Seksi i dytë
Përkthyesi: Nasi Lera
Kisha kohë që ngurroja të shkruaja një libër për gruan. Subjekti është shumë acarues, sidomos për gratë; dhe nuk është aspak një subjekt i ri. Diskutimi i feminizmit bëri që të rridhte tërë ajo bojë shkrimi dhe tani pothuajse i është vënë pikë: le të mos flasim më për të. E megjithatë, përsëri flitet për të. Dhe as që ka të ngjarë që marrëzitë e pafundme të shpalosura gjatë shekullit të fundit të kenë hedhur sado pak dritë mbi këtë problem. Por lind pyetja: a ka me të vërtetë një problem të tillë? A ka madje gra? Sigurisht që teoria e femërores së përjetshme ka ende ithtarët e vet; ata çuçurisin: “Edhe në Rusi, ato kanë mbetur gra”; por njerëz të tjerë të mirëinformuar – madje nganjëherë po të njëjtët – psherëtijnë: “Gruaja po humbet, gruaja ka humbur”. Tashmë nuk e dimë mirë nëse ka vërtet gra, nëse do të ketë përherë gra, nëse duhet ta dëshirojmë apo jo këtë, ç’vend znë ato në këtë botë, ç’vend duhet të zënë”. “Ku janë gratë?” pyeste jo shumë kohë më parë një revistë që nuk dilte rregulisht.1 Por në fund të fundit: çfarë është gruaja? “Tota mulier in utero: gruaja është një mitër”, thotë njëri. Megjithatë duke folur për disa gra, njohësit thonë hapur: “Ato nuk janë gra”, megjithëse kanë një mitër si gjithë të tjerat. Të gjithë janë të një mendjeje dhe pranojnë se në racën njerëzore ka gra; ato përbëjnë sot, si dikur, pothuaj gjysmën e njerëzimit; e përsëri na thonë se “feminiteti është në rrezik”, dhe na këshillojnë: “Jini gra, qëndroni gra, bëhuni gra.” Pra, çdo qenie njerëzore femër nuk do të thotë se është patjetër grua; për të qenë e tillë duhet të bësh pjesë në atë realitet misterioz dhe të kërcënuar, siç është feminiteti. Të vijë vallë feminiteti nga vezët? apo është ngurtësuar thellë një qielli platonian? Të mjaftojë një këmishë fëshfëritëse për ta detyruar të zbresë në tokë? Megjithëse disa gra përpiqen tërë zell për të qenë mishërimi i femrës, kurrë nuk është bërë i mundur krijimi i një modeli. Ne e përshkruajmë tërë qejf gruan me terma të turbullta dhe vezulluese, që duken sikur janë nxjerrë nga fjalorët e fallxhoreve. Në kohën e shën Thomait ato shfaqen si një thelb i përcaktuar me po atë siguri sa edhe vetia gjumëndjellëse e lulekuqeve. Por konceptualizmi e humbi epërsinë e vet: shkencat biologjike dhe shoqërore nuk besojnë më në ekzistencën e entiteteve të ngulitura në mënyrë të pandryshueshme, që përkufizojnë karaktere të dhëna si ato të gruas, të hebreut apo të zezakut; ato e shohin karakterin si një reagim dytësor ndaj një gjendjeje. Nëse sot nuk ka feminitet, kjo do të thotë se nuk ka patur ndonjëherë. Mos vallë kjo do të thotë se fjala “grua” nuk ka asnjë kuptim? Pikërisht këtë pohojnë me forcë partizanët e filozofisë së dritave, të racionalizmit, të nominalizmit: ndër qeniet njerëzore femra do të jenë vetëm ato që ne i quajmë arbitrarisht me emrin “grua”; veçanërisht amerikanët mendojnë tërë qejf se gruaja si e tillë nuk ka gjëkundi vend: nëse ndonjë e prapambetur e mban ende veten për grua, mikeshat e saj e këshillojnë të shkojë tek psikanalisti për të shpëtuar nga ky mendim i ngulët. Në një vepër, veç të tjerash tepër të mërzitshme, titulluar Modern Women: a lost sex, Dorothy Parker ka shkruar: “Unë nuk mund të jem e një mendjeje me librat që e trajtojnë gruan si femër… Mendimi im është se të gjithë, si burra dhe gra që jemi, duhet të shihemi si qenie njerëzore.” Po nominalizmi është një doktrinë që i bie pak shkurt; dhe antifeministët janë në gjendje të tregojnë se gratë nuk janë burra. Sigurisht që gruaja ashtu si burri është një qenie njerëzore: por një pohim i tillë është abstrakt: e vërteta është se çdo qenie njerëzore konkrete ësthë gjithmonë shumë e përcaktuar. Të mos pranosh nocionet e femërores së përjetshme, të shpirtit zezak, të karakterit hebre, kjo nuk do të thotë të pohosh se sot nuk ka hebrenj, zezakë, gra: ky mohim nuk paraqit për të interesuarit një çlirim, por një shmangie të pasaktë. Është e qartë se asnjë grua nuk mund të mendojë, përveçse me dredhi, të zërë vend përtej seksit të saj. Një shkrimtare e njohur nuk pranoi para disa vitesh që portreti i saj të vihej në një seri fotografish kushtuar pikërisht shkrimtareve gra: donte të radhitej mes burrave; për të përfituar këtë privilegj, ajo shfrytëzoi ndikimin e të shoqit. Gratë që pohojnë se janë njerëz nuk kërkojnë aspak me këtë respektet dhe nderimet mashkullore. Më kujtohet një e re trockiste që qëndronte në podiumin e një mitingu tepër të ndezur dhe që ishte gati të ndeshej me grushta, me gjithë pamjen e saj të brishtë; ajo nuk e pranonte dobësinë e vet femërore; ajo donte të dukej e barabartë, nga dashuria që kishte për një militant. Qëndrimi sfidues me të cilin ngrehosen amerikanet provon se ato i gërryen ndjenja e feminitetit të tyre. Dhe me të vërtetë, mjafton të ecësh me sytë katër për të parë se njerëzimi ndahet në dy kategori individësh, tek të cilët veshjet, fytyra, trupi, buzëqeshjet, përpjekjet, interesat, shqetësimet janë krejt të ndryshme: ndoshta këto ndryshime janë sipërfaqësore, ndoshta ato janë të paracaktuara për t’u zhdukur. Por tani për tani është e sigurtë se ato ekzistojnë me një qartësi verbuese.
Nëse nuk mjafton funksioni si femër për të përkufizuar grauan, nëse gjithashtu nuk pranojmë ta shpjegojmë atë nëpërmjet “femërores së përjetshme” dhe nëse megjithatë pranojmë, qoftë edhe përkohësisht, se mbi tokë ka gra, atëherë mund të pyesim veten: ç’është gruaja?
Vetë parashtrimi i problemit më sjell menjëherë në mend përgjigjen e parë. Shtrimi nga ana ime e kësaj çështjeje është shumë domethënës. Një burri as që do t’i shkonte ndërmend të shkruante ndonjë libër mbi gjendjen e veçantë që zënë në botën njerëzore meshkujt.2 Nëse dua të përcaktoj veten time jam e detyruar të shpall që në fillim: “Unë jam femër”; kjo e vërtetë përbën themelin mbi të cilin do të ngrihet çdo pohim tjetër. Një burrë nuk fillon kurrë të paraqitet si një individ që i përket një seksi: kuptohet vetëvetiu që ai është burrë. Në regjistrat e bashkisë dhe në deklarimet e identitetit, rubrikat: mashkullore, femërore, paraqiten si simetrike në mënyrë krejt formale. Raporti i dy sekseve nuk është ai i dy elektriciteteve, i dy poleve: burri përfaqëson si pozitivin ashtu dhe negativin deri në atë pikë sa ne themi në frëngjisht les hommes3 për të shënuar qeniet njerëzore, duke qenë se kuptimi i fjalës vir4 është shkrirë në kuptimin e përgjithshëm të fjalës homo.5 Gruaja shfaqet aq shumë si negativ sa çdo përcaktim i vishet asaj si kufizim, pa dyanshmëri. Jam acaruar tërë ato herë gjatë diskutimeve abstrakte duke dëgjuar burrat të më thonë: “Ju mendoni kështu sepse jeni grua”, e dija se mbrojtja ime e vetme ishte të përgjigjesha: “Unë mendoj kështu sepse vërtet është kështu”, duke shmangur me kët subjektivitetin tim; as që mund të bëhej fjalë t’ia ktheja: “Dhe ju mendoni të kundërtën sepse jeni burrë”; sepse është e kuptueshme, fakti i të qenit burrë nuk është një veçanti; një burrë është në të drejtën e vet duke qenë burrë, është gruaja ajo që e ka gabim. Në të vërtetë, ashtu si për të lashtët kishte një vertikale absolute në raport me të cilën përcaktohej pjerrësia, po ashtu ka një tip njerëzor absolut, që është tipi mashullor. Gruaja ka vezore, ka mitër, ja kushtet e veçanta që e mbyllin brenda subjektivitetit të saj; thuhet tërë dëshirë se ajo mendon me gjendrat e veta.
Çuditërisht burri harron se edhe trupi i tij ka hormone, ka herdhe. Ai e kupton trupin e vet si një lidhje të drejtpërdrejtë dhe normale me botën, të cilën kujton se e ka mbërthyer në objektivitetin e vet, ndërkohë që e sheh trupin e gruas si të rënduar nga gjithçka që e specifikon atë: si një pengesë, si një burg. “Gruaja është grua për hir të njëfarë mungese cilësish”, thoshte Aristoteli. “Ne duhet ta shohim karakterin e grave si diçka që vuan nga një cen natyror.” Dhe pas tij, shën Thomai shpall se gruaja është një “burrë i dështuar”, një qenie “rastësore.” Pikërisht këtë gjë simbolizon historia e Gjenezës, ku Eva paraqitet si e nxjerrë, sipas fjalëve të Bossuetsë, nga një “kockë e tepërt” e Adamit. Njerëzimi është mashkullor dhe burri e përkufizon gruan jo në vetvete por në raport me burrin: ajo nuk shihet si një qenie e pavarur. “Gruaja, qenie relative…”, shkruan Michelet. Tek Raporti i Urielit zoti Benda pohon kështu: “Trupi i njeriut ka në vetvete një kuptim, me përjashtim të trupit të gruas, i cili ngjan i zhveshur nga çdo kuptim, poqese nuk kemi parasysh mashkullin… Burri kuptohet pa gruan. Ajo nuk mund të kuptohet pa burrin.” Dhe gruaja nuk është gjë tjetër veçse ashtu si vendos për të burri; kështu ne e quajmë “seks” duke dashur të themi me këtë se ajo i duhet medoemos mashkullit si një qenie me seks: për të ajo është seks, pra patjetër që ekziston. Ajo përcaktohet dhe dallohet në raport me burrin dhe jo ky në raport me gruan; ajo është jothelbësorja përballë thelbësores. Ai është Subjekti, ai është Absolutja: ajo është Tjetri.6
Kategoria e Tjetrit është po aq origjinale sa edhe vetë ndërgjegjja. Në shoqërinë më primitive, në mitologjitë më të lashta, gjejmë përherë një dysi: Unë Vetë dhe Tjetri; në fillim kjo ndarje nuk është vendosur nën shenjën e ndarjes së sekseve, ajo nuk varet nga asnjë e dhënë empirike: pikërisht kjo gjë del, mes të tjerash, nga punimet e Granetsë mbi mendimin kinez, nga ato të Dumézilit mbi Indinë dhe Romën. Në çiftet Varuna-Mitra, Urani-Zeusi, Dielli-Hëna, Dita-Nata, në fillim nuk është përzier asnjë element femëror; aq më pak në kundërshtinë E Mirë-E Keqe, të principeve të lumturisë dhe të kobit, të së djathtës dhe së majtës, të Zotit dhe të Djallit; ndryshimi është një kategori themelore e mendimit njerëzor. Asnjë bashkësi nuk është përcaktuar kurrë si Njëra pa vendosur menjëherë përballë vetes Tjetrën. Mjaftojnë tre udhëtarë të bashkuar rastësisht në të njëjtën kabinë treni, që gjithë udhëtarët që nuk janë në atë kabinë të bëhen në të njëjtën kabinë treni, që gjithë udhëtarët që nuk janë në atë kabinë të bëhen “të tjerët” paksa armiqësorë. Për fshatarin, të gjithë njerëzit që nuk i përkasin fshatit të tij janë “të tjerë” të dyshimtë; për banorin e një vendi, banorët e vendeve të tjera duken si “të huaj”; hebrenjtë janë “të tjerë” për antisemitët, zezakët për racistët amerikanë, banorët vendas për kolonët, punëtorët për klasat sunduese. Në fund të një studimi të thellë për figurat e ndryshme të shoqërive primitive, Lévi-Strauss ka arritur në përfundimin: “Kalimi nga gjendja e Natyrës në gjendjen e Kulturës përcaktohet nga aftësia e njeriut për t’i menduar lidhjet biologjike në formën e sistemeve të kundërshtive: dysia, alternimi, kundërshtia dhe simetria, që ato paraqesin në forma të përcaktuara turbull, janë më shumë dukuri që duan sqaruar sesa të hëna themelore dhe të atypëratyshme të realitetit shoqëror.”7 Këto dukuri nuk do të kuptoheshin nëse realiteti njerëzor do të ishte vetëm një Mitsein i bazuar tek solidariteti dhe miqësia. Përkundrazi, çështja ftillohet nëse, duke ndjekur Hegelin, zbulojmë tek vetë ndërgjegjja një armiqësi themelore ndaj çdo ndërgjegjeje tjetër: subjekti qëndron vetëm duke u kundërvënë: ai synon të afirmohet si thelbësor dhe ta kthejë tjetrin në jothelbësor, në objekt.
Vetëm ndërgjegjja tjetër i vë atij përballë një kërkesë të dyanshme: në udhëtim banori i një vendi vëren i skandalizuar se në vendet fqinje ka banorë që nga ana e tyre e shohin si të huaj; midis fshatrave, klaneve, kombeve, klasave ka luftra, profanime, pazare, marrëveshje, luftra që i heqin idesë së Tjetrit kuptimin e tij absolut, duke zbuluar kështu relativitetin e tij; me dashje apo pa dashje individët dhe grupet janë të shtrënguar të njohin reciprocitetin e lidhjes së tyre. Pra si i bëhet që midis sekseve ky reciprocitet nuk ka qenë vendosur, që një nga termat të jetë pohuar si thelbësorja e vetme, duke mohuar çdo relativitet në lidhje me korresponduesin e saj, duke e përcaktuar këtë si një ndryshim të pastër? Përse nuk e kundërshtojnë gratë sovranitetin mashkullor? Asnjë subjekt nuk pohohet menjëherë dhe vetvetiu si jothelbësori; nuk është Tjetri që duke u përcaktuar si Tjetri përcakton Njërin: ai pohohet si Tjetri ashtu si Njëri pohohet si Njëri. Por që të mos kryhet kthimi i Tjetrit në Njëri, duhet që ai t’i nënshtrohet pikëpamjes së huaj. Prej nga buron ky nënshtrim te gruaja?
Ekzistojnë raste të tjera ku, gjatë një kohe pak a shumë të gjatë, njëra kategori ka arritur të sundojë krejtësisht një tjetër. Këtë privilegj e jep shpesh pabarazia numerike: shumica e imponon ligjin e vet pakicës ose e persekuton atë. Por gratë nuk janë si zezakët e Amerikës a si hebrenjtë, një pakicë: mbi tokë ka aq gra sa edhe burra. Shpesh edhe grupet e pranishme kanë qenë në fillim të pavarura: herëpashere nuk e njihnin njëri-tjetrin ose secili grup pranonte pavarësinë e tjetrit; dhe ishte një ngjarje historike ajo që e vuri më të dobëtin në vartësi të më të fortit: diaspora e hebrenjve, futja e skllavërisë në Amerikë, pushtimet koloniale janë fakte të datuara. Në këto raste, për të shtypurit ka patur një më parë: ata kanë të përbashkët një të kaluar, një traditë, jo rrallë një fe, një kulturë. Në këtë kuptim afrimi që bën Bebeli midis grave dhe proletariatit, do të ishte diçka e bazuar mirë: proletarët nuk janë më në pakicë numerike dhe nuk kanë përbërë kurrë një bashkësi të ndarë. Megjithatë në mungesë të një ngjarjeje, është zhvillimi historik ai që shpjegon ekzistencën e tyre si klasë dhe që bën të bjerë në sy shpërndarja e këtyre individëve në këtë klasë. Nuk ka patur gjithmonë proletarë: porse ka pasur përherë gra; ato janë gra për nga ndërtimi i tyre psikologjik; ato i gjen përherë të varura nga burri, sa më thellë të zhytesh në histori; vartësia e tyre nuk është pasojë e një ngjarjeje apo e një ndryshimi, kjo gjë nuk ndodhi. Që ndryshimi shfaqet këtu si një absolut, kjo ndodhi pjesërisht sepse i shpëtoi karakterit rastësor të faktit historik. Një gjendje që krijohet gjatë një kohe mund të shpërbëhet në një kohë tjetër: mes të tjerash, këtë e kanë provuar saktë zezakët e Haitit; përkundrazi, duket sikur një kusht natyror e sfidon ndryshimin. Në të vërtetë, sikurse realiteti historik, natyra nuk është një e dhënë e pandryshueshme. Nëse gruaja zbulohet si një jothelbësore që nuk mund të kthehet kurrë në thelbësore, kjo ndodh sepse këtë kthim nuk e përpunon vetë ajo. Punëtorët thonë “ne”. Edhe zezakët. Duke qëndruar si subjekte ata i kthejnë në “të tjerë” borgjezët, të bardhët. Gratë – përveçse në disa kongrese që mbeten manifestime abstrakte – nuk thonë “ne”; burrat thonë “gratë” dhe ato i rimarrin këto fjalë për të shënuar vetveten; por ato nuk e vendosin veten me të vërtetë si Subjekt. Punëtorët bënë revolucionin në Rusi, zezakët në Haiti, indokinezët luftojnë në Indokinë: veprimtaria e grave ka qenë gjithmonë vtëm një lëvizje simbolike; ato kanë fituar ç’kanë dashur t’u japin burrat: ato nuk kanë marrë gjë vetë: vetëm kanë pranuar. Kjo ka ndodhur sepse ato nuk kanë gjetur mënyrat konkrete për t’u bashkuar në një bashkësi, që do të qëndronte duke u kundërvënë; ato nuk kanë, si punëtorët, një solidaritet pune dhe interesash; mes tyre madje nuk është as ajo përzierje hapësinore që u krijon një bashkësi zezakëve të Amerikës, hebrenjve të getove, punëtorëve të Saint-Denisë apo të uzinave të Renaultsë. Ato jetojnë të shpërndara mes burrave, të lidhura pas shtëpisë, punës, interesave ekonomike, kushteve shoqërore të disa burrave – babait ose bashkëshortit – më ngushtësisht se pas grave të tjera. Borgjezet janë përkrah borgjezeve dhe jo përkrah grave punëtore; të bardhat me burrat e bardhë dhe jo me gratë zezake. Proletariati mund të dojë të masakrojë klasat drejtuese; një hebre, një zezak fanatik, mund të ëndërrojnë të shtien në dorë të fshehtën e bombës atomike dhe të kthejnë tërë njerëzimin në hebre apo në zezak; gruaja as edhe në ëndërr nuk e shfaros mashkullin. Lidhja që e bashkon me shtypësin e saj nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Në të vërtetë ndarja e sekseve është një e dhënë biologjike dhe jo një moment i historisë njerëzore. Kundërshtia e tyre është formuar në gjirin e një Mitsein-i origjinal, të cilin ajo nuk e ka thyer. Çifti është një njësi themelore në të cilën të dy gjysmat janë mbërthyer njëra me tjetrën: çdo ndarje e shoqërisë në sekse është e pamundur. Këtu qëndron ajo që e karakterizon në mënyrë të veçantë gruan: ajo është Tjetri në zemrën e një tërësie ku të dyja termat janë të domosdoshme për njëra-tjetrën.
Ne do të mendonim se ky reciprocitet do ta lehtësonte çlirimin e gruas: kur Herkuli tjerr lesh në këmbët e Omfalës, bëhet rob i dëshirës së saj: përse Omfala nuk ka mundur të fitojë një pushtet të qëndrueshëm? Për t’u hakmarrë me Jasonin Medea vret fëmijët e vet: kjo legjendë e egër na thotë se nga lidhja që e bashkon me fëmijët gruaja do të kishte mundur të përfitonte një pushtet të frikshëm. Aristofani ka përfytyruar me shaka te Lisitrata një bashkësi grash ku ato përpiqen të shfrytëzojnë për qëllime shoqërore nevojën që kanë burrat për to: por kjo nuk është veçse një komedi. Legjenda që tregon se Sabinat e rrëmbyera u kundërvënë rrëmbyesve të tyre një shterpësi kokëfortë, tregon gjithashtu se, duke i fshikulluar me rripa lëkure, burrat kanë patur më shumë të drejtë sesa qëndresa e tyre. Nevoja biologjike – dëshira seksuale dhe dëshira për një pasaardhës – që e vendos mashkullin nën varatësinë e femrës nuk e ka çliruar nga ana shoqërore gruan. Edhe pronari dhe skllavi janë të lidhur nga një nevojë e dyanshme ekonomike, që nuk e çliron skllavin. Sepse në lidhjen e pronarit me skllavin, pronari nuk vendos nevojën që ka për tjetrin; për të kënaqur këtë nevojë ai ka në dorë pushtetin dhe nuk e ndërmjetëson atë; përkundrazi, skllavi tek vartësia, shpresa apo frika, fut nevojën që ka për pronarin; nevoja e ngutshme, qoftë edhe e njëjtë për të dy, luan përherë në favor të shtypësit ndaj të shtypurit: pikërisht kjo gjë shpjegon, për shembull, përse ka qenë kaq i ngadaltë çlirimi i klasës punëtore. Gruaja ka qenë gjithmonë në mos skllave e burrit të paktën vasalja e tij; të dy sekset nuk e kanë ndarë kurrë botën në mënyrë të barabartë; madje edhe sot, megjithëse gjendja e saj ësthë duke bërë përpara, gruaja është tepër e gjymtuar. Pothuaj në asnjë vend statuti i saj legal nuk është i njëjtë me atë të burrit dhe shpesh ai e vendos në një gjendje mjaft të pafavorshme. Edhe kur i janë njohur në mënyrë abstrakte të drejtat, ato i pengon një zakon i vjetër, që nuk i lejon të gjejnë në jetë shprehjen e tyre konkrete. Burrat dhe gratë përbëjnë ekonomikisht gati dy kasta; në të gjitha gjërat e barabarta, të parët kanë pozita më të mira, rroga më të larta, kanë më shumë mundësi për sukses se kundërshtaret e tyre të kohëve të fundit; ata zënë në industri, në politikë etj., një vend shumë të madh dhe janë ata që mbajnë postet më të rëndësishme. Përveç pushteteve konkrete që zënë, ata janë të veshur me një prestigj të cilin e sigurojnë tradicionalisht që në fëmijëri: e tanishmja mbështjell të shkuarën dhe në të shkuarën gjithë historinë e kanë bërë meshkujt. Në çastin kur gratë fillojnë të marrin pjesë në përpunimin e botës, ajo është ende një botë që u përket burrave: ata as që dyshojnë për këtë, ato dyshojnë me vështirësi. Të mos pranosh të jesh Tjetri, të mos pranosh bashkëfajësinë me burrin, kjo do të thotë për to të heqin dorë nga gjithë të mirat që mund t’u japë bashkimi me kastën e lartë. Burri feudal do ta mbrojë materialisht gruan-vasale dhe ai do të kujdeset të përligjë ekzistencën e saj: bashkë me rrezikun ekonomik ajo do të mënjanojë rrezikun metafizik të një lirie që duhet të sajojë qëllimet e veta pa ndonjë ndihmë. Në të vërtetë, pranë pretendimit të çdo individi për t’u afirmuar si subjekt, që është një pretendim etik, gjejmë po ashtu tek ai përpjekjen për të shmangur lirinë e vet dhe për t’u kthyer në send: kjo është një rrugë e kobshme, sepse duke qenë pasiv, i tjetërsuar, i humbur, individi bëhet atëherë pre e dëshirave të huaja, i shkëputur nga përsosmëria e tij, i zhveshur nga çdo vlerë. Por kjo është një rrugë e lehtë: ne shmangim në këtë mënyrë ankthin dhe tensionin e të qenit me të vërtetë të përgjegjshëm. Burri që e krijon gruan si një Tjetër do të hasë tek ajo bashkëfajësi të mëdha. Kështu, gruaja nuk do të shpaloset si subjekt, sepse nuk ka për këtë mjetet konkrete, sepse dëmton lidhjen e domosdoshme që e lidh me burrin, pa vendosur për këtë reciprocitetin dhe sepse shpesh asaj i pëlqen vetja në rolin e Tjetrit.
Por menjëherë lind pyetja: si ka filluar gjithë jo histori? Ne e kuptojmë se, dysia e sekseve, si çdo dysi, është shfaqur nga një konflikt. N e kuptojmë se, nëse njëri nga të dy arrin të vendosë epërsinë e vet, kjo duhet të vendoset si diçka absolute. Na mbetet të shpjegojmë se në fillim ka qenë burri ai që ka fituar. Duket sikur gratë kishin mundësi të arrinin fitoren; ose lufta nuk do të mundej të zgjidhej ndonjëherë. Prej nga buron mendimi se kjo botë u ka përkitur gjithmonë burrave he se vetëm tani gjërat kanë nisur të ndryshojnë? A është diçka e mirë ky ndryshim? A do të arrijë apo jo ky ndryshim në një ndarje të barabartë të botës midis burrave dhe grave?
Këto pyetje nuk janë aspak të reja: tashmë ato kanë marrë tërë ato përgjigje; por pikërisht e dhëna e vetme se gruaja është Tjetri kundërshton gjithë përligjjet që burrat kanë mundur të japin për këtë: sigurisht që këto përligjje kanë qenë të diktuara nga interesat e tyre. “Gjithçka që është shkruar nga burrat për gratë duhet të jetë e dyshimtë, sepse ata vetë vendosin dhe vetë vulosin”, ka thënë në shekullin XVII Poulen de la Barre, pak i njohur si feminist. Kudo, në çdo kohë, meshkujt kanë shpalosur hapur kënaqësinë që provojnë duke u ndjerë mbretër të krijimit. “Bekuar qoftë Zoti ynë dhe Zoti i gjithë botërave, që nuk më bëri grua”, thoshin në lutjet e tyre mëngjesore hebrenjtë; megjithëse gratë e tyre murmurisnin me bindje: “Bekuar qoftë Zoti, që më krijoi sipas dëshirës së Tij.” Midis mirësive për të cilat Platoni falënderonte perënditë, e para ishte se e kishte krijuar të lirë, e dyta se e kishte krijuar burrë dhe jo grua. Por meshkujt nuk do të gëzoheshin plotësisht nga ky privilegj, po të mos e shihnin atë si të ngulitur tek absolutja dhe përjetësia: ata kanë kërkuar ta kthejnë në një të drejtë këtë epërsi të tyre. “Duke qenë burra, ata që bënë dhe përpiluan ligjet favorizuan seksin e tyre dhe juristët i kthyen ligjet në parime”, thotë përsëri Poulen de la Barre. Ligjvënësit, priftërinjtë, filozofët, shencëtarët, dijetarët kanë bërë çmos që të tregojnë se gjendja e nënshtruar e gruas ishte e dashur në qiell dhe me përfitim në tokë. Fetë e farkëtuara nga burrat pasqyrojnë këtë vullnet dhe këtë sudnim: ato i kanë nxjerrë armët e tyre nga legjendat e Evës, Pandorës. Burrat e kanë vënë filozofinë, teologjinë në shërbim të tyre, siç e kemi parë në frazat e Aristotelit e të shën Thomait të cilat i kemi cituar. Që në antikitet satirikët dhe moralistët janë kënaqur të bëjnë tablonë e dobësive femërore. E dim ç’pretenca janë drejtuar kundër grave nëpërmjet tërë letërsisë franceze: Montherlanti rimerr më me pak afsh traditën e Jean de Meungut. Nganjëherë kjo armiqësi duket e bazuar, shpesh duket krejt pa baza; në të vërtetë ajo mbulon një dëshirë për vetpërligjje të mbuluar me shkathtësi. “Është më lehtë të akuzosh njërin seks sesa tjetrin”, thotë Montaigne. Në disa raste ecuria është fare e dukshme. Është e habitshme që kodi romak, për të kufizuar të drejtat e gruas, flet për “budallallëkun, brishtësinë e seksit”, në çastin kur, nga dobësimi i familjes, gruaja bëhet një rrezi për trashëgimtqarët meshkuj. Të bie menjëherë në sy që në shekullin XVI, për ta mbajtur gruan e martuar nën tutelë, i drejtoheshin autoritetit të shën Augustinit, duke shpallur se “gruaja është një kafshë as e fortë dhe as e qëndrueshme”, në kohën kur beqarja njihej si e aftë të drejtonte pasurinë. Montaigne e kishte kuptuar shumë mirë arbitraritetin dhe padrejtësinë e fatit të përcaktuar të gruas: “Gratë nuk e kanë aspak gabim kur nuk i pranojnë rregullat e caktuara në botë, përderisa janë burrat që i kanë bërë pa i pyetur ato”; por ai nuk shkon deri atje sa të bëhet mbrojtësi i tyre. Kjo ndodhi vetëm në shekullin XVIII, kur burra me të vërtetë demokratë e panë këtë çështje me objektivitet. Mes të tjerash Diderot u mundua të tregojë se gruaja ashtu si burri është një qenie njerëzore. Pak më vonë Stuart Mill e mbrojti atë me zjarr. Por këta filozofë kanë një paanësi të jashtëzakonshme. Në shekullin XIX diskutimi feminist bëhet përsëri një diskutim mbrojtësish; një nga pasojat e revolucionit industrial ishte pjeseëmarrja e gruas në punë prodhuese: në këtë moment kërkesat feministe dalin nga fusha teorike, ato gjejnë baza ekonomike; kundërshtarët e tyre bëhen edhe më agresivë; megjithëse prona mbi tokën pjesërisht është shfronëzuar tashmë, borgjezia mbërthehet pas moralit të vjetër që sheh tek qëndrueshmëria e familjes garancinë e pronës vetjake: ajo e do gruan përherë e më rreptë në vatrën e familjes, aq sa emancipimi i saj kthehet në një kërcënim të vërtetë; brenda vetë klasës punëtore, burrat janë përpjekur ta frenojnë këtë çlirim, sepse gratë u duken atyre si kundërshtare të rrezikshme, aq më tepër që ato ishin përshtatur me punën dhe me rrogat e ulëta. Për të provuar vartësinë e gruas, antifeministët thirrën në ndihmë jo vetëm si dikur fenë, filozofinë, teologjinë por ehe shkencën: biologjinë, psikologjinë eksperimentale etj. Pak a shumë u pranua t’i jepej seksit tjetër “barazia brenda ndryshimit.” Kjo formulë, që pati sukses, është shumë domethënëse: pikërisht këtë formulë shfrytëzojnë lidhur me zezakët e Amerikës ligjet Jim Craw; sepse ky dallim i ashtuquajtur barazimtar nuk ka shërbyer veçse për të futur diskriminimin më të skajshëm. Kjo përqasje nuk ka asgjë të rastësishme: proceset e përligjjeve janë po ato, qoftë edhe kur bëhet fjalë për një racë, për një kastë, për një klasë, për një seks të reduktuar në një gjendje inferiore. “Femërorja e përjetshme” është homologjia e “shpirtit të zi” dhe “karakterit hebre”. Problemi hebre është, veç të tjerash, në tërësinë e vet krejt i ndryshëm nga dy të tjerët: hebreu për antisemitin nuk është aq një inferior sesa një armik, dhe nuk i jep në këtë botë asnjë pëllëmbë vend që të jetë e tij; më shumë ka dëshirë ta shfarosë. Midis gjendjes së gruas dhe asaj të zezakut ka anologji të mëdha: si njëra palë ashtu dhe pala tjetër emancipohen sot nga i njëjti paternalizëm, dhe kasta e zotërave të dikurshëm do t’i mbajë në “vendin e tyre”, domethënë në vendin që ka zgjedhur për ta; në të dyja rastet ajo nuk i kursen lavdet pak a shumë të çiltra për virtytet e “zezakut të mirë” me shpirt të pavetëdijshëm, fëmijëror, të qeshur, të zezakut të bindur dhe të gruas “me të vërtetë grua”, domethënë, të lehtë, foshnjarake, të papërgjegjshme, të gruas së nënshtruar ndaj burrit. Në të dyja rastet ajo nxjerr arsyet nga gjendja e vërtetë që ka krijuar. Për ne është e njohur shakaja e Bernard Shawt: “Amerikani i bardhë”, thotë ai, “në thelb e vë zezakun në rangun e llustraxhiut të këpucëve: dhe nga kjo arrin në përfundimin se ai është i mirë vetëm për të llustruar këpucët.” Ne e gjejmë këtë rreth vicioz në të gjitha rrethanat e ngjashme: kur një individ apo një grup individësh mbahet në një gjendje inferioriteti, e vërteta është se ai është inferior; por duhet të kuptohemi mbi rëndësinë e fjalës të jesh; hileja qëndron tek dhënia asaj një vlerë thelbësore, ndërkohë që ka kuptimin dinamik hegelian: të jesh do të thotë të jesh bërë, domethënë të jesh bërë i tillë si shfaqesh; po, në tërësi gratë janë sot inferiore ndaj burrave, domethënë se gjendja e tyre u hap mundësira fare të vogla: çështja qëndron për të ditur nëse kjo gjendje e gjërave duhet të përjetësohet.
Këtë gjë e dëshirojnë shumë njerëz: ende nuk janë çarmatosur të gjithë. Borgjezia konservatore vazhdon të shohë tek emancipimi i gruas një rrezik që kërcënon moralin dhe interesat e saj. Disa meshkuj i tremben konkurrencës së femrave. Tek Hebdo-Latin një student deklaronte njëherë: “Çdo studente që bëhet mjeke apo avokate na vjedh një vend pune”; ky student as që donte t’ia dinte për të drejtat që ka gruaja në këtë botë. Interesat ekonomike nuk janë të vetmet. Një nga përfitimet që shtypja u siguron shtypësve ësthë se edhe më i kuputuri midis tyre ndjehet më i rëndësishëm: një “varfnjak i bardhë” nga jugu i Amerikës, ngushëllohet duke thënë se nuk është një “zezak i fëlliqur” dhe të bardhët më të pasur e shfrytëzojnë me shkathtësi këtë krenari. Po kështu edhe mashkulli më mendjeshkurtër i duket vetja gjysmëperëndi përpara grave. Zoti de Montherlant e kishte shumë më të lehtë të hiqej si hero kur përballej me gratë (veç të tjerash të zgjedhura me qëllim) sesa kur i duhej të luante mes burrave rolin e tiji prej burri: rol të cilin shumë prej grave e kanë kryer më mirë se ai. Kështu, në shtator 1949, në një nga artikujt e tij në Figaro Littéraire, zoti Claude Mauriac – tek i cili gjithkush admiron origjinalitetin e fuqishëm – arrinte8 të shkruante lidhur me gratë: “Ne e dëgjojmë me një qëndrim (sic!) të njerëzishëm mospërfillës… edhe më të ndriturën mes tyre, sepse e dimë fare mirë se mendja e saj pasqyron në mënyrë pak a shumë të dukshme idetë që burojnë prej nesh.” Është e qartë se nuk janë aspak idetë e vetë zotit Mauriac që pasqyron bashkëfolësja, meqenëse nuk njeh asnjë nga idetë e tij; porse është krejt e mundshme që ajo të pasqyrojë ide që burojnë nga meshkujt të tjerë: midis vetë meshkujve ka më shumë se një që i mban si të tijat mendime që nuk i ka shpikur vetë; atëherë na lind e drejta të pyesim, mos vallë zoti Claude Mauriac do të bënte mirë të kuvendonte duke cituar Dekartin, Marksin, Gide-in sesa të kuvendonte duke shprehur mendimin e vet; ajo që të bie në sy është se nëpërmjet ekuivokut të përemrit “ne” ai njëjësohet me shën Palin, Hegelin, Lenin, Nietzschen dhe nga lartësia e madhështisë së tyre sheh me përbuzje tufën e grave që kanë guximin t’i flasin si të barabarta; të them të drejtën njoh mjaft gra që nuk do të kishin durimin t’i falnin zotit Mauriac as “një shprehje të njeëzishme mospërfillëse.”
Këmbëngula në këtë shembull sepse naiviteti mashkullor është aty prekës. Ka shumë mënyra të tjera më të holla me të cilat burrat nxjerrin përfitim nga të qenit ndryshe të gruas. Për të gjithë ata që vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, ka një melhem të mrekullueshëm: askush nuk është më i ashpër, më agresiv ose përçmues ndaj gruas sesa burri që është i shqetësuar për burrërinë e tij. Ata që nuk tremben nga të ngjashmit e tyre janë shumë më të prirur për të parë tek gruaja dikë që u ngjet; por edhe ata për shumë arsye9 e kanë për zemër mitin e Gruas, të Tjetrit; nuk do t’i fajësonim që po flijojnë kështu me dëshirë të gjitha të mirat që do të përfitonin nga kjo: ata e dinë çfarë humbasin duke mohuar gruan që e ëndërrojnë, ata nuk e dinë çfarë do t’u sjellë gruaja e së nesërmes. Duhet shumë vetmohim për të hequr dorë nga të mbeturit Subjekti i vetëm dhe absolut. Veç të tjerash, shumica e burrave nuk e pranon këtë pretendim. Ata nuk e vendosin gruan si një inferiore: sot ata kanë përqafuar fort idealin demokratik dhe nuk ka si të mos e shohin si të barabartë çdo qenie njerëzore. Në gjirin e familjes, gruaja i duket fëmijës, djalit të ri, e veshur me po atë dinjitet shoqëror që kanë të rriturit meshkuj; për pasojë ai ka ndjerë tek dëshira dhe dashuria qëndresën, pavarësinë e gruas së dëshiruar dhe të dashuruar; i martuar ai respekton tek gruaja e vet bashkëshorten, nënën dhe, në përvojën konkrete të jetës bashkëshortore, ajo afirmohet përballë tij si një liri. Pra mund të krijohet bindja se midis sekseve nuk ka më hierarki shoqërore dhe se, në vija të trasha, gruaja është e barabartë përmes ndryshimeve. E megjithatë ai vëren disa anë inferiore – mes të cilave më e rëndësishmja është pamundësia profesionale – të cilat ia vesh natyrës. Kur ai mban ndaj gruas një qëndrim bashkëpunues dhe dashamirës, motivon parimin e barazisë abstrakte; dhe pabarazinë konkrete që vë re nuk e ngre fare. Por me të hyrë në konflikt me gruan situata kthehet mbrapsht: ai do të motivojë pabarazinë konkrete dhe me këtë, madje, do t’i japë të drejtë vetes të mohojë barazinë abstrakte.10 Ndodh pikërisht kështu që shumë burra pohojnë gati me mirëbesim se gratë janë të barabarta me burrin dhe se nuk kanë se çfarë të kërkojnë dhe, në të njëjtën kohë: gratë nuk mund të jenë kurrë të barabarta me burrin dhe se kërkesat e tyre janë të kota. Burri e ka shumë të vështirë të matë rëndësinë e jashtëzakonshme të diskriminimeve shoqërore, që nga jashtë duken të parëndësishme, pasojat morale, intelektuale të së cilës janë aq të thella tek gruaja sa mund të duken sikur e kanë burimin në një natyrë origjinale. Burri që ka më shumë simpati për gruan nuk e njeh kurrë ashtu siç është gjendjen e saj konkrete. Gjithashtu nuk ka aspakt vend t’i besojmë meshkujt kur ata mundohen të mbrojnë privilegjet, shtrirjen e të cilave as që e matin dot. Pra ne nuk duhet ta lëmë veten të trembemi nga numri dhe forca e sulmeve të drejtuara kundër grave; as të mashtrohemi nga fjalët e bukura me qëllim interesi që nuk i kursehen “gruas së vërtetë”; as të përfshihemi nga entuziazmi që ngjall fati i saj tek burrat, që nuk do të donin për asgjë në botë të ndanin me të.
Megjithatë nuk duhet t’i shohim me më pak mosbesim argumentet e feministëve: shumë shpesh shqetësimi polemist u heq atyre çdo vlerë Nëse “problemi i grave” është kaq i kotë kjo ndodh sepse arroganca mashkullore e ka kthyer në “grindje”; kur grindemi, nuk arsyetojmë drejt. Ne jemi përpjekur vazhdimisht për të provuar nëse gruaja është superiore, inferiore apo e barabartë me burrin: e krijuar pas Adamit, kuptohet qartë se ajo është një qenie e dorës së dytë, kanë thënë disa; përkundrazi, kanë thënë të tjerët, Adami nuk ishte veçse një skicë dhe Zoti arriti ta përkryejë qenien njerëzore kur krijoi Evën; truri i saj është më i vogël: por relativisht është më i madh; Krishti u bë burrë ndoshta nga përulësia. Çdo argument lind menjëherë kundërargumentin dhe shpesh të dy çojnë në gabim. Nëse synojmë të shohim qartë, duhet të ndjekim një rrugë të re: duhen hedhur tej nocionet e turbullta të superioritetit, inferioritetit, barazisë që e kanë çoroditur të gjitha diskutimet dhe t’ia nisim përsëri nga e para.
Si do ta shtronim atëherë çështjen? Dhe në fund të fundit cilat jemi ne që do ta shtrojmë? Burrat vetë vendosin dhe vetë vulosin: gjithashtu dhe gratë. Ku ta gjesh një engjëll? Në të vërtetë një engjëll nuk do të ishte i përgatitur mirë për të folur, ai nuk do t’i njihte të gjitha të dhënat e çështjes; sa i takon hermafroditit, është një rast krejt i veçantë: ai nuk është burrë dhe grua njëherësh, është më tepër as burrë as grua. Unë mendoj se janë vetë disa nga gratë që do ta ndriçonin më mirë gjendjen e gruas. Është sofizëm të përfshish Epimenidin në konceptin e kretasve dhe kretasit në atë të gënjeshtarit: burrave dhe grave nuk ua dikton mirëbesimin apo dredhinë një thelb misterioz; është gjendja e tyre që i shtyn pak a shumë në kërkim të së vërtetës. Shumë nga gratë e sotme, duke patur fatin të shohin t’u kthehen të gjitha privilegjet e qenies njerëzore, mund t’i ofrojnë vetes luksin e të qenit të paanshme: ne provojmë edhe nevojën e kësaj gjëje. Ne nuk jemi më si të parat tona, luftëtare; në vija të trasha e kemi fituar lojën; në diskutimet e fundit mbi statutin e gruas, O.K.B.-ja nuk ka reshtur së kërkuari prerë që të arrihet barazia e sekseve, dhe tashmë shumë prej nesh nuk kanë për ta provuar kurrë si një angushti apo pengesë feminitetin tonë; shumë nga çështjet e tjera na duken më thelbësore se ato që kanë të bëjnë veçanërisht me ne: vetë kjo shkëputje na lejon të shpresojmë se qëndrimi ynë do të jetë objektiv. Megjithatë ne njohim më thellësisht nga burrat botën femërore, sepse aty i kemi rrënjët tona; ne e kapim më shpejt ç’do të thotë për një qenie njerëezore fakti të jesh femëore; dhe ne shqetësohemi shumë më tepër për ta mësuar. Thashë se ka patur probleme më thelbësore; kjo nuk pengon që jo gjë të ruajë në sytë tanë njëfarë rëndësie: në çfarë shkalle fakti i të qenit grua ka përcaktuar jetën tonë? Çfarë shansesh na janë dhënë dhe cilat nuk kemi pranuar? Ç’fat i pret motrat tona më të reja dhe në ç’drejtim duhet t’i orientojmë ato? Është e habitshme që tërësia e letërsisë femërore e ditëve tona ngacmohet shumë më tepër nga përpjekja për të hedhur dritë sesa nga vullneti për të kërkuar të drejta; duke dalë nga një epokë polemikash të rrëmujta, ky libër është një përpjekje të japë, mes të tjerash, një pasqyrë të gjendjes.
Por, pa dyshim, është e pamundur të trajtosh një problem njerëzor pa parti pris: vetë mënyra e shtrimit të çështjeve, perspektivave të adoptuara, nënkuptojnë hierarki interesash; çdo cilësi fsheh vlera; nuk ka përshkrim të vetëquajtur objektiv që nuk ngrihet mbi një plan të dytë etik. Në vend që të kërkojmë të fshehim parimet që pak a shumë i nënkuptojmë qartë, do të vlente më mirë që t’i shtronim që në fillim; në këtë mënyrë nuk do të ndjeheshim të detyruar të saktësonim në çdo faqe se ç’kuptim u japim fjalëve: superior, inferior, më i mirë, më i keq, progres etj. Nëse kalojmë në revistë disa prej veprave kushtuar gruas, shohim se një nga pikëpamjet e mbrojtura më shpesh është e mira publike, interesi i përgjithshëm: në të vërtetë secili kupton me këtë interesin e shoqërisë siç do ta dëshironte apo do ta vendoste ai vetë. Ne vlerësojmë se nuk ka tjetër të mirë publike përveç asaj që siguron pronën vetjake të qytetarëve; ne i gjykojmë institucionet nga pikëpamja e mundësive konkrete që u japin individëve. Por nuk ngatërrojmë aspak idenë e interesit vetjak me atë të lumturisë: këtu kemi një tjetër pikëpamje që e hasim shpesh; a nuk janë gratë e haremit më të lumtura se një zgjedhëse që ka të drejtën e votës? A nuk është më e gëzuar amvisa nga punëtorja? Ne nuk e dimë mirë se ç’tregon fjala lumturi, aq më pak dimë se ç’vlera të vërteta fsheh; është e pamundur të matësh lumturinë e tjetrit dhe është përherë e lehtë të shpallësh të kënaqshme gjendjen që duam t’i imponojmë atij: atë që e dënojmë me amulli, e shpallim të kënaqur nën preteksin se lumturia është palëvizshmëri. Ky është pra një nocion që nuk i referohemi. Perspektiva jonë ësthë ajo e moralit ekzistencialist. Çdo subjekt qëndron si transhendencë nëpërmjet projekteve; ai arrin lirinë e vet vetëm nëpërmjet kalimit të vazhdueshëm drejt lirive të tjera; nuk ka përligjje tjetër të ekzistencës së tanishme përveç shtrirjes së saj drejt një të ardhmjeje të hapur njëherë e përgjithmonë. Sa herë që transhendenca bie në imanencë kemi rënien e ekzistencës në “në vetvete”, të lirisë në shtrirje; kjo rënie është një gabim moral nëse pranohet nga subjekti; nëse ajo i është shkaktuar, atëherë ajo merr pamjen e një mashtrimi dhe të një padrejtësie; në të dyja rastet ajo është një e keqe absolute. Çdo individ që është i shqetësuar për të përligjur ekzistencën e tij e provon këtë si një nevojë të papërcaktuar për të kapërcyer vetveten. Ajo që përcakton në mënyrë të veçantë gjendjen e gruas është se duke qenë, si çdo qenie njerëzore, një liri e pavarur, ajo zbulon dhe e sheh veten në një botë ku burrat i imponojnë të merret në ngarkim nga Tjetri: ne pretendojmë ta ngurtësojmë në objekt dhe t’ia kushtojmë imanencës përderisa transhendenca e saj do të kapërcehet gjithmonë nga një ndërgjegje tjetër thelbësore dhe më e lartë. Drama e gruas qëndron tek konflikti midis kërkesës themelore të çdo subjekti që mbahet gjithmonë si thelbësor dhe kërkesave të një gjendjeje që e mban si jothelbësore. Si mund të përkryhet një qenie njerëzore në gjendjen e femrës? Ç’rrugë i janë çelur asaj? Cilat të çojnë në udhë pa krye? Si mund të gjesh pavarësinë në gjirin e vartësisë? Cilat rrethana kufizojnë lirinë e gruas dhe a mund t’i kapërcejë ajo? Këto janë çështjet themelore që do të donim të ndriçonim. Kjo nuk do të thotë që, duke u interesuar për fatin e individit, të mos i përkufizonim këto fate me termat e lumturisë, por me termat e lirisë.
Është e qartë se ky problem nuk do të kishte asnjë kuptim nëse nuk hamendësojmë se mbi gruan rëndon një fat fiziologjik, psikologjik apo ekonomik. Gjithashtu ne do të fillojmë duke diskutuar pikëpamjet që ka për gruan biologjia, psikanaliza, materializmi historik. Më pas do të përpiqemi të tregojmë pikërisht si është krijuar “realiteti femëror”, përse gruaja është përkufizuar si Tjetri dhe cilat kanë qenë pasojat e pikëpamjes së burrave. Në këtë rast do të përshkruajmë nga pikëpamja e grave modelin që ai u propozon atyre; dhe do të arrijmë të kuptojmë se me çfarë vështirësish përplasen ato në çastin kur, duke u përpjekur të largohen nga sfera që u është përcaktuar deri tani, pretendojnë të marrin pjesë në Mitsein-in njerëzor.
___________________________________________
1 Sot kjo revistë nuk botohet më ajo titullohej Franchise.
2 Raporti Kinsey, për shembull, kufizohet të përcaktojë karakteristikat seksuale të burrit amerikan, që është diçka krejt e ndryshme.
3 Në frëngjisht fjala homme ka kuptim njeri dhe burrë. (shën. i përkthyesit)
4Vir (latinisht) “burrë”. (shën. i përkth.)
5 Homo nga greqishtja homos “ i ngjashëm, i njejtë”. (shën’ i përkth.)
6 Kjo ide është shprehur në një formë më të thjeshtëzuar nga M. Lévinas në esenë e tij Koha dhe Tjetri. Ai shprehet kështu: “A do të kishte një gjendje ku alteriteti do të mbartej si thelb nga një qenie me arsye pozitive? Cili është ai alteriteti që nuk hyn pastër dhe thjesht në kundërvënien e dy llojeve të së njejtës gjini? Unë mendoj se e kundërta krejtësisht e kundërt, kundërshtia e së cilës nuk është e shtirur aspak nga lidhja që mund të vendoset midis saj dhe korresponduesit të saj, kundërshtia që lejon në fund të mbetet krejtësisht tjetër, është femërorja. Seksi nuk është një ndryshim i veçantë çfarëdo. Ndryshimi i sekseve nuk është një kundërshti. (Ai) nuk është më dysia e dy termave plotësuese sepse dy terma plotësuese nënkuptojnë një tërësi paraekzistuese. Ndryshimi kryhet tek femërorja. Term i së njëjtës shkallë por me kuptim të kundërgjegjen.”
Besoj se M. Lévinas nuk harron se edhe gruaja në vetvete është gjithashtu ndërgjegje. Por është e habitshme që ai përshtat lirshëm një pikëpamje burri pa sinjalizuar dyanshmërinë e subjektit dhe të objektit. Kur shkruan se gruaja është një mister, ai nëkupton se ajo është një mister për burrin. Megjithëse ky përshkrim, që hiqet si objektiv, është në të vërtetë një pohim i privilegjuar mashkullor.
7 Shih. C. Lévi-Strauss Strukturat fillestare të farefisnisë. Falenderoj C. Lévi-Straussin që pati mirësinë të më përcjellë provat e tezës së tij, të cilën e kam shfrytëzuar.
8 Ose të paktën ai mendonte të arrinte.
9 Artikulli i Michel Carrouges i botuar mbi këtë temë në numrin 292 të Cahiers du Sud është domethënës. Ai shkruan me indinjatë: “Ne do të dëshironim të mos kishte asnjë mit të gruasa por vetëm një shpurë kuzhinieresh, grash vulgare, vajzash qejfi, që të kenë unksion kënaqësie ose funksion dobie!” Kjo do të thotë se sipas tij gruaja nuk ka një ekzistencë për vetveten; ai sheh vetëm funksionin e saj në botën mashkullore. Qëllimi i saj i fundit është tek burri; atëherë, në të vërtetë, mund të preferohet mbi çdo gjë tjetër “funksioni” i saj poetik. Çështja qëndron pikërisht për të mësuar përse duhet ta përcaktojë gruan në raport me burrin.