Nacionalizmi, patriarkalizmi dhe lufta në ish–Jugosllavi
Përkthyesja: Arbnora Dushi
PËRMBLEDHJE Ky artikull, i shkruar derisa zhvillohej lufta në ish – Jugosllavi, pretendon t’i bëjë një analizë mizorisë që ishte bërë atje. Thuhej se propaganda e luftës që bënin mediat kishte provokuar te secili grup specifik apo ‘komb’, gjendjen e luftës. Në veçanti, ideologjitë e ndryshme nacionaliste promovonin një maskulinitet agresiv dhe të dhunshëm, sjelljet barbare të të cilit justifikoheshin në emër të ‘çështjes kombëtare’. Kur të drejtat e njeriut asgjësohen në këtë drejtim, të drejtat e femrave shuhen fare dhe femrat shihen jo më shumë se gra dhe nëna, të cilat ushqejnë dhe rrisin mbrojtësit e ardhshëm të kombit. Mungesa e femrave nga proceset vendim-marrëse politike është e paraqitur poashtu përmes tri shpjegimeve. Mbi të gjitha, thuhet se nën rrethanat e luftës, një definim i qartë gjinor zhvillohet kur mashkujt kryesisht janë të orientuar në fushëbetejë e femrat në shtëpi.
Është skajshmërisht e vështirë, e dhembshme, madje edhe e ligë të shkruhet për situatën ‘rreth’ ish – Jugosllavisë tani kur monstruoziteti i luftës e tregoi fytyrën e vet të shëmtuar dhe të frikshme. Të jem e sinqertë, unë ndihem e sëmurë dhe e hidhëruar për shkak të thellësisë së mizorive që i kanë përfshirë njerëzit e njohur më parë si ‘normalë’ dhe të ‘rëndomtë’, njerëzit që ishin tolerantë ndaj fqinjëve të tyre. Por unë do të përpiqem të lë mënjanë ankthet personale dhe të shkruaj një artikull ‘të arsyeshëm’, i cili mund t’ju bëjë të kuptoni diçka nga kjo luftë e egër dhe johumane.
Në Evropën lindore, lëkundjet nga socializmi totalitar tani kanë kaluar në mënyrë ekstreme drejt nacionalizmit, konceptit të thjeshtë të ‘demokracisë’. Aq shumë shtypje, dimensione të ndaluara ose të zvogëluara të shoqërisë sonë nën socializëm, tani janë liruar dhe shprehur në një formë ekstreme të një nacionalizmi agresiv, religjioz, fundamentalizëm dhe demokraci anti-socialiste. Ish – Jugosllavia, për shkak të strukturës së saj multinacionale e multietnike, është përballur me një rritje enorme të nacionalizmit dhe shovenizmit kështuqë ne tani e kemi ‘kombin tjetër – armik’.
Në një vend aq të ndarë në të cilin unë jetoj tani, ku udhëtimi nuk është i sigurtë, bëhet jetë e vetmuar dhe e mbyllur në shtëpi. Dhe me një propagandë që i bëjnë mediat luftës, specifike për secilin komb, ne i ekspozohemi një redakture të paturp dhe versioneve të adaptuara të ngjarjeve të cilat i thellojnë edhe më tepër hendeqet midis kombeve. Askush nuk e di aktualisht se çka po ndodh në të vërtetë në ‘anën tjetër’. Mesazhet e manipuluara nga mediat e shkurtojnë të vërtetën në mënyrë të pamëshirshme ashtu që të dëshmojnë synimin – se ndaj ‘vetes’, ‘kombit tonë’ dhe ‘çështjes sonë’ kemi obligim moral të luftojmë dhe të mbrojmë të drejtat tona.
Në të njëjtën kohë, është me rëndësi ta kemi në mendje pozitën e gruas në të ashtuquajturën tonë ‘demokraci e re’. Ajo që brengos është mungesa e femrës në proceset politike vendim-marrëse madje edhe në çështjet (si aborti p.sh.) që i përkasin asaj drejtpërdrejt. Kështu, në zgjedhjet e lira parlametare tani, femrat kanë 13% të anëtareve në Slloveni, 4.5% në Kroaci, 4% në mal të Zi, 3.3% në Maqedoni, 2.9% në Bosnje e Hercegovinë dhe vetëm 1.6% në Serbi. Femrat, megjithatë, përbëjnë një numër substancial të qindra e mijëra refugjatëve.
Arsyet e mungesës së femrave në jetën politike janë të shumta dhe unë do të përqendrohem vetëm në tri prej tyre. Së pari, 50 vjet të socializmit i kanë përmbajtur femrat dhe i kanë bërë pasive. Femrave u janë dhënë disa të drejta substanciale si: punësimi, divorci, aborti dhe është thënë se socializmi e ka zgjidhur ‘problemin e femrës’. Por, siç e dimë të gjithë, nuk i ka dhënë liri femrës, por e ka bërë të adaptueshme atë në sistemin patriarkal dominant, mbi të cilin ishte ndërtuar socializmi. Socializmi ishte një konglomerat i elementeve të ndryshme sociale e ideologjike që ishin komunizmi, maskuliniteti, patriarkalizmi dhe autoritariteti. Kjo për femrën ishte një përzierje shumë specifike e të drejtave ligjore progresive dhe një patriarkalizëm këmbëngulës, i cili qeveriste me fatin e saj për çdo ditë. Për pasojë, femra nuk kishte një përvojë efektive politike, as mjete apo strategji politike që do t’i sillnin dobi atëherë kur do të vendoseshin transformimet e reja demokratike. Së dyti, një lëvizje e fuqishme autonome e femrës, e cila do të ofronte trajnime alternative për zhvillimin e shkathtësive politike, nuk ishte zhvilluar në ish – Jugosllavi. Edhepse ishin formuar disa grupe feministe, sidomos nga mesi i viteve ’70 ishin margjinale në strukturat politike dhe kishin tërhequr vetëm një pakicë e assesi shumicën e femrave. Së treti dhe më e rëndësishmja, shumica e partive të reja politike, avokojnë një formë ekstreme të nacionalizmit që është militant dhe seksist dhe në të vërtetë mbi të drejtat njerëzore. Cilido që ka provuar të kundërshtojë këtë tip të ri të totalitarizmit është quajtur tradhtar. Gjuetia e shtrigave të mendjes së pavarur individuale shihet si e rëndomtë në një fushë ku nuk shërbehen interesat kombëtare.
Ky ish – shtet në një kohë ishte i pasur me përzierje multinacionale e multietnike të kulturave dhe identiteteve. Ishte po ashtu më pak totalitar se vendet e tjera socialiste të bllokut të lindjes. Tani është bërë vend i ferrit, i trupave të vdekur e të gjymtuar. Dhe këta trupa as nuk mund të pushojnë në paqe, por duhet të shihen në televizion për të dëshmuar sa djallëzore është ‘pala tjetër’, përderisa barbaritë e kryera nga ‘ana jonë’ fshehen me shumë kujdes. Kjo është luftë që nuk respekton rregulla, luftë ku çdo gjë lejohet – përveç humanitetit. Jeta njerëzore nuk ka vlerë dhe kjo është ana monstruoze e kësaj lufte.
Dhe kur të drejtat e njeriut asgjësohen në këtë mënyrë, të drejtat e femrës në veçanti shuhen fare, sepse në çdo ideologji nacionaliste femrat janë të nënshtruara dhe të kufizuara vetëm për të qenë nëna e kujdestare të fëmijëve të vegjël, shtylla vitale të rritjes dhe edukimit të sa më shumë meshkujve të cilët në të ardhmen do të jenë mbrojtës të kombit. Ndonjë koncept për lirinë e femrës zhduket, meqë tani meshkujt janë në fushëbeteja. Ankthet të cilat vetëm kemi mund t’i imagjinojmë në ëndrrat tona më të egra, tani na ndodhin neve. Më së paku jemi njerëz; ekzistenca jonë është e kthyer në përpjekjen për të mbetur gjallë në pritje të më të keqes.
Irracionaliteti i pabesueshëm, mizor, i paturpshëm dhe i marrë, i propandës për luftës, që bënin mediat, qëllim themelor e kishte keqinformimin ashtuqë të provokonin gjendje lufte ndaj kombit tjetër. Objektivi i kësaj ishte që t’i shynte njerëzit e rëndomtë të humbnin gjykimin e shëndoshë në emër të idealit të lartë – çështjes kombëtare. Dhe këto ideologji nacionaliste janë të bazuara në një agresivitet të konstruktuar qëllimshëm dhe në maskulinitet të dhunshëm. Ky tip i maskulinitetit është burim jetësor për anëtarësimin e individëve meshkuj, të cilët janë të aftë t’i bëjnë të gjitha llojet e mizorive – në emër të çështjes ‘së lartë’ kombëtare. Kur je në gjendje të dhunosh, të vrasësh e të presësh, të djegësh trupa njerëzish, të shkatërrosh gjithçka që të del parasysh, nuk mund të jesh një qenie ‘autonome’ njerëzore. Për të qenë në gjendje të bëjë një brutalitet të tillë vdekjeprurës, njeriut ‘normal’ i duhet të humbë individualitetin e tij, kodin etik dhe ndërgjegjen.
Edhepse ka edhe femra që kanë marrë pjesë në beteja, gjuajtje dhe mënyrë militare të jetës, shumica e tyre prapë kanë mbetur, siç kanë qenë më parë; gra dhe nëna. Rregulli gjinor i ka zhvilluar qartë ndasitë e meshkujve dhe femrave në dy zona opozitare – fushëbeteja dhe fushë strehime. Si femra ne jemi tërësisht të parëndësishme dhe të padukshme, përveç në rolin tonë shtëpiak. Ne nuk jemi parë ose dëgjuar si individë të mundshëm, të cilët kanë të drejtë të flasin dhe shprehin mendimet e veta. Lufta është botë e meshkujve, por viktimat e saj janë më së shumti femrat dhe fëmijët.