Përse jemi në Kosovë?

Autorja: Susan Sontag

Përkthyesja: Sazana Çapriqi

Arësyeja është pak e komplikuar por jo aq shumë.
Ka një gjë që quhet luftë e drejtë.

2 maj 1999

Dje një shoqe imja prej shpije, prej NewYork, më mori në telefon në Bari, ku jam duke qëndruar tash ka dy muaj, për të më pyetur për shëndetin pastaj edhe deshti të dinte se a jam duke dëgjuar ushtimat e bombardimit. E sigurova se jo vetëm që nuk dëgjoja bombat që binin mbi Beograd, Novi Sad e Prishtinë por madje edhe zhurmat e aeroplanëve kur niseshin nga baza e afërt e NATOs në Gioia del Colle nuk mund dëgjoheshin nga qendra e Barit ku rrija unë. Është fare e lehtë të tallem me mungesën e gjeografisë në vizionin e shoqes sime amerikane për shtetet europiane që është një fije më i madh se një pullë e zakonshme postale por Evropa e Vockël e saj i shkon fare mirë opinionit të gjërë mbi Evropën e paaftë e cila futet në marrëzinë luftarake e tërhequr nga Amerika e Madhe dhe e Keqe.
Mbase edhe po e teproj pak. Po shkruaj nga Italia, që është hallka më e dobët në zinxhirin e NATOs. Ialia, (ndryshe nga Franca dhe Gjermania) vazhdon të mbajë një ambasadë në Beograd. Milosevici ka pritur udhëheqesin e Partisë Komuniste Italiane, Armando Cossutta. Prefekti i nderuar i Venedikut ka dërguar një emisar në Beograd me letra në adresë të Milosevicit dhe të liderit të shqiptarëve etnikë, me të cilin ai është takuar, Ibrahim Rugova ku propozon që Venediku të jetë vendtakim për negociatat paqësore. (Letrat, faleminderit shumë, i ka pranuar kryepeshkopi Ortodoks, një ditë pas meshës së Pashkëve) Mirëpo, në anen tjetër është fare e kuptueshme pse Italinë e kaploi paniku: Italianët nuk i shohin vetëm skenat e mjerimit të shkaktuara nga torturat e dhimbshme në lajmet e televizive të tyre por shohin edhe pamjet e masave të njerëzve në lëvizje. Në Itali, shqiptarët para së gjithash janë emigrantë të ardhshëm.
Mirëpo, kundërshtimi ndaj luftës nuk kufizohet vetëm në Itali as edhe tek një numër i caktuar i spektrit politik. Përkundrazi: të mobilizuar kundër kësaj lufte janë mbeturinat e krahut të majtë si dhe çiftat e LePen dhe Bossi nga krahu i djathtë. E djathta është kundër emigrantëve. E majta është kundër Amerikës. (dmth kundër idesë së Amerikës. Hegjemonia e kulturës popullore amerikane s’ka se si të jetë më e përgjithshme në Europë.)
Në të dy krahët, si në të ashtuquajturin krahun e majtë si dhe në të ashtuquajturin krahun e djathtë, diskursi mbi identitetin është në rritje. Antiamerikanizmi që është duke i ushqyer protestat kundër luftës ka qenë vazhdimisht në rritje gjatë viteve të fundit te shumë kombe të Europës së Re, dhe mbase më së miri do të kuptohej si një zhvendosje e shqetësimit për këtë Europë të Re, të cilën e besojnë të gjithë të jetë një Gjë e Mirë, dhe janë fare të paktë ata që guxojnë ta venë në pikëpyetje. Kombet janë komunitete që gjithnjë imagjinohen, rikonceptohen, ripohohen kundrejt presionit të definimit të Tjetrit. Spektri i një kombi pa kufij, një komb poroz deri në infinit, domosdo krijon shqetësim. Europës i duhet një Amerikë autoritare.
Europa e dobët? Europa impotente? Këto fjalë gjinden gjithandej. E vërteta është se Europa e krijuar-për-bizness e që u realizua me miratimin e entuziatëve të biznesit “të përgjegjshëm” dhe të elitës profesionale është pikërisht një Europë e disejnuar të jetë e paaftë të përgjigjet ndaj kërcënimit që paraqesin diktatorët si Milosevici. Kjo nuk është çështje e “dobësisë”, edhepse përjetohet si e tillë. Kjo është çështje ideologjie.
Puna është se Europa nuk është e dobët. Përkundrazi. Puna është se Europa, kjo Europë që është në konstrukcion e sipër që nga Fitorja Finale e Kapitalizmit me 1989, e ka mendjen gjetiu. Diçka që vërtetë shumë çështje të drejtësisë, në të vërtetë të gjitha çështjet morale i bën të dala mode. (Ato që mbizotërojnë në vend të tyre janë çështje të shëndetit, që mund të lidhen me brengat ekologjike, por kjo është një gjë tjetër.)
Një Europë e disejnuar për spektakle, konsumizëm dhe shtrëngime duarsh… por e ndjekur nga fantazmat e frikës së identiteteve kombëtare që përmbytet qoftë nga komercializmi i pangjyrë multinacional ose nga batica të emigrimit të të huajve nga vendet e varfra.
Në një pjesë te kontinentit ish komunistët luajnë në kartën e nacionalizmës dhe kështu nxisin nacinalizmat vdekjeprurës, Milosevici paraqet shembullin më skandaloz. Në një pjesë tjetër, nacinalizma dhe me te edhe lufta konsiderohen të tejkaluara dhe të dala mode.
Sa e pazonja ndihet Europa “jonë” përballë gjithë kësaj kasaphane iracionale dhe gjithë kësaj vuajtje që po ndodhë në Europën tjetër.
Në ndërkohë lufta po vazhdon. Një luftë që ka nisur me 1991. Jo me 1999. E që nuk ka nisur para 6 shekujsh si po thonë serbët. Vendi i tyre ështe një vend miti nacional i të cilit ndërtohet mbi një humbje, Humbja e Betejës së Kosovës, ndaj turqve me 1389. Po luftojmë kundër turqve, u pohonin gazetarëve oficerët në komandë të njësiteve bombarduese në malet e Sarajevës.
A nuk do të konsideronim sot tejet të habitshëm faktin se Franca akoma do të mund të tubohej mbi kujtimin e Betejës së Agincourt me 1415, në armiqësinë e saj eternale me Britaninë e Madhe? Athua mund të gjindet dikush të paramendojë një gjë të tillë? Sepse Franca është Europë. E “ata” nuk janë.
E megjithatë kjo është Europa. Europa që nuk iu përgjigj bombardimit të Dubrovnikut nga serbët. Ose rrethimit trevjeçar të Sarajevës. Europa që e la Bosnjën të vdiste.
Definicioni i ri i Europës: vendi ku nuk ndodhin tragjeditë. Luftërat, gjenocidet kanë ndodhur edhe këtu dikur moti, por nuk ndodhin më. Ato janë diçka që mund të ndodhin në Afrikë. (Ose në ato vende të Europës që nuk janë “vërtetë” Europë. Pra në Ballkan.) E persëri mbase po e teproj pak. Por, meqë kam kaluar tre vjet të mira nga 1993 në 1996 në Sarajevë, mua nuk më duket tepri aspak.
Duke jetuar në skajet e Europës së NATOs, vetëm disa qindra kilometra nga kampet e refugjatëve në Durrës, në Kukës dhe Bllacë, larg nga vuajtjet më të mëdha të masave të njerëzve në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore, është e vërtetë që nuk mund të dëgjoj aeroplanat e NATOs kur nisen nga baza në Puglia. Por mund të shkoj tek bregu i detit në Bari dhe t’i shikoj familjet shqiptare e kosovare që rrjedhin nga feribotët që vijnë nga Durrësi përditë, kryesisht emigrantë legalë, ose, mund të shkoj nja disa kilometra më në jug dhe natën të shikoj gardën bregdetare të Italisë që kërkon gomonet e stërngankuara me refugjatë që natën nisen nga Vlora për në kalimin e rrezikshëm të Adriatikut. Mirëpo, po ta lë apartamentin tim në Bari për të vizituar shokët, për të dalë në restoran për pica, për të parë ndonjë film në kinema ose për të kaluar kohë në ndonjë bar, nuk jam më afër luftës se sa lajmet televizive apo gazetat që më vien për çdo mëngjez në pragun e derës. Do të ishte njësoj sikur të isha në New York.
Natyrisht, është shumë e lehtë të mbyllësh sytë për gjithçka që po ndodh, nëse kjo nuk ka të bëje me ty. Ose nëse nuk vihesh në vendin ku ndodhë gjithçka. Më kujtohet në Sarajevë në verë të vitit 1993 një shoqe nga Bosnja më tregonte me keqardhje se si me 1991 kur kishte parë në television inçizimin e Vukovarit të bërë rrafsh me tokën nga serbët, kishte menduar me vete: ‘Çfarë tmerri, po kjo po ndodhë në Kroaci, një gjë e tillë kurrë nuk mund të ndodhë tek ne në Bosnje…. Dhe ka ndërruar kanalin televiziv. Një vit më vonë, kur filloi lufta në Bosnje, ajo kishte mësuar një mësim tjetër. Kësaj radhe ajo vetë ishte bërë pjesë e historisë që tregohej në television e të tjerë njerëz do ta shihnin e do të thonin: Sa e tmerrshme… dhe do të ndërronin kanalin.
Sa e pazonja ndihet Europa “jonë” pacifiste e e rehatshme përballë gjithë kësaj kasaphane e vuajtjeje njerëzore që po ndodhë në Europën tjetër. Mirëpo, imazhe të refugjatëve, të njerëzve që janë nxjerrë nga shtëpitë e tyre, fshatrat e tyre të djegura, imazhe të qindra mijëra njerëzve që duken krejt si ne, nuk mund të largohen me magji.
Gjenerata europianësh të frikësuar nga çfarëdo idealizmash, të pazotët për zemërim përveç në linjat e vjetra antiimperialiste të luftës së ftohtë. (Megjithatë, natyrisht, pika qëndrore e kësaj lufte është se ajo është rezultat direkt i fundit të luftës së ftohtë dhe të thyerjes së perandorive të vjetra dhe rivalitetit imperial.) Ndaloni luftën dhe ndaloni gjendocidin, lexojmë në parullat e demonstratave në Romë dhe këtu në Bari. Për Paqe. Kundër luftës. E kush nuk është kundër luftës? Por si mund t’i ndalim ata që janë të prirur për gjenocid pa bërë luftë?
E kemi parë edhe herë të tjera këtë gjë. Tmerre, tmerre. Përpjekjet tona për të shtyrë një përgjegje “humanitare”. Paaftësia jonë (po, pas Auschwitz!) për të kuptuar se si mund të ndodhin tmerre të tilla. E kur këto tmerre vinë duke u shtuar bëhet edhe më shumë e pakuptueshme arësyeja se pse duhet t’u përgjigjemi cilitdo nga këto tmerre (meqë nuk jemi përgjegjur më parë ndaj atyre të tjerave.) Pse pikërisht tani e jo më parë? Pse të përgjigjemi në Bosnje a në Kosovë e mos të përgjigjemi në Kurdistan, Ruandë apo në Tibet?
Me këtë mos po dëshirojmë të themi se jetërat e europianëve janë me të vlefshme, se vuajtjet e europianëve janë më të denja për t’u mbrojtur se sa jetërat e njerëzve në Lindjen e Mesme, Afrike apo Azi?
Përgjigje e vetme ndaj këtyre zërave që i bëjnë vërejtje luftës së NATOs është t’u themi shkurt, Po, të brengosesh për fatin e njerëzve në Kosovë kjo është eurocentrizëm, e çfarë të keqe paska këtu? Por kjo akuzë e tillë ndaj eurocentrizmit a nuk është vetëm një gjurmë e pandehmës evropiane, pandehma mbi misionin universal të Europës: se secila pjesë e globit ka të drejtë të gëzojë vëmendjen europiane?
Sikur disa shtete afrikane të brengoseshin sa duhet për gjenocidin ndaj tutsive në Ruandë (gati një milion njerëz!) dhe të intervenonin ushtarakisht, le të themi nën udhëheqjen e Nelson Mandelës, a do ta kritikonim këtë iniciativë të jetë afrocentrike? A nuk do të pyesnim se çfarë të drejte gëzojnë këto shtete për të intervenuar në Ruandë kur nuk kanë bërë asnjë gjë të vetme për kurdët dhe tibetasit?
Një argument tjetër kundër intervenimit në Kosovë është se lufta është “joligjore”, ç’fjalë e mrekullueshme, sepse NATOja po dhunon kufinjtë e një shteti Sovran. Kosova fundi i fundit s’është tjetër pos pjesë e një Serbie të Madhe të re që quhet Jugosllavi. Punë e madhe se Milosevici ua mori kosovarëve statusin e tyre autonom me 1989. Eshtë pak e bezdishme që 90 për qind e kosovarëve janë shqiptarë, “shqiptarë etnik” siç i quajnë për t’i dalluar nga qytetarët e Shqipërisë. Perandoritë rikonfigurohen. Por, a duhet që kufinjtë kombëtar pikërisht ata që kanë ndryshuar kaq shumë herë gjatë njëqindvjeqarit të fundit, të jenë kriteri më i rëndësishëm? Njeriu mund ta vrasë gruan e vet brenda në shtëpi po jo përjashta apo në mes të rrugës.
Imagjinoni sikur Gjermania Naziste të mos kishte pasur ambicie ekspansioniste dhe sikur thjeshtë ta bënte politikë të veten gjatë viteve 1930 e 1940 vrasjen e gjithë çifutëve gjermanë. A mos vallë mendojmë se një qeveri ka të drejtë të bëjë çfarë t’i teket brenda territorit të vet? Mbase qeveritë Europiane do të pohonin këtë gjë para 60 vitesh. Mirëpo, athua ne sot e miratojmë vendimin e tyre?
Le ta shtyejmë këtë supozim në të tashmen. Çfarë do të ndodhte sikur qeveria franceze të fillojë të vrasë një numër të madh të korzikanëve ndërsa pjesën tjetër të tyre ta përzë nga Korzika… apo qeveria italiane të fillojë ta zbrazë Sicilinë apo Sardinian, e të krijojë kështu me miliona refugjatë…. Apo sikur Spanja të vendosë të ndërmarrë një zgjedhje përfundimtare ndaj popullatës rebele të Baskisë. Në një rast të tillë a nuk do të pajtoheshim se një konsortium i fuqive të kontinentit gëzon të drejtën të përdorë forcën ushtarake për të detyruar qeverinë franceze (italiane, apo spanjolle) t’i anulojë veprimet e veta, që me një fjalë do të rezultonte në rrëzimin e qeverisë?
Po, natyrisht kjo gjë nuk mund të ndodhë, apo jo? Jo në Europë. Miqtë e mi nga Sarajeva gjatë rrethimit gjithnjë thoshnin: Si është e mundur që “Perëndimi” e lejon këtë gjë të na ndodhë? Edhe ne jemi Europë. Sigurisht “ata” nuk do ta lejojnë këtë të vazhdojë.
Por, ata, Europa, e lejoi këtë gjë.
Ngase diçka me të vërtetë e tmerrshme ka ndodhur në Bosnje. Që nga kampet serbe të vdekjes në veri të Bosnjës me 1992, kampet e para të vdekjes në truallin europian që nga 1940, deri te ekzekutimet masive të mijëra civilëve nga Srebrenica e gjetiu në verë të 1995, e Europa i toleroi të gjitha këto.
Kështu pra duket qartë që Bosnia nuk ishte Europë.
Të gjithë ne që kemi qëndruar një kohë në Sarajevë e kishim zakon të thonim se ashtu sikur shek XX që filloi në Sarajevë, ashtu edhe shek XXI do të fillojë në Sarajevë. Nëse opcionet e NATOs ngjanin ose të pamundshme ose të pakapërdishme kjo ndodhte ngase veprimet e NATOs erdhën me 8 vite vonesë. Milosevici duhej të ishte ndaluar kur filloi të bombardonte Dubrovnikun me 1991.
Me 1993 dhe 1994, politikëbërësit amerikanë thoshnin se edhe sikur mos të ndodhte intervenimi i SHBAsë në Bosnje, të jeni të sigurtë, kjo do të ishte gjëja e fundit që Milosevicit do t’i lejohej. Kështu u shkrua një rresht mbi rërë: ai kurrë nuk do të lejohej të bënte luftë ne Kosovë. Por kush u besonte amerikanëve aso kohe? Boshnjakët jo se jo. As Milosevici. As Evropianët. Madje, madje as vetë amerikanët. Pas Dejtonit, pas shkatërrimit të Bosnjës së pavarur, ishte koha të binim në gjumë, thua se vargu i ngjarjeve që lëvizën që nga 1989 me marrjen e pushteteit nga ana e Milosevicit dhe nga heqja e statusit autonom të krahinës së Kosovës, nuk do të ndiqte rrjedhën e vet logjike tejet të dukshme.
Nëse Europa e ka të vështirë të mendojë se është me rëndësi ajo që ndodh në këndin jugolindor të Europës, merrnie me mend sa të vështirë e kanë amerikanët të mendojnë se kjo gjë ka ndonjë interes për ata vetë. Është krejtësisht larg interesave evropiane të shpërblejnë Milosevicin për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe krijimin e kaq shumë vuajtjeve njerëzore.
Pse të mos e lejojmë zjarrin të digjet deri në fund? Është argumentimi që japin disa. Po dëbimi i më shumë se një milion refugjatësh në vendet fqinje si Shqipëria dhe Maqedonia? Kjo gjë sigurisht që do të shkaktonte shkatërrimin e shtetit të ri e delikat të Maqedonisë dhe do të rishkruante hartat e Ballkanit, që natyrisht do të kundërshtoheshin, së paku nga vetë Serbia, Bulgaria, dhe Greqia. Athua na e merr mendja se kjo do të mund të ndodhte në mënyrë paqësore?
S’është për tu befasuar që Serbët po paraqiten si viktima. (Klintoni si Hitleri etj) Mirëpo, është groteske që dëmet që shkaktohen nga bombat e NATOs, po krahasohen me kaosin që serbët kanë shkaktuar mbi qindra mijëra njerëz gjatë tetë viteve të fundit me programin e tyre për pastrimet etnike.
Jo të gjithë llojet e dhunës janë njësoj të dënueshme; e as të gjitha luftërat nuk janë njësoj të padrejta.
Jo përgjegje me force ndaj dhunës së një shteti kundër qytetarëve që emërohen si shtetas të po atij shteti? (Këto janë shumica e luftërave të sotme e nuk janë luftëra mes shtetesh.) Shembujt kryesorë të dhunës masive në botën e sotme janë ato që bëhen nga qeveri të ndryshme brenda kufijve të tyre të pranuar ligjërisht. A me të vërtetë mund të themi se nuk kemi si t’i përgjigjemi kësaj? A është e pranueshme që kasaphane të tilla t’i fshijmë nga mendja me pretekstin se janë luftëra civile, të njohura gjithashtu si “urrejtje të moçme sa vetë jeta”. (Fundja, antisemitizmi ishte një traditë shumë e vjetër Europiane, në të vërtetë shumë më e vjetër nga urrejtjet antike të Ballkanit?) A është e vërtetë se lufta kurrë nuk ka zgjidhur ndonjë çështje? (Pyetni ndonjë të zi nga Amerika nëse ai apo ajo mendon se lufta jonë civile nuk solli asnjë zgjidhje.)
Lufta nuk është thjeshtë një gabim, një dështim komunikimi. Ekziston e keqja rrënjësore në botë, e kjo është edhe shkaku përse ka edhe luftëra të drejta. E kjo është një luftë e drejtë. Edhepse është bërë shkel e shko.
Ndalni gjenocidin. Kthejini të gjithë refugjatët nëpër shtëpitë e tyre. Qëllime të vlefshme. E si do të konceptohen këto gjëra nëse regjimi i Milosevicit nuk rrëzohet? (E vërteta është se kjo nuk do të ndodhë.)
Është e pamundur të shihet se si do të dalë kjo luftë. Të gjitha opcionet duken sa të pamundshme aq edhe të padëshirueshme. Nuk mund ta marrim me mend se bombardimi do të mund të zgjatet deri ne infinit, apo nëse Milosevici është vërtetë i gatshëm të pranojë shkatërrimin e ekonomisë serbe; nuk mund të marrim me mend se NATO do të ndërpresë bombardimin nëse Milosevici mbetet në të tijën dhe nuk bën lëshime.
Qeveria e Milosevicit me në fund solli në Serbi një pjesë të vogël të vuajtjeve që i shkaktoi popujve fqinjë.
Lufta është kulturë, armiqësia është droguese, humbja për një komunitet që vetëveten e imagjinon si viktimë eternale të historisë mund të jetë po aq trullosëse sa edhe fitorja. Sa kohë u duhet serbëve të kuptojnë se vitet e Milosevicit ishin një katastrofë e tërësishme për Serbinë, rezultati përfundimtar i këtyre viteve shënon shkatërrim ekonomik e kulturor për gjithë rajonin, përfshirë edhe vetë Serbinë për disa gjenerata me radhë? Mjerisht, ajo për të cilën mund të jemi të sigurtë është se kjo nuk do të ndhodhë së shpejti.