Abuzimi seksual i fëmijëve: Përse duhet thyer qetësia – Shënime nga zona e paqësorit
Gjatë këtyre viteve të fundit, të nxitur nga propagandimi që shtypi u bëri disa rasteve shumë të veçanta, në Britani dhe në SHBA, njerëzit kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj abuzimit seksual të fëmijëve. Por, siç e ka theksuar Mari Makimtosh në parathënien e saj të Sekreteve Familjare: Abuzimi Seksual i Fëmijëve (Feminist Review, no. 28, faqe 14), “Vetëm në saje të lëvizjes së grave, që filloi me hapa të ngadalshëm në ndërgjegjësimin e tyre në vitet 1970, u bë e mundur të thyhej heshtja, duke filluar me ngritjen e grupeve të të mbijeturve të incestit dhe të nxjerrjes në shesh të abuzimit seksual të fëmijëve. Një rol të rëndësishëm kanë luajtur qendrat e krizës së përdhunimit dhe organizatat e grave, për të hedhur dritë në këtë çështje dhe për ta vazhduar punën më tej.” Që nga ato ditë të fillimit, në Amerikën e Veriut, Australi dhe Europë, procese pak a shumë të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera, si për shembull në zonën e Paqësorit.
Edhe pse shembulli nga Ishujt Solomonë, i caktuar më poshtë, i botuar së pari në gazetën e përditshme Solomon Star (15 nëntor 1991), vetëm sa e prek problemin, fakti që ai u botua tregon se është bërë një përpjekje për ta thyer tabunë e heshtjes, e cila e ka mbuluar për një kohë të gjatë abuzimin ndaj fëmijëve.
U fillua me punën e Nikolë Baird e cila u mbështet në të dhënat e UWCA të Rajonit të Paqësorit, me qendër në Suva, kryeqytetin e Ishujve Fixhi – ku është ngritur Qendra e krizës së grave të Fixhit dhe e Lëvizjes së të drejtave të grave të cilat, të dyja së bashku, ndihmuan në organizimin e një seminari trejavor për Zonën e Paqësorit mbi Dhunën kundër grave, në gusht 1992. Që nga krijimi i saj në 1984, qendra është e vetmja e llojit të vet, jashtë Australisë dhe Zelandës së Re, në rajonin e Paqësorit. Ajo jo vetëm që bën një shërbim këshillimor për gratë dhe fëmijët, por organizon edhe programe edukimi për bashkësinë, shpërndan trakte mbi dhunën, ngacmimin seksual dhe dhunën në familje dhe përdor të gjitha llojet e medias, sidomos radion. Këtu po japim edhe një pjesë të një trakti që është shpërndarë, me titullin, “Abuzimi Seksual i Fëmijëve” i hartuar nga Rrjeti i edukimit dhe trainimit të hapur (Komisioni SNW TAFE, Australi, 1992).
PËRSE DUHET THYER HESHTJA
“Bebi, bebi, pa shiko pemën e mangos se si e ka zënë hënën në kurth!” Djali i vogël pushon së qari, kthehet për të parë andej nga i tregon tezja me gisht dhe ajo e shpërblen me një të përqafuar. Dhe me të vërtetë mangua sot duket sikur e ka zënë në kurth hënën. Kjo është njëra nga shumë skenat e lumtura familiare në 5000 fshatrat e ishujve Solomonë”. Por, merreni me mend – pas kësaj dashurie fshihen ndjenjat perverse të banorëve të ishujve Solomonë që rendin pas fëmijëve. Edhe këtu janë po ato praktika të ndyra që prishin jetën e njërit në çdo katër fëmijë në vendet e zhvilluara. Dallimi qëndron në atë, se, këtu, kjo është një temë tabu dhe asnjëherë nuk flitet për të.
Në vitin 1990 Kombet e Bashkuara iu bënë fëmijëve një premtim, kur hartuan kartën e të Drejtat e Fëmijëve. Neni 19 i kësaj karte kërkon që vendet “Të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur fëmijët nga çdo formë dhune fizike apo mendore … keqtrajtim apo shfrytëzim, duke përfshirë edhe abuzimin seksual.”
Në Ishujt Solomonë pjesa më e madhe e njerëzve janë të vetëdijshëm se aty bëhen abuzime seksuale ndaj fëmijëve. Njerëzit dëgjojnë për këto abuzime, i shohin ato, por nuk e hapin gojën. “Dikur sipas zakonit”, thotë Xhimi, një djalosh 24-vjeçar nga Malaitani, që i njeh mirë zakonet popullore, “nëse ndokush do të ngacmonte ndonjë fëmijë, do ta shtronin në dru. Pastaj fisi i tij do ta syrgjynoste. Tani, me futjen e krishtërimit, këto zakone kanë ndryshuar.”
Kolegu i tij, Pjetri, i cili është nga krahina e Guadalkanalit flet për një tjetër traditë më pak të ashpër. “Në krahinën tonë ne i takojmë të dyja palët, fisin e burrit dhe fisin e fëmijës. Të gjithë ulen dhe hanë drekë së bashku. Më pas ne shkëmbejmë para dhe i japim dorë njëri-tjetrit. Kështu zgjidhet çështja dhe vendoset paqja,” sqaron ai.
Jo shumë kohë më parë, Pjetri nuk e la një grua që të shkonte dhe të raportonte të shoqin në polici, i cili kishte bërë një abuzim seksual ndaj një vajze të afërt gjashtë vjeçe që banonte tek ata. “Po ta raportosh burrin në polici,” sqaron Pjetri, “dhe t’iu thuash se çfarë ka bërë, kjo do të thotë që ti nuk ia ke falur gabimin. Është e vërtetë që ligji na udhëheq dhe na siguron paqen, por po shkove në polici problemi përsëri nuk do të zgjidhet. Do të hapet një gjyq dhe burri do të shkojë në burg dhe këtë nuk do ta harrojë kurrë.” Pjetri ka mendimin se zgjidhja më e mirë është dreka e përbashkët, shkëmbimi i parave zakonore, dhe të luturit në kishë.
Katerina punon në Honaire. Ajo ka një rrogë të vogël dhe banon tek ca të afërm në një ndërtesë shtetërore të mbipopulluar. Lagja është pothuajse si një bidonvil. Ajo është besimtare e madhe. Ajo e pranon pa mëdyshje se radioja arra e kokosë tregon se abuzimi seksual i fëmijëve është shumë i përhapur në ishujt Solomonë. “Nëse do të shihja ndonjë burrë që abuzon një fëmijë, do ta raportoja menjëherë në polici,” thotë ajo. Por çfarë ndodh nëse Katerina vetëm ka dëgjuar për të?
Kohët e fundit Katerina u trondit shumë kur dëgjoi një vajzë të vogël (le ta quajmë Eva) që i tha asaj se çfarë i kishte bërë kujdestari i saj gjatë një darke. Siç doli më pas, ai i kishte dhënë asaj 4.5$ për ta mbyllur gojën. ajo i harxhoi paratë për të blerë akullore,” sqaron Katerina, “nuk isha e përgatitur për të shkuar në polici dhe të raportoja apo të shkoja në gjykatë dhe të jepja një dëshmi. Kisha frikë të raportoja.”
Në të vërtetë ndoshta edhe po të kishte shkuar në polici, ata do t’i thoshin që të kthehej në shtëpi dhe të mendohej prapë. “Abuzimin seksual i fëmijëve e kemi para syve,” thotë një figurë kryesore e forcave të policisë, “por këshilla jonë e parë që iu japim është të kthehen prapë në sthëpi dhe ta peshojnë mirë punën e raportimit. Sepse ndodh zakonisht që ata e hapin çështjen dhe të nesërmen ndryshojnë mendje. Kjo ndodh zakonisht në rastet e sulmeve dhe abuzimeve ndaj fëmijëve. Kam mendimin se kjo është një këshillë e mirë që iu japim,” vazhdon ai, “sepse përvoja ka treguar se çështje të tilla mbyllen para se të dërgohen në gjykatë. Shpesh kjo është një humbje kohe pa ndonjë rezultat. “Zakonisht policia e këshillon familjet që t’i zgjidhin këto çështje me kryetarët e fiseve, mëton zëdhënësi i policisë.
Elisabeta, e martuar dhe me një djalë, e kishte të qartë se nuk do ta raportonte në polici bosin e saj kur e pa rastësisht te luante me bibilushen e djalit të saj të vogël. “Djali i ngriti pantallonat me shpejtësi dhe u largua duke u hedhur nga prehëri i burrit,” tha ajo. “Por unë nuk desha të raportoja atë që pashë. Do të doja të kishte qenë dikush tjetër atje. Atëherë do mund ta akuzoja me besim njeriun e rëndësishëm.”
Raste të tilla në të vërtetë përfundojnë në gjyq, por bosi i Elisabetës pa vështirësi mund të kishte dalë i pafajshëm, thotë një njeri i rëndësishëm i legjislacionit. Në Solomon ka një sistem të vjetër juridik. Rastet e pahijshme ju duhet t’i mbështesni me prova dhe ta lidhni të akuzuarin me veprën penale. Kjo është pothuajse e pamundur të bëhet në rastet e abuzimeve ndaj fëmijëve.”
Elisabeta gjykoi se ishte më e udhës të heshtte se sa të takonte njerëz që do ta besonin më shumë fjalën e njeriut të rëndësishëm se sa atë që kishte parë ajo. “Madje ata mund të thoshin se e sajova unë ngjarjen,” thotë ajo me tmerr, “sepse njerëzit kanë prirjen të besojnë njerëzit e rëndësishëm. “Sipas një konsulenti të UNICEF-it, Elisabeta ndoshta ka të drejtë, “Shpeshherë njerëzit shkojnë të ankohen në polici dhe përfundojnë të poshtëruar publikisht. Mbyllja e gojës apo heshtja me sa duket është rruga më e mirë për të mbijetuar.”
Respekti i Xhimit ndaj njeriut të rëndësishëm pothuajse përfundoi bashkë me humbjen e vendit të tij të punës kur ai mori vesh se bosi po abuzonte mbi një vajzë të vogël. “Nuk është mirë t’i shkatërrosh jetën një njeriu duke e raportuar atë në polici, por unë nuk do të punoj më tek ai,” thotë Xhimi. “Po të vazhdoja të punoja, do ta humbisja vendin e punës.”
Shumë gra e kanë po aq të vështirë t’iu thonë bashkëshortëve të tyre ose të afërmve. “Zakonisht abuzimi ndaj fëmijëve raportohet nga nëna ose tezja,” thotë një zëdhënëse juridike, “por rrallëherë ndodh që nëna ta çojë të shoqin në gjyq.” Shpesh ato i kërcënojnë. Beta Xhoi në zyrën e zhvillimit social na thotë se si kishte dëgjuar që një burrë, i cili abuzonte mbi mbesën e tij të vogël, i tha gruas që të mblidhte plaçkat dhe të ikte tek i ati, nëse do të fliste rreth asaj pune që bënte ai ose po t’i shkonte ndërmend që ta raportonte. Pasi kaluan disa ditë Betës i thanë që ngjarja nuk ishte e vërtetë. “Unë mendoj se gruaja pati frikë dhe ndërroi mendje,” na sqaron ajo.
Përse Unë? është një libër që është hartuar për t’i ndihmuar të rriturit që kanë qenë viktima të abuzimit në fëmijëri për ta kapërcyer depresionin. Libri është shkruar nga Lina Doterli, dhe shpjegon dy lloje abuzimesh ndaj fëmijëve. Njëri është ngacmuesi i përhershëm i fëmijëve, njeriu i cili nuk është në rregull nga mendja, dhe tjetri është ngacmuesi i prapambetur i fëmijëve. Ky i dyti ka një familje por gjendja e stresit e shtyn atë të shndërrohet në një abuzues seksual. “Pjesa më e madhe e këtyre abuzuesve seksualë kanë qenë vetë dikur viktima të këtij abuzimi,” shkruan Doterli. Për më tepër, gati çdo fëmijë viktimë (rreth 80 për qind) abuzohet nga dikush që ata e njohin, shpesh nga një anëtar i familjes.
Bibla na jep rregulla të qarta për këtë në Levatianët 18. “Mos bëni marrëdhënie seksuale me ndonjërin nga të afërmit tuaj (6) … kushdo që bën ndonjë nga këto gjëra të pështira nuk quhet më njeri i Zotit (29).”
Abuzim i fëmijëve nuk do të thotë doemos futje në vaginë apo përdhunim. Doterli shprehet se shpesh ai ka të bëjë edhe me prekjen e padëshërueshme të viktimës dhe ndodh sa herë që personi joshet, zihet ngushtë, detyrohet apo i jepet mirë për ta futur në aktin seksual. Veprimi është i gabuar sepse e dëmton fëmijën – ngaanjëherë fizikisht, por më shpesh iu ngjall atyre frikën, konfuzionin, zemërimin, poshtërimin, depresionin dhe ndjenjën e pazotësisë.
Studimet tregojnë se fëmijët mbi nëntë vjeç janë objekti kryesor i këtyre sulmeve. Disa fëmijë janë akoma më të vegjël. Katerina më tregoi për një vajzë pesë vjeçe të cilën e kishin joshur duke i dhënë para që ajo t’i fërkonte penisin xhaxhait të saj. Kur një shoqe e saj e pa se çfarë po ndodhte, ajo iu tregoi prindërve të saj. Si përfundim të gjithë fëmijët e shtëpisë u morën në pyetje në polici. “Mirëpo ai nuk shkoi në burg edhe pse doli që e kishte bërë të njëjtën gjë edhe me një vajzë tjetër,” na tregon Katerina.
Ka edhe një lidhje tjetër të fortë midis pijes dhe abuzimit seksual të fëmijëve. Doterli thekson: “Alkooli nuk është shkaku i abuzimit. Ai “e lejon” abuzuesin të bëjë gjëra, të cilat nuk do t’i kishte bërë në rrethana të tjera”. Nganjëherë kjo vjen edhe nga gjykimi i dobët. Sipas një ngjarjeje në Honaira kur shokët e pyetën një njeri përse ai e kishte lënë shtatëzanë të bijën adoleshente, ai tha: “Në qoftë se njeriu mbjell një diçka, ai duhet të jetë gjithmonë i pari që ta shijojë atë.” Ky qëndrim mund të shpjegojë faktin përse ka pasur vetëm dy çështje incesti në Gjykatën e Lartë gjatë katër viteve të fundit.
“Deri më sot nuk di ndonjë vend ku të mos ketë abuzime ndaj fëmijëve,” thotë një konsulente e UNICEF-it, “por ai është ende një temë tabu dhe është e ndaluar të flitet për të. Shpesh vajzat e abuzuara janë idhnake dhe shkatërruese të vetvetes, e kanë të vështirë të krijojnë marrëdhënie, madje edhe kur zgjedhin partnerë që abuzojnë mbi to. Me sa duket rruga më e mirë për t’i ndihmuar është të flitet për fenomenin në grupet e të rriturve për ndihmën ndaj vetvetes.
“Është e vështirë t’i thuash dikujt se çfarë duhet të bëjë,” vazhdon ajo, “sepse turpi për abuzimin seksual është shumë i madh.”
Ngjarje të tilla janë të shumta dhe përsëriten herë pas here në Ishujt Solomonë. Njerëzit që e dinë se dikush (mund të jetë edhe ndonjë grua) abuzon ndaj një fëmijë nuk e raportojnë rastin. Arsyet mund të jenë të ndryshme, duke filluar nga ndjenja krishtere e faljes së gabimit, frika nga sistemi gjyqësor, mungesa e vetbesimit e deri te besimi i tepruar te njeriu i fuqishëm. I humbur është gjithmonë viktima fëmijë, të cilin shpesh edhe nuk e besojnë kur ajo apo ai i tregon dikujt.
Në shoqatën Fondi për Shpëtimin e Fëmijëve, menaxherja e projektit Magi Kenion është e shqetësuar për ndikimit që ka abuzimi seksual te viktimat fëmijë. “Fëmijët shpesh nuk e kuptojnë se kjo është një gjë e keqe. Atyre iu thuhet që ta mbajnë sekret, kështu që ata fillojnë që ta shohin abuzimin si një diçka të veçantë tek xhaxhi, tetoja, apo tek kushdo që i abuzon.” Kjo do të thotë që fëmija merr mesazhe konfuze kur ai merr vesh se ajo që po bëjnë është një tabu. Po të tregojë, miku apo mikesha mund të përfundojë në burg, dhe mund të mos flasë më kurrë me të.
Kjo çështje theksohet me forcë në librin e Dotertit. Abuzimi nuk ndodh për fajin e viktimës. Problemi kyç, vë në dukje Kenion, është se “fëmija gëzon një të drejtë dhe se ai është një viktimë e pafajshme”.
Për deri sa abuzimi ndaj fëmijëve të mbetet ende një çështje tabu në Ishujt Solomonë problemi do të jetë i vështirë për t’u zgjidhur. Njerëzit që mund të ndihmonin janë udhëheqësit fetarë, krerët e fiseve, dega e zhvillimit të grave dhe zyra e zhvillimit social në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ne përpiqemi të zbulojmë përse ndodhin këto gjëra dhe të ndihmojmë këdo që është i gatshëm për t’iu dhënë fund veprimeve të tilla kundër fëmijëve,” thotë Beta Xhio. Megjithatë, për t’iu përgjegjur kërkesës së saj, ju duhet ta merrni atë në telefon ose të shkoni dhe ta takoni, sepse departamenti i saj nuk mund të lëvizë.
Në fshatrat e krahinës Isabela, një punonjëse e shëndetësisë me qendër në Buala thotë se abuzimi seksual në atë zonë është krejt i rëndomtë. Ajo mëton se një polic i solli asaj për vizitë mjeksore pesë vajza. më e vogla ishte 11 vjeçe. Të gjitha ishin detyruar të bënin seks me forcë me të rritur. “Abuzimi seksual i fëmijëve është një problem i madh,” thotë ajo, “por kryetarët e fiseve nuk iu vjen mirë kur rastet raportohen në polici. Me sa duket ata parapëlqejnë që këto probleme t’i zgjidhin vetë midis tyre. Kam përshtypjen se ata duan që të ruajnë emrin e mirë të fshatit.” Kjo punonjëse shëndetësie na jep këtë këshillë. Për ta zgjidhur problemin ne duhet të flasim për të. Nëse dikush abuzon ndaj një fëmije ai duhet të shkojë në gjyq apo në burg. Ata duhet të marrin një mësim. “Por po të heshtim, apo t’i zgjidhim gjërat sipas gjyqit zakonor, këto gjëra do të vazhdojnë të ndodhin gjithmonë,” thotë ajo.
Herët a vonë hëna duhet të dalë nga hija e pemës së mangos. Ka ardhur koha për ta thyer tabunë e heshtjes, e cila po iu shkakton kaq shumë mjerim fëmijëve. Të flasësh hapur për abuzimin seksual ndaj fëmijëve, është vetëm fillimi.
ABUZIMI SEKSUAL I FËMIJËVE
Çfarë është abuzimi seksual?
Abuzimi seksual ndaj fëmijës do të thotë t’i bësh atij një veprim seksual. Abuzimi seksual i fëmijës është një krim.
Ai ndodh kur i rrituri ushtron pushtetin apo autoritetin e tij apo të saj mbi fëmijën ose përfiton nga besimi apo respekti i fëmijës, për ta futur fëmijën në një aktivitet seksual. Abuzuesi përdor joshje, mito, kërcënim dhe ngandonjëherë edhe forcën fizike për ta detyruar fëmijën të marrë pjesë në aktivitetin seksual.
Abuzimi seksual i fëmijës njihet ndryshe edhe si sulm seksual ndaj fëmijës.
Kur ndodh abuzimi seksual ndaj fëmijës?
Abuzimi seksual ndaj fëmijës nuk do të thotë doemos të bësh seks me një fëmijë – edhe pse shpesh këtu përfshihen edhe marrëdhëniet seksuale.
Kemi të bëjmë me abuzim seksual të fëmijës në raste kur:
preken organet gjenitale
bëhet masturbim
bëhet seks nga goja
bëhet penetrimi i vaginës apo anusit me gisht, me penis ose me çfarëdo objekti tjetër
tregohen organet gjenitale të të rriturit
bëhen komente seksuale
Në të gjitha këto raste, abuzuesi ka më shumë pushtet se fëmija – dhe e keqpërdor këtë pushtet për ta shfrytëzuar atë.
Kush janë viktimat?
Viktimat e abuzimit seksual janë kryesisht vajzat (mbi 90 për qind të rasteve). Dhe pjesa më e madhe e të akuzuarve janë meshkuj (mbi 90 për qind). Megjithatë, mund të ndodhë, dhe jo rrallëherë, që viktimat të jenë djem dhe abuzuesit të jenë gra.
Çfarë përmasash ka problemi?
Abuzimi seksual i fëmijëve është një problem i madh në të gjithë botën. Studimet në Amerikë (San Francisko) kanë dalë në përfundimin se 38 për qind e të gjitha grave të abuzuara seksualisht nga të rriturit, ishin bërë viktima para se ato të mbushnin moshën 18 vjeçe. Statistikat e një studimi të kryer në Britani tregojnë se një në çdo dhjetë fëmijë është bërë viktimë e sulmit seksual nga dikush që ata e njihnin apo që i besonin. Pavarësisht se çfarë statistikash shqyrtojmë, të gjitha ato tregojnë shifra të larta. Ky është një problem i madh edhe për Fixhin.
Megjithatë, shumë pak viktima të abuzimit seksual të fëmijëve e raportojnë abuzimin. Kjo e vështirëson punën tonë për ta njohur problemin në thellësi, sidoqoftë, ka pasur aq shumë raste zyrtare të raportuara sa që ne i kemi tashmë fare të qartë përmasat e problemit. Qendra e Krizës së Grave ka trajtuar një numër rastesh, dhe mjekët, infermieret, punonjësit socialë nga Sigurimet Shoqërore dhe të tjera agjensi ndihmëse kanë raportuar shumë raste që kanë ndeshur në punën e tyre.
Cilët janë të akuzuarit?
Të panjohurit nuk janë të akuzuarit kryesorë. Në gati 85 për qind të rasteve të abuzimit seksual, i akuzuari kryesor është një anëtar i afërt i familjes ose dikush që fëmija e njeh dhe i beson.
Në studimet e kryera në Australi, del që në rreth 50 për qind të rasteve i akuzuari është vetë babai i fëmijës. I akuzuari i dytë pas abait të fëmijës mund të jetë një xhaxha, pastaj vjen vëllai, pastaj njerku dhe gjyshi. Të pandehur të tjerë mund të jenë të afërmit dhe të njohurit, duke përfshirë këtu miqtë e familjes dhe fqinjët.
Në Fixhi, u shqyrtuan 20 raste nga Qendra e krizës së grave, nga viti 1984 deri në 1991. Nga ëto 20 raste, u regjistrua identiteti i 12 të akuzuarave. Në pesë raste, i pandehuri ishte i ati i fëmijës; në tre raste, ishte një i huaj; dhe në katër rastet e tjera, ishte mësuesi, xhaxhai, një mik i familjes apo komshiu.
Të akuzuarit nuk janë të sëmurë nga ana mendore, dhe nuk e kanë pamjen e një ngacmuesi të çmendur të fëmijëve. Ata nuk dallohen dot në mes të turmës. Kryesisht, këta të pandehur duken njerëz normalë, dhe shpesh njerëzit mendojnë se ata “i duan shumë fëmijët”.
Për shumë vetë, ideja se dikush që është shumë i afërt me fëmijën mund të bëjë gjëra të tilla është tejet tronditëse dhe ata e kanë të vështirë ta besojnë. Ka ardhur koha të besojmë që një gjë e tillë është e vërtetë. Ka ardhur koha të flasim hapur.
Abuzimi seksual i fëmijëve ndodh në të gjitha kulturat dhe në të gjitha llojet e familjeve – të varfëra dhe të pasura, të vogla dhe të mëdha, të arsimuara apo pa shkollë.
Justifikimet e të akuzuarve
Të akuzuarit japin gjithfarë justifikimesh për sjelljen e tyre. Më poshtë po përmendim disa nga këto justifikime:
Po i bëja asaj (atij) disa shpjegime për seksin.
Të gjithë baballarët e bëjnë këtë punë.
Po tregoja dashuri për të.
Po luanim.
Nuk i bëra gjë.
E ka fajin nëna e fëmijës, ajo duhet ta dinte (dhe ta ndalonte).
E kishte fajin fëmija. Ajo (ai) më futi në këtë rrugë.
Nuk ka asnjë lloj justifikimi për abuzimin seksual të fëmijës. Në asnjë rast! Të gjithë justifikimet janë të gabuara. Kur të pandehurit justifikohen, ata përpiqen t’ia hedhin fajin dikujt tjetër ose fëmijës – kur dihet që fajin e kanë ata vetë.
Shumë të akuzuar justifikohen duke thënë se “fëmija donte vetë”. Fëmijët mund të nënshtrohen ndaj kërkesave të të tjerëve por kjo ndodh nga frika, nga vartësia dhe ngandonjëherë nga një nevojë e madhe për përkujdesje të çdo lloji. Ata iu besojnë të rriturve dhe kjo sjellje nuk është gjë tjetër veçse një tradhti ndaj besimit të tyre.
Nganjëherë sjellja e fëmijëve duket joshëse dhe filtruese, por kjo vjen nga që ata kopjojnë sjelljen e të rriturve, duke besuar se në këtë mënyrë do të tërheqin vëmendjen dhe dashurinë. Ata nuk presin ndonjë reagim seksual dhe nuk mund të fajësohen, nëse ndonjë i rritur i fut ata në aktivitet seksual.
Përgjegjësia bie mbi të rriturit dhe jo mbi fëmijët.
Përse fëmijët nuk tregojnë?
Pjesa më e madhe e fëmijëve nuk tregojnë se çfarë po iu ndodh. Ata duan me çdo kusht që ta ndalojnë abuzimin, por ka një varg arsyesh përse ata nuk tregojnë.
Ja disa prej tyre:
Shpesh abuzuesi i thotë fëmijës se kjo është një sjellje normale dhe ka shumë njerëz që e bëjnë atë.
Abuzuesi mund t’i thotë fëmijës se po të tregojë, ai do të ketë pasoja. Atij i thuhet se po vajti babi në burg, nuk do të ketë kush ta mbajë familjen.
Shumë shpesh, kur fëmija kërcënon se do t’i thotë mamit se çfarë po ndodh, abuzuesi i thotë fëmijës se mami “e ka marrë vesh me kohë dhe as që do t’ia dijë”. Ose, “po t’i thuash mamit, ajo do të mendojë se ti je e keqe dhe do të të braktisë”.
Fëmija nuk di se kujt duhet t’i besojë, pra nuk di se kujt t’i drejtohet.
Ngandonjëherë fëmija e do abuzuesin dhe nuk do që ai të dënohet. Ai ose ajo thjesht do që abuzimit seksual t’i vijë fundi.
A gënjenjë fëmijët se po abuzohen seksualisht?
Shpesh fëmijët përpiqen të flasin hapur, por nuk i besojnë. Qarkullon një mendim i gabuar se fëmijët nuk tregojnë të vërtetën kur është fjala për abuzimin seksual ndaj tyre. Fëmijët nuk gënjejnë, as nuk i sajojnë gjërat për njerëzit që akuzohen se iu bëjnë ngacmime seksuale. Thjesht për arsyen se atyre iu mungon përvoja dhe njohuritë për t’i sajuar këto ngjarje. Ata nuk kanë se si ta dinë se penisi i burrave fryhet dhe bëhet më i madh, nëse nuk e kanë parë me sytë e tyre ose nëse dikush nuk ua ka treguar atë. Ata nuk kanë se si të dinë për penetrimin në vaginë në qoftë se nuk e kanë përjetuar atë. Megjithatë fëmijët e abuzuar i përshkruajnë gjëra të tilla me imtësi si për shembull “ai më futi gishtin tek çiçi”.
Ata nuk i sajojnë dot nëse nuk iu ka ndodhur me të vërtetë, dhe nëse iu ka ndodhur, faji nuk është i tyre.
Çfarë mund të bëjë ligji?
Departamenti i Sigurimeve Shoqërore ka fuqi ta laragojë fëmijën nga familja, nëse ka bindjen se fëmija është në rrezik. Fëmija futet në kujdestarinë shtetërore dhe dërgohet në një qendër përkujdesjeje ose në një vend të tillë si për shembull Konvikti i Vajzave të Ushtrisë së Shpëtimit. Një i pandehur mund të dënohet vetëm nëse fëmija apo i ati i fëmijës ngre një akuzë. Megjithatë, edhe kur ngrihet akuza, dënimet me heqje lirie janë shumë të lehta ose merren vendime gjyqësore me kusht.
Përse abuzimi shpesh nuk raportohet?
Për të gjitha arsyet që u përmendën më sipër, ka pak gjasa që fëmijët ta raportojnë abuzimin seksual që bëhet ndaj tyre. Kur abuzuesi është babai, nëna gjithashtu ka pak të ngjarë që ta raportojë abuzimin sepse, në më të shumtën e rasteve, ajo as që ka dijeni për të.
Në rastet kur nëna dyshon, është përsëri shumë e vështirë për të, që të bëjë ndonjë gjë. Qendra e krizës së gruas ka ndeshur raste kur nëna e ka prishur martesën dhe e ka marrë fëmijën në mënyrë që ai të jetë i sigurtë. Megjithatë, ajo është kritikuar nga bashkësia dhe familja e saj. Dhe në këto raste ka qenë shumë e vështirë për të që të gjejë një mënyrë për të mbajtur veten e saj dhe fëmijën. […]
Çfarë mund të bëjmë?
Fëmijët të cilët janë viktimat e abuzimit seksual, nuk janë në gjendje të mbrohen vetë. Na takon neve që të bashkohemi për t’i mbrojtur fëmijët. Ne duhet të punojmë së bashku, për t’i dhënë fund abuzimit seksual të fëmijëve.
Ja se çfarë mund të bëjmë
Të mësojmë më tepër për problemin.
Të gjejmë se çfarë dhe se si mund t’i ndihmojmë viktimat.
Të mos mëtojmë se problemi nuk ekziston.
Të mos i lëmë fëmijët në rrethana ku ata mund të abuzohen.
T’i nxisim viktimat dhe të tjerët që të flasin hapur.
Të bëjmë fushatë për reformë ligjore.
T’i ndihmojmë viktimat dhe familjet e tyre.
Nëse je një viktimë, duhet të flasësh për dhimbjen tënde.
Të mësojmë më tepër për problemin
Duhet të mësojmë më shumë për problemin e abuzimit seksual të fëmijëve. Të dimë se si mund t’i ndihmojmë fëmijët e abuzuar.
Qendra e krizës së grave në Suva orgnizon seminare. Aty zhvillohen tema rreth këtij problemi dhe se çfarë duhet bërë për të ndihmuar. Merrni pjesë në këto seminare. Nxisni edhe të tjerët që të marrin pjesë. I kërkoni qendrës t’iu dërgojë një ligjërues për të folur në grupin e komunitetit tuaj.
Të pranojmë se problemi ekziston
Për një kohë të gjatë ne kemi lejuar që mbi fëmijët të abuzohet, sepse ne kemi pretenduar se problemi nuk ekziston. Problemi është mes nesh. Ai nuk zhduket, sepse ashtu duam ne. Duhet të ndihmojmë që të ndryshojë mendësia e njerëzve të bashkësisë ku jetojmë.
Të mbrojmë fëmijët
Nuk duhet t’i lëmë fëmijët në rrethana, ku mbi ta mund ë abuzohet seksualisht. Të tregojmë kujdes me kë i lëmë fëmijët. Të mos harrojmë se abuzuesit mund të jenë të panjohur, por edhe miq dhe anëtarë të familjes.
Të përkrahim viktimat dhe familjet e tyre
Raportimi i abuzimit seksual të fëmijëve është i vështirë si për fëmijën ashtu edhe për familjen e fëmijës, kështu që ata kanë nevojë për një ndihmë të madhe. Në qoftë se nuk jeni i sigurtë se çfarë duhet të bëni (ose personi që ndihmoni nuk është i sigurtë), pyesni dhe bisedoni me Qendrën e krizës së gruas. Ato do t’iu japin ndihmë dhe pagesë dhe biseda do të mebeten sekret. Do t’iu thonë se si duhet të veproni.
Të ndihmojmë që të dënohet abuzuesi – dhe jo i abuzuari
Duhet të japim ndihmën tonë për të sjellë ndryshime shoqërore, të cilat garantojnë dënimin e abuzuesit. Për shembull, përse duhet larguar nga shtëpia fëmija mbi të cilin është abuzuar kur dihet që i takon abuzuesit të largohet? Ta themi ndryshe, përse duhet të ndëshkojmë viktimën – dhe të mos ndëshkojmë fajtorin për krimin?
Njerëzit mund të përgjigjen se po ta largojmë fajtorin nga shtëpia, ai e mban familjen me bukë dhe kësisoj dënimin e tij e vuan familja. Pra u dashka që fajtorin ta lëmë në familje dhe t’i lëmë fëmijët të vazhdojnë dhe të vuajnë.
Është i çuditshëm ky argument i ndihmës ekonomike të familjes kur lidhet me abuzimin seksual të fëmijës. Po sikur njeriu që mban familjen ekonomikisht të vidhte një dyqan, apo të bënte një krim tjetër, a nuk shkon ai në burg edhe pse është bukëfituesi i familjes? Ai shkon në burg dhe familja bën si të mundet.
Ne duhet të mbledhim ndihmë financiare për të përkrahur viktimat në mënyrë që fajtori të largohet nga shtëpia dhe familja të mos vuajë më. Ndoshta kjo është e vështirë të bëhet dhe do të duhet kohë që të realizohet, por ne duhet të fillojmë të mendojmë seriozisht për të. Ne duhet t’i japim fund ndëshkimit të viktimës. Duhet të punojmë për të ndërtuar një shoqëri, e cila i ndihmon fëmijët.
Të ndihmojmë që këta fëmijë të birësohen
Ne duhet t’i edukojmë dhe t’i ndërgjegjësojmë njerëzit që të birësojnë fëmijët që largohen nga shtëpitë e tyre. Prindërit që i adoptojnë këta fëmijë duhet që të jenë shumë të ndjeshëm ndaj kërkesave të fëmijëve, të cilët janë viktima të abuzimit seksual.
T’i nxisim fëmijët që të tregojnë
Ne duhet t’u mësojmë fëmijëve se çfarë është abuzimi seksual në mënyrë që ata të dinë se çfarë është prekje e mirë dhe prekje e keqe, dhe se çfarë është mirë dhe çfarë është keq. Ata duhet të flasin hapur, kur dikush përpiqet që t’i ngacmojë.
Në disa vende ka njësi të veçanta brenda departamenteve të arsimit me punonjës të specializuar, të cilët drejtojnë programe arsimore për fëmijët e shkollave. Ndërsa Fixhi ende nuk është në gjendje për të ngritur sektorë të tillë, ne duhet të punojmë në këtë drejtim dhe, ndërkohë, organizatat jo-qeveritare, si për shembull Qendra e krizës së grave, po organizojnë sesione për grupet shkollorë që kërkojnë ndihmë.
Në vende të tjera, departamentet e arsimit dhe ato të shëndetësisë kanë gjithashtu seksione për mbrojtjen e fëmijës, të cilat kualifikojnë punonjës të ndryshëm si për shembull mësuesit për të dalluar viktimat e abuzimit seksual te fëmijët dhe se si t’i ndihmojnë ata. Seksionet e mbrojtjes së fëmijëve ndihmojnë gjithashtu në hartimin e programeve, në mënyrë që në programet shkollore të përfshihen tema mbi “sjelljen mbrojtëse”.
Të organizojmë fushatën e reformës ligjore
Ne duhet të mobilizohemi për të hartuar një proces të atillë ligjor që të mos jetë aq tronditës për fëmijën që raporton krimin, siç është ky i sotmi.
Tani në disa vende, fëmijët mund të dëshmojnë me anën e një kamere. Kjo do të thotë se ata mund t’i paraqitin provat në dhoma të vogla dhe miqësore para një kamere, e cila incizon procesin. Ata nuk ka përse të vuajnë nga tronditja e madhe e daljes përpara të gjithëve në sallën e gjyqit. Ata mund ta bëjnë dëshminë me gjuhën e tyre. Për shembull, ata mund të përdorin kukulla me veprime lëvizëse për të demonstruar dhe shpjeguar se çfarë iu ka ndodhur.
Po të bëhen këto ndryshime në ligj, atëherë fëmijët dhe familjet e tyre mund ta raportojnë krimin.