Nuk mund të ngrë dorën të ndal një taksi

Autorja: Natasha Lako

Nuk mund të ngre dorën të ndal një taksi,
në rrugë, trupi im i ngjan një statuje të mbuluar prej hiri,
të mbetur pa krahë dhe duar.

Nuk mund të ngre dorën të ndal një taksi,
në rrugë, si semaforë, më faniten vetëm këmbët..

Nuk mund të ngre dorën të ndal një taksi,
vetëm rrugën e kam të gjithën prej vetes, më besoni,
tejpërtej del nga kujtimet, nga dhimbjet prej dheu.

Nuk mund të ngre dorën të ndal një taksi,
zogjve u ngjas pak, më besoni,
stërgjyshit tim nga larg.
ujqërve s’e di,
ndoshta të gjitha erërave.

Jam si statuja që kërkon të gjejë
krahët e saj të prerë.

Berlin, 1986