Jetëgrabitësit

Autorja: Natasha Lako

Në fillim ata thanë thjesht:
Merr nga jeta jote atë që na duhet më tepër,
të kemi bërë nder, nga ana jote kemi hedhur zemrën që ke,
të gjitha të tjerat, të gjitha të tjerat , sa shihen sa s’shihen, janë për ne.

Ke për të gëzuar sytë e tu, lëkurën,
ne po të japim gjithçka siç e sheh,
të kemi bërë nder, të kemi quajtur njeri,
të gjitha të tjerat , sa shihen, sa s’shihen janë për ne.

Në qoftë se ti diçka tjetër kërkon,
edhe ne të tjerët do të kërkojmë më,
mbi këtë tokë të zezë, mbi këtë qiell monoton,
të gjitha sa shihen, sa s’shihen janë për ne.

Ne fare mirë do të kërkonim dhe kokën,
si bënte dikur çdo sundimtar mbi dhe,
s’është gjë tjetër veç një pare e vogël,
se të gjitha të tjerat, të gjitha të tjerat, janë për ne.

E në qoftë se kërkoni përsëri pak më tepër,
fjala vjen, drejtësi a një fjalë të re,
të drejtë ne kemi t’ju marrim lëkurën dhe zemrën,
se të gjitha sa shihen, sa s’shihen janë për ne.

Pastaj për të pastruar ndërgjegjen tonë të vrarë,
do të mbajmë një himn jete fjalim,
e kush do të dëgjojë atë që ne thamë,
të gjitha të tjerat, të gjitha të tjerat, janë për ne.