Zëri femëror në letërsinë shqipe
Kategoria e letërsisë së grave nuk mund të kuptohet pa një studim të asaj që Ann Rosalind Jones e quan ‘para-poetika’ e që do të thotë kushtet e domosdoshme për lindjen e shkrimit apo konditat shoqërore të prodhimit letrar. Kushtet në të cilat jetojnë gratë janë çelësi i shpjegimit të krijimtarisë së tyre letrare, siç thotë Virginia Woolf, ngase ‘letërsia nuk bie si guri mbi tokë, siç mund të ketë rënë shkenca; letërsia është si rrjeti i merimangës, gjithmonë e lidhur, mbase fare lehtë, por megjithatë e lidhur me jetën në katër skajet. Mirëpo, kur rrjeta mënjanohet njeriut i bie në mend se këto rrjeta nuk janë tjerrë në ajër nga krijesa jo lëndore, por janë vepra të qenieve të vuajtura njerëzore dhe janë të lidhura për gjëra shumë materiale si shëndeti, paraja dhe shtëpitë në të cilat jetojmë’. Gratë në letërsi, thotë ajo, “kanë bërë dritë si fanari në gjithë veprat e gjithë poetëve që nga fillimi – Klitemnestra, Antigona, Ledi Makbeth, Fedra, Kresida, Kleopatra, Desdemona, Ema Bovari, Ana Karenina e shumë të tjera. Në të vërtetë, sikur femra të mos ekzistonte në realitet, por vetëm në letërsi të meshkujve, njeriu do të mendonte se ajo ishte qenia më e rëndësishme; dhe se ishte shumëfarëshe, fisnike e shpirtkeqe; madhështore dhe e neveritshme; e bukur tejmase dhe e shëmtuar deri në ekstrem; e zonja po aq sa mashkulli, disa mendojnë madje edhe më e zonja”. E në jetën reale vlejnë të tjera norma e të tjera kondita. Shoqëria njerëzore shumë herët ndau rolet për burrin dhe gruan dhe sipas këtyre roleve, përcaktoi edhe rregullat e sjelljes, vlerat morale, parimet jetësore. “Heshtja është virtyti i gruas ndërsa elokuenca është virtyti i burrit”, thoshte Aristoteli. E në diskursin e teorisë humaniste dhe të familjes borgjeze, modeli për gruan e vërtetë në fakt është ai i një mungese, gruaja duhet të jetë një hije që tretet pas autoritetit të të atit apo të të shoqit, si bijë dhe grua, rri e mbyllur në rrethin familjar dhe ashtu sikur është e heshtur është edhe e padukshme. Në një klimë të tillë s’do mend se u desh një kohë e gjatë e me shumë mundime që gruaja më në fund të zë vend edhe në letërsi dhe të ketë një zë të vetin që do të ishte më ndryshe nga zëri ekzistues i traditës letrare.
Letërsia shqipe për pesë shekuj të jetës së vet nxori vetëm 5 gra shkrimtare, po të mos numërojmë dy shkrimtaret e shek XIX, Dora D’Istria dhe Kristina Mandale që jetuan dhe krijuan në kultura të tjera e jo në atë shqipe. Në fillim të shek XX deri në vitin 1944, ka 5 shkrimtare: Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, Musine Kokalari, Luçije Serreçi dhe Marije Shiroka-Çoba. Vetëm lëvizjet politike të pas Luftës së Dytë Botërore përfundimisht krijojnë klimën e përshtatshme për zhvillimin e shkrimit të gruas shqiptare. Një nga detyrat e socializmit ishte edhe emancipimi i gruas. Maksima e njohur se një shoqëri e civilizuar lejon më shumë të drejta për gruan, sa më e lartë shkalla e zhvillimit aq më shumë të drejta gëzon gruaja justifikon nevojën e shoqërisë shqiptare të mburret me numrin e madh të shkrimtareve gra. Në vitin 1969 R. Kelmendi do të shkruante: “Tanimë kemi një kualitet të ri: jo vetëm femrën në letërsinë shqipe, por edhe –femrën letrare shqiptare… Tridhjetë emra femrash që shkruajnë e krijojnë, duhet pranuar, është një bilanc me të cilin do të krenohej çdo letërsi. E jona – pa traditë në këtë pikëpamje, duke njohur pozitën e femrës në të kaluarën, në shoqëri dhe në familje, – edhe më shumë…”
Në fakt letërsitë e botës, hiq vendet socialiste, jo vetëm që nuk u krenuan, por paraqitën shumë pengesa nga më të ndryshmet për të penguar depërtimin e grave në profesionin e krijimit letrar. Gruaja nuk është pjesë e Renesansës në Angli, kjo dëshmohet nga fakti se shkrimet e grave të kësaj periudhe ishin kryesisht përkthime të veprave religjioze, libra me këshilla amësie, si dhe libra mbi devotshmërinë dhe lutjet, ku shkrimtarja në radhë të parë, kërkonte përsosmërinë shpirtërore, ndershmërinë, dëgjueshmërinë dhe përulësinë si të vetes, ashtu edhe atë të lexueseve të saj. Përmes këtyre zhanreve të shkrimit, gruaja kërkonte që para audiencës të justifikonte pjesëmarrjen e vet në shkrime, sepse akti i të shkruarit nuk i kishte hije një gruaje. Zgjedhjet e llojit apo zhanrit letrar të strategjisë retorike të grave përcaktohen në bazë të situatës shoqërore e kulturore të gruas. Sipas pohimit të Gerda Lerner, ‘gratë shkruajnë brenda një shoqërie të ndarë në baza gjinore, me një fjalë në një shoqëri ku kufizimet shoqërore të sjelljes dhe përcaktimit të asaj që është e pranueshme për të dy sekset, janë të ngulura në themel të secilit institucion të shoqërisë, në mendime, gjuhë, kulturë… Nga kjo perspektivë, zëri femëror dhe kultura femërore nuk mund të konsiderohen atribute të seksit, por janë produkte të historisë së ndarë në baza gjinore”. Zëri, sipas Linda Brodkey dhe Jim Henry, është ‘marrëdhënia mes një diskursi dhe subjektit të identifikueshëm të tij. Zëri artikulon identitetet kulturore të subjektit të diskursit që ai përfaqëson në raport me atë diskurs’. Me një fjalë, gruaja shkrimtare përbrenda tekstit, vë një marrëdhënie subjektive apo zgjedh një qëndrim të sajin në një diskurs mbi gjëra të ndryshme siç mund të jetë amësia, përgjegjësitë familjare etj. Në këtë kuptim, zërat femërorë të grave artikulojnë identitetin e tyre shoqëror në kufijtë e patriarkatit, qoftë duke e pranuar atë apo duke e rezistuar në ndonjë formë, gjithnjë në kuadër të një pranimi. Me një fjalë, shkrimtaret në këtë kohë e siguronin lexuesin se edhe ato vetë e pranonin rolin shoqëror të gruas, dhe se vepra e tyre nuk synonte t’i kapërcente kufijtë e përcaktuar të vendit të gruas në shoqëri.
Megjithatë, rrugët e zhvillimit shoqëror gjithnjë e më shumë ndihmuan krijimin e klimës së përshtatshme për zhvillimin e krijimtarisë letrare të gruas. Një nga faktorët më të rëndësishëm krahas nevojës për mësimin e shkrim-leximit edhe për gratë në mënyrë që ato të bëhen nëna më të mira për fëmijët e tyre, padyshim ishte edhe lindja e klasës së mesme. Për pasojë gruaja e kësaj shtrese shoqërore për herë të parë pati kohë të lirë prandaj kishte kërkesa të lexonte më shumë por kishte edhe mundësi të shkruante.
Elain Showalter në librin e saj “A Literature of their Own British Women Novelists from Bronte to Lessing” shpjegon se si zhvillimi i traditës letrare të grave është i ngjashëm me zhvillimin e çfarëdo subkulture letrare. Ajo dallon tri periudha kryesore të historisë së zhvillimit që pranohen se janë të zakonshme për çdo subkulturë letrare.
‘Së pari vjen peridha e gjatë e imitimit të mënyrave të traditës dominante, dhe internalizimi (përqafimi, pranimi si të vetat) i standardeve të kësaj tradite mbi artin dhe pikëpamjeve mbi rolet gjinore. E dyta, është periudha e kundërshtive kundër këtyre standardeve dhe këtyre vlerave, përfshi këtu edhe kërkesën për autonomi. Dhe në fund është periudha e gjetjes së vetvetes, një kthim kah vetja i çliruar nga varshmëria e kundërshtimit, një kërkim i identitetit. Terma të përshtatshëm për emërtimin e këtyre periudhave do të jenë, Feminine, Feministe dhe Femërore.’
Në kulturën shqiptare akoma nuk kemi studime fundamentale për shkrimin femëror dhe për gjithë shumësinë e elementeve që e përbëjnë atë, ky nocion akoma nuk ka marrë status qytetarie dhe mbetet gjithnjë si një nocion jo shumë i mbështetur. Zëri femëror shpeshherë ngatërrohet me temën e gruas në letërsi dhe gjithë studimet në këtë plan kufizohen rreth trajtimit të personazhit grua, dhe me këtë përligjet pjesëmarrja e gruas në letërsi. Shqyrtohet gruaja si pjesë e realitetit letrar e jo si krijuese e ketij realiteti. Përveç të tjerash, mungesa e termave të standardizuara të kësaj lëmie vetëm sa e vështirësojnë edhe më shumë çdo përpjekje në këtë drejtim.
Lidhja e ngushtë mes statusit shoqëror e individual të gruas në shoqëri dhe statusit të shkrimit femëror del edhe në krijimet letrare të traditës. Le të kujtojmë H.Z. Kamberin dhe poezia e tij ‘Ymyr në dorë nuk kanë’ për të kuptuar se pse nuk mund të kishte një grua shkrimtare në atë kohë. Kërkesat e Rilindasve siç ishte Sami Frashëri për nevojën e arsimimit të gruas meqë një nënë e shkolluar do të rrisë më mirë fëmijët me frymën e patriotizmit e të atdhedashurisë, janë një dëshmi tjetër i lidhjes status shoqëror-liri krijuese. Po më mirë nga të gjithë kjo lidhje mund të tregohet me romanin e Haki Stërmillit, ‘Sikur t’isha djalë’, vepër kjo që u lexua shumë e që pati disa ribotime. Pozita e gruas, e cila ilustrohet me fatin e Dijes, kryeprotagonistes së romani është shumë e rëndë, aq e rëndë sa ajo as nuk mund të ngre zërin e vet kundër një pozite të tillë. Për arsyen e thjeshtë se ajo nuk ka dhe nuk guxon të ketë një zë të vetin.
Tradita letrare e gruas shqiptare mund të ketë filluar vërtetë në shek XIX por gruaja në letërsinë shqipe përfundimisht hyn në gjysmën e dytë të shek XX. Hapja e shkollave, arsimimi i detyrueshëm për djem e vajza, pastaj përkrahja dhe stimulimi institucional krijoi parakushtet e nevojshme që gruaja të merrej me letërsi. Kështu së paku së jashtmi u hoqën barierat që e pengonin gruan të merrej me shkrime, dhe është fare e natyrshme që gruaja të ndjehet mirënjohëse dhe e entuziazmuar me situatën e re të krijuar. Shumë nga krijimet e kësaj periudhe pasqyrojnë këtë entuziazëm si dhe shpresat e medha për të renë.
Lamë prapa
duvakun që mbulonte ëndërrat si qefin,
gjerdhet dhe muret
që shtypnin shpirtin e etur për fluturim,
lotët e gëlltitura në heshtje.
qëndizmat pa mbarim…
Lamë prapa…
Dhe dolëm në ditët e reja,
Nuk duam më të rrimë të strukura
në një kënd të plogët mërzie.
Tonat janë rrugët e pafund të Atdheut,
kantieret,
uzinat,
fushat nën diell.
Në shpirt na vërshon vrulli i kohës.
Me gjak të zemrës sonë do të ujisim
lulet e së ardhmes sonë të bukur.
(Klara Kodra, Këngë e re 1967)
Shkrimi përjetohet edhe si detyrë dhe përgjegjësi e gruas për përparimin dhe emancipimin shoqëror të gruas dhe shoqërisë, dhe atë jo të emancipimit të individit grua por si emancipim i llojit, apo races së grave.
një ditë
hyra në vitet e shkuara.
Dhe gratë më treguan
dashuritë e tyre të mbyllura,
ëndërrat e tyre të coptuara.
Do të punoj
në emër të të gjithave.
Do të dashuroj
me dashurinë e të gjithave.
(Natasha Lako, Një ditë 1967)
Përmirësimi i statusit shoqëror nganjëherë përjetohej edhe si një faj e keqardhje për gjenerata të tëra grash që kurrë nuk i patën mundësitë e reja.
Nanes sime
Vështirë asht oj Nanë,
Me qenë jehonë e dhimbjes –
Kangë e pasosun e Kohës,
Shpresë që lind sa here vdes!
Po gëzim asht oj Loke,
Dritat e syve dashnisë me ia falë –
Bijës sate, pjell e kohës s’re,
Andrrës sate, që s’e pat fatin e çalë…
Oj Nanë –aq due
Etjen n’parzmën tande m’e shue!
(Nusrete Vula, Ajo nuk e pat fatin tim)
Kështu fillet e kësaj letërsie së jashtmi nuk kishin barriera por mbeteshin barierat e brendshme të cilat nuk hiqen lehtë me një urdhër a dekret qeverie. Tani mbeteshin barrierat e brendshme që janë po aq të vështira në mos edhe më shumë. Edhe pasi gruaja të fitojë të drejtën për t’u bërë shkrimtare ajo ka shumë fantazma për t’i luftuar e ka shumë paragjykime t’i tejkalojë thoshte V.Woolf. E sipas saj, dy janë pengesat më të mëdha e këto janë fantazma e ‘Engjëllit të shtëpisë’ si dhe konvencionaliteti ekstrem i gjinisë tjetër. Realiteti i ri shoqëror të shqiptarët solli ndryshime kolosale në raportet gjinore mirëpo nuk arriti të krijonte idealin e barazisë në raportet burrë-grua. E kjo nuk kish se si të mos perceptohej nga shkrimtaret.
Thonë:
Vijnë një njeri
Dhe një grua
Kur do të bëhen dy njerëz?
(Edi Shukriu, Reliktet)
apo
Ecin në jetë
Një burrë
E grua
Njëri prin
Tjetri i shkon pas
Sa ngecje
Pa ecje bashkë
(Edi Shukriu, Tok)
Vërtetë se periudha e re e zhvillimit shoqëror te shqiptarët kishte arritur të avancojë shumë statusin e gruas në shoqëri, megjithatë shumë nga botëkuptimet për vlerat feminine që një grua duhet t’i ketë mbeteshin gjithmonë të forta. E kjo bie ndesh me kërkimet gjithnjë e më këmbëngulëse të gruas në kërkim të një identitetit të ri që do të ishte më në hap me kohën. Përgjegjësitë e reja të gruas nuk puçeshin gjithmonë me idenë se bukuria, butësia, sentimentalizmi, përlusia, pafuqia lypet të jenë pjesë e karakterit të një gruaje. Gruaja ‘e re’ ka dhe dëshiron të ketë të tjera tipare.
Më mban si lule ne duar
Unë jam gur
Më mban si zog
Ruan fluturimin tim
Unë jam erë
(Flora Brovina, Si lule më ruan )
Element tjetër shumë i shpeshtë është tema petriotike e poezisë, sidomos në krijimtarinë e shkrimtareve nga Kosova. Sigurisht, edhe si pasojë e gjendjes politike në radhë të parë, por mund të jetë edhe pasojë e dëshirës për receptim sa më të madh nga një numër sa më i madh lexuesish, që besohet se përfitohen me elementin e patriotizmit të dalluar në poezi. Në fakt, shkrimi i grave në Kosovë asnjëherë nuk ka qenë i influencuar nga lexuesi dhe tregu i librit, siç mund të kenë qenë ai i shkrimtareve angleze, ngase në Kosovë shkrimtaret asnjëherë nuk kanë arritur të përvetësojnë një numër të madh lexuesish. E para, ngaqë në Kosovë gratë kryesisht shkruajnë poezi dhe poezia përgjithësisht nuk ka një numër të madh lexuesish në krahasim me prozën dhe e dyta, krijimtaria e tyre nuk ka trajtim të mjaftueshëm nga kritika letrare, ndërsa në sistemin arsimor që nga nivelet e klasave të ulëta e deri te ato universitare e akademike, ato injorohen krejtësisht. Kështu, lidhja shkrimtare-lexues që do të ndihmonte dhe stimulonte shkrimin e nga ana e vet, edhe shkrimi pastaj do të ndihmonte zhvillimin e lexuesit, nuk u bë ndonjëherë në Kosovë. Shkrimtaret nuk arritën të krijojnë lidhje të tilla, ato shkruajnë në radhë të parë nga impulset e brendshme personale për të shkruar. Meqë ato nuk arrijnë të zhvillojnë sa duhet marrëdhëniet me lexuesin shumë shpesh ndodh që ato ndërpresin veprimtarinë dhe humbin nga skena letrare. Kulmi i arritjes së komunikimit të shkrimtareve me audiencën në Kosovë është manifestimi vjetor “Takimet e Shkrimtareve’.
Edhepse sot krijimtaria letrare e grave nuk e ka përkrahjen që kishte më parë, dhe përballet me vështirësi të shumta ajo qëndron në këmbë të veta dhe vazhdon të zhvillohet gjithnjë e më shumë. Sot ka zëra shkrimtaresh që dallohen për kah guximi i gjuhës dhe lirive të shprehjes artistike. Po t’i qasemi klasifikimit sipas mënyrës së E.Showalter, d.m.th., ndarja në periudhën feminine, feministe dhe atë femërore mund të thuhet se në fakt te ne që të treja këto periudha bashkëjetojnë në të njëjtën kohë dhe ato ndërlidhen me njëra-tjetrën e nuk mund të ndahen qartazi me kufij kohorë të ndonjë date të caktuar.
Edhe zhvillimi i prozës që shkruajnë gratë përcjell pak a shumë të njëjtin model që pati zhvillimi i poezisë. Në fillim mirënjohje për kohën e re, glorifikim të emancipimit të gruas, entuziazëm me të renë, pastaj vështrimi me sy më kritik i këtij realiteti të ri, më pas hapa të guximshëm në kërkesë të identitetit të ri dhe fare në fund, një manifestim i rehatisë si pasojë e pajtimit me vetveten nga gjetja e këtij identiteti dhe ndjenja e mirë me këtë identitet. Një tipar i përbashkët i shkrimit të grave që mbase daton që nga Safoja është mëvetësia dhe egoja e personazheve gra që ato krijojnë. Personazhet gra të autoreve gra dallojnë gjithmonë, sepse posedojnë një karaktersitikë të fortë të mëvetësisë dhe karakterit. Ato gjithmonë kanë një individualitet të shprehur një veçanti të karakterit që nuk e gjejmë shpesh edhe te personazhet gra të autorëve burra. Këto personazhe gjithmonë kanë një dozë kurajoje për t’u ballafaquar me situata në të cilat ndodhen. Këtë kurajo, këtë guxim a forcë të brendshme nuk e humbin as atëherë kur në fakt situata e tyre është fare e pashpresë. Ato asnjëherë nuk e humbasin atë që quhet liria e fundit e individit, e që është e drejta për të zgjedhur vetë mënyrën e reagimit ndaj situatave të ndryshme. Te romani ‘Një lindje e vështirë’(1976) e Elena Kadaresë, Bardhën, një grua të re, të urtë dhe të druajtur, e ndajnë me pahir nga i shoqi dhe e ngujojnë në shtëpi. Ajo sëmuret e vuan, por nuk thyhet, ka në vete një forcë shpirtërore që e mban në jetë dhe i jep kurajo për të përballuar situatën e saj të pashpresë. Veten e quan të pazonjën për t’i dalë zot vetes dhe nuk e fsheh mllefin ndaj shkaktarëve të fatkeqësisë së vet. Derisa Dija e ‘Sikur të isha djalë’ dorëzohet, e quan veten të mjerë dhe nuk vret veten vetëm se i ka dhënë fjalën Shpendit, i cili e bind që të nënshtrohet se nuk ka rrugëdalje tjetër. Dija vdes për të prekur ndërgjegjen e shoqërisë që të ndryshojë sjelljen ndaj gruas. Ndërsa Bardha jeton për të dhënë shembullin e gruas së fortë dhe të zonjën për të fituar beteja të reja dhe për të dalë fitimtare. Çka përkon me kërkesat feministe për sa më shumë personazhe të grave të forta me të cilat lexueset do të mund të identifikohen. Një kërkesë reminishente e kërkesës së Kongresit të Shkrimtarëve Sovjetik që kishin për Realizmin, me të vetmin ndryshim se tani në vend të traktoristit të fortë e gazmor, kërkohet traktoristja e fortë e gazmore.
Romani ‘Rekuiem’ i Diana Çulit në dukje edhe një roman në temën e emancipimit të gruas dhe glorifikimit të partisë e socializmit për përmirësimin e pozitës dhe rolit të gruas në shoqëri, në fakt është shumë më tepër se aq. Në plan të parë, është shoqëria e dy grave, Nerimanit dhe Sabinës. Vetë tema e romanit, miqësia mes dy grash, është një motiv i ri në letërsi. Neri një grua e re, produkt i kohës së re e çliruar nga roli tradicionalisht nënshtrues i gruas, e gjen veten nën prangat e një sundimi tjetërsoj. Në fillim është plot shpresë e vrull për fatin e ri që e gjeti.
‘Kur ngjisja shkallët e bardha të Universitetit, bashkë me shokët e mi, vështroja një herë rrotull dhe merrja frymë thellë me një krenari jo vetëm personale. Gruaja shqiptare nisi të ngjitë shkallët. Të mos më kishte kapur Çlirimi, katërmbëdhjetë vjeçe do të më kishin hedhur çarçafin. Nëna dhe motra ime më e madhe ende s’dilnin nga shtëpia, ndonëse perçen e kishin hequr me kohë. Është tepër e vështirë të kapërcehen menjëherë shekuj të tërë ndrydhjeje, nënshtrimi, konceptesh të prapambetura. Këto mendoja me me vetëkënaqësi të ligjshme, sepse unë isha një përfaqësuese e radhëve të para të këtyre grave të reja, isha një fitore, një triumf i gjinisë sime, një sfidë’.
Në një rafsh të dytë ky roman është një pasqyrë e aktualitetit dhe analizë e pozitës së gruas së re në shoqërinë e re. Neri, gruaja e re dhe produkt i reçetës socialiste dhe Sabina, një grua që rolin e gruas e kupton në një mënyrë spontane. Miqësia mes tyre del si përpjekje e bashkimit të këtyre të dyjave me çka gruaja do të arrinte idealin. Në njërën anë, ajo fiton lirinë dhe të gjitha benificionet e kësaj lirie e në anën tjetër, ajo ruan qenien feminine të personalitetit, ruan atë që do të mund të quhej estetika feminine e vetë të qenurit grua. Në realitet, kjo nuk mund të bëhet. Gruaja e re e fitoi lirinë, por këtë e pagoi shumë shtrenjtë dhe me sakrifica të mëdha. Kjo grua e re fitoi vetëm një pjesë të hapësirë publike që i ishte mohuar me shekuj, por në sferën private, ajo mbeti në nivelin e njëjtë si më parë.
Një roman tjetër reprezentativ “Yjet nuk vishen kështu’ i Elvira Dones, është shembull i guximit krijues dhe mjeshtrisë artistike të autores. Ajo zgjedh për temë të romanit të vet plagën shumë të dhimbshme të realitetit të ri shqiptar. Gjuha e çliruar nga barriera artificiale në emër të sjelljes së ndershme të gruas, sigurisht që është e rëndë, mbase pak e vrazhdë për lexuesin e pamësuar. Për herë të parë, guximi i një shkrimtareje nuk është fuqi për t’u angazhuar në ndërrimet e pozitës shoqërore të gruas. Te E. Dones guximi është gjuhë, është e drejta për të trajtuar barabarsisht pa përfillur konvencionalitetin e gjinisë tjetër që përcakton gjuhën e pranueshme dhe të lejueshme për gruan. Romani ‘Yjet nuk vishen kështu’ e tejkalon këtë kufi gjuhe me mjeshtëri. Tani më nuk mund të thuhet se akoma ka një standard të përdorimit të gjuhës për autorë dhe një tjetër për autore. Një guxim i artikulimit të këtillë mund të hasej vetëm të shkrimtarët meshkuj të letërsisë sonë. Për gruan kjo deri dje ishte një herezi, shkelja e të cilës nuk mund të merrej me mend. Përdorimi i një tipi të këtillë gjuhe do ta kualifikonte automatikisht autoren si shkelëse morali. Askush nuk arrinte të bënte distancën mes gjuhës së autorit empirik dhe gjuhës së botës artistike të veprës. Autorja përmes tragjikës së situatave arrin ta kapërcejë këtë rrezik me lehtësi të çuditshme për ambientin e pamësuar me të tilla manifestime. Emërtimi direkt i sferave të rezervuara për realitetin e gjuhës së meshkujve është një uzurpim që autorja e bën me mjaft sukses. Ky artikulim direkt është i guximshëm edhe për qendra të tjera me traditë letrare të grave më të zhvilluara. Tema tragjike paraqet alibinë për këtë kalim kufiri në territorin e rezervuar për gjuhën e meshkujve.
Mira Meksi te romani ‘Frosina e Janinës’ ka arritut dy komponentë me rëndësi që barazojnë plotësisht krijimtarinë e femrës me atë të mashkullit jo më si angazhim as social, as politik apo gjinor. Komponenti i parë është gjuha. Meksi ka pushtuar një territor të rezervuar për meshkujt. Shkrimtaret të cilat artikulimin direkt dhe pushtimin e gjuhës në kuptimin e përdorimit të idiomave që tradicionalisht konsiderohen të pahijshme për gruan e konsiderojnë si një mënyrë për të fituar lirinë e tyre. Kjo është quajtur e drejta për gjuhë si e drejtë fundamentale për identitet. Komponenti i dytë është përmbysja e strukturave shumë të njohura maskuline. Në rastin e letërsisë shqipe, është epoka e madhe e Ali Pashë Tepelenës dhe figura e tij e madhëruar. Mira Meksi te ky roman që nga qasja e parë, zgjedhja e temës së romanit, bën një përmbysje të qëllimshme të vlerave që konsiderohen si të pacënueshme. Si të tilla, ato nuk e përfillin principin femëror në kuadër të botës së vet dhe pikërisht kjo domosdoshmërisht e bën një grua kryengritëse ndaj një sistemi të tillë vlerash. Tema e madhe, një Pasha i famshëm kundër një perandorie të madhe të cilit i falen mizoritë individuale në emër të epokës dhe luftës kundër një perandorie të madhe. Meksi e përmbys këtë temë për të nxjerrë Frosinën në qendër të tërë një epoke. Ajo që prozën e Mira Meksit e bën tjetër nga tradita mashkullore e letërsisë. Në kushte të zakonshme të një letërsie tipike maskuline, kjo grua do të trajtohej si viktimë e cila ndahet me dhunë nga i shoqi dhe fëmijët. Sigurisht, do të bëhej një luftë për të. Nëse jo, ajo do të diskreditohej si imorale, plangprishëse etj. Le të kujtojmë Ana Kareninën – deri diku të dyja këto personazhe janë shumë të ngjashme, të dyja i martojnë në moshë të re, që të dyja dashurohen në burra të tjerë, që të dyja i lënë fëmijët për dashuri, këtu përfundon ngjashmëria. Me kodin maskulin, Ana Karenina e Tolstoit vret veten duke mos duruar presionin shoqëror për shkak se ka shkelur ligjet e moralit ekzistues. Me kodin feminin, Frosina nuk e përfill presionin e ambientit, ajo madje i shpall luftë të dashurit të saj në një sulm xhelozie, dhe pastaj me qetësinë më të madhe ballafaqohet me pasojat. Frosina nuk vret veten, atë e vrasin. Që të dyja këto gra përfundojnë me vdekje, por përveç vdekjes, gjithçka tjetër është ndryshe.
Për fund, ka apo nuk ka zë femëror në letërsi. Ka nga ata që besojnë se ka dhe që japin argumente të shumta, ka të tjerë që e kundërshtojnë dhe që poashtu i kanë arguumentet e tyre…
Sipas shkrimtares Joyce Carol Oats, termat si ‘gruaja’ dhe ‘letërsia’ nuk do të duhej të qëndronin së bashku. Termi ‘grua’ i referohet fenomenit sociologjik, politik apo biologjik (apo të klasës, funksionit stereotipit). Termi ‘letërsi’ – një gjëje që gjithmonë i tejkalon këto kategori, madje edhe atëherë kur ushqehet prej tyre. Problemet e grave, pikëpamjet e grave, aventurat shumë të veçanta të grave; që të gjitha janë vetëm lëndë e parë, derisa ajo që vlen për artin serioz është përfundimisht mjeshtëria e ekzekutimit dhe veçantia e vizionit.” Megjithatë, vazhdon ajo, ‘si duhet të ndjehet një shkrimtare kur nga të gjitha veprat që ka shkruar ajo, të vetmet që gëzojnë ndonjëfarë trajtimi janë ato që në një mënyrë a një tjetër trajtojnë çështjet e grave derisa gjithë veprat tjera injorohen tërësisht. Si do të duhej të ndjehej një shkrimtare e vërtetë në këso rastesh? E fyer… e lënduar… e hidhëruar… e frustruar… indiferente… apo e argëtuar? Mbase do të duhej të ndjehej e nderuar dhe të falenderohej se më në fund është pranuar si shkrimtar, qoftë edhe sikur të jetë cilësuar si “shkrimatar grua’. Është e vështirë të gjendet një përgjigje e sinqertë dhe e pranueshme në këtë pyetje. Natyrisht, zëri serioz artistik është zëri i stilit individual, ai nuk ka seks; megjithatë, duket se në fund të fundit, të kesh një zë të përcaktuar nga seksi ose të konsiderohesh se ke një zë të tillë, është shumë më mirë se sa të mos kesh zë fare.”