Skolastika e hidhërimit

Autori: Agron Tufa

(mbi sofiologjinë e vdekjes në tre vëllimet me poezi të Lindita Arapit)

Pyetjes “Për kë shkruani ju?” më mirë se çdokush tjetër i është përgjigjur Igor Stravinski: “Për veten dhe për alter egon hipotetike”. . Çdocili poet, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, përgjatë gjithë karrierës së vet merret me kërkimin e lexuesit ideal, këtij alter ego-je, sepse lakmon jo famën, porse të jetë i kuptuar nga ana e lexuesit.
E bëra këtë parantezë për t’iu qasur njërit prej sistemeve poetike më të sinqertë e njëjtazi, më të koklavitur të letërsisë sonë te re, – poezisë së Lindita Arapit.
Poezia e Lindita Arapit dallohet nga krijimtaria e bashkëkohësve të saj, madje edhe më në moshë se ajo, veçanërisht, të atyre femra (pasi në konceptet artistike të Linditës poezia nuk ka seks, d.m.th., përkatësi gjinore), dhe dallohet kjo poezi, para së gjithash përnga nota apriorisht tragjike, e maskuar në varg, si një ngashërimë. Libri i parë i poetes “Kufomë lulesh”, Tiranë 1992 (i përkthyer një vit më vonë edhe në italisht), i përmbahet këndit në të djathtë (të epërm) të oktavës.
Gjatë gjithë librit, me pak oshilacione, ky tonalitet mbetet i pandryshueshëm, madje në poezinë e fundit të librit, ku ligjërimi i adresohet drejtpërsëdrejti Zotit, – ky tonalitet merr të përpjetë dhe mbyllet me pikëçuditëse të drejtuar lart, së brendshmi: “…shuaji këto pëshpërima/ largoji fantazmat/ ose/ ndihmomë të vdes!”.
Në poezinë e Lindita Arapit tingëllon diç e panjohur për veshin e shqipes, diç tmerruese: mospranimi i botës. Ky reaksion s’ka asgjë të ngjashme me reaksionin e progresistit ase revolucionarit, retorika e të cilëve këmbëngul për “ditë më të bukura”.
Klaviatura e kësaj poezia, intonacioni i saj ligjërimor gjithë ethe, parandjenja e drithërima, përcakton më së miri vektorin e një ekzistence të dalë në shmang, aqsa prek intuitivisht truallin më të lashtë e zanafillor të poezisë si zhanër i qëmotshëm – Lutjen, kur kryepari fjala e nginjur cit më cit me dëshpërim, i drejtohet Absolutit, Zotit vetë.
Ky kërkim i së Vërtetës me tahmin në nivelin përmbajtjesor, nuk ka të bëjë aspak me pakënaqësira të jeratisura sipas vertikales së hierarkisë sociale: fjala është për tragjizmin e ekzistencës në përgjithësi, jashtë varësisë së kontekstit të saj kohor.
Prandaj pra, edhe në nivelin e tingullit, ligjërimit gjuhësoro-poetik, kjo poezi mbetet prore pa firo, pse bart në vetvete energjinë vokale të së ardhmes.
Papranueshmëria e botës në poezinë e Lindita Arapit, krijon mundësi të shumëfishta alternative për një kredhje vetëngushëlluese e bestyte në një metafizikë të karakterit të skajshëm transhendental, ndërsa diksioni i zërit çon në të vetmin drejtim të mundur për të: lart.
Ky vektor vokal përbën çiftin binar me vektorin tjetër, atë të shpirtit, i cila gjakon drejt origjinës së tij zanafillore: “…dhe varrit tim do t’i vijë era/ kasolle e kalbur në shi…/…kushedi pas sa kohësh/ do të jem bërë një lule e bukur (ose gjemb)/ ose të jem det/ ose bukë… bukë që hahet/ kushedi…”.
Kur mbaron së lexuari “Kufomë lulesh” ke ndjesinë e lënies pas shpine të disa dhjetëvjeçarëve moshë njerëzore të regjur në përvojë. Ndodh më saktë distanca e tëhuajësimit filozofiko-ontologjik.
Dhe ndodh kjo sepse poezia e Lindita Arapit, duke patur një alergji të lindur ndaj klisheve dhe gremçave të metaforave, di t’u shmanget me mjaft takt manierizmave të krahasimeve e në përgjithësi, sportit të mërzitshëm të tropeve të zbrazëta.
Shumë moshatarë e moshatare të Linditës shpalosin tash sa vjet në artin e tyre flamujt e skemave standarde në vargje: krahasim + krahasim + epitet.
Këta poetë, në vend që të përforcojë njërën nga gjymtyrët (objektin e krahasuar), me anë të funksionit poetik të karahasimit me një objekt tjetër sipas ligjit të identitetit A=A, – shenjë që e njohin mirë objektin e parë që hyn në krahasim, – duke vepruar kësilloj, ata dëshmojnë se nuk njohin asnjërin prej objekteve, dhe se me poezinë e tyre ata përfshihen mes një vorbulle epidemike objektesh që nuk e njohin.
Lindita arrin të disiplinojë këtë botë sendore e frymore duke mos hyrë në konflikt me sendin dhe zonën e zbrazët nga paprania e përjetimit.
Frika somatike, ajo e vërshimit të energjisë kaotike të sendeve të panjohura, bën që poetja të ketë atë vigjilencë në intensivitetin e objektit që hyn në përjetim, dhe të ndërtojë me të raportet e një fenomenologjie perceptimi ndërndijor, duke shpirtëzuar atë deri në atë shkallë, sa ta humbë më pavarësinë e tij në statusin e sendit:
“Një ditë…/një qindarkë që vezullon në mugëtirë/ vijnë mbrëmjet radhë/ shtohet një qindarkë/… një qindarkë që vezullon/ shtohet…/ askush nuk vdes i varfër…/ ne vdesim të pasur të gjithë”. Lindita arrin ta shndërrojë poezinë e saj me një natyrshmëri të përsosur në art të kondensimit, intensitetit të dendur të përjetimit.
Prandaj dhe efekti që shkakton tek lexuesi i mirëfilltë njohja e parë me librin debutues të poetes është i një barasvlershmërie të tillë me një epope mijëra faqesh, ku brenda një dialektike metafizike ndeshen mendimi me mendimin, tingulli me tingullin, çka është e pazakontë për një libër të parë.
Në vitin 1995 Lindita Arapi publikon vëllimin e dytë “Ndodhi në shpirt”. Po ato shqetësime, po ato përjetime, po ato lëvizje shpirtërore dhe po ai tëhuajësim e vrujim drejt botërash transhendentale.
Megjithatë, kemi në këtë vëllim një zhvendosje, një impostim krahasuar me librin e parë, kryesisht në tonalitetin ligjërimor; intonacioni i vargut në këtë libër është më i vetëpërmbajtur, ndërsa kredoja mbetet po ajo e librit të parë.
Nëse në teknikën e librit të parë mbisundon ngjyra bardh e zi e grafikës, në vëllimin “Ndodhi në shpirt” shfaqen bujshëm e në harmoni lëbyrëse e depresive – ngjyrat. Vibrimi i tingullit nuk ngutet e nëpërdridhet më si më parë, porse zbret një notë sipas një kreshendoje te re sugjestionuese.
Transformimi që përmendëm ngjet ngase mes Linditës-poete dhe Linditës-njeri nuk ka jo më presje, por as vizë: ka veçse shenjë barazimi. Poezitë e këtij vëllimi janë shkulur me gjithë rrënjë nga përjetimi sublim, thellësisht individual, çka e bën artin e këtij libri të jetë unikal e tejet serioz.
Kjo zbritje vokale në gjysmënotë bëhet kryekrejt për strategji estetike. Maturia dhe vullneti në përpunimin e vargut i ngjet një hapi misterioz: kjo shpërfaqet në konceptimin strukturoro-arkitektonik të librit, organicitetin e strukturës grafike të poezisë e po ashtu, procedimi me efektet sintaksore e semantike të punktuacionit poetik. Ndërkaq metafizikës së ekzistencës i shtohet metafizika e një përjetimi të ri – ajo e ngjyrës: ciklet “njollë”, “melankolia nuk është blu”, “energji të ngjyrës”.
Kam bindjen se për Lindita Arapin është e vërtetë ajo çka thotë Josif Brodskij për Marina Cvetajevën: “Asaj i shkruhet vetëm atëherë, kur shpirtit nuk i ka mbetur të mësojë gjë tjetër tek letërsia”. Meqenëse edhe titulli i librit është shenja që dëften kahun e përqendrimit të përjetimeve, ne gjendemi në një situatë te re, të kamerizuar ngushtë tek percepsionet që, megjithatë, nuk janë të kufizuara vetëm me “shqisoren”.
Maska e një të ashtuquajture “soditjeje të prajshme” është veçse taktikë për ta zhvendosur ligjëratën ekstatike të poezisë nga aprioria poetike, për tek demonstrimi i një përmase tjetër, që mund ta quajmë në mënyrë të kushtëzuar “efekt të realitetit” ose “prani gjykimi të shëndoshë”.
Ndryshe, ky pathos i distancës estetike në poezinë e këtij libri – synon ta vendosë lexuesin në varësi të drejtpërdrejtë logjike me shprehjen poetike.
Mospranimi i kësaj bote qet krye edhe në këtë vëllim, tashmë si lutje disi e estetizuar në krahasim me librin e parë:

“Krijomë edhe njëherë,
për të fundit herë, o Zot
jo prej gjaku të përdhunshëm
por prej Frymës”.
(“Pas mjegullës”, f. 68.)

Kjo skolastikë hidhërimi është tipari dhe obsesioni (motori lëvizës) i sofiologjisë së kësaj poezie, duke ia kthyer të mundshme përfytyrimit poetik arratinë transhedentale. Ajo e shpërngul atë në një zonë tejet asketike dhe përmjet gjuhës i rikthehet idesë fikse, ndjenjës së “pakrahë”, gjë që sjell vetngushëllimin e gjykimit, ngushëllimin për gjykimin e frikshëm…
Skolastika e këtij hidhërimi, është rënia e njëriut prej aksit kohor e hapësinor, “mëkati alegorik”, imazhe dhe asosacione të dendura nga kultura religjioze e profane, përvoja e përjetimit të pandërprerë të qenies njerëzore të “flakur në ekzistencë” ligjësia e së cilës është e para-caktuar prej hierarkisë dhe ligjeve të ndërvarësisë së ekzistencës brenda kësaj hierarkie.
Ky peisazh shtegëton dhe shkrihet pluskueshëm edhe në librin e tretë të poeteshës Lindita Arapi, “Melodi të heshtjes”, Dukagjini 1998. Këtu fryma ekleziaste si tragjikë ndërkëmbehet e thuajse zëvendësohet me një ndjeshmëri dhe utopizëm të afërt me filozofinë ezoterike budiste. Raportet midis qenies dhe përkohësisë janë shtëpiakëzuar deri diku në një kontekst të ri, – të Kohës si kategori. Dhe vdekja për Linditën ka shumë më tepër lidhje me Kohën, sesa jeta ( e cila është e shkurtër) dhe se nga pikëpamja e Kohës, vdekja dhe dashuria janë po e njëjta gjë: ndryshimi mund të hetohet vetëm se me njeriun si përkohësi: “…Meqenëse/këmbët do të të kalben një ditë/ unë të dua… (“Kufomë lulesh”), ose: “…Vetëm ndodh të jesh dhe ndodh të ikësh,/ky është rol në natyrë”, – (“Ndodhi në shpirt”).
Kjo është një utopi ezoterike, se pas vdekjes do të vijë Çlirimi i Madh i qenies dhe se kjo formë ekzistence do të jetë krejt e lirë nga hierarkia e kushtëzimeve të ndërvarësisë. Kjo përçon ankthin dhe mallin për një arrati të dëshiruar, madje gjithë besimin në atë ngushëllim të madh që merr përmasat e mallit kozmik për “shpirtin absolut” (sipas Shelingut).
Në shënimet e tij, poeti gjenial i romantizmit gjerman, Novalis, (vdekur në moshën 29-vjeçare) shkruan në fletoren e shënimeve” “Gjith kjo jetë na qenka veçse një rrekje e pafund malli cfilitës drejt më të mbramit cak: kthimit në Shtëpi”.
Natyrisht, Novalisi nënkupton me këtë Shtëpinë alegorike.
Një analogji të përsosur me mendimin e Novalisit e gjejmë në shumë poezi të Lindita Arapit, porse më diskrete ajo na shfaqet në poezinë “Toka ime”, në të cilën jepet një plan i masakruar i ekzistencës së këtushme, ose thënë sipas Heidegger-it “qenies-këtu”, e ngjashme me një pyll përmes të cilit sapo ka kaluar stuhia, duke e lënë të shkalafitur peisazhin. Utopia që i kundërvihet kësaj panorame është shumë e ngjashme me idenë e Novalis-it:

“…po kërkoj një tokë
që duhet të jetë
Atdheu im.
Toka ime është larg
Dhe
At-dheu ku do të lind
Është atje.
Kjo tokë e re
Ekziston diku
O Dheu im jo prej dheu.
Shtëpia ime më pret
E panjohur dhe e varrosur
Atje
Në mes të një Perandorie Erërash…”.

“Melodi të heshtjes” (1998) paraqet edhe një zbritje tjetër në pentagramin e vokalitetit të epërm tingullor. Nëse në vëllimin parardhës demonstrimi i ngjyrës fashiti akustikën tepër të lartë të poezisë së vëllimit të parë, – vëllimi i tretë tashmë, – sikundërse e paralajmëron edhe titulli, ligjëron si një kontrapunkt qetësie në një farë ligjërimi paralel poetik të dubluar në bashkëekzistencë me bunacën.
Në këtë vëllim, përveç “do”-së së epërme, janë reduktuar edhe ngjyrat, duke i thjeshtuar ato në të blertën, të bardhën dhe të zezën. Zbutja e tingujve, ose më mirë, tretja e tyre në këtë vëllim tok me ngjyrën, evidenton proporcionalisht përqëndrimin dhe soditjen e kulluar meditative.
Poezitë e këtij libri priren për kah “prozaizmi” që e bën vargun më të shlirët dhe strukturën grafike më spontane. Poezitë kanë ritmin e bardhë e të ngathët të nostalgjisë dhe kujtesës, logjikën e prajshme të ëndërrimit, meditimit dhe lojës së hijeve në një oaz. Shndërrimi i intonacionit poetik gjakon për kah miniatura, veçimi dhe izolimi i objktit ose detajit poetik sipas një lirizmi të patrazuar, edhepse përjetimet enden në po ato parametra dualistikë, sikundërse në dy vëllimet e para: “…le të ndrisë kjo shkëndijë qesharake vetkrijimi/ të krisë mjegullën shtypëse të përkohësisë”.
(“Nevojë për patetikë”). Të gjitha temat e mëparshme, të gjitha konfliktet mes botës sendore e perceptuale tanimë bashkëekzistojnë të shkrira në një simbiozë, e cila mund të quhet “simbioza e distancës estetike”. Funksioni i botës sendore dhe frymore priret kah definicioni filozofik ose kah atmosfera e uverturës, idilit të trishtë, të qetë e mistik e jo rrallë edhe kah natyrmorti, si në poezinë-tablo “Verë gjermane”:

“…Kurse njerëzit që lëvrijnë
poshtë e përpjetë
majtas e djathtas kësaj pikture
quhen gjermanë
sepse e kanë të njëjtë fytyrën –
fytyrë shiu.
(“Melodi të heshtjes” f. 73)

Madje edhe vetë vdekja në këtë libër përjetohet si fakt i shpjeguar estetik, e cila shumë-shumë mund të shkaktojë habi, dhe jo vetëm aq, porse habi në sensin pozitiv: “…vdekja për mua qenka qëllimi/ku tendencat bashkohen/ drejt më të lartës/ të bukurit fund”. (f. 66). Kësisoj, efektin e vet ky stad i ri në poetikën e Lindita Arapit e jep në një mënyrë paradoksale.
Hidhërimi si përjetim përbëhet prej dy elementësh: emocionalë dhe racionalë. Specifika e ndërsjelltësisë së tyre paraqet një aparat analitik tepër të përsosur, saqë racionalja, jo vetëm nuk e përmirëson (pozitivizon) emocinalen, porse e përskeq, e malcon atë edhe më tepër. Në librin e fundit “Melodi të heshtjes”, poetesha Lindita Arapi, pasi e ka ngritur këtë katedrale të dhimbjes, merret me estetizimin e saj: shih p.sh. poezinë “Vdekje artistike”.