Hapi njerëzor dhe dinjitoz i Elvira Donesit në romanin “Dashuri e huaj”
Hapi njerëzor qoftë i vogël apo i madh, qoftë i qëllimshëm apo i paqëllimshëm shënon një lëvizje përpara, shënon një betejë të fituar në jetën, e cila nganjëherë di të jetë fortesë e mbërthyer në grilat vetanake, di të jetë mundësi ngecjeje, apo kthim prapa. Ata që nuk e pranojnë kurrë qëndrimin në vend, ata që luftojnë për lirinë e mendimit të burgosur janë shpresë, ose së paku janë një shkëndijë shprese e ecjes përpara, të pakën në ëndërrime, të cilat një ditë apo një ditë tjetër mund të bëhen realitet. Shpresa është pjesa e vetme e jetës, e cila nuk dorëzohet kurrë. Ajo jeton bashkë me kohën në çmendurinë e ecjes përpara. Nganjëherë e pluhurosur. Nganjëherë e gjakosur. Nganjëherë e rebeluar deri në kufirin, kur si vullkan shpërthen dhe ngrihet mbi të gjitha. Atëherë i këput vargonjtë e historisë dhe të harresës duke u kacafutur me traditën dhe të sotmen në valët e jetës. Shpresa nuk i nënshtrohet kurrë nënshtrimit. Nuk i nënshtrohet kurrë ndjenjës së burgosjes së shpirtit. Ajo çdo herë kapet fyt për fyti me instiktin e të mbijetuarit të njeriut dhe ushqen fatet, ushqen heronjtë e jetës për t’u dhënë forcë, për t’u dhënë kurajë drejt guximit për ta bërë hapin njerëzor.
Heronjtë e jetës shpesh herë ngërthejnë në vete fate personale dhe fate kolektive. Të tillë janë heronjtë e jetës, personazhe të romanit “Dashuri e huaj”, autore e të cilit është durrësakja Elvira Dones. E tillë është edhe heroina e kësaj vepre Klea Borova që përfaqëson një plejadë femrash intelektuale që jetuan dhe u kacafytën me grushtat e jetës në një vend Ballkanik që brenda një periudhe gjysëmshekullore siç thotë vetë autorja “vetëm për nga pozita gjeografike” mund të llogaritej se është pjesë e këtij gadishulli. Një vend që ishte mbyllur në vetvete dhe nuk lejonte askë nga jashtë qoftë edhe të përgjonte për së afërmi dramën individuale dhe kolektive që po luhej në skenën e jetës së një kombi të lashtë dhe fisnik.
Heroi i jetës në këtë kullë të ngujuar e jetonte jetën duke ngarendur nëpër rrugët e ankthit dhe të stërlodhjes pa pasur mundësi ta njomte atë me një pikë motivi inkurajues për një ditë më të mirë. Fare thjesht, për një ditë kur barku nuk do të jetë i zbrazët, për një ditë që quhet e nesërme, por një e nesërme e gatuar me shpresën se do të jetë një e nesërme që nuk do t’i gjasojë të sotmes. Edhe pse këtë shpresë për një të nesërme që duhej të ishte ndryshe nga realiteti aktual, heroi i jetës e mbante të fshehur në thellësi të vetvetes, e ruante me fanatizëm dhe frikë nga e sotmja, e cila synonte ta nënshtronte dhe ta vriste çdo hap që synonte drejt asaj që mund të sillte një realitet ndryshe.
Në një atmosferë të tillë shoqërore e politike, kur e sotmja, e cila zyrtarisht idealizohej deri në qiell, në realitet ajo ishte vetëm një anë e medaljes së jetës, ishte vetëm gjysma e një dueli në arenën e pamëshirshme të jetës, derisa e nesërmja e ëndërruar nga heroi i jetës jetonte në heshtjet që kaplonin anekënd vendin dhe shërbenin si mallkim dhe mbrojtje e jetës njëkohësisht.
Jeta në këto rrethana gërshetohej midis konfliktesh nga më të ndryshmet, siç janë konflikti midis individit dhe kolektivit, midis botës femërore dhe asaj mashkullore, midis brezit të ri dhe të vjetër, midis klasave shoqërore d.m.th. klasës nënshtruese dhe asaj të nënshtruar etj, edhe pse kjo ishte një shoqëri e vetëquajtur “shoqëri e popullit”, konflikte këto, të cilat pashmangshëm bëhen bazë në romanin “Dashuri e Huaj”.
Konflikti midis individit dhe kolektivit është i pranishëm që nga fillimi deri në fund të veprës së Elvira Donesit. Individi si hero i jetës këtu rrallë herë përfaqëson vetveten në tragjikën e jetës në përgjithësi, por më shpesh përfaqëson një kategori më të gjerë njerëzore dhe njëkohësisht dallon prej saj pikërisht për faktin se si i qaset jetës, se si i duron dhe i mbijeton ose jo grushtat e jetës.
Kështu Klea Borova, kryeprotagonistja e romanit në fjalë, për ta ruajtur unin e vet si krijesë njerëzore në përgjithësi dhe si femër e intelektuale në veçanti që në fillim të jetës së saj kishte zgjedhur rrugën më të rëndë, ku do ta bënte hapin e saj njerëzor. Ajo e kishte zgjedhur rrugën e mosnënshtrimit qoftë në raportin e saj ndaj prindërve, burrit, rrethit, traditës dhe pushtetit që ishte një ndër pushtetet më diktatoriale që kishte njohur njerëzimi.
Për ta bërë atë hap, të drejtë dhe dinjitoz në rrethanat, në të cilat jetonte ajo, ishte vërtet shkathtësi jetësore. Që në rini ishte treguar plot entuziazëm për jetën dhe një forcë e brendshme e ushqente dëshirën e saj për të ecur përpara drejt një ardhmërie më të lumtur. Kishte kryer studimet në letërsinë shqipe dhe angleze dhe ishte punësuar në Kinostudion “Shqipëria e Re” në Tiranë, e më vonë edhe TV Shqiptar. Duke mos kursyer asgjë nga vetvetja kishte bërë çmos që suksesi në sektorin, ku punonte të mos mungonte asnjëherë.
Pa qenë e vetëdijshme për grushtin e parë të fuqishëm që po i përgatitej në jetë, ajo hyri në martesë me Gjergjin, mjekun e ri të cilin e kishte dashur që në ditët e rinisë. Martesa për të qe një kaptinë e jetës me shumë përgjegjësi dhe vështirësi të panjohura. Duke mos gjetur prehjen e ëndërruar pranë Gjergjit, duke mos gjetur mirëkuptim tek i shoqi, ajo filloi ta humbte pak nga pak lumturinë bashkëshortore, freskinë shpirtërore dhe të qeshurën e thjeshtë njerëzore. Duke parë se dalëngadalë po e humbte interesimin për vetveten, pra po e humbte unin e vet, se po fundosej në mënyrë të pamëshirshme në humbjen e atij që e kishte dashur më së shumti në botë, ajo mblodhi forcat dhe e vetëdijshme për çmimin e lartë që do të paguante vendosi të ndahej nga ai. Përveç dhimbjes së madhe shpirtëore midis trishtimit, vuajtjes dhe rebelimit të brendshëm, pas divorcit ajo u detyrua të përballet edhe me shumë konflikte tjera që ia servoi në sofër jeta në emër të traditës.
Në emër të një tradite të ashtuquajtur të moralit shqiptar, për të cilën flitej e shkruhej aq shumë në mediat e vendit, në mënyrë indirekte po vritej çdo ditë liria e gruas. Kështu divorcin e Kleës nga Gjergji nuk e përkrah askush. Madje as prindërit e saj. Këtu ndërlidhen në mënyrën më të pashkëputshme konflikti midis brezit të ri dhe të vjetër, konflikti midis të sotmes dhe traditës, konflikti midis pushtetit dhe shtresës së nënshtruar nga pushteti. Prindërit e Kleës edhe pse e dinin që bija e tyre nuk gjeti lumturi në këtë martesë, kurrë nuk e miratuan këtë ndarje. Argumenti i vetëm që kishin ata në dorë për ta arsyetuar mosmiratimin e tyre qe shprehja e tipit “këtu jemi në Shqipëri”, prapa së cilës fshihej tradita dhe i ashtuquajturi morali socialist dhe sipas logjikës së kësaj shprehjeje njeriu për hir të faktit që jetonte në Shqipëri, të cilën e kishin idealizuar deri në kupë të qiellit në fjalimet e stërkomunistshme dhe të stërsocialistshme, njeriu edhe kur nuk ishte i lumtur duhej ta imitonte lumturinë, ta imitonte jetën e një familjeje të ashtuquajtur të përsosur “socialiste” e kurrsesi nuk kishte të drejtë të shprehte ndjenja pakënaqësie, sepse me këtë e fyente nderin e Partisë Socialiste, e fyente moralin socialist dhe e tradhtaonte atdheun. Pikërisht këtu e kishte burimin qëndrimi mosmiratues i prindërve të Kleës, këtu fshihej e strukur arsyeja e vërtetë e qëndrimit të tyre. E kjo arsye quhej frikë, frikë e mallkuar. Nga një anë për hir të traditës, por më tepër për hir të frikës se mos nga kjo ndarje po fyhen Partia dhe njerëzit e saj dhe pastaj pasojat do të ishin të paparashikuara, jo vetëm për të, por edhe gjithë farefisin e tyre. Kjo frikë nga pushteti është fantazma më e llahtarshme që i detyronte heronjtë e kësaj toke të përkulen gjatë gjithë jetës.
Nga ana tjetër jo vetëm prindërit, por edhe tërë qyteti e diskutoi këtë ndarje. Gjithë Tirana gumëzhinte nga thashethënat rreth kësaj ngjarjeje që ishte e rrallë andej, asokohe. Madje, edhe në mjediset shoqërore ku mbaheshin si të ngritur dhe pa paragjykime nuk e arsyetonin. Klea ishte shumë e vetëdijshme për këtë dhe e kuptoi fare qartë se në të gjitha rrethet ku po kryhej misioni i përgojimit në qytet fajtore shpallej ajo, ndërsa i shoqi edhe po të kishte bërë gabime arsyetohej, sepse sipas disa ligjeve të pashkruara të traditës, sipas atyre që si mburojë përdornin dogmat, me të cilat ishin rritur, gruaja ishte ajo që duhej ta ruante me çdo kusht martesën, pa marrë parasysh çmimin që duhej të paguante, qoftë ai edhe çmimi i humbjes së dinjitetit njerëzor si femër dhe si krijesë njerëzore.
Mosnënshtrimi i saj dhe përpjekjet për të mos e asgjësuar unin e vet u bënë shkas për akuza kundër saj jo vetëm në rrethin familjar e shoqëror, por edhe në qarqet shtetërore. Në një mbledhje të zgjeruar të Komitetit të Partisë për divorcin e Kleës flitet si për një gabim jetësor të pafalshëm. Në atë mbledhje shkohet aq larg, sa që përveç faktit që e akuzojnë për divorc, atë e vënë në shënjestër edhe për gabime tjera si psh. për intelektualizëm të tepruar dhe teknokratizëm. Madje, aty bëhet fjalë edhe për garderobën e saj të papërshtatshme që nuk përputhej me moralin socialist, sepse “vishej me rroba të jashtme, me ngjyra tepër të ndezura për realitetin e vendit”. Me qëllim që kjo ironi të plotësohej më mirë, në një mbledhje të Partisë u bë fjalë edhe për jakën e palltos, të cilën e mbante të ngritur lart dhe sipas tyre kjo ishte vërtet shenjë degjenerimi dhe lajthitjeje nga rruga socialiste. Ishin këto akuza qesharake deri në dhimbje dhe Klea Borova me të drejtë nuk i përfillte dhe rebelohej edhe më shumë ndaj tyre.
Falë aftësive të saj profesionale Klea qe ndër femrat e rralla në Shqipëri, ose thënë më realisht ndër njerëzit e rrallë të atij vendi që pati fatin të dalë jasht shtetit dy herë, natyrisht pas shumë provave që i bëri Partia për të provuar në kishte lajthitur vërtet nga linja socialiste apo jo. Rastin e dytë të daljes nga vendi Klea e shfrytëzoi për t’a bërë një hap shumë të rëndë, por shumë të rëndësishëm në jetën e saj. Vendosi të mos kthehej më në atdhe dhe kaloi në Zvicër, ku kërkoi strehim politik. Duke marrë rrugën e ikjes ajo shpresoi se do të gjente rrugën e ardhmërisë së ndritshme, rrugën e së vërtetës, rrugën e fitores së plotë, por shpejt u bind se ajo vetëm ishte arratisur nga një kafaz plot varfëri e vuajtje në një kafaz pak më komod, ku refugjati shikohej si një qytetar i një rendi më të ulët. Kotësinë e fitores së ëndërruar e ndjeu shumë shpejt, kur provuan t’ia lëndojnë dinjitetin dhe provuan t’ia shtrojnë në sofër përsëri përkuljen. Por Klea ishte betuar që KURRË më në jetën e saj të mos e qaste përkuljen. Ajo edhe pse ishte shumë e vetëdijshme për pozitën e saj në këtë vend qëndroi kryelart, sepse “të ulte kokën do të thoshte në njëfarë mënyre ta përsëriste Shqipërinë” e këtë ajo kurrsesi, me asnjë çmim nuk e pranonte dhe rebelohej me të drejtë. Në momente të lëndueshmërisë së tillë ajo nuk e kursente rebelimin e saj, madje as ndaj Ivit, të dashurit të saj, më vonë burrit të saj, i cili i kishte qëndruar pranë që nga momenti i parë i arratisjes, duke i thënë: “Unë dua të jetoj me shpinën drejt. Dhe Zvicra po mundohet të ma përkulë. Dashur pa dashur kjo është ajo që po përpiqet të bëjë. Dhe unë nuk jam dakord. Nuk do t’ia lejoj një gjë të tillë.”
Takimi i Kleës me botën e jashtme qe një mundësi e re si në planin objektiv ashtu edhe në planin subjektiv. Iv Montalban një gazetar nga Zvicra ia ofroi asaj ngrohtësinë, të cilën tërë jetën e kishte dëshiruar nga Gjergji dhe këtë mungesë Klea nuk ia kishte falur kurrë këtij të dytit.
Ivi kishte hyrë si hajn në jetën e saj dhe kishte lëshuar rrënjë të forta në ndjenjat e stërlodhura, por të uritura të gruas shqiptare, e cila ndrydhej midis dëshirës dhe trishtimit që ia kishte pushtuar tërë qenien. Duke u gjetur në përqafimin e tij, ajo për herë të parë i dha liri helmit të brendshëm të dalë në sipërfaqe, të shpërthejë si vullkan një herë e përgjitmonë. Atij helmi me të cilin ishte ushqyer dhe ishte rritur ajo vetë dhe i gjithë kombi gati për një gjysmë shekulli, pa guxuar asnjëherë ta shprehte as para vetvetes. Për herë të parë në jetë ajo i shpalosi para një krijese njerëzore plagët personale dhe plagët e kombit. Ajo i foli për jetën e vet, për të birin, për ish të shoqin, për gjendjen e llahtarshme ekonomike dhe politike në atdheun e saj, për radhët e pafund të njerëzve atje për një copë bukë, për moralin socialist që ishte morali më i pamoralshëm në këtë botë, për spiunimet dhe dënimet me akuzën për aktivitet kundër partisë dhe pushtetit, për dëshpërimin që e detyronte çdo ditë të mbyllej në një rreth të errët dhe e çonte drejt një humnere të pashpresë.
Sado që Klea derdhte helmin e brendshëm, ajo kishte përshtypjen, madje ishte e bindur se këtë po e bënte kot, sepse “supet e të huajit nuk ishin aq të gjera sa të mbanin mbi vete peshën e llahtarshme të trishtimit shqiptar… Askund, në asnjë çast ose rrugicë të jetës së tij nuk gjendej diçka, një vuajtje ose fatkeqësi që t’i ngjante asaj shqiptare…”
Pikërisht me këtë gjendje lidhet pashmangshëm një prej motiveve të romanit “Dashuri e huaj”, pra motivi social. Gjendja e rëndë ekonomike është gurë themeli për të gjitha pakënaqësitë e jetës së çdo njeriu. Varfëria ishte petku i përhershëm i shqiptarit, të cilin e vishte që në fëmijëri dhe nuk e zhvishte tërë jetën. Ai petk ishte petku kryesor i kombit në përgjithësi, pra i masës së gjerë popullore. Ishte shumë vështirë të sigurohej buka e gojës. Sidomos të rinjtë mundoheshin të bënin diçka me forcat dhe vullnetin e tyre, mirëpo sistemi ekonomik dhe politik nuk u jepte rast. Kështu ata ishin të detyruar siç thotë autorja “të mbështeteshin mbi supet e lodhura të prindërve, gjë që nga njëra anë mbante të forta lidhjet familjare, pa të cilat ishte i humbur, e nga ana tjetër pikërisht këto lidhje bëheshin shkas pakënaqësish, inatesh, mërish e konfliktesh jo të vogla që i shtoheshin vrerit të përgjithshëm të jetës” në sofrën e varfër të atdheut.
Në kohën, kur Partia e Punës të Shqipërisë, pra protagonisti zyrtar i jetës me miliarda fjalë të zjarrta lëvdatash i thurte hymne pushtetit dhe kujdesit që mbante ai për popullin e sidomos për fëmijët, të cilët i quante “lulet e Shqipërisë”, Klea Borova që llogaritej se i takonte një shtrese të ashtuquajtur elitë, kur fati e solli të gjendet jashtë atdheut, natyrisht zyrtarisht (fat ky që mund të ndodhte aq rrallë sa që rrethi e kishte zili për këtë), vuan dhe i helmohet shpirti kur atje jashtë duhet të ulet në tryezën e mëngjesit dhe gjendet para ushqimeve, të cilat biri i saj, por edhe gjithë fëmijët e kombit të saj, vetëm mund t’i shikojnë fshehurazi nëpër reklamat e Televizionit të huaj e kurrsesi nuk kanë rast t’i shijojnë.
Nga ana tjetër, derisa po kjo parti, kjo forcë që vrërte e kthjellte në vend lavdërohej për kujdesin që kishte ndaj faktorit njeri dhe të mirat materiale që i solli kombit, protagonisti i jetës reale e mbante gjallë shpirtin me “dy feta bukë të zezë, një domate dhe një copë djathë tepër të kripur, më të rrallë mund të lyenin një fill të hollë gjalpi” dhe njëkohësiht mallkonte gjymtyrët e këputura nga puna e rëndë, e cila shqiptarëve ua bënte jetën edhe më të zezë.
Për të demaskuar realitetin dhe gjithë këtë eufori lëvdatash të pabazë kundër pakënaqësive sociale fillon të nxjerrë krye rebelimi kolektiv, në formë të pazëshme, në formë të nekrologjive të shkruara nëpër muret e pallateve afër Bllokut ku banonin ata të Byrosë Politike.”Ju ftojmë të merrni pjesë në varrimin e mishit, të dielën në orën gjashtë mbasdite. Me hidhërim njoftojmë se gjalpi e djathi duke mos duruar dot vdekjen e mikut, janë në gjendje të rëndë dhe po japin shpirt”. Natyrisht, pas këtyre nekrologjive pasojnë burgosjet masive, sidomos, të rinisë me ç’rast lindin histori të shumta të shkruara në lëkurat dhe shpirtrat e njerëzve, të cilat ndoshta kurrë nuk do t’i gjejmë në analet historike.
Në atdheun e Kleës mbretëronte një skllavëri e shumëfishtë. Përveç varfërisë atje lindnin edhe shumë halle, të cilat burimin e kishin në qëndrimin që kishte pushteti diktatorial ndaj të gjithë atyre që nuk i bindeshin skllavërisht. Kështu gratë detyroheshin të ndaheshin nga burrat e akuzuar për tradhti ndaj atdheut, me qëllim që t’i shpëtonin fëmijët nga kampet famëkeqe të punës. Spiunazha ishte vegla më e preferuar dhe më e përsosur e pushtetit për të depërtuar dhe për të qenë prezente në çdo shtëpi shqiptare. Përmes saj u shkatërruan shumë familje, ku burri detyrohej ta denonconte gruan dhe anasjelltas, madje jo rrallë nëna detyrohej t’i denonconte fëmijët për fjalë armiqësore kundër Partisë. Me fjalë të tjera çdo pakënaqësi e shprehur ndaj jetës konsiderohej si armiqësi kundër pushtetit. “Atje – i thotë Klea Borova Ivit- atje brenda, në Shqipëri, është ferri, Iv, ti nuk mund ta imagjinosh se ç’është atje brenda. Sepse ferrin nuk e gjen të hedhë flakët e dragoit nëpër rrugë e të pjekë njerëz në hell. Rrugët janë të varfëra, por të pastra e plot gjelbërim. Ferri është në shpirtrat e njerëzve, në frikën e vazhdueshme, se mos ndonjë kushëri apo i afërm bën ndonjë “gomarllëk” dhe i merr në qafë të gjihtë të tjerët”.
Rrallë herë, më parë në letrat shqipe është shkruar në mënyrë aq të hapur për qëndrimin e pushtetit ndaj popullit dhe për disponimin e popullit shqiptar ndaj pushtetit “popullor”, i cili në realitet ishte pushteti më antipopullor që kishte parë njerëzimi. Partia që ishte në krye të këtij pushteti ishte partia më diktatoriale që kishte udhëhequr ndonjëherë këtë vend. Vdekjen e kryetarit të asaj partie populli e priti me gëzim, sepse më në fund po dilte në sipërfaqe shpresa e kahmotshme e ndryrë në vetvete se diçka do të mund të ndryshonte drejt të mirës, drejt njerëzores, edhe pse siç thotë autorja njerëzit po bënin përpjekje mbinjerëzore dhe “të jashtëzakonshme të dukeshin njëri më i hidhëruar se tjetri” dhe me stërmundime mundoheshin ta shisnin gëzimin për pikëllim, përndryshe fantazma famëkeqe e quajtur “sigurimi” po sillej vërdallë anekënd vendit e gatshme si gjithmonë të vriste çdo fije gëzimi që mund të përgjohej në fytyrat e njerëzve në ato ditë “zie”. I llahtarisur nga ky përgjim populli edhe një herë po luante rolin më hipokrit në jetë, po luante rolin më dyfytyrësh që i kishte rënë hise të luante në ditët pas vdekjes së Atij, siç e quan autorja, duke iu lutur Zotit që në ardhmërinë e tyre të mos përsëritej edhe një si Ai. Madje edhe vetë natyra po merrte pjesë aktive në këtë dyfytyrësi, sepse siç thotë autorja “dita kur zhvillohej funerali ishte e vrenjtur, gjysmë-shi e gjysmë-diell, s’merrej vesh në bënte ftohtë apo ngrohtë”. A thua edhe qiellin e Shqipërisë e kishte mbërthyer frika e mallkuar nga “sigurimi” me revole në brez dhe nuk guxonte ta tregonte disponimin e tij të vërtetë me rastin e kësaj ngjarjeje me rëndësi të madhe për këtë tokë të pafajshme?
Përkundër të gjithave nuk mund të fshihej dehja nga shpresa se po lindte dita, kur do të merrej frymë më lehtë se dje, se po shfaqej si hije jo e largët, si shkëndijë e mirëfilltë shpresëdhënëse.
E kapur në kthetrat midis dramës personale dhe dramës kolektive të kombit të saj, e gjetur në një tokë të huaj, ku nuk mungonte as copa e bukës, as bulevaret e pastra, as shkëlqimi dritave verbuese të tokës së huaj, por as sjelljet e ftohta, nganjëherë hipokrite të të huajve, atë e mbante të gjallë dashuria e pashterrur ndaj atyre që i kishte braktisur, ndaj të birit, prindërve e sidomos ndaj tokës nënë. Tokës, ku jetonet tani me gjithë bukuritë dhe të mirat materiale “i mungonte dielli”, pra i mungonte ngrohtësia e atdheut, të cilin e dashuronte deri në dhimbje dhe i cili tani i dukej i paprekshëm. Ishte kjo një dashuri që e shtypte dhe e ndrydhte përbrenda, krahas ndjenjës së lënduar të amësisë që ia përvlonte çdo ind të zemrës, që ia përvlonte jetën.
Këtë zjarr ajo e bartte në betejën e jetës, qëllimi i së cilës ishte mposhtja e çdo tentimi të nështrimit dhe çdo humbjeje. Dhe si rebele e përbetuar ndaj padrejtësive të jetës nuk gjeti prehje, derisa nuk arriti ta mbante në përqafim sërish të birin, edhe pse shpesh herë u ndie e pafuqishme.
Shpesh e ndiente se po e mbante të robëruar në kthetrat e veta edhe ndjenja e urryer e humbjes. Kishte humbur shumë. Kishte humbur tokën e shtrenjtë. Kishte humbur lumturinë. Kishte humbur gëzimin. Madje, kishte humbur edhe buzëqeshjen, të cilën e kishte lënë atje, në atdhe, “atje, në ferrin të cilin bota po e zbulonte tani me habi dhe rrënqethje”. Këtë e kuptoi përfundimisht vetëm pasi ritakimi me të birin ia shoi vetëm një pjesë të flakës së brendshme, që po e digjte prej kohësh. Përfundimisht e kuptoi se ajo më nuk është ajo, por një “kopje e zbehtë, e deformuar e asaj” që ishte dikur. E kuptoi se ishte e ndarë në dy pjesë. Rrënjët nuk i shkuleshin dot nga andej, nga ajo tokë plot halle e dhimbje, ndërsa këndej ishte prezente vetëm fizikisht. “Tani jam nga kjo anë dhe kam një mur përpara, një mur që më ndan nga ajo tokë plot vështirësi, e cila e mban të ndryrë buzëqeshjen dhe gazin tim”.
Përsëri e mbërthyer në ndjenjat e mallit dhe të dashurisë, e shtrënguar aq fuqishëm dhe aq pabesisht nga kthetrat e një nostalgjie të pamëshirshme që nuk lejonte të gjente prehje shpirti njerëzor i krijueses në egzil, Elvira Dones pavetëdije ndoqi rrugën e paraardhësve të saj, mjeshtërve të mëdhenj të fjalës së shkruar dhe në një mënyrë fare të natyrshme tërë romani i saj gatuhet me motivin gjithmonë prezent në veprat shkrimtarëve të syrgjynosur, pra motivin e dashurisë ndaj atdheut. Është ky një fat shumë i njohur në historinë e letërsisë shqipe. Është ky një fat që vetëm përsëritet. Të gjitha ato penda të ndritura në letërsinë shqipe që për një arsye, apo një tjetër u detyruan domosdo ta braktisin atdheun, qoftë ata, të cilët e hymnizuan apo e zhveshën nga hymnizimet dhe të cilët e pikturuan atë me ngjyrat e realitetit, pra të veshur në petkun e një realiteti ekzistues, siç veproi Elvira Dones, nuk iu shmangën dot motivit të dashurisë ndaj tokës që i lindi.
Ky motiv që palodhshëm dhe me këmbëngulësi qëndron prezent nëpër faqet e romanit “Dashuri e huaj”, nganjëherë i kapërcen kufinjt e normales dhe shndrrohet në dhimbje, natyrisht në një dhimbje krenare që nxit lindjen e motiveve të reja, dëshirave për të mos u nënshtruar, por për t’u ballafaquar me sfidat që grishin për t’u kyqur në beteja të reja.
Kështu lindi dëshira për ta parë të realizuar betejën e ardhshme. Betejën që bartte mbi supe ëndrrën e saj, për ta parë të shembur atë mur që e ndante nga toka nënë. Betejën për t’i parë dhe përjetuar të këputura prangat që ia kishin burgosur buzëqeshjen dhe atdheun.