Gruaja në Bibël

Autori: Dom Lush Gjergji

Ky titull është mjaft i përgjithshëm dhe ka nevojë për ndonjë shpjegim paraprak, sepse siç dihet Bibla ose Shkrimi Shenjt është burim zbulimi hyjnor për hebrenjët dhe për të krishterët dhe ndahet në dy njësi themelore: Besëlidhja e Vjetër, para Krishtit, dhe Besëlidhja apo Dhiata e Re, pas Krishtit.
Bibla është në rend të parë libër i shenjtë që flet dhe na mëson për Zotin, na zbulon dhe dhuron të vërtetën themelore të një Zoti. Krijues dhe sundues i gjithësisë, si dhe mbi njeriun, krijesën më të çmuar të tij mashkull dhe femër. Për ta kuptuar porosinë biblike së pari duhet ta njohim mirë kontekstin historik, kulturor, shpirtëror, pastaj edhe llojet apo gjinitë e ndryshme letrare të cilat na dhurojnë të vërtetën hyjnore.
Si pikë të parë mund të cekim këtë: konteksti hapësinoro – kohor biblik ishte shoqëria e atëhershme patriarkale, ku vend të posaçëm kishte mashkulli si në anën njerëzore dhe kombëtare, ashtu edhe në atë fetare. Shoqëria hebrenje bazohej kryesisht në familje dhe mashkulli ishte shtylla e saj, kurse gratë mvareshin pothuaj tërësisht, së pari prej babait, dhe më vonë prej burrit.
Në Bibël e vërteta themelore është feja në një Zot të vetëm dhe bashkësia familjare mes njerëzve, familja, ku burri dhe gruaja janë qenie njerëzore të krijuara në përgjasimin e Hyjit “i krijoi mashkull dhe femër” (Zan 1, 27). Gruaja është për mashkullin ndihmë, hebraisht eser – ndihmë që i përngjan (Krh. Zan 2, 18). Dhe Bibla vazhdon kështu: “Kjo tash është ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim. Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu” (Zan 2, 23). Kjo lidhje, mvarësi, dashuri mes burrit dhe gruas shprehet edhe me këto fjalë: “Për këtë arsye njeriu do ta lerë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm (Zan 2, 24).
Në disa segmente shoqëria hebreje ishte edhe materiarkale, e mbështetur në nënën, si p.sh. Zoti i urdhëroi Abrahamit që ta dëgjonte Sarën në çdo gjë: “Gjithçka të thotë Sara dëgjoje zërin e saj, sepse nëpër Izakun breznitë do të mbajnë emrin tënd” (Zan 22, 12). Gruaja hebreje e lejon shërbëtoren që t’i lindë fëmijë adoptivë me burrin e saj (Krh. Zan 16, 2-30, 4-13).
Në këtë kontekst historik materiarkal Izaku martohet me Rebekën pa pëlqimin e tij, por me pëlqimin e saj (krh. Zan 24, 57-58), Jakobi shërbeu 14 vjet për t’u martuar me Rebekën (Krh. Zan 29, 20-30).
Gjatë robërisë në Egjipt ishin dy gra mami egjiptiane, Sefra dhe Pua, të cilat kishin urdhër për t’i mbytur fëmijët meshkuj hebrenjë në lindje (Krh. Dal 1, 15-20), kështu që gruaja e shpëtoi Moisiun nga lumi (Lexo: Dal 2, 1-10). Në Besëlidhjen e Vjetër kemi shumë fytyra të spikatura femërore si profetesha Deborash, pastaj Rur, Estera e shumë të tjera.
Dekalogu – dhjetë urdhërimet e Zotit, vlejnë për të gjithë, veçmas urdhëri i katërt thotë kështu: “Ndero babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti, Hyji yt” (Dal 20, 12), ku kërkohet nderimi dhe dëgjesa e e dyanshme ndaj prindërve. Mbajta apo nderimi i së shtunës vlente edhe për gra, bija, shërbëtorë ose shërbëtore (Krh. Dal 20, 10). Sipas biblës gruaja gjatë cikleve mujore si dhe pas tyre, pas lindjes së fëmijës, ishte e lirë nga marrëdhëniet seksuale, gjë kjo që një mënyrë e mbronte atë nga keqpërdorimet apo shfrytëzimet epshore duke ia njohur disi dinjitetin njerëzor (Krh. Lev 15, 19-30; 12, 2-8).
Detyrimet fetare nga Bibla, Tamludi dhe Kodet e të drejtës hebreje e detyrojnë gruan rreth fesë dhe moralit hebrenj, si dhe në paraqitjen e flijimeve në tempull për faljen e mëkateve (Krh. Nr. 5, 4-10).
Në Bibël as në traditën rabinike s’ka gjurma rreth udhëheqjes së kultit, sepse në kultet pagane rreth trupave qiellore si dhe rreth plleshmërisë kishte priftëresha prostitute që punonin pranë tempujve paganë. Gratë nuk ishin të detyruara në lutjet e përbashkëta të bashkësisë fetare, nëse kishin detyrime familjare me fëmijë, me të moshuar apo të sëmurë.
Kohëve të fundit të shekullit 20 ka mjaft gra që janë rabine në botën perëndimore hebraike. Hebraizmi është përhapur në botë si fe familjare, ku rol të spikatur ka edhe gruaja – nëna.
Megjithatë ka ende diskriminime të cilat mbështeten në traditën fetare hebreje, si p.sh. gruaja nuk mund të jetë dëshmitare as gjykatëse pranë pranë gjyqit rabinik, shkurorëzimet varen kryesisht prej vullnetit të burrit dhe të familjes etj. Sa ju përket fëmijëve, ata më shumë janë të nënës, kështu që nëse nëna e fëmijëve nuk është hebrenje, por jeton dhe është martuar me ndonjë hebre, fëmijët nuk janë hebrenjë nëse ajo nuk kthehet në hebraizëm.
Prandaj duke u nisur na botëkuptimi biblik burri dhe gruaja janë pikësëpari njerëz, e pastaj ndahen në gjini, mashkull apo femër. Ajo kishte së pari rëndësi në familje si nënë, edhe pse varej kryesisht prej burrit. Poligamia ishte e lejuar në botën hebreje, dhe kjo pa dyshim e nënçmonte dhe nënshtronte gruan si gjini. Rreth krijimit të femrës (Krh. Zan 1, 26-28; 2, 18-25), deri diku theksohet barazia gjinore, mirëpo kjo barazi i mohohet me poligami dhe me të drejtë të shkurorëzimit vetëm nga ana e burrit, sidomos në rastin e kurorëthyerjes dhe në ndonjë gjë të turpshme (Krh. Lp 24, 1-4). Gruaja deri diku kishte të drejtë në besnikëri martesore, në pronë private dhe në trashëgimi, por në mënyra të kufizuara.

GRUAJA NË KRISHTËRIM

Besëlidhja e Re dhe krishtërimi ka qëndrime të ndryshme rreth femrës, gruas, mirëpo ne mund t’i nxjerrim disa elemente bazore dhe kështu mund të krijohet një lloj teologjie ndaj botës femërore.
Parimi themelor është ky: “Nuk ka më: hebre – grek! Nuk ka më: skllav – i lirë! Nuk ka më: mashkull – femër! Të gjithë ju jeni Një në Jezu Krishtin” (Gal 3, 28). Zbatimi i këtyre parimeve nuk ishte aspak i lehtë për shkaqe të ndryshme. Krishtërimi nuk pranon dallime dhe diskriminime kombëtare: hebre – grek; shoqërore: skllav – i lirë; as gjinore: mashkull – femër, dhe mu fuqia e bashkësisë së krishterë – dashuria, bëri që të krishterët ta përfitonin mbarë botën e atëhershme romake pas përndjekjeve të rrepta deri në vitin 313 (Edikri i Milanos).
Qysh në fillim të Biblës paralajmërohet Shëlbuesi dhe shëlbimi nëpërmjet gruas me këto fjalë: “Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do ta ndythë kokën, kurse ti do t’ia sulmosh themrën” (Zan 3, 15).
Vetë fakti se Zoti është mishëruar dhe bërë Njeri në Jezu Krishtin nëpërmjet Zonjës Mari, duke nderuar lirinë e saj dhe duke kërkuar pëlqimin dhe bashkëpunimin me përgjegjësi, gjë kjo që dukshëm e lartëson rolin e gruas dhe të nënës në historinë e shëlbimit, edhe më gjerë, në historinë e mbarë njerëzimit.
Jezu Krishti deri diku i përmbahet traditës hebrenje dhe shoqërore të asaj kohe, por në shumë raste atë e tejkalon. Shembuj të tillë kemi mjaft: ai shoqërohej me të gjithë, edhe me kategoritë e nënçmuara dhe të përjashtuara si fëmijët, gratë, të sëmurët, mëkatarët, të varfërit.
Ja disa dëshmi konkrete: “E përcillnin të Dymbëdhjetët dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria – e quajtur Magdalenë…, Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë gra të tjera, që me pasuritë e veta i ndihmonin Jezusit e nxënësve” (Lk 8, 1-3).
Jezui po ashtu vendosmërisht e mbron padasinë e kurorës së martesës: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër të parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje” (Mk 10, 11. L2). Prapë: “Prandaj, çka Hyji bashkoi, njeriu të mos guxojë të ndajë!” (Mk 10, 9).
Jezusi ishte i guximshëm dhe i jashtëzakonshëm edhe në faljen e mëkatares botore të cilën e kishin zënë në filligështi, dhe si të tillë duheshin ta vritnin me gurë sipas Ligjit të Moisiut. Ai jo vetëm e mbrojti nga vdekja poshtëruese, por edhe ia fali mëkatin, duke i turpëruar paditësitë e saj me këto fjalë: “Kush është prej jush pa mëkat, le ta qesë i pari gurin në të” (Gjn 8, 7). Përfundimi ishte shpresëdhënës: “As unë nuk po të dënoj – i tha Jezusi – Shko, por mbas tashit mos mëkato më!” (Gjn 8, 11).
Jezusi i zgjodhi disa gra për dëshmitare të ngjalljes së tij: Marinë Magdalenë, Marinë e Jakobit dhe Salomën, duke iu thënë kështu: “shkoni dhe u thoni nxënësve të mi, veçanërisht Pjetrit: Po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni, sikurse u pat thënë” (Mk 16, 7; Mt 28, 1-8; Lk 24, 1-22; Gjn 20, 1-10).
Jezu Krishti samaritanës, një gruas mëkatare të njohur si dhe pjesëtare e popullit armik, ia zbuloi misionin e tij mesianik si dhe veprën e shëlbimit për mbarë njerëzimin, e jo vetëm për popullin e zgjedhur hebre (Lexo: Gjn 4, 1-42).
Gratë ishin dëshmitaret e para të varrit të zbrazët të Jezusit, e pastaj edhe të ngjalljes së tij, të vërtetës themelore të krishtërimit (Krh. Mk 16, 9-11; Gjni 20, 11-18; Mt 28, 1-10).
Dhe së fundi Jezu Krishti i thërret gratë, botën femrore në bashkëpunim, në partneritet, për krijimin e bashkësisë së re të krishterë, e cila do ta jetësonte dhe dëshmonte dashurinë ndaj Zotit, të afërmit, bile edhe ndaj armiqve, pa dallime gjinore, kombëtare, fetare duke e njësuar vetveten me çdo njeri të vuajtur apo nevojtar (Lexo: Mt 25, 31-46).
Nga kjo analizë e shkurtër biblike ne mund t’i nxjerrim disa përfundime lidhur me të drejtat themelore të femrës si qenie personale, familjare dhe shoqërore. Jezusi komunikonte, shoqërohej dhe bashkëpunonte me të gjithë njësoj, përdoronte në shembëlltyra figurën e femrës, si p.sh. dhjetë virgjërat të fituara në dasmë (Lexo: Mt 25, 1-13); e veja që kërkonte mbrojtjen e gjykatësit (Lk 18. 1-18), apo gruaja që e humbi drahmën (Lk 15, 4-10). Po ashtu ai e lavdëroi gruan e ve që kishte dhënë pak sa i përket anën finansiare, për të cilën thotë: “Kjo vejushë skamnore qiti më shumë se të gjithë të tjerët që qitën pra në arkë. Sepse të gjithë qitën nga teprica, kurse ajo kjo prej skamjes së vet qiti gjithçka pati: gjithë sa pati për jetesën e vet” (Mk 12, 43-44).
Edhe mrekullia e parë në Kanë të Galilesë ndodhi me ndërmjetësimin e nënës së tij Zonjës Mari (Krh. Gjn 2, 1-13).
Këto dhe shumë fakte tejra bindshëm dëshmojnë se jezu Krishti në asnjë mënyrë nuk i pranonte paragjykimet e kohës së tij ndaj femrës, por atë e mbrojti, lartësoi, në shumë raste e zgjodhi edhe si bashkëpunëtore të privilegjuar.
Në bashkësinë e parë të krishterë gratë kishin role të rëndësishme dhe tejet aktive. Ja vetëm disa dëshmi: Lidia ishte bashkëpunëtore e parë e Apostujve (Krh. Vap 16, 11-15), në veprimtari bamirëse (Vap 9, 36), sidomos në përkujdesje të veçantë ndaj grave të veja (Vap 6, 1-7). Në kohët apostolike kishim të vejat, si kategori të posaçme të grave të kushtuara Zotit, lutjes dhe bamirësisë, pastaj diakonesat për shërbime kishtare të caktuara, si p.sh. i përcjellnin gratë apo femrat në pagëzim, kujdesoheshin për botën femrore në raste të sëmundjes… Qysh nga shekulli i 4-të fillon edhe jeta e kushtuar në virgjëri, në bashkësi, si fillim i rregulltarisë. Shembulli më tipik i femrës së kushtuar Zotit, Kishës, popullit, çdo njeriut me frymëzimin e fesë dhe të dashurisë është Nëna Tereze, “Gruaja e fortë e shekullit 20” si pati thënë Peres De Cuelari.
Ja disa parime bazore nga Bibla:
Edhe mashkulli edhe femra janë krijesa të Zotit, para së gjithash njeri, e pastaj ndahen në gjini si mashkull apo femër. Të dytë, Adami dhe Eva, çifti i parë martesor, familja e parë njerëzore, janë të krijuar prej Zotit si përplotësim për njëri-tjetrin, si bashkëpunëtorë të Zotit në krijimin e jetës së …
Me anën e mëkatit të rrjedhshëm apo burimor të Adamit dhe të Evës, padëgjesës apo ngrënies nga pema e ndaluar, rrënohet drejtpeshimi, harmonia mes Adamit dhe Evës, humbet parajsa tokësore, miqësia mes Zotit dhe atyre dhe mes vete. Dhe e keqja i përfshiu edhe pasardhësit e tyre: Kaini e mbyti vëllaun e vet Abelin, vëllavrasja e parë në botë, deri te përmbytja e gjithmbarshme – Arka e Noes.
Shpirti i njeriut nuk është as mashkullor as femëror, por njerëzor me prejardhje hyjnore dhe si i tillë i pavdekshëm. Para zotit njeriu, mashkull apo femër, është i njëjtë dhe përgjegjës për çdo mendim, fjalë dhe veprim. Të njëjtë janë sa i përket krijimit, të krijuar prej Zotit prej dashurisë dhe për dashuri, si dhe veprës së shëlbimit, amshimit, pavdeksisë. Të njëjtë janë edhe në pranimin e sakramenteve, mjeteve të shëlbimit.
Nëse nëpërmjet Evës hyri e keqja në botë, nëpërmjet Evës së re – Virgjërës Mari, erdhi Shëlbuesi, Mesia, Jezusi.
Gratë e përshpirtshme ishin më besnike në çastet më të rënda të kryqëzimit dhe të vdekjes së Jezusit në kryq, ku përpos Zonjës Mari ishin pranë kryqit edhe Maria e Kelopait, Maria Magdalenë, si dhe testamenti shpirtëror i Jezusit: “Grua, qa, yt bir” (flitet për Gjonin, vr. Ime). Mandej i tha nxënësit (Gjonit vr. Ime): “Qe nëna jote!” (Gjn 19, 26-27).
Promovimi i femrës kërkon së pari ndërrimin rrënjësor të botëkuptimit të njeriut, të jetës, të veprimtarisë, ku vend të theksuar dueht të ketë personi – individi – njeriu mashkull apo femër, si tërësi trup, psikë dhe shpirt, për t’i ikur mentalitetit tonë turmor apo grumbullor: si të tjerët, si të gjithë! ZOTI PERSON krijon NJERIUN PERSON me aftësi mendore për të njohur, me liri për t’u përcaktuar dhe me zemër për të dashuruar. Bashkimi në dallime apo përplotësime kërkon prej të gjithëve përgjegjësi dhe bashkëpërgjegjësi, bashkëjetesë dhe bashkëpunim.
Nëse dy gjinitë, ajo mashkullore dhe femërore, krahasohen vetëm nga një pikëpamje, ajo e fuqisë fizike, atëherë mashkulli dukshëm ka përparësi dhe privilegje, ndërsa femra del e dobët, e pambrojtur dhe e varur, disi qenie e dorës së dytë. Padrejtësia më e madhe, dhuna e vazhdueshme ndaj botës femrore lind nga botëkuptimi kryesisht mashkullor dhe patriarkal, ku femrës i mohohet e drejta bazë, ajo është së pari NJERI, ka dinjitet dhe personalitet njerëzor, mendje, vullnet, liri, aftësi për t’u përcaktuar dhe për të vendosur për vete, për familje dhe për shoqëri. Pa e kuptuar dhe pranuar këtë të vërtetë së pari bota mashkullore, dukshëm dëmtojmë vetveten, pastaj edhe femrat, pra, tërësinë njerëzore, sepse në vend të bashkëpunëtorëve dhe bashkëshorteve ne krijojmë shërbëtore, vegla, instrumente e jo pjesëmarrëse të jetës dhe të veprimit të përbashkët. Kur subjekti – njeriu objektivizohet, vegëlsohet, atëherë asgjë më nuk është në rregull, jeta shndërrohet në robërim dhe asgjësim sistematik në çdo lëmi.
Për krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë nevojitet emancipimi i njeriut mashkull dhe femër, për krijimin e shoqërisë më njerëzore e cila nuk do të anësojë askend, por do t’i mundësojë çdokujt të jetë vetvetja në krijimin e bashkimit në dallime. Barazia gjinore parimore duhet të shndërrohet në mundësi përlotësimi në çdo fushëveprim. Kjo nuk është humbje e gjinisë mashkullore, as fitore e gjinisë femrore, antagonizmi dhe rivaliteti apsurd, por thjesht e drejtë dhe detyrë njerëzore. Rruga për të arritur këtë është shkollimi, arsimimi, qytetërimi, si proces i vetëdijësimit tonë dhe punësimi si pjesëmarrje dhe angazhimi shoqëror për dhenien e kontributit të saj si personal, ashtu edhe familjar dhe shoqëror. Nëse femra nuk ka identitet dhe personalitet, nuk e di se kush është, çka do dhe si do të realizohet, atëherë objektivizohet, vegëlsohet, bëhet lëndë në duar të mashkullit si objekt zbavitës – seksual, si materie konsumistohedoniste. Unë këtë e kam sintetizuar kështu: Të jetosh domethënë të komunikosh e të komunikosh dmth. të dashurosh.
Liria në kuptimin bibliko-krishterë është aftësia e njeriut për ta njohur të Vërtetën, për ta dashur të Mirën dhe të Drejtën, dhe për ta zbatuar dhe dëshmuar Dashurinë – Zotin nëpërmjet të afërmit, çdo njeriut.
Pa liri dhe përgjegjësi të plotë dhe dinamike të femrës, nuk ka liri dhe përgjegjësi as për familje as për shoqërinë tonë.