Dora dje

Autorja: Lindita Arapi

Qejfi mos të të mbetet
Hatri mos të të ngelet

Dora jote i pëshpërit nëpër vija
Jo unë,
Fati yt, –
Të jesh zonjë e madhe
Parandjenja do të të tresë…
Ti ke farën e shkatërrimit
Dhe çfarë do prekë dora jote
Do të thyhet, do të kalbet…

Si u preve në fytyrë…

Ku do të shkelë këmba jote
Do të digjet.
Fati yt, moj xhan i vogël,
Kafe e pirë
Rrugë të gjatë
Ke për të bërë
Bijë e ujit, ti do të ecësh
Nëpër dalldinë e zjarrit
Hiri i vjetër
I ardhur i tokës do të jetë ushqim
Për krijesat e ardhme.
Dora jote përvijon
Imazhin e shtëpisë së fundme.
Më në fund do ta ndërtosh
Do ta sjellësh edhe frymën
Por muret s’do t’ia shohësh asnjëherë
Aty.
Ti nuk do të kesh fat
Të flesh
Gjumi yt i ka shkuar shpirtit tjetër.
Në atë botë po të pret.

Atëherë, se si do të jesh…

Po më turbullohet…
Hidhi, xhan dhe njëqind të tjera
Të të jap fatin
Pasqyrë ku të mos shihesh
Nga të ruhesh, kujt t’i fshihesh.

  • * *

Ja ç’na dalka, xhan të keqen,

Duhet të jetë si fresk i plogësht
Mes për mes
Një trup përmbys…
Ruaju vetes, xhan i vogël!
Para teje e pas botës
Ka një mijë e një përralla.
E vërteta s’është e jotja, as e tyre…
Ryaju vetes xhan i vogël!
Por mos iu fshih syve të errët…
Mbahu mirë
Mbahu mirë pas hijes sate
Sidomos kur stërzgjatet në mesditë.
Po andej nga fundi
Unë e shoh se do të hapesh…
Jo në këtë botë
Në atë botë erë e mbarë
Do të fryjë prej perëndimit.
Unë uroj të jesh ngrohtë e të trashëgohesh.