Peksimëdhatë

Autorja: Rita Dove

Përkthyesi: Ukzenel Buçpapaj

Ja si ndodhi.

Pranvera kish veshur idhnimin tim –
tërë atë mushtëzim e pikëllim
ndërsa të tjerët n’opinga
tundnin pleh dhe dukeshin
shend e verë të shumtën e herës.

Pse duhej t’isha unë?

U lodha duke shqyer veten.
Le ta marrë dikush tjetër
fronin e trishtimit për pak kohë,
mushkonjat le të hanë tjetër njeri.
Se thoshte përherë ime më:
më mirë gjysmë i lumtur
se fare pa hare.