Kriza në fushën e arsimit

Autorja: Hannah Arendt

I

Kriza e përgjithshme që ka përfshirë shoqërinë moderne kudo dhe pothuaj në çdo sferë të jetës, shfaqet në mënyra të larmishme në vende të ndryshme dhe në të spikatin aspekte të ndryshme në forma nga më të shumëllojshmet. Në Amerikë një prej aspekteve të saj më karakteristike dhe sugjestionuese është kriza e ngjashme në fushën e arsimit, krizë që, të paktën, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit është bërë një problem politik i madhësisë së parë, që çdo ditë trajtohet në shtyp. Për të qenë më të saktë, nuk kërkohet imagjinatë e madhe për të zbuluar rreziqet e një rënieje në rritje të vazhdueshme të standardeve më elementare në krejt sistemin shkollor, gjendje kjo serioziteti i së cilës është nënvizuar prej përpjekjeve të panumërta dhe pa shpresë të autoriteteve arsimore për të përmbajtur baticën në rritje. E, megjithatë, në rast se dikush do të krahasonte krizën në fushën e arsimit me përvojat e politikës në vendet e tjera gjatë shekullit të njëzet, me përmbysjet revolucionare pas Luftës së Parë Botërore, me kampet e përëndrimit dhe të shfarosjes ose, madje, edhe me ligështimin e thellë, pavarësisht prej shfaqjeve të begatisë, të përhapuara në të gjithë Europën qysh prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, do të ishte disi e vështirë që kriza e arsimit të merrej aq seriozisht sa e meriton. Faktikisht, ne jemi të prirur ta shohim krizën në fushën e arsimit si një fenomen lokal, të shkëputur prej çështjeve më të mëdha të shekullit, fajin për ekzistencën e së cilës ia veshim disa karakteristikave të vogla të jetës në Shtetet e Bashkuara, të cilat ka pak mundësi të gjenden të njëllojta edhe në vende të tjera të botës.
E, megjithatë, në qoftë se kjo do të ishte e vërtetë, kriza në sistemin tonë shkollor nuk do të ishte kthyer në një çështje politike dhe autoritetet arsimore do të kishin dalë me kohë me sukses në trajtimin e saj. Sigurisht, këtu problemi është më serioz sesa çështja shqetësuese pse amerikani i zakonshëm nuk di të lexojë. Për më tepër, ekziston gjithnjë tundimi për të besuar se në këtë aspect ne përballemi vetëm me një rreth problemesh specifike, të kufizuar brenda caqesh historike dhe kombëtare, të cilat kanë rëndësi vetëm për ata që preken nga afër prej tyre. Ky besim në kohën tonë ka dalë i rremë. Në shekullin që jetojmë, mund të quajmë si rregull të përgjithsme faktin që çfarëdo që është e mundur në një vend, në një të ardhme të afërt e të parashikueshme bëhet e mundur edhe në çfarëdo vendi tjetër.
Jashtë këtyre arsyetimeve të karakterit të përgjithshëm, rreth të cilave njeriu i zakonshëm e ka të vështirë të japë një mendim, pasi në krahasim me specialistin ai nuk e njeh siç duhet problematikën (dhe i tillë është edhe rasti im, pasi unë nuk jam specialiste në fushën e arsimit), ekziston edhe një arsye tjetër, më e kapshme dhe më e mundshme për t’u njohur, kur ai ndeshet me gjendjen kritike që nuk lidhet me të drejtpërsëdrejti. Ky ëshët rasti i krijuar prej vetë krizës – e cila çjerr fasadat dhe shuan paragjykimet – për te eksploruar dhe hetuar gjithçka të zhveshur prej thelbit të çështjes, dhe thelbi i edukimit është lindshmëria, pra fakti që në këtë botë lindin qenie njerëzore. Fshirja e paragjykimeve nënkupton thjesht se kemi humbur përgjigjet mbi të cilat ne mbështetemi zakonisht, madje, pa kuptura se fillimisht ato ishin përgjigjet e pyetjeve. Një krizë na kthen te vetë pyetjet dhe kërkon prej nesh përgjigje të reja apo të vjetra, pra, siodoqoftë, gjykime të drejtpërdrejta. Nga ana tjetër, një krizë kthehet në katastrofë vetëm kur ne i përgjigjemi asaj me gjykime të parakonceptuara, dmth, me paragjykime. Një qëndrim i tillë jo vetëm e bën më të mprehtë krizën, porn a çon edhe në kapërcimin e përvojës së realitetit dhe të mundësisë për të reflektuar, që ajo siguron.
Sado qartë që mund të paraqitet në kuadrin e një krize një problem i përgjithshëm, është thuajse e pamundur të veçohet tërësisht elementi universal prej rrethanave konkrete dhe specifike në të cilat ai shfaqet. Ndonëse kriza në fushën e edukimit mund të prekë gjithë botën, është karakteristik fakti që formen e vet më të skajshme e gjejmë në Amerikë e ndoshta vetëm në Amerikë kriza në fushën e arsimit mund të bëhet faktor në politikë. Faktikisht, në Amerikë arsimi luan një rol të ndryshëm dhe politikisht shumë të rëndësishëm në krahasim me vendet e tjera. Natyrisht, në pikëpamje teknike, shpjegimi qëndron në faktin se Amerika ka qenë gjithnjë një vend emigrantësh; ëshët mëse e qartë se vështirësia shumë e madhe e shkrirjes së bashku e grupeve etnike nga më të ndryshmet – asnjëherë plotësisht e suksesshme, por më e suksesshme nga ç’pritej – mund të realizohet vetëm nëpërmjet shkollimit, arsimit dhe amerikanizimit të fëmijëve të emigrantëve. Duke qenë se për shumicën e fëmijëve të emigrantëve, anglishtja nuk është gjuha e nënës, por një gjuhë që duhet të mësohet në shkollë, kështu që shkollat në këtë vend duhet të marrin përsipër funksione, që në një shtet-komb, normalisht, duhej të realizoheshin në kuadrin familjar. Sidoqoftë, për interesin e studimit tonë, roli që imigracioni i vazhdueshën luan në ndërgjegjen politike të vendit dhe në kuadrin e mentalitetit të tij është më vendimatr. Amerika nuk është thjesht një vend kolonial që ka nevojë për imigrantë për të populluar vendin e vet, ndonëse e pavarur prej tyre për sa u përket strukturave të veta politike. Për Amerikën faktori vendimtar përcaktues ka qenë kurdoherë motoja e shtypur mbi çdo bankënotë dollari: Novus ordo seclorum, një Rend i Ri për Botën. Imigrantët të ardhur rishtaz, janë një garanci për vendin që përfaqëson rendin e ri. Kuptimi i këtij rendi të ri, themelimi i një bote të re kundër të vjetrës, ishte dhe është heqja qafe e varfërisë dhe e shtypjes. Por, njëkohësisht, madhështia e tij qëndron në faktin se qysh prej filimit, ky vend i ri nuk u mbyll në vetvete përkundrejt pjesës tjetër të botës – siç ka ndodhur, për shembull, gjatë dhe pas themelimit të utopive – në rast se do ta krahasonim atë me një model të përsosur, dhe as nuk kishte si qëllim të impononte rivendikime perandorake apo t’a predikonte atë si ungjillin. Marrëdhëniet e saj me pjesën tjetër të botës janë karakterizuar qysh prej fillimit më tepër prej faktit se kjo republikë, e cila planifikonte të zhdukte varfërinë dhe skllevërit, mirëpriti, gjithashtu, edhe gjithë të varfërit dhe të robëruarit e kësaj toke. Në fjalët e shqiptuara prej Xhon Adams në vitin 1765 – domethënë para Deklaratës së Pavarësisë – “Unë e quaj krijimin e Amerikës si hapjen e një skeme të madhe dhe të një projekti të Perëndisë për ndriçimin dhe emancipimin e pjesës së skllavëruar të krejt njerëzimit mbi dhe. “Ky është qëllimi kryesor i ligjit themeltar në përputhje më të cilin Amerika filloi ekzistencën e saj historike dhe politike.
Entuziazmi i jashtëzakonshëm për gjithçka të re, i cili thuajse në çdo aspekt të jetës së përdithsme amerikane, dhe besimi përkatës te “përsosshmëria e papërcaktuar” – të cilën Tokëvili e cilësonte si kredon e “njerëzve të zakonshëm të paarsimuar” e që, si e tillë, paraprin thuajse qysh prej njëqind vjetësh zhvillimin në vendet e tjera të Perëndimit – ka çuar, ndoshta, në lindjen e një vëmendjeje dhe një kuptimi më të madh ndaj fëmijëve të të ardhurve rishtaz, të cilët pas kapërcimit të kësaj moshe, bënin pjesë në bashkësinë e të rriturve ose të rinjve, që grekët i quanin thjesht i nei, të rinjtë. Këtij fakti i bashkangjitet edhe nji fakt tjetër, i cili është bërë vendimtar për kuptimin e arsimit dhe është pikërisht ai i pathosit për të renë, i cili edhe pse ka lindur shumë më parë se shekulli i tetëmbëdhjetë, u zhvillua konceptualisht dhe politikisht vetëm në atë shekull. Prej këtij burimi doli qysh në fillim një ideal edukues-arsimor, me ngjyrimet e rusoizmit, në të cilin arsimi u kthye në një instrument të politikës dhe vetë aktivitetit politik u konceptua si një formë e edukimit.
Roli i luajtur prej arsimit në të gjitha utopitë politike prej kohëve të lashta e këtej, dëshmon se sa natyrshëm mund të fillojë një botë e re me njerëz në moshë dhe mendim të ri. Për sa i përket politikës, ky fatkt mbart me vet një konceptim të gabuar serioz: në vend të bashkërendimit të forcave për të marrë përsipër përpjekjen për të pasur sukses nëpërmjët procesit të bidnjes, pavarësisht prej rrezikut të dështimit, në këtë drejtim ekziston një ndërhyrje diktatoriale e mbështetur mbi epërsinë absolute të të rrituirve dhe mbi përpjekjen për të sajuar të renë si një fait accompli, d.m.th. sikur e reja tashmë ekzistonte. Për këtë arsye në Evropë, besimi se gjithkush duhet të fillojë me fëmijën në rast se dëshiron të krijojë kushte të reja, ka mbetur kryesisht monopol i lëvizjeve revolucionare me ngjyre tiranike, të cilat, në momentin e ardhjes në pushtet, i larguan fëmijët prej prindërve të tyre, duke i indoktrinuar ata. Arsimi nuk mund të luajë rol në politikë, pasi në politikë kemi githnjë të bëjmë me ata që tashmë janë të arsimuar. Kushdo që dëshiron të arsimojë të rriturit, faktikisht synon të veprojë si ruajtës i tyre dh e t’i ndalë ata prej veprimtarisë politike. Meqenëse askush nuk mund t’i arsimojë të rriturit, në politikë fjala “arsimim” ka një tingëllim të keq. Pretendohet për arsimimin, ndërkohë që qëllimi i vërtetë është detyrimi pa përdorimin e forcës. Gjithkush që dëshiron me të vërtetë të krijojë një rend të ri politik nëpërmjet arsimimit, d.m.th as përmes forcës e detyrimit dhe as përmes bindjes, duhet të marrë në su përfundimin platonian: dëbimin e të gjithë njerëzve të moshuar prej shtetit që kërkohet të themelohet. Por edhe fëmijët që kërkohet të arsimohen si qytetarë të një të nesërmeje utopike, faktikisht u mohohet roli i tyre i ardhshëm në fushën politike, pasi prej pikëpamjes së të rinjve, çfarëdo që bota e të moshuarve do të propozojë, domosdoshmërisht është më e vjetër sesa vetë ata. Është tipar i botës që çdo brez i ri të rritet në kuadrin e një bote të vjetër, aq sa për të përgatitur një brez të ri për një botë të re, do të thotë se ai vetëm synon të heq prej durve të të ardhurve rishtaz fatin ndaj fenomeneve të reja.
Ky nuk është rasti i Amerikës dhe pikërisht ky fakt e bën të vështirë gjykimin e saktë të çështjeve në fjalë. Roli politik që arsimi në të vërtetë luan në botën e imigrantëve, fakti që shkollat shërbejnë për të amerikanizuar fëmijët, por për të ndikuar edhe mbi prindërit, që në këtë vend njerëzit ndihmohen të braktisin një botë të vjetër dhe të hyjnë në një botë të re, nxit iluzionin sikur nëpërmjet arsimimit të fëmijëve po ndërtohet një botë e re. Natyrisht, gjendja nuk është aspak kjo. Bota në të cilën paraqiten, madje edhe në Amerikë, fëmijët është një botë e vjetër, d.m.th. një botë që ka ekzistuar edhe më parë, e ndërtuar prej të gjallëve dhe të vdekurve, dhe është e re vetëm për ata që kanë hyrë rishtazi në të nëpërmjet imigrimit. Por këtu iluzioni është më i fortë sesa realiteti, sepse ai buron drejtpërsëdrejti prej një përvoje themelore amerikane, përvojë që nënkupton se mund të themelohet një rend i ri dhe, për më tepër, një rend i themeluar me ndërgjegjësimin e plotë rreth një vazhdimësie historike, pasi fraza “Bota e re” e përfton kuptimin e vet prej Botës së Vjetër, e cila sado e admirueshme në pikëpamje të tjera, është hedhur poshtë sepse nuk mund të gjente zgjidhje për vafërinë dhe shtypjen.
Në lidhje me vetë arsimimin, iluzioni i lindur prej pathosit të së resë ka dhënë pasojat më serioze vetëm gjatë shekullit tonë. Para së gjithash e reja ndihmoi në lindjen e një tërësie teorish moderne rreth arsimimit, të cilat u shfaqën në Evropën Qendrore e që ngrihen mbi një grumbull idesh me kuptim dhe pa kutpim, për të realizuar, nën flamurin e arsimimit përparimtar, revolucionin më rrënjësor në krejt fushën e sistemit arsimor. Ajo që në Evropë ka mbetur vetëm një eksperiment, e provuar në disa shkolla të veçanta dhe në institucione arsimore të veçuara, që më pas e kanë shtrirë ndikimin e tyre në disa rajone të caktuara në Amerikë, rreth njëzet e pesë vjet më parë përmbysi plotësisht, thuajse brenda ditës të gjitha traditat dhe metodat e “mësim-dhënies dhe mësim-marrjes”. Nuk dua të huj në hollësi dhe po lë jashtë diskutimit shkollat private dhe veçanërisht sistemin e shkollave famullitare katolike. Fakti domethënë është se për hir të disa teorive të mira ose të këqija, të gjitha rregullat e arsyes së shëndoshë njerëzore u lanë mënjanë. Një procedurë e tillë është gjithnjë me një domethënie të madhe dhe të dëmshme, veçanërisht në një vend që mbështetet gjerësisht në arsyetimin praktik në kuadrin e jetës së vet poltike. Kurdoherë që në çështjet e vërteta politike asryeja njerëzore dështon apo braktis përpjekjen për të dhënë përgjigje, ne ndodhemi përballë një krize; ky lloj arsyetimi përbëhet prej gjykimit të shëndoshë, në funksion të të cilit ne dhe pesë shqisat tona individuale përshtaten në një botë të përbashkët për të gjithë dhe çvendosemi në të vetëm me ndihmën e tyre. Në kohën tonë, zhdukja e arsyetimit të shëndoshë ëshët shenja më e sigurt e krizës së sotme. Në çdo krizë, një pjesë e botës, diçka e zakonshme për të gjithë ne, shkatërrohet. Detyrimi i arsyetimit të shëndoshë, si një krah sinjalizues, na rrëfen vendin ku ka ndoshur nja vithisje e tillë.
Gjithsesi, pergjigjja ndaj pyetjes pse amerikani i zakonshëm nuk di të lexojë, ose ndaj pyetjes me karakter më të përgjithshëm se përse standardet shkollore të tip shkollës mesatare amerikane janë aq mbrapa standardeve të pothuajse krejt vendeve te Evropës, nuk mund të gjenden fatkeqësisht në faktin që ky vend, thjeshtë është i ri dhe nuk ka arritur ende standardet e Botës së Vjetër, por përkundrazi, në faktin që ky vend, në këtë fushë të veçantë, është vendi më i “përparuar” dhe më modern në fushën e arsimit në botë. Ky fakt është i vërtetë në një kuptim të dyfishtë: askund problemet e arsimit të një shoqërie konsumi nuk janë më të mprehta se në Amerikë dhe askund teoritë më moderne në fushën e pedagogjisë nuk janë pranaur më lehtë dhe në mënyrë më servile se në Amerikë. Kështu, kriza në fushën e arsimit në Amerikë, nga njëra anë paralajmëron falimentimin e arsimit në vazhdimësi dhe nga ana tjetër paraqet një problem të një vështirësie të pafund, për shkak të faktit që ajo ka lindur në kushtet e një shoqërie konsumi dhe si përgjigje ndaj saj.
Në këtë drejtim, duhet të mbajmë parasysh një faktor tjetër më të përgjithshëm, i cili sigurisht, nuk është ai që shkaktoi krizën në fjalë, por që ndikoi në përkeqësimin e gjendjes në një shkallë të dukshme dhe ky është roli i pashoq që koncepti i barazisë luan dhe gjithnjë ka luajtur në jetën amerikane. Roli i këtij faktori ka qenë më i madh edhe sesa nocioni i barazisë përpara ligjit, sheshimi i dallimeve klasore, madje edhe më shumë sesa ajo që shprehet në frazën “barazi e mundësive”, ndonëse kjo e fundit, në këtë kontekst merr një rëndësi më të madhe, sepse sipas pikëpamjes amerikane e drejta për arsimin është një prej të drejatve të patjetërsueshme qytetare. Kjo e drejtë ka qenë vendimatre për strukturën e sistemit shkollor publik në kuptimin që shkollat sekondare sipas nocionit evropian ekzistojne vetëm si përjashtime. Meqenëse arsimi shkollor i detyruar shtrihet deri në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare, çdo fëmijë duhet të hyjë në shkollën e mesme dhe shkolla e mesme, për rrjedhojë, është krejtësisht një lloj vazhdimësie e shkollës fillore. Si rezultat i mungesës së përgatitjes se nivelit sekondar, përgatitja për kolegj duhet të ndërmerret prej vetë kolegjeve, programi mësimor i të cilëve, për pasojë, është kurdoherë i mbingarkuar, gjë që automatikisht prish cilësinë e punës së bërë në to.
Në shikim të parë, mund të mendohet se kjo anomali është në vetë themelin e një shoqërie konsumi, në të cilën arsimi nuk është privilegj i klasave të pasura. Një shikim në drejtim të Anglisë, ku, siç dihet arsimi sekondar i lirë është bërë i mundshëm për të gjithë vitet e fundit, tregon se ky fakt nuk është vendimatr. Në këtë vend, në mbarim të shkollës fillore, me nxënës të moshës njëmbëdhjetëvjeçare, është vënë në veprim provimi i tmerrshëm që seleksionon dhe u lejon të hyjnë në arsimin e mëtejshëm vetëm 10% të masës së nxënesve. Ashpërsia e këtij seleksionimi u pranua jo pa protesta edhe vetë në Angli; një gjë e tillë në Amerikë do të ishte krejtësisht e pamundur. Ajo që kërkohet të arrihet me këtë vendim në Angli është “meritokracia”, gjë që nuk çon në gjë tjetër veç oligarkisë, kësaj radhe jo në drejtim të pasurisë apo origjinës, por të talentti. Një gjë e tillë do të thotë, ndonëse britanikët nuk janë krejt të qartë rreth kësaj, se vendi i tyre, qoftë ai nën një qeverisje socialiste, do të vazhdojë të qeveriset siç është qeverisur edhe në kohë që s’mbahe mend, domethënë, në një formë që nuk ëshët as monarki, as demokraci, por si një oligarki apo aristokraci – sisteme që mbajnë parasyh se më të talentuarit janë gjithashtu edhe më të mirët, ndonëse një gjë e tillë nuk është krejtësisht e sigurt. Në Amerikë, një ndarje e tillë thuajse fizike e fëmijëve në më të aftë dhe më të paaftë do të konsiderohej e palejueshme. Meritokracia bie ndesh me parimin e barazise në një demokraci të ngritur mbi bazën e barazisë, jo më pak sesa çdo lloj oligarkie tjetër.
Kështu, ajo që e bën krizën e arsimit në Amerikë kaq të mprehtë, është temperatmenti politik i këtij vendi, i cili në vetvete përpiqet të barazojë ose të fshijë sa të jetë e mundur ndryshimin midis të rinjve dhe të moshuarve, midis të aftëve dhe të paaftëve, së fundi, midis fëmijëve dhe të rriturve, veçanërisht midis nxënësve dhe mësuesve. Është e natyrshme se një barazim i tillë aktualisht mund të realizohet në të vërtetë vetëm në kurriz të autoritetit të mësuesve dhe në dëm të studentëve më të aftë. Megjithatë, është po aq i dukshëm fakti, të paktën për cilindo që ka pasur ndonjëherë kontakt me sistemin arsimor amerikan, se kjo vështirësi, e rrënjosur në qëndrimin politik të këtij vendi paraqet, gjithashtu, dobi të mëdha, jo vetëm thjesht të një lloji njerëzor, por gjithashtu, në pikëpamje arsimore, sidoqoftë, këta faktorë të karakterit të përgjithshëm nuk mund të shpjegojnë krizën në të cilën ne gjendemi aktualisht dhe as të përligjin masat që përshpejtuan këtë krizë.

II

Këto masa rrënonjëse, skematikisht mund të përmblidhen në funksion tri hamendjesh themelore, të cilat janë më se të njohura. Së pari, ekziston një botë e fëmijëve dhe një shoqëri e krijuar fëmijësh që janë autonomë e që për pasojë, duhet t’u lihet atyre vetë për ta qeverisur, sa të jetë e mundur. Të rriturit duhet të mjaftohen vetëm me ndihmën që duhet të japin për qeverisjen e saj. Ai lloj autoriteti që i dëfton fëmijës së veçantë çfarë të bëjë e çfarë të mos bëjë, mbetet brenda vetë grupit të fëmijëve dhe kjo gjendje çon, mes tjerash, në lindjen e një situate në të cilën i rrituri është i paaftë përkundrejt fëmijës dhe jashtë çdo kontakti me të. Ai mund t’i thotë atij të bëjë çfarë dëshiron ai vetë dhe më pas të shmangë më të keqen që mund të ndodhë. Marrëdhëniet reale dhe normale midis fëmijëve dhe të rriturve, të lindura si rrjedhojë e faktit që individët e të gjitha moshave ndodhen njëkohësisht në këtë botë, për pasojë këputen. Në të njëjtën mënyrë ndodh edhe me vetë thelbin e hamendjes së parë themelore, e cila mban parasysh vetëm grupin dhe jo fëmijën e veçantë.
Përsa i përket fëmijës në grup, natyrisht, ai ndihet më keq se më parë. Autoriteti i një grupi, qoftë ai një grup fëmijësh, është gjithnjë më i fortë dhe më tiranik sesa autoriteti më i rreptë i një individi të veçantë. Në qoftë se do ta konsideronim atë nga këndvështrimi i një fëmije të veçantë, mundësitë e tij për të ngritur krye ose për të bërë gjithçka që mund t’i kalonte nëpër mend janë praktikisht zero, ai ndodhet në një betejë të pabarabartë me një individ tjetër, i cili mund të ketë epërsi absolute mbi të, por në një betejë me dikë, kundër të cilit mund të ketë me vete edhe solidaritetin e fëmijëve të tjerë, d.m.th., të llojit të vet, madje ai ndodhet në një pozicion, si rregull pa shpresë, të një pakice përballë një shumice dërmuese të krejt të tjerëve. Numri i individëve të rritur që mund të përballojnë një gjendje të tillë, madje edhe kur ajo nuk mbështetet prej mjetesh të jashtme detyrimi, është shumë i vogël; fëmijët, nga ana e tyre, thjesht nuk janë aspak në gjendje të bëjnë një gjë të tilllë.
Si rrjedhojë, të çliruar prej autoritetit të të rriturve, fëmija nuk është i lire, por i nënshtruar ndaj një autoriteti më të tmerrshëm e me të vërtetë tiranik, tiranisë së shumicës. Rezultati është se fëmijët, në njëfarë mënyre, janë dëbuar prej botës së të rriturve. Ata ose janë të izoluar në grupin e tyre, ose të lënë përballë tiranisë të vet grupit të tyre, kundër të cilit, për shkak të epërsisë numerike, ata nuk mund të ngrenë krye dhe që përkundrejt tij, gjithashtu, vetëm për shkak të faktit që ata janë fëmijë, ata nuk mund të arsyetojnë, nuk mund të shpëtojnë dhe të hyjnë në ndonjë botë tjetër, pasi bota e të rriturve për ta është e ndaluar. Reagimi i fëmijëve ndaj kësaj trysnie ka prirje të jetë ose konformist, ose keqbërje të rinjsh dhe zakonisht ai është një përzierje e të dy varianteve.
Hamendja e dytë themelore, e cila shfaqet në krizën e sotme, ka të bëjë me mësimdhënien. Nën ndikimin e psikologjisë moderne dhe parimeve të pragmatizmit, pedagogjia ka marrë formën e një shkence mësimdhënieje në nëj trajtë të tillë, aq sa duket sikur është çliruar plotësisht prej materialit bashkëkohor që duhet t’u mësohet nxënësve. Gjithnjë është menduar se mësuesi ëshët një individ, i cili thjeshtë mund t’u mësojë të tjerëve çdo gjë; përgatitja e tij qëndron në mësimdhënien dhe jo në zotërimin e një lënde të veçantë. Ky qëndrim, siç do të shohim, është natyrisht i lidhur shumë ngushtë me supozimin themelor të të mësuarit. Për më tepër, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, një gjë e tillë ka çuar në një lënie pas dore më se serioze të përgatitjes së mësuesve sipas lëndëve të tyre të veçanta, sidomos në nivelin e shkollave të mesme publike. Duke qenë se mësuesi nuk ka nevojë të zotërojë lëndën e tij, jo rralë ndodh që ai të dijë më shumë se nxënësit vetëm diçka më shumë se një mësim. Një gjë e tillë do të thotë, për rrjedhojë, se faktikisht studentët jo vetëm që janë lënë në forcat e tyre, por edhe që burimi më legjitim i autoritetit të mësuesit si një individ, sido që ta kthesh, vazhdon të dijë më tepër dhe të bëjë më tepër, për sa kohë që nxënësi nuk ka rendiment të mjaftueshëm. Në këtë mënyrë, mësuesi që nuk është autoritar dhe të cilit i pëlqen të heqë dorë prej të gjitha metodave detyruese, pasi i pëlqen të mbështetet vetëm në autoritetin e vet, nuk mund të ekzistojë më gjatë.
Por ky rol i dëmshëm që pedagogjia dhe trupi i mësuesve po luan në krizën aktuale, u mundësua vetëm prej ekzistencës së teorisë moderne të mësimit. Ky ishte thjesht zbatimi logjik i hamendjes së tretë themelore në kontekstin tonë, hamendje që bota moderne i është referuar për shekuj me radhë dhe që gjeti shprehjen e vet sistematike konceptuale në mendimin pragamatist. Sipas kësaj hamendjeje themelore, individi mund të dijë dhe të kuptojë vetëm atë që bën ai; ndërkohë që zbatimi i saj në fushën e arsimit ëshët sa primitive po aq edhe i dukshëm; qëllimi i saj është të zëvendësoojë, sa më shumë të jetë e mundur, veprimin me mësimin. Arsyeja që zotërimit të lëndës prej mësuesve nuk i jepet shumë rëndësi, përcaktohet prej dësjirës për t’i detyruar ata të ushtrojnë në vazhdimësi veprimtarinë e mësimit, aq sa ai të mos kalojë, siç thuhet, në cakun e “dijes së vdekur”, por në vend të saj, të dijë të demonstrojë vazhdimisht sesi krijohet dija. Qëllimi i ndërgjegjshëm nuk është që të jepeshin vetëm dijet, por të ngulitej nja aftësi, gjë që pati si rezultat një lloj shndërrimi të instituteve të mësimit në institute të llojit profesional, të cilat u treguan po aq të suksesshme, për t’u mësuar të tjerëve se si drejtohet një automobil, se si përdoret një makinë shkrimi, apo, çka është më e rëndësishme për “artin” e jetës se si të bashkëjetosh me njerëz të tjerë dhe të jesh popullor, sa u treguan edhe të paaftë për t’u dhënë nxënësve mundësinë të përjetojnë kërkesat fillestare të një programi mësimor standart.
Sidoqoftë, ky përshkrim është i gabuar, jo vetëm se ai, në mënyrë të dukshme i zmadhon gjërat për të arritur qëllimin e vet, por edhe sepse ai nuk merr parasysh se si në këtë proces i jepet një rëndësi e veçantë shuarjes së dallimit midis lojës dhe punës, në favor të së parës. Loja është mbajtur si mënyra më e gjallë dhe më e përshtatshme për fëmijën për t’u sjellë në këtë botë, si e vetmja formë aktiviteti që zhvillohet spontanisht qysh prej lindjes së tij. Sipas këtij mendimi vetëm ajo që mund të mësohet përmes lojës, mund të ruajë gjallërinë më shumë; të mësuarit sipas metodës së vjetër, duke e detyruar fëmijën të respektojë një qëndrim pasiv, e detyron atë të heqë dorë prej inisiativës së tij lozonjare.
Lidhja e ngushtë midis këtyre dy çështjeve – zëvendësimi i veprimit me mësimin dhe i lojës me punën – gjen ilustrim të drejpërdrejtë në mësimdhënien e gjuhëve; fëmijës i duhet të mësojë duke folur, domethënë nëpërmjet të veprimit, pra jo përmes studimit të gramatikës dhe sintaksës, me fjalë të tjera atij i duhet të mësojë një gjuhë të huaj në të njëjtën mënyrë siç mësoi, kur ishte fëmijë, gjuhën e tij të nënës, një lloj sikur të ishte në lojë e sipër dhe në vazhdimësinë e pandërprerë të jetës së tij. Pavarësisht nëse një gjë e tillë është e mundur ose jo- deri në njëfarë shkalle, një gjë e tillë është e mundur, vetëm kur fëmija do të mbahej në një mjedis ku flitet gjuha e huaj në fjalë – në këtë rast është më se e qartë se kjo procedurë, në mënyrë të ndërgjegjshme kërkon të mbajë edhe fëmijën më të rritur sa më shumë të jetë e mundur në niveli të fëmijës së vogël. Procesi i vërtetë që do të shërbente për të përgatitur fëmijën për botën e të rriturve, zakoni gradualisht i fituar i punës dhe i të mosluajturit, në këtë rast eliminohet në favor të autonomisë së botës së fëmijës.
Ciladoqoftë lidhja mes veprimit dhe mësimit ose ciladoqoftë vlera e formulës pragmatike, zbatimi i saj në fushën e arsimit, domethënë, mënyra në të cilën mësojnë fëmijët, ka prirje të absolutizojë botën e fëmijëve njëlloj sikurse vumë në dukje në rastin e hamendjes së parë themelore. Edhe këtu, nën pretekstin e repsektimit të pavarësisë së fëmijës, ai ndahet prej botës së të rriturve dhe mbahet artificialisht në botën e tij, për aq sa mund të quhet ajo e tillë. Ky kufizim i fëmijës është artificial, sepse ai këput lidhjen natyrale midis të rriturve dhe fëmijëve, gjë e cila qëndron, mes të tjerash, në mësimdhënien dhe në të mësuarin, dhe në të njëjtën kohë, ajo mohon faktin që fëmija është një qenie njerëzore në zhvillim dhe se fëmijëria është vetëm një fazë e përkohshme, një përgatitje për t’u bërë madhor.
Kriza aktuale në Amerikë rezulton prej njohjes së aftësisë shkatërrimtare të këtyre supozimeve themelore dhe prej përpjekjes së dëshpëruar për të reformuar krejt sistemin arsimor, d.m.th. përt’a transformuar atë tërësisht. Të veprosh në këtë mënyrë, gjë që po të bëhet në të vërtetë – me përjashtim të shtimit të mjeteve të reja për formimin e nxënësve në shkencat fizike dhe në teknologji – nuk është gjë tjetër veçse një restaurim: mësimdhënia do të realizohet përsëri me autoritet; gjatë orëve të mësimit loja ndalet dhe gjatë tyre ngulmohet vetëm në punën serioze; theksi kalon prej krijimit të aftësive jashtë programit mësimor, në përfitimin vetëm të dijeve të parashikuara prej programit; së fundi, flitet që të transformohet edhe programi i tanishëm për përgatitjen e mësuesve, kështu që edhe mësuesve do t’u duhet të mësojnë diçka para se t’ua mësojnë atë fëmijëve.
Reformat e propozuara, të cilat janë ende në fazën e diskutimeve dhe përbëjnë interes vetëm për Amerikën, nuk kanë të bëjën me çështjen tonë. Gjithashtu, unë nuk mund të trajtoj këtu as çështjen me karakter më teknik, por ndoshta më të rëndësishëm se si mund të reformohet programi i shkollave fillore dhe atyre tetëvjeçare në të gjitha vendet, në mënyrë që ai të jetë i njëjtë për të gjithë në funksion të kërkesave të botës së sotme. Çështja që ka interes për ne paraqitet me një rëndësi të dyfishtë. Së pari, cilat tipare të botës moderne dhe krizës së saj janë shfaqur në gjirin e krizës arsimore, d.m.th., cilat janë shkaqet e vërteta, që për dekada të tëra fenomenet mund të shpjegoheshin dhe kryheshin sipas një kontradikte aq të madhe përkundrejt arsyes së shëndoshë? Së dyti, çfarë mund të nxjerrim ne si mësim prej kësaj krize, që të ketë të bëjë me thelbin e arsimit – jo në kuptimin që gjithkush mund të mësojë gjithmonë prej gabimeve që nuk duhen bërë, por kryesisht, për të reflektuar mbi rolin që arsimi luan në gjirin e çdo qytetërimi, d.m.th. rreth detyrimit që ekzistenca e fëmijëve sjell për çdo shoqëri njerëzore. Le të fillojmë me çështjen e dytë.

III

Një krizë në arsim, në çdo kohë mund të ngjallë një shqetësim serioz, edhe pse ajo nuk reflekton, sikurse aktualisht, një krizë më të gjerë dhe më tepër paqëndrueshmëri në gjirin e shoqërisë moderne. Arsimi i përket veprimtarive më elementare dhe më të domosdoshme të shoqërisë njerzore, e cila nuk mbetet asnjëherë siç është, por ripërtërihet vazhdimisht përmes procesit të lindjeve, pra ardhjes në jetë të qenieve të reja njerëzore. Për më tepër, të ardhurit rishtaz në jetë, nuk janë qenie të gatshme, por qenie që kanë nevojë për formim. Në këtë mënyrë fëmija subjekt i edukimit dhe arsimimit, në sytë e edukatorit, paraqet një aspekt të dyfishtë; ai është i ri në një botë që është e huaj për të dhe ai është në procesin e formimit, është qenie e re njerëzore, sikundër është, njëkohësisht edhe një qenie njerëzore në formim e sipër. Ky aspekt i dyfishtë nuk është kurrsesi i vetëdukshëm dhe ai nuk gjen zbatim në format e jetës shtazore; ai i përgjigjet marrëdhënies së dyfishtë, nga njëra anë marrëdhënies me botën rrethuese dhe nga ana tjetër, me jetën. Fëmija ndan gjendjen e formimit të tij me të gjitha qeniet e tjera të gjalla; në lidhje me jetën dhe zhvillimin e saj, fëmija ëshët një qenie njerëzore në process formimi e sipër, pikërisht ashtu sikurse një kotele bëhet mace gjatë procesit të formimit. Por fëmija është i ri vetëm në lidhje me botën, që ekzistonte para ardhjes së tij në të e që do të vazhdojë edhe pas vdekjes së tij, e në të cilën ai do të kalojë jetën e vet. Në qoftë se fëmija nuk do të ishte një qenie e ardhur rishtaz në botën njerëzore, por thjesht një krijesë e gjallë ende e papërfunduar, arsimimi do të ishte thjesht një funksion i jetës që do të synonte veçse në interesin për ruajtjen e jetës dhe vetëm në përgatitjen dhe praktikën e jetës, që gjithë kafshët u japin pjellave të tyre.
Sidoqoftë, prindërit e racës njerëzore, jo vetëm i kanë sjellë dhe sjellin fëmijët e tyre në jetë përmes ngjizjes dhe lindjes, por njëkohësisht, ata i fusin ata në një botë të re. Gjatë procesit të arsimimit, ata marrin përgjegjësinë për të dyja proceset, si për jetën dhe zhvillimin e fëmijës, ashtu edhe për vazhdimin e jetës. Këto dy përgjegjësi kurrsesi nuk përkojnë me njëra-tjetrën, në të vërtetë, ato mund të bien në konflikt mes tyre. Në njëfarë mënyre, përgjegjësia për zhvillimin e fëmijës kthehet kundër botës: fëmija ka nevojë për mbrojtje dhe përkujdesje të veçantë, në mënyrë që atij të mos i vijë kurrfarë rreziku shkatërrimtar prej botës së jashtme. Por, njëkohësisht, edhe bota ka nevojë të mbrohej prej dëmtimit dhe shkatërrimit të shkaktuar prej sulmit të njerëzve të ardhur rishtaz në jetë në kuadrin e çdo brezi të ri.
Meqenëse fëmija duhet të mbrohet prej botës rrethuese, vendi i tij tradicional është në familje, anëtarët e rritur të së cilës kthehen çdo ditë në shtëpi prej botës së jashtme, duke hyrë në sigurinë e jetës private brenda katër mureve. Kato katër mure, brenda të cilave bëhet jeta private e familjes, përbëjnë një mburojë ndaj botës dhe veçanërisht ndaj aspektit publik të saj. Ato krijojnë një vend të sigurtë, pa të cilin asnjë qenie e gjallë nuk mund të lulëzojë. Kjo ëshët e domosdoshme jo vetëm për jetën e fëmijëve, por për jetën njerëzore në përgjithësi. Kurdoherë që kjo e fundit përballet me botën e zhveshur prej mbrojtjes së privatizmit dhe sigurisë së saj, cilësia vitale e saj shkatërrohet.
Në botën shoqërore, e përbashkët për të gjithë ne, njerëzit kanë vlerë dhe po kështu edhe puna e tyre, d.m.th. puna e duarve tona, pra ajo punë, me të cilën secili prej nesh jep ndihmesën për botën tonë të përbashkët; por në këtë kuadër jeta për hir të jetës e individit të veçantë nuk ka rëndësi. Bota nuk varet prej saj, ndaj kësaj të fundit i duhet të fshihet dhe të mbrohet prej saj.
Gjithçka që ka jetë dhe jo vetëm jeta bimore, lind prej errësirës dhe sado e fortë të jetë prirja e saj natyrore për të dalë në dritë, gjithsesi ajo ka nevojë për rritjen e saj, për garancinë e errësirës. Ndoshta kjo është arsyeja që shumë fëmijë të prej prindërish me emër shpesh marrin rrugë të keqe. Fama depërton brenda katër mureve, pushton hapësirën e tyre private, duke mbartur me vete, veçanërisht në kushtet e sotme, shkëlqimin e pamëshirshëm të fushës publike, i cili vërshon dhe mbyt hapësirën private të individëve në fjalë, aq sa fëmijët nuk guxojnë më atë hapësirë të sigurtë ku ata mund të rriten. Por i njëjti asgjësim i hapësirës reale jetësore ndodh sa herë që bëhen përpjekje për t’i kthyer fëmijët në një lloj bote të caktuar. Atëherë, në gjirin e këtyre grupeve njerëzish të pasur e të njohur lind një lloj jete publike, e cila krej veçmas e pavarësisht prej faktit joreal, pjellë e një lloj mashtrimi, e varur prej fakti dëmprurës se fëmijët – domethënë, qeniet njerëzore në formim e sipër, por ende jot ë plotësuar – janë për pasojë të detyruar të shfaqin veten ndaj dritës së ekzistencës publike.
Kështu pra, për sa kohë që arsimimi modern përpiqet të krijojë një botë të fëmijëve, ai shkatërron kushtet e domosdoshme për zhvillimin dhe rritjen jetësore. Sigurisht, të theksosh se një dëm i tillë është rrjedhojë e metodave moderne të arsimit, tingëllon me të vërtetë çuditshëm, pasi kjo metodë arsimimi kishte si qëllim kryesor të vihej në shërbim të fëmijës dhe të luftonte metodat e së kaluarës, me justifikim se këto të fundit nuk mbanin sa duhej parasysh natyrën e brendshme të fëmijës. “Shekulli i fëmijës” siç mund të sjellim ndërmend, mendohej të emanciponte fëmijët dhe t’i çlironte ata prej standardeve që rridhnin prej botës së të rriturve. Atëherë si është e mundur që kushtet më elementare të jetës, të domosdoshme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës, u lanë pas dore apo thjesht nuk u mbajtën parasysh? Si ndodhi që fëmija u përballua, sa më shumë e as më pak, me atë që karakterizon botën e të rriturve, d.m.th. me aspektin publik menjëherë pasi ishte arritur në përfundimin se gabimi i krejt metodave arsimore të së kaluarës kishte qëndruar në faktin që e shihte fëmijën si një të rritur me trup të vogël?
Arsyeja e lindjes së një gjendjeje të tillë të habitshme nuk ka të bëjë aspak drejtpërsëdrejti me arsimin, kjo duhet kërkuar më tepër në gjykimet dhe paragjykimet që ekzistojnë në jetën e përditshme private dhe në atë shoqërore si dhe në marrëdhëniet që ekzistojnë mes tyre, të cilat kanë karakterizuar shoqërinë moderne qysh prej fillimit të kohëve moderne dhe, të cilat krijuesit e metodave arsimore, në çastin kur ata filluan më në fund të modernizonin arsimin i pranuan si hamendje që imponoheshin vetvetiu pa qenë të vetëdijshëm rreth pasojave që ato domosdoshmërisht do të sillnin në jetën e fëmijës. Veçoria e shoqërisë moderne është se ajo e shikon jetën, d.m.th. jetën mbi tokë të idnividëve si edhe të familjes si të mirën sublime; për këtë arsye, në dallim prej krejt shekujve të kaluar, ajo emancipoi këtë jetë dhe të gjitha veprimtaritë e tjera që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe pasurimin e saj, nëpërmjet eliminimit të karakterit privat të saj dhe shfaqjes së saj ndaj dritave të jetës shoqërore. Ky është kuptim i vërtetë i emancipimit të punëtorëve dhe grave, pra jo si individë, por si krijesa që përmbushin një funksion të domosdoshëm në procesin jetësor të shoqërisë.
Të prekurit e fundit prej këtij procesi emancipimi ishin fëmijët, ndaj edhe vetë ajo që në rastin e tyre barazohej me një çlirim të vërtetë për punëtorët dhe gratë – që nuk ishin vetëm punëtore por edhe individë, që kishin një kërkesë ndaj botës publike, d.m.th. një të drejtë për të parë dhe për t’u parë në të, për të folur dhe për t’u dëgjuar – nuk ishte veçse një process që përfundoi në një braktisje dhe në një tradhëti në rastin e fëmijëve, të cilët janë ende në fazën kur jeta dhe rritja janë më të rëndësishme sesa faktori i personalitetit. Sa më shumë që shoqëria moderne hedh poshtë dallimin midis asaj që është shoqërore, midis asaj që mund të lulëzojë vetëm duke u fshehur dhe asaj që ka nevojë të shfaqet në dritën e jetës shoqërore, domethënë, sa më shumë ajo fut midis sferës private dhe asaj publike një sferë shoqërore, në të cilën privatja bëhet publike dhe anasjelltas, aq më shumë vështirësohen punët për fëmijët, të cilët prej vetë natyrës së tyre për t’u rritur dhe për t’u pjekur të pashqetësuar, kanë nevojë për garancinë e fshehjes.
Sado serioze të kenë qenë shkeljet e kushteve për rritjen jetësore, është e sigurt se ato kanë qenë të paqëllimshme; qëllimi kryesor i krejt përpjekjeve në fushën e arsimit modern ka qenë mirëqenia e fëmijës, fakt që është, natyrisht, jo më pak i vërtetë, edhe pse përpjekjet e bëra jo gjithmonë kanë patur sukses në zhvillimin e mirëqenies së fëmijës në drejtimin e uruar. Gjendja paraqitet krejt e ndryshme në sferën e objektivave në fushën e arsimit, të cilët e konsiderojnë fëmijën jo si fëmijë, por si një ri të huaj, të radhur rishtazi në këtë botë, të lindur në botën ekzistuese, të cilën ai nuk e njeh. Këto objektiva janë, në radhë të parë, por jo tërësisht, detyrë e shkollave, ato kanë të bëjnë me mësimdhënien dhe nxënien e mësimit; dështimi në këtë drejtim përbën njëkohësisht edhe problemin më urgjent sot në Amerikë. Çfarë fshihet në themel të tij?
Normlisht, fëmija e merr kontaktin e parë me botën në shkollë. Por shkolla nuk është kurrsesi bota dhe as nuk mund të pretendojë të jetë; ajo është më tepër një isntitucion që ne fusim midis fushës private të shtëpisë dhe botës, me synimin për ta bërë kalimin prej familjes në botë të mundur. Frekunetimi i saj kërkohet jo prej familjes, por prej shtetit, domethënë prej botës publike, pra lidhur me fëmijën, në njëfarë kuptimi, shkolla përfaqëson botën, ndonëse ajo nuk është ende bota. Në këtë fazë të arsimit, sigurisht, të rriturit vazhdojnë të marrin përsipër përgjegjësinë për fëmijën, por në këtë stad kjo përgjegjësi nuk ka të bëjë aq shumë me mirëqenien jetësore të fëmijës si një krijesë në rritje sesa me atë që ne përgjithësisht e quajmë zhvillim të lirë të cilësive dhe talentit. Parë prej pikëpamjes së përgjithshme e thelbësore, një gjë e tillë përbën atë tipar të vetëm që dallon çdo qenie njerëzore prej tjetrës, pra atë cilësi në funksion të së cilës fëmija është në këtë botë jo vetëm një i huaj, por edhe krijesë që nuk ka ekzistuar kurrë më parë në të.
Për sa kohë që fëmija nuk është njohur ende me botën, ai mund të futet gradualisht në të; për sa kohë që ai përfaqëson diçka të ardhur rishtaz në këtë botë, mund të tregohet kujdes që kjo gjë e re të përfitojë në lidhje me botën ashtu ai është. Sidoqoftë, në këtë rast, edukatorët pozicionohen para fëmijë si përfaqësues të një bote për të cilën ata duhet të marrin përsipër përgjegjësi, ndonëse nuk janë ata vetë që e kanë krijuar atë, madje, edhe në qoftë se do ta kishin krijuar atë, hapatzi ose fshehurazi, mund të kishin dëshiruar që ajo të ishte ndryshe prej sa paraqitet. Kjo përgjegjësi nuk mund t’u imponohet arbitrarisht edukatorëve; ajo ngërthehet nënkuptueshëm në faktin që të rinjtë prezantohen prej të rriturve në një botë vazhdimisht në ndryshim e sipër. Gjithkush që nuk pranon të marrë përsipër një përgjegjësi të përbashkët rreth botës, si rregull nuk duhet të ketë fëmijë dhe nuk duhet të lejohet të marrë pjesë në edukimin e tyre.
Në fushën e edukimit – arsimit, kjo përgjegjësi rreth botës merr formën e autoritetit. Autoriteti i edukatorit dhe kualifikimet e mësuesit nuk janë e njëjta gjë. Ndonëse një shkallë e kualifikimit është e domosdoshme për ekzistencën e autoritetit, nuk do të thotë që kualifikimi më i lartë i mundur përkon me autoritetin më të lartë. Kualifikimi i mësuesit ngrihet mbi njohjen e botës dhe mbi aftësinë e tij për të isntruktuar të tjerët rreth saj, ndërkohë që autori i tij bazohet mbi supozimin e përgjegjësisë së tij për këtë botë. Përkundrejt fëmijës, edukatori shfaqet si përfaqësues i gjithë banorëve të rritur të botës, i cili tregon hollësitë e saj dhe i thotë fëmijës kjo është bota jonë.
Tashmë të gjithë e dimë se si qëndron çështja e autoritetit. Cilidoqoftë qëndrim ynë rreth këtij problemi, është e qartë se si në jetën publike, ashtu dhe në atë politike, autoriteti ose nuk luan aspak rol – pasi dhuna dhe terrori i ushtruar prej vendeve totalitare, nuk kanë të bëjnë fare me autoritetin – ose, në rastin më të mirë, luan një rol mjaft të diskutueshëm. Në thelb kjo do të thotë se njerëzit nuk dëshirojnë të kërkojnë prej dikujt ose t’i besojnë dikujt përgjegjësinë për gjithçka, sepse kudo ku autoriteti ka ekzistuar, ai kurdoherë është shoqëruar me përgjegjësinë për rrjedhën e fenomeneve në botë. Në qoftë se heqim autoritetin prej jetës politike dhe publike, një gjë e tillë mund të thotë se, këtej e tutje, për drejtimin e botës duhet të kërkohet një përgjegjësi prej gjithëve. Kjo, sidoqoftë, nënkupton në thelb, se njerëzit nuk dëshirojnë t’i kërkojnë apo t’i besojnë askujt përgjegjësinë për gjithçka tjetër, sepse kudo që ekziston autoriteti, ai është shoqëruar kurdoherë nga përgjegjësia për rrjedhën e fenomeneve të kësaj bote. Nëqoftë se heqim autoritetin nga jeta politike dhe publike, kjo mund të nënkuptojë se këtej e tutje, për mbarëvajtjen e punëve në këtë botë, do të kërkohet prej gjithkujt një përgjegjësi e barabartë. Por një gjë e tillë mund të nënkuptonte, gjithahstu se pretendimet e njerëzimit dhe kërkesa për rend dhe qetësi, hidhen poshtë me ose pa vetëdije; çdo lloj përgjegjësie për botën nuk pranohet, pra nuk pranohet si përgjegjësi për të dhënë urdhëra, ashtu edhe ajo për t’i zbatuar ato. Nuk ka dyshim se këta dy elementë luajnë rol në këtë drejtim dhe shpesh kanë funksionuar njëkohësisht e në mënyrë të pazgjidhshme me njëri tjetrin.
Përkundrazi, në humbjen e sotme të autoritetit në fushën e arsimit nuk mund të pranohet një dyzim i tillë. Fëmijët nuk mund të hedhin poshtë autoritetin e trupit mësimor, nën pretekstin se ata janë nën shtypjen e shumicës së individëve madhorë- ndonëse absurditeti i të trajtuarit të fëmijëve si një pakicë e shtypur që ka nevojë të çlirohet, është parë në fakt si mundësi praktike didaktike në fushën e arsimit modern. Të rriturit kanë hequr dorë prej autoritetit dhe kjo do të thotë vetëm një gjë; të rriturit nuk pranojnë të marrin përsipër përgjegjësinë rreth botës në të cilën ata kanë sjellë fëmijët e tyre.
Natyrisht, midis humbjes së autoritetit në jetën publike dhe politike si dhe fushave private parapolitike të familjes dhe shkollës, ekziston një lidhje. Sa më radikal të jetë mosbesimi ndaj autoritetit në sferën publike, aq më shumë shtohet probabiliteti që sfera private të preket. Ekziston edhe një fakt tjetër, e më shumë të ngjarë mund të jetë edhe fakti vendimtar, që qysh prej kohësh që s’mbahen mend, në traditën tonë politike, jemi mësuar ta konsiderojmë autoritetin e prindërve mbi fëmijët, të mësuesve mbi nxënësit, si një model përmes të cilit të kuptojmë autoritetin politik. Është pikërisht ky model, që mund të gjendet qysh në kohën e Platonit dhe Aristotelit dhe që e bën konceptin e autoritetit në politikë aq të keqkuptueshëm. Para së gjithash, ai bazohet mbi një epërsi absolute të tillë, që nuk mund të ekzistojë kurrë. Së dyti, sipas modelit të çerdhes apo të kopshtit të fëmijëve, ai bazohet mbi një epërsi krejt të përkohshme dhe për rrjedhojë, ai bëhet vetkontradiktor, në qoftë se zbatohet ndaj marrëdhëniesh që prej natyre nuk janë të përkohshme – të tilla si marrëdhëniet e sunduesve dhe të të sunduarve. Kështu, pra është në vetë natyrën e kësaj çështjeje – d.m.th. në natyrën e mendimit tonë politik tradicional – që humbja e autoritetit, e cila fillon në sferën politike, do të marrë fund si natyrën e krizës aktuale në fushën e autoritetit, ashtu edhe në natyrën e mendimit tonë politik tradicional – që humbja e autoritetit, e cila fillon në sferën politike do të marrë fud në atë private; dhe natyrisht, nuk është rastësi që vendi ku autoriteti politik u minua për herë të parë, d.m.th., Amerika, do të jetë njëkohësisht edhe vendi ku kriza e sotme në arsim do të ndjehet edhe më shumë. Në fakt, është e vështirë që humbja e përgjithshme e autoritetit të gjejë një shprehje radikale sesa në depërtimin e saj të paftuar në sferën parapolitike, në të cilën autoriteti duket sikur diktohet prej vetë natyrës dhe se është krejtësisht i pavarur prej krejt ndryshimeve të kushteve hsitorike dhe politike. Nga ana tjetër, individi i sotëm, vështirë se mund të gjejë shprehje më të qartë për pakënaqësinë e tij përkundrejt botës, më tepër i shtyrë prej pështirosjes se tij ndaj mënyrës se si janë organizuar punët në të, sesa prej kundërshtimit të tij për të marrë përsipër, lidhur me fëmijët e tij, përgjegjësinë për këtë lloj organizimi. Duket sikur prindërit çdo ditë thonë “Në këtë botë, edhe ne vetë nuk ndjehemi të sigurtë; nuk dijmë se si të sillemi në të, çfarë të mësojmë, çfarë aftësish të përvetësojmë. Ju duhet të përpiqeni sa më shumë; sidoqoftë, ju nuk keni të drejtë të na kërkoni llogari. Ne jemi të pafajshëm dhe mund të lajmë duart prej jush.”
Natyrisht, ku qëndrim nuk ka të bëjë aspak me dëshirën revolucionare për vendosjen e një rendi të ri në botë – Novus Ordo Seclorun – që dikur i pati dhënë shpirt Amerikës; ajo që shihet më tepër është simptoma e një lloj tjetërsimi prej botës, i cili mund të shihet kudo, në një formë veçanërisht radikale e të dëshpëruar në kushtet e një shoqërie konsumi. Është e vërtetë se eksperimentet e kohës së sotme në fushën e arsimit, jo vetëm në Amerikë, kanë marrë poza nga më revolucionaret dhe një gjë e tillë, në njëfarë mase, ka shtuar vështirësinë e njohjes qartë të gjendjes, duke shkaktuar njëfarë konfuzioni në diskutimin e problemit; në kontradiktë me një qëndrim të tillë qëndron fakti i padiskutueshëm se për sa kohë që Amerika u mbajt prej kësaj ideje, ajo nuk ëndërroi kurrë të hedhë themelet e rendit të ri nëpërmjet arsimit, por përkundrazi, mbeti konservatore në çështjen e arsimit.
Për të shmangur çdo keqkuptim, më duket se konservatorizmi, në kuptimin e idesë së ruajtjes, është në thelb të veprimtarisë në fushën e edukimit, detyra e të cilës është gjithmonë të ushqejë dhe të mbrojë diçka – fëmijën përkundrejt botës, botën përkundrejt fëmijës, të renë përkundrejt të vjetrës, të vjetrën përkundrejt të resë. Madje, edhe vetë përgjegjësia e kuptuehme për botën, nënkupton në fushën e arsimit mbajtjen e një qëndrimi konservator. Ky fakt reziston mirë vetëm në fushën e arsimit ose, më saktë, në aspektin e marrëdhënieve midis të rriturve dhe fëmijëve dhe jo në fushën e politikës, ku veprohet dhe bashkëveprohet mes të rriturish e të tjerëve të barabartë me ta. Në politikë ky qëndrim konservator – i cili e pranon botën ashtu siç është duke u përpjekur të ruajë statuskuonë – mund të shpjerë në shkatërrim, sepse bota si në shumicë, ashtu edhe në pakicë, rrënohet pashmangshmërisht me kalimin e kohës, në rast se qeniet njerëzore nuk vendosin të ndrhyjnë për të ndryshuar dhe krijuar atë që është e re. Fjalët e Hamletit “O botë e çmendur, o dreq, që unë linda të të ndreq”, tingëllojnë pak a shumë të vërteta për çdo brez të ri, ndonëse qysh prej fillimit të shekullit tonë, ndoshta ato kanë fituar një vlerë ende më bindëse se më parë.
Faktikisht, gjithnjë e më tepër ne po i arsimojmë brezat e rinj për një botë që po rezulton përherë e më tepër e çmendur, e dalë prej menteshave, pasi kjo është edhe gjendja themelore njerëzore, në të cilën bota është krijuar prej duarve vdekëtare për t’u shërbyer vdekëtarëve si banesë vetëm për njëfarë kohe të caktuar. Bota venitet, pasi ajo është ndërtuar prej vdekëtarëve; nga ana tjetër ajo rrezikon të bëhet po aq e vdekshme sa edhe ata, sepse ajo ndryshon vazhdimisht banorët e saj. Në mënyrë që bota të ruhet prej vdekshmërisë së krijuesve dhe banorëve të saj, ajo duhet të ripërtërihet vazhdimisht. Problemi është thjesht i tillë që procesii arsimimit të jetë i aftë të ndreqë atë që prishet, ndonëse një gjë të tillë, natyrisht, ndoshta nuk sigurohet kurrë. Shpresa jonë varet gjithmonë në atë që sjell të re çdo brez i ri, por pikërisht pse ne i mbështesim shpresat tona vetëm në këtë fakt, gjithçka shkatërrohet, në qoftë se përpiqemi të kontrollojmë të renë, që ne të vjetrit mund të diktojmë se ç’pamje duhet të ketë. Arsimi duhet të jetë konservator, pikërisht për hir të asaj që është e re dhe revolucionare në çdo fëmijë; ai duhet të dijë të ruajë këtë të re në një botë të vjetër, veprimet e së cilës, sado revolucionare që të jenë, janë gjithmonë, prej këndshikimit të brezit pasardhës, të tejkaluara dhe pranë shkatërrimit.

IV

Vështirësia reale në fushën e arsimit të sotëm qëndron në faktin se pavarësisht prej diskutimeve bashkëkohore në modë rreth konservatorizmit të ri, në kohën tonë është jashtëzakonisht e vështirë të arrihet qoftë edhe një minimum ruajtjeje dhe qëndrimi konservator, elemente pa të cilat arsimimi është thuajse i pamundur. Një konkluzion i tillë përcaktohet prej disa arsyesh. Kriza e autoritetit në fushën e edukimit është e lidhur ngushtë me krizën në fushën e traditës d.m.th me krizën që ka të bëjë me qëndrimin tonë ndaj së kaluarës. Ky aspekt i krizës së sotme për edukatorët është i vështirë të përballohet, sepse siç dihet, është detyrë e tyre të ndërmjetësojnë midis së resë dhe së vjetrës, duke bërë në këtë mënyrë që profesioni i tyre të kërkojë një respekt të jashtëzakonshëm për të kaluarën. Për shekuj me radhë, d.m.th. gjatë periudhës së gërshetuar të qytetërimit greko-romak, mësuesve nuk u kërkohej të ishin të vetëdijshëm për këtë cilësi të veçantë, pasi nderimi dhe respekti për të kaluarën ishte pjesë e qenësishme e kaudrit të mentalitetit romak dhe një gjë e tillë, nuk u ndryshua dhe as mori fund me Krishtërimin, por thjesht u shkri në qytetërimet e tjera.
Ishte pjesë themelore e qëndrimit romak (ndonëse një gjë e tillë nuk ishte kurrsei e vërtetë për çdo qytetërim, madje as për traditën perëndimore të marrë në tërësi) që e kaluara të konsiderohej si model i të parëve, në çdo rast, dhe si burim shembujsh frymëzimi për pasardhësit e tyre; të besosh që çdo madhështi qëndron në atë që ka ekzistuar më parë e që për pasojë, mosha më e përshtatshme është mosha e kaluar, pra njeriu i thyer në moshë mund të shërbejë si model për të tjerët. E gjitha kjo është në kontradiktë jo vetëm me botën tonë dhe me periudhën e Rilindjes deri në kohët moderne, por për shembull, edhe me vetë qëndrimin grek ndaj jetës. Kur Gëtja thoshte se të plakesh do të thotë “të tërhiqesh gradualisht prej botës së shfaqjeve”, fjalët e tij hyjnë në kontekstin e filozofisë greke, për të qenia dhe shfaqja përkojnë. Sipas qëndrimit romak pikërisht duke u plakur dhe duke u zhdukur ngadalë prej bashkësisë së të vdekurve, individi arrin formën e tij më karakteristike të qenies, ndonëse, lidhur me botën e shfaqjes ai ndodhet në procesin e zhdukjes; vetëm në këtë fazë ai arrin atë moment të ekzistencës, kur mund të bëhet një autoritet për të tjerët.
Duke ruajtur të paprekur sfondin e një tradite të tillë, në të cilën arsimi ka një funksion politik (dhe ky është një rast i pashoq), është krahasimisht e lehtë për të realizuar atë që duhet të bëhet në fushën e arsimit, madje edhe pa u ndalur fare për të marrë parasysh atë që bëhet, pasi e tillë është shkalla e përputhjes së ethos-it specifik të parimit të arsimit me bindjet themelore etike dhe morale të shoqërisë në përgjithësi. Të arsimosh dikë, sipas fjalëve të Polibit, është thjesht “t”i japësh dikujt mundësinë për të parë dhe për të qenë me po aq vlerë sa edhe stërgjyshërit tanë” dhe në këtë drejtim, edukatori duhet të jetë një “shok-kundërshtues” dhe një “bashkëshok pune”, pasi edhe ai, ndonëse në një tjetër nivel e ka çarë jetën e vet me shikimin ndaj të kaluarës. Shoqëria dhe autoriteti, në këtë rast, nuk janë veçse dy anët e së njëjtës çështje dhe autoriteti i mësimdhënësit mbështetet thellësisht në autoritetin e së kaluarës. Sot, sidoqoftë nuk ndodhemi më në këtë pozicion dhe do të ishte disi e pakuptimtë të vepronim si të ishin larguar aksidentalisht prej rrugës së drejtë, por me mundësinë dhe lirinë për t’u rikthyer përsëri në të. Një gjë e tillë do të thotë se sa herë që kriza ka pllakosur botën moderne, individi as nuk mund të ecë përpara dhe as të kthehet prapa. Një përmbysje e tillë nuk na shpie asgjëkundi, me përjashtim të të njëjtës gjendje, prej së cilës ka lindur kriza. Kthimi do të ishte thjesht një provë gjenerale – ndoshta e ndryshme në formë, pasi nukka budallallëk më të madh dhe nocion më tekanjoz sesa ai që thuhet rreth diçkaje se përbën fjalën e fundit të shkencës. Nga ana tjetër, thjesht këmbëngulja, jo reflektive, qoftë kur ajo rëndon krizën apo bashkangjitet rutinës me mendimin se kriza nuk do të përfshijë sferën e saj të veçantë të jetës, do të shpinte, në varësi të rrjedhës kohore, vetëm në rrënim; për të qene më të saktë, ajo do të shtonte atë largim prej botës, që na kërcënon aktualisht nga të gjitha krahët. Konsiderata rreth parimeve të arsimit duhet, gjithashtu, të mbajë parasysh këtë proces largimi prej botës, madje këtu mund të supozohet se ballafaqohemi me një proces automatik me kusht që të mos harrohet se ky proces mund të zhvillohet vetëm brenda pushtetit të mendimit dhe veprimit njerëzor, i vetmi i aftë të ndërpresë dhe të ndalë procese të tilla.
Çështja e arsimit në botën moderne qëndron në faktin se prej vetë natyrës së vet ai nuk mund të anashkalojë as autoritetin e as traditën, ndërkohë që duhet të zhvillohet në një botë që nuk është as e strukturuar prej autoritetit dhe as mbahet në këmbë prej traditës. Sidoqoftë, një gjë e tillë do të thoshte se jo vetëm mësuesit dhe edukatorët, por të gjithë ne, për sa kohë jetojmë në të njëjtën botë me fëmijët tanë dhe brezin e ri, duhet të adoptojmë ndaj tyre një qëndrim rrënjësisht të ndryshëm prej atij që mbajmë ndaj njëri-tjetrit. Ne duhet të ndajmë përfundimisht fushën e arsimimit prej elemeneteve të tjera, kryesisht atyre të jetës publike dhe politike, me qëllim që të zbatojmë vetëm në kuadër të saj një koncept autoriteti dhe një qëndrim ndaj të kaluarës që i përshtatet brezit të ri, por që nuk kanë një vlerë të përgjithshme dhe që nuk mund të pretendohen në përgjithësi prej botës së brezave të rritur.
Në praktikë, pasoja e parë e një veprimi të tillë është të kuptohet qartë se funksioni i shkollës është të mësojë fëmijët se si është bota në të cilën ata jetojnë dhe do t’u mësojë atyre artin e të jetuarit. Meqenëse bota është e vjetër, gjithmonë më e vjetër sesa ata, mësimi orientohet pashmangshmërisht drejt së kaluarës, pavarësisht sesa e gjatë do të jetë jeta e individit në të tanishmen. Së dyti, vija ndarëse midis fëmijëve dhe të rriturve do të thotë se as të rriturit dhe as fëmijët, përkatësisht, nuk mund të edukohen dhe as të trajtohen si të ishin të rritur; por asnjëherë nuk duhet lejuar që kjo vijë të kthehet në një mur ndarës midis fëmijëve dhe bashkësisë së të rriturve, duke krijuar përshtupjen se ata nuk jetojnë në të njëjtën botë dhe se fëmijët gëzojnë një gjendje autonome njerëzore, të aftë të jetojnë sipas ligjeve të tyre. Rrëzimi i vijës ndarëse midis fëmijëve dhe të rriturve, si rregull i përgjithshëm, nuk mund të përcaktohet prej një rregulli të përgjithshëm; ai ndryshon shpesh, në funksion të modës, nga një vend në tjetrin, prej një qytetërimi në një tjetër e gjithashtu, nga individi në individ. Por mësimdhënia, në dallim prej të nxënit, duhet të ketë një fund të parashikueshëm. Në qytetërimin tonë, ky fund, me shumë të ngjarë përkon me diplomimin prej shkollës së mesme, sepse përgatitja profesionale në universitete apo në shkollat teknike, ndonëse ka të bëjë me arsimimin, në vetvete është një lloj specializimi. Kjo gjë nuk ka për qëllim të fusë të rinjtë në këtë botë si një e tërë, por më tepër t’i vendosë ata përkundrejt një segmenti të caktuar e të kufizuar të saj. Nuk mund të kryhet procesi i edukimit pa kryer njëkohësisht procesin e mësimdhënies; një edukim, pa përpjekjen për të mësuar, është i zbrazët dhe për pasojë degjeneron lehtësisht në një retorikë moralo-emocionale. Por dikush mund të japë mësim, pa edukuar, sikurse mund të ndodhë që dikush mund të lexojë e të mësojë deri në fund të jetës së tij, pa arritur të edukohet dhe të arsimohet. Sidoqoftë, të gjitha këto janë konkluzione të veçanta, që mund t’u lihen ekspertëve dhe pedagogëve.
Ajo që është me interes për të gjithë ne dhe nuk mund të lihet vetëm në dore të shkencës së pedagogjisë është, në përgjithësi marrëdhënia midis të rriturve dhe fëmijëve, ose në rast se do të shpreheshim me terma më të përgjithshme e të sakta, është qëndrimi ynë ndaj faktit të lindshmërisë: fakti që ne të gjithë kemi ardhur në këtë botë përmes procesit të lindjes dhe se kjo botë ripërtërihet vazhdimisht vetëm përmes procesit të lindjes. Arsimimi dhe edukimi përbëjnë atë pikë që përcakton nëse do e duam aq shumë botën në të cilën jetojmë, sa të marrim përsipër përgjegjësi për të dhe në të njëjtin kuadër dhe frymëzim për ta shpëtuar atë prej atij rrënimi, i cili, përveç, ripërtëritjes, apo mbërritjes në të të brezit të ri, është i pashmangshëm. Njëkohësisht, arsimimi dhe edukimi është ajo pikë, ku ne kuptojmë nëse i duam aq fëmijët tanë sa për të mos i dëbuar prej botës sonë dhe për të mos i braktisur në zgjidhjet e tyre të jetës dhe as për t’u mos hequr nga duart fatin për të ndërmarrë diçka të re, diçka të paparashikuar prej nesh, por për t’i përgatitur qysh më parë për të marrë përsipër detyrën e ripërtëritjes së një bote të përbashkët.