, të cilët gjithmonë e patën fuqinë, “ushqyesit”, “mbrojtësit”, “shenjëtorët” – me një fjalë, të paprekshmit – ata, nga vullneti i mirë i të cilëve varej shëndeti dhe jeta e grave. Për miliona gra në botë sot, situata për fat të keq akoma nuk ka ndryshuar shumë.
Tradita kineze e lidhjes së shputave (lakimit të shputave) u ndalua me ligj vetëm në vitin 1911. Vlerësohet që në periudhën prej njëmijë vjetësh me miliarda gra të shëndosha janë gjymtuar me anë të këtij rituali. Lakimi I shputave sipas traditës kineze nga këndi i sotëm nxit neveri si një fenomen amoral dhe perverz kulturor i të kaluarës. Pyetemi si kanë mund nënat t’ua bëjnë atë gjymtim bijave të tyre dhe na vjen keq për gratë, të cilat u detyruan të durojnë dhimbjet, të cilat as që mund të paramendohen vetëm e vetëm që të duken të bukura dhe të dëshirueshme për burrat. Sot, në shekullin XXI, gratë nuk detyrohen t’i lakojnë shputat mbi taket e larta, nuk detyrohen të futin silikonet në gjinjtë e tyre, nuk detyrohen të mënjanojnë brinjët me qëllim që të kenë bel më të hollë, nuk detyrohen të vuajnë nga uria deri në vdekje me qëllim që të jenë të përsosura, nuk detyrohen që të shëndosha t’u shtrohen operacioneve… Nuk detyrohen, megjithatë i bëjnë të gjitha këto, por edhe më shumë se këto me qëllim që të konsiderohen të bukura, të dëshiruara dhe të meritojnë vëmendjen. A mund të zgjedhin sot gratë, vërtet në mënyrë të lirë, të jenë ashtu siç janë e jo ashtu siç dëshiron shoqëria t’i shikojë?

JU PYESIM:

Sa janë gratë sot, realisht të lira që të jetojnë jashtë rregullave të dëmshme të mitit të bukurisë, të cilat rrezikojnë shëndetin dhe jetën?

Fotografi e grave me shputa të lakuara (lidhura) që është huazuar për qëllime arsimore nga faqja web e Random House “The Chinese Century: A Photographic History of the Last Hundred Years” by Jonathan D. Spence and Annping Ching (NY: Random House, 1996)
Kjo fotografi tregon një këpucë të femrave, e cila nuk i takon periudhës njëmijëvjeçare të lakimit të shputave sipas traditës kineze. Kjo është fotografi e të mbathurës, të cilën gratë e sotme mund ta zgjedhin lirisht, sepse është komode, e dobishme për kurrizin dhe mundëson shkathtësi për të ecur dhe për të vrapuar. Aq më shumë, ajo e bën këmbën të bukur dhe garanton lëkundje tërheqëse të ijeve për shkak të disekulibrit komod të shkaktuar nga taket e larta dhe lakimit të tabaneve. (Çdo ngjashmëri me shputat e grave kineze nga kreu paraprak, është fare e rastësishme!) Gratë sot janë të lira ta përcjellin modën. Nëse një detaj i tillë i modës u shkaton dhimbje, çfarë të bëhet ? Për hir të bukurisë duhet të durohet, apo jo ?


____________________________________________________________

1 Lidhja e shputave është një traditë kineze sipas të cilës kinezët që në fëmijërinë e hershme ua lidhnin shputat fëmijëve, konkretisht vajzave, me qëllim që t’ua lakonin shputat. Kështu gjymtoheshin këmbët e vajzave, gjymtim të cilin kinezët nuk e konsideronin si gjymtim por si traditë.