Gruaja dhe lëvizja për pavarësinë e Kosovës

Autorja: Edita Tahiri

(Fjala hyrëse nga debati me temë “Levizja e grave në Kosovë – të arriturat dhe defektet”, i organizuar nga Qendra Kosovare Për Studime Gjinore, mbajtur në Bibliotekën Kombëtare Universitare, Prishtinë me 4 prill 2003)

Më lejoni të shpreh kënaqësinë time që gjendem sonte në mesin tuaj dhe njëkohësisht dua ta uroj “Qendrën Kosovare për Studime Gjinore” e cila ka marrë në fokus një çështje kaq të rëndësishme për grate por edhe për shoqërinë e Kosovës në përgjithësi.
Çështja e gruas është një dimension, i cili po merr një fuqizim gjithnjë e më të theksuar në mbarë botën. Së bashku me trendet kryesore botërore, siç janë globalizimi, marketizimi dhe teknologjia informative, çështja e gruas është bërë një trend shumë i rëndësishëm në kuadër të vendosjes së një rendi të ri botëror. Si duket, më në fund po mbërrihet një vetëdije shoqërore, e cila sugjeron domosdoshmërinë e mobilizimit të plotë të gjysmës tjetër të shoqërisë, pra të grave, për të punuar së bashku për një jetë më të mirë.
Një vetëdije e tillë, për një mbështetje adekuate dhe meritore për çështjen e gruas po avancohet edhe këtu në Kosovë, si edhe në gjithë botën shqiptare. Padyshim kjo është rruga e drejtë që duhet ndjekur në mënyrë që të ngrisim potencialet tona në nivelin e përballimt të sfidave të shekullit njëzetë e një. Shekulli XX nuk ishte një shekull i favorshëm për shqiptarët, sepse ky ishte një shekull i ndarjes së dhunshme të shqiptarëve dhe trojeve të tyre dhe një shekull i shtypjes së gjysmës së shqiptarëve, pra, të atyre në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Çamëri.
Dekada e fundit e shekullit njëzetë, e cila u shoqërua me ndryshime të mëdha në Evropë, me shkatërrimin e komunizmit, rënien e murit të Berlinit dhe të perandorisë sovjetike, hapi një kaptinë të re për historinë e popujve të shtypur. Këto ndryshime i dhanë fund sistemeve shtypëse totalitare dhe krijuan perspektiva për demokracinë dhe të drejtën e popujve për vetëvendosje. Në kontekst të këtyre ndryshimeve ndodhi edhe zhbërja e ish Jugosllavisë. Refleksionet e saj në Kosovë u shfaqën në formën e dy tendencave antagoniste. Në njerën anë eskaloi shtypja përmes okupimit ushtarak të Kosovës nga Serbia, ndërsa në anën tjetër u shfaq lufta për vetëvendosje e popullit të Kosovës. Politika hegjemoniste e Serbisë me synim të realizimit të projektit për Serbinë e madhe, suspendoi ilegalisht statusin federal të Kosovës dhe instaloi një regjim gjenocidal në Kosovë me qëllim të spastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët, e cila ishte popullatë autoktone dhe shumicë në vazhdimsi. Përgjigja e shqiptarëve të Kosovës në kundërshtim të okupimit serb, u shpreh me organizimin e tyre në lëvizjen për liri, pavarësi dhe demokraci, e cila kishte për bazë të drejtën legjitime të Kosovës për vetëvendosje. Kjo lëvizje gjithëpopullore, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës në fazën e rezistencës paqësore për gati dhjetë vjetë, dhe nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë rezistencës së armatosur në dy vitet e fundit, kishte krah të fortë lëvizjen e grave të Kosovës.

LËVIZJA E GRAVE: FORMIMI DHE OBJEKTIVAT

Lëvizja e grave të Kosovës u formua menjëherë pas formimit të LDK-së, pra në mars të vitit 1990, nga një grup i intelektualeve shqiptare të cilat ndjenë në shpirt peshën e okupimit dhe vuajtjet që po i përjetonte populli i Kosovës. Lëvizja e grave e Kosovës, gjegjësisht Forum i Gruas i Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në fillim mbante emrin Shoqatë e Gruas e LDK-së, u përcaktua për strategjinë e veprimit brenda LDK-së, sepse deshi të ruaj karakterin gjithëpopullor të saj. Forumi Gruas u masovizua shpejt, duke shtrirë dhe konsoliduar strukturën e vet organizative në gjithë Kosovën dhe pjesërisht në diasporë dhe duke punuar në vazhdimësi në baza vullnetare. Objektivat e Forumit të Gruas ishin të njëjta me objektivat e LDK-së, pra lufta për liri, pavarësi dhe demokraci e Kosovës. Në programin e FG çështja e të drejtave të gruas trajtohej në kontekstin e shtypjes që po përjetonte gruaja nga okupimi serb, si dhe angazhimit për ta përballuar sa më lehtë këtë shtypje. Programi i FG përfshinte poashtu edhe çështjen e të drejtave të fëmijëve, të cilët ishin një kategori shumë vulnerabile.
Në kuadër të programit të tij, Forumi i Gruasë arriti ta përqëndrojë veprimtarinë e vet në shumë aspekte të jetës, duke u preokupuar që nga emancipimi politik i gruas deri tek aspektet sociale të një edukimi arsimor, shëndetsësor dhe humanitar. Do theksuar se FG dallohej me një strategji autentike në mënyrën e bashkëdyzimit të temave politike me ato sociale, për ta bërë më të lehtë absorbimin e tyre. Kjo strategji e FG ishte në funksion të mobilizimit të grave në luftën për liri dhe i rritjes së vetëdijes dhe moralit të rezistencës kundër okupimit.
Gjatë kësaj periudhe dramatike për Kosovën, lëvizja e grave ishte bartëse e denjë e misioneve të rëndësishme për Kosovën dhe çështjen shqiptare. Aktiviteti i grave, në veçanti i Forumit të Gruas, u shqua edhe në sferën e diplomacisë. Zëri vital i gruas shqiptare u dëgjua në të gjitha nivelet e bashkësisë ndërkombëtare, në kërkim të njohjes të së drejtës për vetëvendosje dhe pavarësi të popullit të Kosovës, në kërkim të parandalimit dhe ndalimit të luftës dhe gjenocidit kundër shqiptarëve, si dhe për marrjen nën mbrojtje ndërkombëtare të popullit të Kosovës. Ky është sot realitet falë para së gjithash SHBA-së, NATO-s, UE-së, OKB-së, OSBE-së dhe mbarë botës demokratike. Gruaja ishte sidomos e angazhuar për implementimin e diplomacisë preventive në Kosovë, si mjet për zgjidhjen paqësore të krizave. Në këtë kuadër u anagazhua që gratë nga zonat e para-konfliktit të pranohen si kategori institucionale dhe të kenë pjesëmarrje të barabartë në aktivitetet ndërkombëtare në mision të paqes. Ky angazhim nënkupton reformat në institucionet ndërkombëtare në mbështetje të politikës preventive. Gruaja shqiptare do të vazhdojë të japë kontributin e vet për të mbështetur zgjidhjen paqësore të krizave në botë dhe në shenjë solidarizimi me gratë nga këto zona.
Kreativiteti i lëvizjes së gruas mbante amblemën e shumë veprimeve strategjike në lëvizje, kështu nga FG u inicua dhe u realizua ideja “Çdo ditë – Dy orë mësim”, me të cilën u mbajt kontinuiteti i procesit mësimor prej periudhës së mbylljes së dhunshme të shkollave dhe universitetit shqip nga ana e okupatorit deri në vetorganizmin e tyre nga institucionet e Kosovës. FG ishte ajo që proklamoi publikisht moton “T’i edukojmë fëmijët pa urrejtje”, FG organizoi shumë peticione në adresë të bashkësisë ndërkombëtare, siç ishte peticioni në OKB për ndaljen e vrasjes së fëmijëve shqiptarë dhe peticioni në UNESCO për hapjen e shkollave, pastaj shumë protesta kundër dhunës dhe përgatiti raporte periodike për shkeljen e të drejtave të gruas dhe të fëmijëve në rrethana okupimi.

DEMOKRATIZIMI I LËVIZJES

Krahas objektivit për liri dhe pavarësi, angazhimi i lëvizjes së grave ishte i lidhur ngusht edhe me motivin e mposhtjes së komunizmit dhe përcaktimin e saj për demokraci. Në këtë kuadër gratë prej fillimit ishin pjesë dhe bartëse të iniciativave demokratike në Kosovë, nisur nga themelimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (1989) si lëvizjes/partisë së parë demokratike në këto hapësira, por edhe të shumë partive tjera që do të formohen në proces. Prirjet për transformim demokratik u shquan edhe nga kontributi që gratë dhanë në ndërtimin e shoqërisë civile. Është me rëndësi të përmendet se gratë ishin ato që themeluan organizatat e para joqeveritare në Kosovë.
Ky orientim demokratik i grave bëri që edhe vet lëvizja e grave të fillojë të demokratizohet. Kështu do të kemi formimin e organizatave të tjera politike dhe joqeveritare, siç janë Lidhja e Gruas shqiptare (1991) dhe dy vjet më vonë Qendra për Mbrojtjen e Gruas dhe të Fëmijve, pastaj shoqata Motrat Qiriazi, shoqata Krijueset dhe Veteranet e Arsimit, Media Projekti, Aureola e shumë të tjera, pastaj forumet e grave brenda partive PSHDK, PSDK, PLK etj. Kjo fazë karakterizohet me profilizimin e veprimtarisë së gruas. Është me rëndësi të theksojmë se tendencat e demokratzimit të lëvizjes janë shfaqur që në fazën fillestare. Grupi iniciator i grave për formimin e lëvizjes së grave ka qenë i ndarë në dy mendime: në atë se lëvizja e grave duhet të jetë e pavarur dhe në mendimin tjetër se ajo duhet të jetë nën ambrellën e LDK-së. Tendencat e veprimit pluralist të grave si një lëvizje demokratike nuk kanë kaluar pa tensione dhe kritika të ndërsjella, mirëpo në esencë ato kanë vepruar për një qëllim të përbashkët: jetësimin e Kosovës së pavarur e demokratike. Ky objektiv madhor ka shtyer gratë që të kërkojnë format e bashkërendimit dhe koordinimit të veprimeve, që ka nxitur formimin e “Rrjetit të Gruas së Kosovës”, diku rreth viteve 1994. Ky rrjet i grave më tepër i ngjante një lidhjeje të brishtë se sa një koalicioni të fuqishëm, të cilën e dëshironim.
Nga rezultatet konkrete të këtij bashkëpunimi do të veçoja dy aktivitet të rëndësishme:

1. pjesëmarrjen dhe aktivitetin e përbashkët në Konferencën botërore të Gruas në Pekin më 1995: delegacionit të Republikës së Kosovës, Forumit të Gruas të LDKsë, Qendrës së gruas dhe Media projektit, përfshirë këtu edhe përgatitjen së bashku të Raportit Nacional dhe filmit dokumentar për Kosovën dhe (2) koncenzusin e grave për “parimin e lidhjes së Jerusalemit” në aktivitet ndërkombëtare me vendet e rajonit.
Në periudhën e luftës së armatosur në Kosovë, në vitet 1998-1999, lëvizja e grave arriti të ofrojë një kontribut të dalluar, madje edhe me pjesëmarrje të drejtpërdrejt të grave në luftë. Në mënyrë të veçantë duhet të theksohet se në dhjetëvjetët e okupimit dhe luftës, gratë shqiptare u shquan me kurajon për veprim, përkundër masakrave, vrasjeve, torturave, dhunimit, burgosjes, humbjes së të afërmve, etj., të cilat i përjetuan nga regjimi
gjenocidal serb. Të gjitha këto aktivitete dhe shumë të tjera që nuk kanë mundur të përfshihen këtu, të zhvilluara në rrethana të vështira deri në shkallë vuajtjesh biblike, përbëjnë sfondin e trashëgimisë politike të lëvizjes së gruas shiptare në Kosovë, në dekadën e fundit. Këto arritje të gruas shqiptare duhet parë edhe në kontekstin e trashëgimisë historike, të kontributit të vazhdueshëm të grave në lëvizjet e mëhershme të këtij shekulli dhe të shekujve të mëhershëm.

ARRITJET DHE NGECJET

Gjithë ky angazhim kompleks i gruas shqiptare në lëvizjen për pavarësi të decades së fundit, bëri që lëvizja e grave të zë një vend të dinjitetshëm dhe meritor në historinë tonë më të re. Një karakteristikë që e bën të veçantë këtë lëvizje është koncepti i tij që ka synim prioritar ndryshimin e statusit të Kosovës, duke e shtyer çështjen e statusit të gruas për kohëra të mëvonshme. Në realitet mendoj që në saje të këtij angazhimi gruaja krijoi një identitet të ri politik, me të cilën i siguroi vetes rolin meritor në proceset e pasluftës në Kosovë.
Vështruar me një çasje kritike, mendoj lëvizja e gruas ka shënuar një spektët të arritjeve të rëndësishme në periudhën e çlirimit të Kosovës, mirëpo puna e saj është shoqëruar edhe me ngecje të caktuara.
Disa nga arritjet e rëndësihme që do t’i veçoja këtu janë:

  • fuqizimi i lëvizjes për pavarsinë e Kosovës, duke i mobilizuar masovikisht gratë, si gjysma e kombit,
  • krijimi i identiteti të ri politik të gruas kosovare, përmes faktorizimit të dimenzionit të gruas në të gjitha fazat e rezistencës, duke përfshirë rolin e saj në përgjegjësitë më të larta politko-shtetore të vendit,
  • kontributi në proceset e demokratizimit të Kosovës,
  • fuqizimi e shoqërisë civile,
  • rritja e vetëdijes për rolin e gruas dhe sfidimi i mentalitetit patriarkal në mënyrë të tërthortë përmes punës konkrete,
  • afirmimi i gruas kosovare në planin ndërkombëtarë dhe pjesëmarrja e saj në fushatën globale për fuqizimin e gruas.
    Ndërsa ngecjet e shfaqura mendoj se janë si vijojnë:
  • ngecja (apo margjinalizimi) i agjendës së gruas, duke vënë në rend të parë çështjen
    madhore politike të pavarësisë së Kosovës,
  • divergjencat në bashkëpunimin mes organizatave të grave, që kanë qenë pasojë e deficitit të kulturës demokratike, konfliktit të interesave në aspektin financiar, rivalitetet individuale etj.,
  • dështimi në formimin e një “koalicioni të madh” mes grave politikane dhe të atyre të shoqërisë civile me qëllim të vendosjes së një kronizë adekuate për gruan në Kosovën e pasluftës.

SHFAQJA E AGJENDËS SË GRUAS

Pas çlirimit, Kosova hyri në një proces tranzicioni të trefishtë: të kalimit nga lufta në paqe, të kalimit në një demokraci funksionale dhe të kalimit nga protektorati në pavarësi. Ky realitet ri në Kosovë krijoi hapësirë edhe për shfaqjen e agjendës së gruas. Ishte plotësisht e justifikueshme që gratë, krahas vazhdimit të luftës për pavarësinë e Kosovës, të luftonin edhe për pozitën e tyre adekuate në Kosovën e çliruar, e cila ishte rezultat edhe i punës dhe sakrificës së tyre. Natyrisht, sipas një rrjedhe logjike, ka qenë e rendit që shoqëria dhe institucionet e Kosovës t’i japin vendin e merituar grave, si formë e një mirënjohje për punën e bërë. Mirëpo, kjo nuk ndodhi, ngarendja për pushtet e burrave jo vetëm që la pas këtë çështje por ajo bëri që politika kosovare të dominohet nga meshkujt. Në një situate të këtillë grave u mbeti ta kuptojnë këtë realitet dhe të pozicionohen drejtë.
Dy strategji duken të jenë determinuese për një kronizë adekuate për avancimin e çështjes së gruas. Strategjia e parë, ka të bëjë me fuqizimin e gruasë në politikë si parakusht për fuqizimin e saj në sferat e tjera të jetës. Një element i realizuar i kësaj strategjie është përfaqësimi i gruas në parlament me kuotën prej tridhjetë përqind, e cila u pranua dhe u mbështet edhe nga partitë politike, institucionet e Kosovës dhe UNMIKu. Ndërsa, strategjia e dytë është institucionalizmi i çështjes së gruasë, që nënkupton miratimin e ligjit për barazi gjinore dhe një platformë vepruese për këto qëllime. Këto dy strategji janë çështje të një debati të gjërë të të gjithë aktorëve relevantë në mënyrë që të plotësohet dhe begatohet edhe me ide dhe strategji të reja. Ky debat sonte, jam e bindur, do ti shërbejë këtij qëllimi. Barazia mes gruas dhe burrit duhet të nënkuptojë barazinë para ligjit. Por, ajo poashtu duhet të nënkuptojë edhe barazinë filozofike dhe sociale. Përderisa barazia ligjore do të mbërrihet përmes ligjit përkatës të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa barazia sociale përmes implementimit të këtij ligji në të gjitha sferat e jetës, është barazia filozofike ajo e cila kërkon ndryshimin e mendësisë për ta parë njësoj vlerën e të dy gjinive.