Të mbetesh në Kosovë
Përkthyesja: Remzije Ajeti
(Nga ditari i pabotuar ”Të mbetesh në Kosovë” i Nadira Avdiq Vllasit)
Për kosovarët, por edhe për mua që tashmë dy decenie të plota po e ndaj fatin me ta, po kalon tepër ngadalë ky mars jashtëzakonisht i ftohtë dhe i gjatë – muaj i mallkuar. .
Sivjet në muajin mars serbët e filluan ofenzivën e re. Derisa zgjati pauza për persiatjen e delegacionit shqiptar dhe atij serb, rreth asaj se a do ta nënshkruajnë marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, në Rambuje, forca të mëdha serbe u stacionuan në Kosovë, morën përforcime nga Serbia, u grupuan dhe menjëherë pas largimit të misionit verifikues, të cilin e udhëhoqi Wiliam Walker, u nisën për të kryer veprimtari të reja ofenzive anembanë Kosovës. Pala serbe mezi e priti “time out”-in dy javor. Akoma shpresonte që me kryeneqësinë dhe këmbënguljen në përdorimin e dhunës do t’i detyronte aleatët perëndimorë që të lëshojnë pe dhe t’i bëjmë bisht kërkesës ultimative për të pranuar marrëveshjen për zgjidhjen paqësore të krizës së Kosovës, me të cilën pala serbe ishte mbështetur për muri: ose marrëveshjen, ose bombat e NATO-s. Pse shqiptarët nuk e nënshkruan menjëherë marrëveshjen në Rambuje, por insistuan t’u jipet një pauzë për konsultime, kush mban përgjegjësi për këtë veprim diletant dhe të papjekur, kryesisht është e njohur.
Veprimet ushtarake të ofenzivës së Ushtrisë Jugosllave, granatimet e fshatrave në komunën e Podujevës, Gllogovcit, Klinës, Skenderajit, Mitrovicës, Vushtrrisë, Kaçanikut, Deçanit, në rrethinën e Prishtinës morën me vete viktima të reja, derisa të deleguarit ndërkombëtarë e bindnin palën negociatore shqiptare ta pranojë marrëveshjen.
“Status quo”-ja i shkonte për shtati palës serbe, kurse marrëveshja u krijua me qëllim që të ndërpritej dhuna dhe gjendja të ndryshohej me ndihmën e garancioneve ndërkombëtare dhe me qëllim që shqipatrët përsëri t’i fitonin të drejtat e tyre, të cilat regjimi serb ua kishte marrë në mënyrë ilegale. Për këtë arsye hamendja dhe mosuniteti i delegacionit shqiptar shkaktoi goditje të rëndë në opinionin kosovar.
I njohur si mik i shqiptarëve, i deleguari i kryetarit të Amerikës Bill Klintonit, ish senatori Robert Dol-i gjatë kësaj pauze, erdhi deri në Shkup që të takohet me përfaqësuesit shqiptarë. Ai insistonte që urgjent të nënshkruhej marrëveshja.
Mirëpo, ai nuk pati sukses të kontaktojë me përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke u ballafaquar me një papërgjegjësi të tillë politike dhe me faktin se po luhej me fatin e civilëve të pafajshëm, ish senatori Dol para kthimit në SHBA e dha një deklaratë jashtëzakonisht të ashpër, duke thënë se përfaqësuesit shqiptarë, që ishin fajtorë për shtyrjen e bërë, i janë neveritur!
Gjatë asaj kohe forcat serbe tashmë e filluan një kampanjë të ashpër të pastrimit etnik.
Për çdo ditë raportonin për civilët e vrarë dhe të keqtrajtuar. Mospajtimet përbrenda delegacionit shqiptar e shkaktuan shtyrjen, e cila palës serbe i dha kohë që të marrë hov të ri për të bërë larjen e paralajmëruar të hesapeve, me banorët shqiptarë që zgjati një decenie të plotë.
Më në fund, Qendra për Informim e Kosovës në mbrëmjen e 18 marsit informoi se delegacioni shqiptar në përbërje nga Ibrahim Rugova, Hashim Thaqi, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi e nënshkroi marrëveshjen në Pariz. Delegacioni serb nuk e nënshkroi.
Gjatë ditëve në prag të sulmeve ajrore të forcave të NATO-s në afërsi të Skenderajit u vranë më së paku 15 shqiptarë, kryesisht intelektualë. Burrat i ndanë nga gratë dhe fëmijët, i dërguan në stadiumin e futbollit dhe i likuiduan. Pesë shqiptarë i vranë në Suha Rekë. Tre në komunën e Podujevës. Burimet shqiptare lajmërojnë se forcat serbe pas ekzekutimit i morën trupat e viktimave dhe i dërguan në një drejtim të panjohur.
Një vit më herët para kësaj gjakderdhjeje dhe këtij egzodi që nuk mbahet në mend në Evropë, përsëri në muajin që mban emrin e zotit të luftës në gjuhën shqipe “mars” filloi ofenziva në Drenicë, gjatë të cilës vetëm për dy ditë u vranë më se 70 shqiptarë! U sulmua fshati Prekaz, u masakrua familja Jashari dhe midis tyre edhe komandanti i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Atëherë u bë shumë më intensive çthurja e krimeve serbe nëpër fshatrat shqiptare, ndjekja e civilëve, djegia, granatimi i shtëpive, vrasjet, burgosjet, keqtrajtimet, dëbimet e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre, sa më larg nga Kosova, në internim.
Kurse një decenie më parë, në marsin e vitit 1989 rodhi gjaku rrugëve të Prishtinës. Sllobodan Millosheviq, atëherë kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë, me tanke e shkeli autonominë kushtetuese të Kosovës duke ia marrë me dhunë statutin e njësisë federale jugosllave. Me përkrahjen e shumë delegatëve jugosllavë, midis tyre edhe të kryeministrit të atëhershëm Ante Markoviq-it, i cili në solemnitetin më 28 mars të vitit 1989 e theu pogaçen tradicionale serbe, Millosheviqi në mënyrë solemne e shpalli bashkimin e Serbisë.
Shkelja e autonomisë së Kosovës qe një goditje përfundimtare serbe e fazës së përgaditur para lufte, të shkatërrrimit të federatës jugosllave, për të cilin preteksti për fillimin e krizës, qëllimi i të cilës ishte Jugosllavia unitare nën dominim serb, u gjet në demostratat e muajit mars të vitit 1981. Për shkak të atyre demostratve u plasua teza për të ashtuquajturin rrezikim të serbëve dhe malazezëve në Kosovë në kushtet e autonomisë së Kosovës edhe pse “Libri i kaltër” i serbëve, në të cilin atakohet në kompetencat kushtetuese krahinore ishte shkruar qysh në vitin 1978, vetëm dy vite pas miratimit të Kushtetutës së vitit 1974 dhe pesë vite para atyre demostratave. Mirëpo, Tito qe akoma gjallë, raportet e forcave nuk shkonin në të mirë të nacionalistëve serbë, të cilët në strukturat partiake udhëhiqeshin nga prijësi Dragosllav-Drazha Markoviq. “Libri i kaltër” u tërhoq, nacionalistët dhe unitaristët serb u qetësua dhe pritën “ditë më të mira”: vdekjen e Titos dhe demostratat e shqiptarëve në vitin 1981. Pastaj u nisën dhe hap pas hapi, derisa nuk arritën deri te bombat e NATO-s.
Në fund, një maji i vitit 1989 qe dita, kur Millosheviqi kërcënimin e vet të shqiptuar hapur para një milion njerëzve në Beograd se do ta burgoste Vllasin, e realizoi.
Akuza qe “veprimtari kundërevolucionare me qëllim të rrënimit të rendit kushtetues dhe rrezikimit të suverenitetit territorial të shtetit”. Iu kërcënuan me dënim me vdekje.
Jeta jonë mori një kahje tjetër.
Kësaj të premteje, me datën njëzet e gjashtë mars njësoj janë larg prej nesh, në një anë kërcënimi me vdekje, nga ana tjetër liria e pritur dhjetë vjet. Gara midis forcave të NATO-s, të cilat me ndihmën e sulmeve ajrore përpiqen ta detyrojnë Millosheviqin të pranojë marrëveshjen e paqes dhe forcave të serbëve, të cilët i shfrytëzojnë sulmet e NATO-s si perde tymi, për të realizuar në menyrë sa më të shpejtë pastrimin etnik, dëbimin e shqiptarëve, zbrazjen dhe serbizimin e Kosovës, filloi.
Dy ditët e para, përkatësisht tri ditët e para të bombardimeve të NATO-s qemë në Prishtinë. Para kësaj me ditë të tëra pritëm të shohim se a do t’ia kthejë Perëndimi përfundimisht me rrebesh hakun liderit serb Sllobodan Millosheviqit për grishjen aq të shpeshtë për duel, për shkak të këmbënguljes së paturpshme në krimet që morën me vete me mija jetë, kryesisht civilë. Në asnjë njësi federale të ish Jugosllavisë, as në Slloveni, as në Kroaci, as në Bosnjë, as në Kosovë nuk mund të flitet për luftë qytetare, gjë që është koment i dashur i ngjarjeve të këtushme dhe koment i dashur i disa të deleguarve ndërkombëtarë që kanë simpati për Millosheviqin. Për jetë, për ekzistencë luftuan, më mirë të thuhet me vonesa të vogla ose të mëdha, me suksese më të mëdha ose më të vogla u mbrojtën ata, të cilëve u sulej Millosheviqi. Qëllimi i tij nuk qe vetëm t’i shtypte, por edhe t’i zhdukte, t’i largonte nga hapësira në të cilin kishin jetuar. Për këtë arsye në Bosnje, Sanxhak, në Kosovë përballë fuqisë ushtarake më të fuqishmes në këtë pjesë të Evropës, qenë civilët e paarmatosur dhe të pambrojtur, njerzit e thjeshtë, fshatarët, intelektualët, studentët, zanatlinjtë. Prandaj, njësitë elite serbe ushtarake dhe policore, lloje të ndryshme të formacioneve vullnetare-paramilitare dhe mercenarë nga Rusia e patën vetëm një detyrë: t’i pastrojnë etnikisht territoret, të cilat sipas qëllimeve dhe planeve të politikës serbe do të duhej të bëheshin pjesë të Serbisë së madhe. Plaçkitja, djegia, rrënimi, krimet janë mjete, me të cilat përpiqeshin t’ia arrinin kësaj.
Në Evropë, në vetë fundin e këtij shekulli, gjeneratat e lindura pas Luftës së Dytë Botërore, janë dëshmitarë të përpjekjes së re të krijimit me dhunë të shtetit të pastër etnik, kësaj radhe në Ballkan, pastaj dëshmitarë të shtypjes së popujve më të vegjël dhe ushtarakisht më të dobët duke e përcjellë këtë me propagandën e përmirësimit të padrejtësisë historike.
Një kohë shumë të gjatë besova se në shtetin, në të cilin jetuam përkatësia nacionale nuk është shkas as për suksese e as për mosuksese, as për lumturi as për fatkeqësi, as për dashuri as për urrejtje. Im shoq dhe unë, fëmijët tanë sipas lindjes i takojmë popullit shqiptarë dhe boshnjak, popuj, të cilët Millosheviqi provoi t’i zhdukte nga territoret në të cilat jetojnë, në emër të të drejtës së atij që është më i fortë. Kështu ne qemë dyfish të rrezikuar në veprimet e tij pushtuese. Por më së shumti pësuam për shkak se guxuam ta kundërshtojmë. Azemi qysh në rini është marrë me politikë dhe e mbrojti, fatkeqësisht, autonominë e Kosovës dhe të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve. Që nga fillimi i përgatitjeve propagandistike, politike dhe ushtarake të agresionit serb unë qeshë gazetare, e cila duke raportuar nga Kosova në mënyrë profesionale u bëra pengesë për makinerinë propagandistike serbe. Azemi u burgos më 1 mars 1989. U gjykua, qe 14 muaj në burg, kurse mua m’u bë e pamundur të punoj punën time, kudo që nacionalistët serb kishin ndikim. Që të dytë disidentë, të përgjuar, të ndjekur dhe të përcjellë u shmangeshim provokimeve dhe incidenteve të ndryshme. Jo shumë vonë në Austin, TX, SHBA e festuam së bashku me fëmijët tanë, Ademin dhe Sellmën, 25 vjetorin e martesës sonë të kurorëzuar në Beograd, ku edhe u takuam. Nga gjithë kjo periudhë gati pesëmbëdhjetë vite kaluan në rrethan të vështira dhe të pazakonshme të konfliktit me nacionalizmin serbomadh.
Në ish Jugosllavinë, e cila nën shkopin dirigjues të Titos përpiqej për barazi nacionale, për vetëqeverisje socialiste, këmbëngulte që njerëzit të jetojnë më mirë në krahasim me shtetet tjera socialiste, ndodhi më e keqja. Ndodhën të gjitha të këqijat, të cilat njerëzit të organizuar me mjetet shtetërore dhe politike ua bënë njerëzve. Fashizmi, nacional-socializmi, stalinizmi, aparthejdi, nacionalizmi i retarduar anakronik, të gjitha këto me shtesën e një mashtrimi dhe vrazhdësie të një lloji të posaqëm, u mishëruan në një regjim, në një njeri dhe një popull që e përkrahu me vetëdije, e glorifikoi dhe e zgjodhi. Në Sllobodan Millosheviqin.
Lumenj gjaku rrodhën nëpër Kosovë gjatë të qenit të tij kryetar i Komitetit Qendror të Serbisë Socialiste Komuniste, në Kroaci u derdh gjaku, kur populli serb e zgjodhi për krytar të Republikës së Serbisë, që nga Una deri te Drina, Bosnja u përmbyt në gjakun e të pafajshëmve, derisa Millosheviqi qe kryetar shteti, të cilin e shkatërroi dhe emrin e tij e fëlliqi për të gjitha kohët, me qëllim që në fund të sulet përsëri në Kosovën tashmë të lodhur, gjysmë të masakruar me thikën çetnike, në Kosovën mezi të gjallë. Së pari më 1998 në Drenicë.
Millosheviqi llogariti se e kishte marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e gjakderdhjes. Duke u tallur me Perëndimin, duke e mashtruar e bëri atë pjesëmarrës të vetin në krim duke ia shfrytëzuar dobësitë i bindur se përsëri do t’ia hedhë me lojra politike dhe ushtarake. Gati dhjetë vjet ecëm nëpër Kosovë në majë të gishtave, të tmerruar, të pandihmë, duke përgjuar, duke përcjellë, duke analizuar të keqen që na gjeti, mu si një katastrofë natyrore, si një tërmet. Në fund mbeti vetëm shpresa se ai Perëndim i njëjtë, para së gjithash SHBA-ja dhe NATO do ta ndalojnë. Shqiptarët vetë, pas viteve të shumta të humbura të pritjes, nuk mund ta bënin këtë. Këtu ishte fjala edhe për jetët tona, për familjen tonë. Dhjetë vite Millosheviqi edhe personalisht u kacafyt me ne. U sul së pari në lirinë e Azemit. Të paktë janë ata politikanë që mund “të lavdërohen” se u burgosën për shkak se i mbrojtën parimet themelore të Kushtetutës në fuqi dhe në bazë të premtimit të dhënë hapur nga ana e shefit të partisë në pushtet. Për shkak se qe shqiptari që e mbrojti statutin e Kosovës si një njësi federale, për kryetar të të cilit u zgjodh në mënyrë legale dhe i cili na kujtohet si një zgjidhje optimale për atë kohë edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, edhe për Jugosllavinë.
Gjatë viteve të para të hovit të Millosheviqit u detyruam t’i mbrojmë fëmijët nga bandat e tërbuara serbe. Sepse njihnim politikanë, fëmijët e të cilëve mbyteshin në rrethana të paqarta, kurse ata të zhytur në fatkeqësinë personale i hiqeshin Millosheviqit nga rruga. Kjo do të thoshte ose të largohemi nga Kosova, ose të ndahemi nga ata. Ademi dhe Sellma, në moshën 14, përkatësisht 13 vjeçare që nga burgosja e Azemit nuk qenë të sigurtë në Prishtinë. I dërgonim herë në një vend, herë në një vend tjetër, në fillim te familja ime në Bosnje, në Bjelinë, sa më larg nga arkanovcët, nga ushtria serbe dhe thirrjet e saj. As që ëndërruam se vetëm një vit më vonë mu në atë Bijelinën e qetë, të qytetëruar, për të cilën mendoja se është më e sigurta për fëmijët tanë, mu aty Arkani me urdhërin e Millosheviqit do të fillojë dasmën e përgjakshme boshnjake. Dhe se ajo gjakderdhje do të përfundojë me dëbimin e boshnjakëve duke përfshirë këtu edhe familjen time, nënën time, e cila nuk mundi ta durojë këtë dhe ta mbijetojë. I ndamë nga vetja me qëllim që t’u japim rastin të mësojnë dhe të punojnë në vend të sigurt. Por u detyruan të jenë pa ne! Sellma i pati 15, kurse Ademi 16 vjet, kur ia mësynë botës, nga Sarajeva, atëherë në krahasim me Prishtinën më e sigurtë, si studentë exchench, në verën e vitit 1991 u nisën. Menduam si edhe fëmijët tjerë, vetëm për një ose dy vite në SHBA. Ishte kjo e vetmja zgjidhje, sepse Azemi me asnjë kusht nuk deshi të largohet nga Kosova. Ata nuk ishin fajtorë për asgjë e aq më pak për konfliktet tona me nacionalistët serbë. U detyruan të orientohen vetë në jetë. Së pari në familjet amerikane, pastaj u detyruan të punojnë, të luftojnë për ekzistencën e tyre, për arsimimin personal pa ndihmën tonë.
Përkundër kësaj Millosheviqi e rrezikoi ekzistencën tonë, na pamundësoi të punojmë punën tonë, na e mori banesën, në të cilën duhej të shpërnguleshim dhe ia dha Gani Jasharit, atij që u bindej serbëve. Ata pritnin që në atë mënyrë do të shpejtohet largimi ynë. Rezistenca jonë, lufta jonë, qëndrimi jetësor, inati ynë ishte: të mbetemi në Kosovë. I demaskuam në rrethana të vështira dhe me këmbëngulje çdo ditë qëllimet jocivilizuese të politikës serbe. Punuam, shkruam, folëm dhe e shpërndamë të vërtetën për ngjarjet e Kosovës. Kjo nuk qe e kotë. Qemë shumë të pafuqishëm që ta ndalojmë, por shumë të fuqishëm që të ndihmojmë ne paraqitjen reale të personalitetit të Millosheviqit. Si analist politik dhe avokat Azemi gjatë gjithë atyre viteve u përpoq t’i qesë në dritë metodat e bërjes së padrejtësive ndaj shqiptarëve dhe marrjen e atyre të drejtave, të cilat tashmë i patën dhe me qëllim që opinioni të jetë sa më i informuar lidhur me proceset e montuara politike. Me qindra e qindra diplomatë, gazetarë e kërkonin mendimin e tij dhe vlerësimin e situatës. Ai bëri biseda të panumërta, dha shumë intervista, u paraqit kudo që e ftuan. Kah fundi i vitit 1997, mua si gazetare e pavarur m’u dha rasti, të cilin vetëm mund ta ëndërroja: të punoj për “Zërin e Amerikës”, për VOA- programin në gjuhën boshnjake, për redaksinë, deri te cila nuk arritën të depërtojnë direktivat nga Beogradi.
Mirëpo, Sllobodan Millosheviqi mundi të bënte diçka që nuk bëri. Të na vriste… Mundi ta likuidonte Azemin në burg, të inskenonte përpjekje të ikjes, vetëvrasje, infarkt. Një herë “AS”-i i Sarajevës, në të cilin ishte një rrymë e fortë promillosheviqjane e publikoi një lajm të shpikur: “Azem Vllasi provoi të ikë nga burgu i Mitrovicës!” Megjithatë, Millosheviqi sipas të gjitha të dhënave nuk dha një direktivë të tillë, sepse atij më shumë i shkonte për shtati një gjykim i gjatë në bazë të akuzës, me të cilën Azemit i kërcënohej dënimi me vdekje. Në këtë mënyrë ai i frikësoi dhe i detyroi të heshtin kuadrot politike shqiptare. Një vdekje misterioze, e një lloji çfarë patëm në dhjetë vitet e kaluara anembanë Jugosllavisë, nuk do të kishte efektin e një gjykimi gjashtëmuajsh. Një lajm për vdekjen e dikujt është aktual vetëm dy tri ditë dhe merr fund.
Fillimi i sulmeve ajrore të forcave të NATO-s qe një rast tjetër i mirë, të cilin ne duke mbetur në Kosovë ia dhamë. Në të vërtetë, atëherë ka mund të na vrasë çdo serb me udhërin e Millosheviqit ose pa të. Edhe tani, derisa po e shfletoj ditarin e shkruar në rrethana të vështira, në të cilat qenë të gjithë ata që mbetën në Kosovë (jo për shkak se nuk mundëm, por për shkak se nuk deshëm me kohë të shkojmë), nuk mund t’i përgjigjem vetes në pyetjen: Pse ia dhamë ne Millosheviqit rastin të na vrasë? As nuk e di çfarë na shpëtoi nga pakujdesi personal. Fati, ylli i fatit që na përcolli, na mbrojti dhe në momentin e fundit na erdhi në ndihmë. Të premten, më 26 mars, të këtij viti, 1999, diku rreth orës 18.30 minuta, tashmë qe errësirë, kur unë dhe Azemi arritëm në fshat.
LARGIMI NGA PRISHTINA
Të premten e njëjtë, në ditën e tretë të sulmeve ajrore të forcave të NATO-s, herët në mëngjes dikush trokiti në derën e banesës sonë. U trembëm. Ishte kjo mikesha jonë Seada, profesoreshë e filozofisë në shkollë të mesme, në paralelet e gjuhës serbe. Seada simpatike, gazmore, plot energji, një boshnjake nga Sanxhaku (këtu e kreu fakultetin dhe u martua, gjithashtu me një boshnjak, stomatolog) në kohën e fundit ishte jashtëzakonisht e frikësuar. Në kampanjën e largimit të shqiptarëve nga puna gjatë vitit 1991 dhe 1992, qe në pushimin e lehonisë, nuk u eksponua dhe mbeti në vendin e punës. Në realitet nuk kishin kuadro prandaj bënë lëshime ndaj saj edhe pse nuk qe serbe, e quanin Seka, kurse ajo i shmangej çdo bisede politike me kolegët. I mbante orët dhe duke u arsyetuar se i ka fëmijët të vegjël ikte për në shtëpi. Në realitet me boshnjakët, turqit, kroatët, romët dhe të gjithë ata, të cilët për shkak të numrit të vogël nuk paraqitnin rrezik për projektin e serbizimit të Kosovës, pushteti serb luante me ta “si macja me miun”. U jepnin rastin të mbeteshin në vendet e tyre të punës, u ofronin rastin të punësoheshin në vend të shqiptarëve, sepse nuk kishte mjaft serbë. Në këtë mënyrë i bënë, më së shpeshti në mënyrë të paarsyeshme “kolaboracionistë” dhe “të dyshimtë” te shqiptarët. Natyrisht pati edhe të atillë që për interesa personale e shfrytëzuan rastin që përkatësinë nacionale ta materializojnë si dhe të ashtuquajtur përfaqësues të boshnjakëve, turqve, romëve, të cilët punuan në shërbim të qëllimeve fashiste të politikës serbe.
E pra, Seada hyri në banesë dhe në panik, qysh në korridor filloi të më këshillojë qetë: “Të lutem mos dil në rrugë. Ti nuk ke ide se sa janë të hidhëruar në ty dhe si e komentojnë faktin që ti akoma po raporton. Nëse serbët të shohin në rrugë do të të vrasin. Tani ta dish se janë më të hidhëruar me ty se me Azemin. Keni kujdes! Shkoni diku! Çka po bëni kështu! A jeni normalë! Pse po luani me jetën tuaj?! Ja, pasdite ne do të shkojmë në Novi Pazar. Nuk mund të durojmë më këtu. Ejani me ne, pastaj mund të vazhdoni për në Sarajevë.”
E qetësoja, edhe pse e dija se kishte të drejtë: “Mirë, do të shohim. Do të të paraqitem me telefon, pastaj ndoshta do të nisemi.”
Kur Seada shkoi mendova, se për ne tashmë është vonë. Sepse të gjithë na njohin. Emisioni gjysmë orësh, i “TV”-esë, VOA- servisi në gjuhën boshnjake, që nga e hëna deri të premten, në orën 23.30 minuta u bë nëjra ndër emisionet më të shikuara informative. Shqiptarët e përcillinin në mënyrë aq masive dhe merrja aq shumë lëvdata sa që shpesh ndihesha keq për shkak të kolegëve shqiptarë. Serbët, meqë e kuptojnë gjuhën pas “Studios së hapur”, të VOA (Zërit të Amerikës) në gjuhën serbe, jo rrallë mbeteshin që të dëgjojnë edhe raportin tim. Gjatë javëve të fundit nuk qe më e rëndësishme sa po përpiqem që të kem burime edhe shqiptare, edhe serbe. Nuk qe në pyetje se objektivisht po raportoj, por serbët e konsideronin paturpësi dhe provokim faktin që unë po raportoja në përgjithësi për krimet e tyre gjatë atyre ditëve të tmerrshme para dhe në fillim të intervenimit të NATO-s. Gati çdo mbrëmje, siç është e zakonshme përveç raporteve të mia në ekran paraqitej edhe fotografia ime dhe meqë më njihnin të gjithë, dilja në rrugë çdo herë e më pak. Më vinte keq për ato “kohët e arta”, kur punoja për gazeta. Për Azemin as që duhet të flas. Atë thjeshtë e njihnin të gjithë. Nuk kishim mundësi të shkojmë pa u vërejtur, kurse morëm nga disa burime informatën se gjendemi në listën serbe të intelektualëve të parë, të cilët duhet likuiduar.
Përndryshe, punoja me gjithë qenien time. Disa ditë para fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s redaktorja ime nga Washingtoni, Gjeilana Peqanin-Alison, derisa po e dërgoja raportin e zakonshëm ditor, e mori lidhjen dhe e brengosur më pyeti se a e di unë që jam e vetmja që po raportoj nga Kosova për VOA. Milosh Antiqi, për të cilin shqiptarët mund të betoheshin se punon për policinë serbe (e kishin parë në vitin 1989 më uniformë ushtarake, prandaj qe goditje e vërtetë, kur filloi të punojë për shtëpinë informative amerikane) para më se një muaji e kishte ndërprerë raportimin për VOA në gjuhën serbe, ndoshta nga frika, ndoshta sipas urdhërit të shefave të tij të vërtetë. Disa ditë para sulmeve ajrore të NATO-s pushuan së raportuari edhe gazetarët e “Zërit të Amerikës”(VOA) nga programi në gjuhën shqipe. Gjeilana në fund më tha: “Po shihet që je boshnjake. Vlerësoje vetë a mund të punosh më. Ruaju!” Kjo qe biseda jonë e fundit para luftës. Vazhdova të punoj akoma.
Ditën e parë dhe të dytë të bombardimeve natën ndalej rryma elektrike. Raportet, përfshirë këtu edhe lajmin për kidnapimin e avokatit më të njohur shqiptar Bajram Kelmendit e dërgova duke e lexuar nën dritën e qiririt. Nuk mundëm ta shohim emisionin, as raportin tim, sepse rryma elektrike erdhi vetëm të nesërmen, pastaj në mbrëmje sërish u ndal. Të lexuarit me qiri më zgjoi asociacione. Natyrisht në Sarajevën! Në tezen time Azrën, motrën e nënës, të sëmurë, pa një veshkë, të cilës para fillimit të luftës provova t’ia siguroj një biletë avioni që të vijë me mbesën e saj Eminen në Prishtinë. Në aeroport qe tollovi e madhe dhe ato u kthyen në shtëpi. Më vonë Sherifi, dhëndri i saj, burri i kushërirës sime Jasminës, në moshën 31 vjeqare ra martir duke mbrojtur Sarajevën. Tezja Azrë vazhdimisht ma tërhiqte vërejtjen: “Më premto se do të largohesh me kohë. Mos veproni si ne. Mbetëm, u torturuam dhe kurgja kërkujt. Emina, ja e ka fatin tënd. Kurrsesi nuk po mund të pajtohet se i ati nuk do t’i kthehet më. Vazhdimisht po e pret”.
Erdhën kohë të reja më shpjegonin kushërinjtë nga Sarajeva. Të gjithë qenë edhe fajtorë, edhe kishin të drejtë, më mirë kaluan ata që shkuan dhe u kthyen më vonë me para. Kush po të pyet ku ke qenë, kur të kalojë e tëra! Me rëndësi është se si po gjindesh. Në prag të luftës vazhdimisht ma tërhiqnin vërejtjen. Shpesh mendoja për këtë. Se si ata që kishin duruar, kishin humbur më të afërmit, i kishin humbur të gjitha më vonë u bënë ngarkesë për krijimin e “vëllazërim-bashkimit” të ri, pengesa për harresa të shpejta dhe falje gabimesh.
Në vete mendova, se megjithatë do të veprojmë ashtu siç do ta vlerësojmë vetë, si mundemi. Vetëm për një gjë isha e sigurtë se nuk dëshirojmë dhe nuk mund të sillemi sipas modelit të të tjerëve.
Përnjëherë, diku nga mesi i marsit, u bë një tollovi. Thuajse në këto vite përnjëherë u rrit vlera ime profesionale. Shumë redaksi kërkonin raporte. Habitesha dhe më kujtohej se si gazetare e pavarur e paraqitur në Entin për punësim në Zagreb me qëndrim në Prishtinë, anëtare e Shoqatës së gazetarëve të Kroacisë, nuk munda të gjej punë gjatë gjithë vitit 1996, pasi një vit më parë më pushuan nga puna në gazetën “Vijesnik”. Dhe kështu me disa përpjekje që të punoj për mediat e Bosnjes dhe Hercegovinës, praktikisht deri në vitin 1997, kur fillova të punoj për “Zërin e Amerikës” – servisin në gjuhën boshnjake, qeshë e papunësuar. Duke iu falënderuar Millosheviqit të gjitha dyert gazetareske për mua qenë të mbyllura kudo që pati ndonjë ndikim. Nuk mund të punoja askund. Kur paraqitesha në ndonjë redaksi merrja lëvdata për raportet e para, derisa nuk punonin antenat e Millosheviqit. Pastaj pushonin të më thërrisnin. Në WDR Koln, paraqitesha në programin në gjuhën Kroate, kolegia nga redaksia më sqaroi se si nga redaksia në gjuhën serbe kishin bërë presion në drejtorin e tyre të përbashkët, drejtorin gjerman, me të cilin serbët shoqëroheshin dhe pinin bashkë. Kishin insistuar dhe ia kishin arritur qëllimit që redaksia kroate të pushojë së emituari shtojcat e mia gazetareske nga Kosova. E kur supozova se do të mund të lajmërohesha bashkë me kolegun tim Ismet Hajdarin, kohë pas kohe për Radio “Evropën e Lirë”, ai ma bëri me dije se kjo nuk ishte e mundur, për shkak se do të kundërshtonte pjesa serbe e redaksisë! Mendova se megjithatë fjala është për dëshirën e tij personale që të bashkëpunojë me kolegët, të cilët për të janë më të afërt në jetën private. Mirëpo, nga mënyra se si iu shmang përgjegjes se cilat janë mundësitë e bashkëpunimit tonë, kryeredaktori përgjegjës i RFE ( Radio Evropës së Lirë) Nenad Pejiqi, përdryshe koleg imi nga fakulteti, i cili para luftës në Bosnje dhe Hercegovinë e shkroi skenarin për film në bazë të librit të Azemit “Mjeshtrit e territ” – shënimet nga burgu, e kuptova që mekanizmi i “prekjeve millosheviqiane” po funksiononte për mrekulli në shumë redaksi me seli në diasporë. Lufta për medija në fazën përgaditore të lëvizjes serbe qe më e rëndësishmja. Shumë gazetarë në shërbim të Millosheviqit më vonë u bënë kritikë të tij të ashpër.
Mirëpo, “rrota e fatit po lëvizë”!
Vetëm duhej pasur durim. Duke iu falënderuar Millosheviqit dhe bombardimeve të NATO-s u bëra gazetarja më e kërkuar e Kosovës! Në periudhën kur nuk mund të gjeja punë, nuk qe me rëndësi as arsimimi im, as përvoja, as kualiteti i shkrimeve të mia gazetareske. E kuptova në çfarë shoqërie dhe kohe po jetoj pas një sigurie shumëvjeçare, të cilën në atë ish Jugosllavinë e dikurshme na e ofronte punësimi i përhershëm. Në fazën e pushimeve nga puna, e cila zgjati gati dy vjet, prej vitit 1995 deri 1996 dy kryeredaktorë përgjegjës përkundër direktivës “nga lartë” nuk e realizuan këtë, por erdhi i treti, Nenad Ivankoviq. Pa hamendje, pa u takuar me mua, as pa biseduar me mua e keru detyrën e largimit të të padëshiruarve. Pas 26 vitesh të plota përvojë pune prej të cilave 14 vite në “Vijesnikun” zagrebas kolegët serb i këndonin ngadhnjimit. Shumë kohë para se të ndodhë kjo, në faqen e parë të gazetës “Politika” u paraqit lajmi i rrethuar në katrorë: “Nadira Vllasi u pushua nga puna”. Autor ishte, çfarë absurdi, Zenel Zeneli, boshnjak-goran, i cili si duket e ndiente veten si serb të Millosheviqit. Tuxhmani dhe Millosheviqi me sulmet e tyre të përbashkëta mbi Bosnjen dhe boshnjakët lidhën marrëveshje dhe siç e kuptova më vonë njëra ndër “cikërrimet” qe edhe ndalimi i punës së korrespondentit të “Vijesnikut” në Prishtinë! Mirëpo, në atë kohë aq shumë shqiptarë u përzunë nga puna sa u gjeta në pozitën e shumicës së kolegëve të mi kosovarë.
Vendet e korrespondentëve qenë pak a shumë të plotësuara. Shqiptarët punonin për redaksitë e jashtme në gjuhën shqipe, serbët në gjuhën serbe, kurse unë? Edhe këtu nuk pati kurrfarë mëshire as solidariteti. Tanimë me vite çdo gjë është e ngjyrosur me ngjyrën e nacionalitetit.
Një javë para intervenimit të NATO-s më thirrën nga redaksia (programi) boshnjak i Radio Deutsche Wele-s me arsyetimin se më herët nuk kishin mund të më gjenin! Pastaj nga televizioni i Bosnjes dhe Hercegovinës. Dërgoja raporte për Antenën M nga Podgorica, për TV-nin e Tuzlës, me të cilët me inisiativën e tyre edhe më herët e pata filluar bashkëpunimin. Kosova ishte në flakë. Megjithatë, ku janë gazetarët tjerë? Rraskapitesha duke punuar, nervozohesha për shkak të lidhjeve tmerrësisht të dobëta telefonike, vrapoja poshtë e lartë, përpiqesha të kuptoj çfarë po ndodh, duke i shfrytëzuar burimet shqiptare. Natyrisht i raportoja edhe informatat e Qendrës së Mediave serbe, me qëllim që të dëgjoheshin të dy palët.
Dy ditë para bombardimeve, kur të gjitha përpjekjet paqësore dështuan forcat serbe me të madhe tashmë ishin thelluar në afenzivë. Përsëri iu vërsulën Drenicës. Hynë në fshatin Qirez, ku ishin më se një mijë të zhvendosur, i vranë disa shqiptarë. Serbët nuk u dhanë leje përfaqësuesve të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar të hyjnë në Skenderaj.
I deleguari special amerikan Richard Hoolbrooke pas një varg takimesh të rëndësishme në Evropë, deklaron: “ Jemi shumë afër veprimit ushtarak”. Unë fare lehtë e harrova premtimin, se do të largohem nga Prishtina, posa të mungojë rryma ose uji. Më vonë arsyetohesha: rryma dhe uji vazhdimisht ndaleshin dhe përsëri vinin, a thua vallë kam mund ta di unë se kur po ndërpreheshin përnjëmend? E shtyva vendimin për largim, derisa të punojnë lidhjet telefonike.
Një ditë ose dy para fillimit të bombardimeve e gjeta email-in e Isabellës, me të cilën kohë pas kohe takohesha kohëve të fundit. Punonte në OSCE, kurse para ardhjes në Prishtinë i kaloi tri vite në Bosnje, disa muaj në Bijelinë. Atje kishte dëgjuar për mua. Në realitet, e kishte përcjellë programin në gjuhën boshnjake të “Zërit të Amerikës” (VOA), sepse kishte punuar për informim dhe më kishte kërkuar kur erdhi. Ishte një grua e gjatë, e mençur dhe e re, kishte dëshirë të fliste për ngjarjet në Kosovë. Ajo më shkruante nga Shkupi: “E dashura Nadirë, si jeni ju atje? Po brengosem shumë për ju. Dëgjova se e kanë kidnapuar Bajram Kelmendin. Nuk do të dëshiroja t’u ndodh kjo edhe juve. Nëse vjen këtu, të lutem, m’u lajmëro. Ne jemi këtu në hotelin “Aleksandar Palace”.
Isabella e kujdesshme. Të premten, më 19 mars, u takuam. Ishte e brengosur, e tronditur. Më tha që ata të nesërmen në mëngjes do të nisen dhe më këshilloi që për dy apo tri javë të strehohemi diku jashtë Kosovës.
Me atë rast e shkrova këtë raport gazetaresk për “Zërin e Amerikës” (VOA):
“Misisoni Verifikues i OSCE-së po largohet nesër në orët e hershme të mëngjesit na Kosova. Po largohen edhe veturat e tyre ngjyrë portokalli, të cilat qytetarët janë mësuar t’i shikojnë si një mbrojtje të paarmatosur, megjithatë mbrojtje dhe ajo që është më me rëndësi – si një garancion i objektivitetit në komentimin dhe informimin e asaj që po ndodh në Kosovë. Këtë lajm jo pa emocione e dha shefi i Misionit William Walker, i cili këtu është simbol i njeriut që e mban fjalën e dhënë. Nuk u tërhoq në rastin e Reçakut, kur pushteti serb e përzuri pastaj ndërroi mendimin dhe e ngriu vendimin. Dhe tani e mbajti fjalën e dhënë, se do të shkojë së bashku me 1.400 verifikues duke pasë para sysh që marrëveshja Hobruk – Millosheviqi dhe kurrfarë marrëveshje tjetër e bashkësisë ndërkombëtare nuk ekziston më me palën serbe.
Misioni Verifkues i OSCE-së po largohet në momentin, kur është më se e qartë, theksoi sot në konferncën për shtyp Xhemail Mustafa, zëdhënës i Ibrahim Rugovës, se pala serbe është kundër zgjidhjes politike, se i vetmi plan pranues për palën serbe janë ofenzivat e reja, terrori intenziv urban në një llogor ushtarako policor. Ne, tha Mustafa, jemi në prag të një ofenzive të përgjithshme kundër Kosovës dhe ky është një shkak më shumë që bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet e saj të veprojnë urgjentisht kundër forcave të regjimit serb në funksion të mbrojtjes së Kosovës.
Në Prishtinë mbretëron një atmosferë frike, në fytyrat e qytetarëve brengosja: çfarë do të ndodhë? Në një periudhë të rëndë paraprake të kërcënimeve të serbëve se do të hakmirren mbi civilët shqipatrë, të cilat sipas variantit të Sheshelit arrijnë deri te pohimi se në Kosovë nuk do të ketë shqiptarë në rast të sulmeve ajrore, bashkësia ndërkombëtare duhet të japë përgjigje adekuate që do ta prapste palën serbe nga qëllimet e tilla.”
Një ditë para largimit të Misionit Verifikues, të njëjtën të premte kur u takova në mbrëmje me Isabellën, më herët e pata të caktuar një bisedë më William Walker-in dhe ky takim qe përcaktuar për në orën dhjetë në mëngjes. Akoma nuk dihej se po largohen aq shpejt. Në mëngjes më thirri sekretarja e zyrës së Walker-it dhe e konfirmoi marrëveshjen për takim. Vrapova si pa shpirt. Misioni i OSCE-së ishte i vendosur në ndërtesën e dikurshme të Bankës së Lublanës, të cilën pushteti serb e uzurpoi dhe e shndërroi në Jugobankë e pastaj për një shumë të madhe të parave ia lëshoi OSBE-së. Erdhi edhe fotografisti i tyre që të më fotografonte me Walker-in dhe më premtuan se do ta përcjellin fotografinë përmes internetit në redaksinë e “Zërit të Amerikës” (VOA). Redaktorja ime Gjeilana u gëzua shumë që do ta bëjmë atë bisedë. Për të gjitha qemë marrë vesh. Më lutën të pres pak te sekretarja. Përnjëherë u krijua një lëvizje e madhe, bashkëpunëtorët e Walker-it hynin e dilnin. Pas 15 minutash doli oficeri i ngarkuar për siguri dhe ma dorëzoi një kërkim faljeje nga Walker-i, sepse “kishte lindur një problem pa pritur” dhe për këtë arsye nuk mund ta bëjmë bisedën me VOA, për të cilën qemë marrë vesh. E zhgënjyer pyeta: “Çka mendoni për nesër?” Më shikoi dhe i mblodhi krahët: “Fatkeqësisht, nesër nuk do të jetë e mundur. Nuk do të jemi këtu.” Nuk reagova sa duhet si profesionaliste, nuk këmbëngula të pyes në stilin pse nuk do të jeni këtu, e ku do të jeni, e pyetje të ngjashme. Fatkeqësisht nuk e posedoj atë karakteristikë gazetareske të insistimit që të kuptoj diçka edhe me kusht që të jem e mërzitshme ose e pakëndshme. Mirëpo, edhe sikur të përpiqesha të kuptoj diçka më shumë ky oficer me siguri nuk do të më tregonte asgjë. Akoma nuk e kuptova se do të largohen të gjithë, u ktheva në shtëpi dhe iu paraqita Gjeilanës për t’i treguar se nuk mund t’ia dërgoj intervistën. Dy orë më vonë, diku rreth mesditës, Walker-i dha deklaratën për opinion se nesër do të largohen nga Kosova. “Por do të kthehemi”, shtoi duke theksuar se është i vetëdijshëm për peshën e situatës.
Pasi shkoi Isabella, një natë para se të largohet Misioni i OSCE-së u telefonova të gjitha mikeshave të mia që kishin fëmijë të vegjël dhe ua thashë atë që e mora vesh. Së pari Burbuqe Rushitin, kolegen time, korrespondente e TV-ionit informativ turk të stacionit NTV. I thashë: “Ti vepro si të duash, bijt i ke shumë të vegjël, po ndiej përgjegjësi që ta përcjell vërejtjen e Isabellës, që ta kem ndërgjegjjen e qetë. Ne nuk do të shkojmë askund, nuk duhet bërë panik, por ta dish.” E binda bijën e vëllait të Azemit Selvien të shkojë në Shkup me tre fëmijët e saj. Do të mbetem më së shumti shtatë-tetë ditë. U dëgjova edhe me nunën time Dritën, me fqinjën Suadën, Tezen Mubera, Gjylën. Burbuqja shkoi në Turqi, Drita në Ulqin, Melihatja tashmë ishte në Novi Pazar dhe që nga atje më ftonte të shkoj së paku për disa ditë.
E mëkrure, 24 mars.
Në orën 19:00 nga baza e Avianos fluturojnë nja pesëdhjetë aeroplanë luftarak, kryesisht F-16 dhe F-18. Aty janë edhe mirazhët francezë dhe të tjerët. E nisën fluturimin nga bartësja e avionëve, nga nëndetësja. Eksplodimet e para i dëgjuam ne në Prishtinë, por edhe në Beograd, Podgoricë, Panqevë, Kragujevc.
“Po vazhdon sulmi në caqet serbe në RSJ”, njoftoi Havier Solana, i deleguari kryesor i Paktit të NATO-s. Kryetari i Amerikës Bill Kllintoni e vërtetoi sulmin.
Jugosllavia shpall gjendje lufte, kryetari i RSJ Sllobodan Millosheviqi përmes ekranit televiziv i drejtohet opinionit dhe jep komunikatën duke thënë se nuk i pranon trupat ndërkombëtare në Kosovë. Ai i fton qytetarët që t’i kundërvihen sulmeve të NATO-s me “të gjitha mjetet”.
Rusia dhe Kina kërkuan menjëherë të ndalen bombardimet.
Gjatë asaj natës së parë, më 24 mars, derisa bombat binin mbi kazermën e zbrazët të Prishtinës dhe derisa detonimet e eksplodimeve jehonin fuqishëm edhe në qendër të qytetit, në banesën tonë të errët, pa rrymë elektrike, e përqafova fuqishëm Azemin me një ndjenjë lehtësimi se shthurja e problemit po afrohet, e lodhur për vdekje, fjeta.
Të nesërmen në mëngjes erdhi rryma elektrike. U kyqa në internet. Lidhjet telefonike punonin. Kjo është më e rëndësishmja, mendova. Arrinin porositë me e-mail nga të gjitha anët. Telefoni vazhdimisht cingëronte. Me ditë të tëra fëmijët tanë dërgonin porosi, vazhdimisht na telefononin dhe pyesnin të llahtarisur si edhe shumë miq tanë: “Akoma jeni aty?”
Na telefonuan kumbarët Drita dhe Sejdo. Kishin arritur në Ulqin, janë shumë të brengosur për ne dhe insistojnë që sa më parë të nisemi dhe të shkojmë tek ata. Na e dhanë emrin e një të njohuri të tyre në Rozhajë, i cili do të na ndihmojnte që të shkojmë më tutje, nëse paraqitet ndonjë problem. Gjatë atyre ditëve në Mal të Zi mbretëronte një kaos i vërtetë. Për shkak të fluksit të refugjatëve nga Kosova, ngjante që policia malazeze i kthente shqiptarët në Kosovë.
U lajmërua Ademi. Zakonisht i përmbajtur, i matur, tani ishte si i çmendur. Bisedoi me të atin në mënyrë mjaft serioze. “Ti e di, babi, që unë kam besim në vlerësimin tënd rreth situatës, por mendoj se kësaj radhe nuk ke të drejtë. Ju jeni në një rrezik serioz. Ata do të bëjnë hakmarrje mbi intelektualët. Tashmë me vite po flitet për listat e tyre për likuidim.” – përpiqej të na bindte që menjëherë të ulemi në veturë dhe të nisemi në cilëndo anë qoftë. Në fund provoi me mua: “Nuk po përzihem në atë se çfarë do të bëjë Babi pastaj, por të lutem, mami, shko menjëherë në Shkup, ulu në aeroplan dhe drejt në Texas”’ insistonte i tronditur. Gjysmë ore na i ritregoi informacionet që i kishte ai.
-Të ka zënë paniku, bir. Qetësohu. Bisedo me motrën. Çdo gjë do të bëhet mirë – e ngushëlloja. Sellma, impulsive dhe e hapur për herë të parë na qortonte, bërtiste, qante me sa zë që kishte. U hidhërua me ne…
Pak më vonë, u kyqa në internet dhe ua dërgova porosinë.
E mërkurë, 24 mars 1999
Të dashur fëmijë,
E dëgjuam lajmin më të ri se Solana e dha urdhëresën për bombardime. Vendosëm të mbetemi këtu. Le të bëhet si të bëhet! Ju duhet të na kuptoni. Jetojmë këtu, e kryejmë punën tonë dhe mos pritni që do të ikim me bisht ndër kënbë, kur këtu ka aq shumë njerëz me fëmijë që nuk mund të ikin dhe s’kanë nga t’ia mbajnë. Mirëpo, shpresojmë se nuk do të jetë aq e tmerrshme. Do të furnizohemi edhe pak me gjëra ushqimore. Nëse kohë pas kohe do të kemi ujë, rrymë elektrike dhe lidhje telefonike, mos u brengosni. Do të përballojmë disi. Ju mësoni normalisht, punoni kjo është më e rëndësishmja. Ne do ta ndajmë fatin me këta njerëz këtu. S’keni çfarë të bëni, kur keni prindër guximtarë! Ha! Ha! Ha! Këta të mitë nga redaksia në Washington me vështirësi më marrin në telefon, prandaj mund të ndodhë që edhe ju të keni problem të njëjtë me lidhjet telefonike. Shkruani porosi me e-mail, derisa të mundeni. Nëse mund ta merrni më lehtë me telefon Bisën dhe Amrën, ato me siguri, do të dinë diçka për ne. Selvien e binda që të shkojë në Shkup. Bëri mirë që më dëgjoi, sepse sot e kanë mbyllur kufirin. Shkruani Zykës.
JU duan Mami dhe Babi.
E mërkurë, 24 mars 1999
E dashura Mami dhe i Dashuri Babi,
Ja po e lexoj çfarë më keni shkruar dhe jam e shokuar. Nuk po mund t’u besoj syve të mi. Ju dhe fati juaj i popullit! Vetëm për shkak se njerëzit tjerë nuk mund të dalin ju duhet të rrini aty me ta dhe të prisni çfarë do të ndodhë, kur të fillojnë bombardimet. E sikur ata njerëz të tjerë të mund të shkojnë a e dini se si do të solidarizoheshin me ju? Ata do të mendonin vetëm për familjet e tyre dhe do të iknin. Por, ja ju gjithmonë keni pasur dashuri ndaj popullit, kurse për ne po mendoni se nuk ka lidhje, nëse mbetemi pa prindër. Vetëm populli le ta ketë mirë që ju nuk po ikni.
Sellma.
E mërkurë, 24 mars 1999
E dashura Sellmë,
Po e shoh që je e hidhëruar, Mos u brengos shumë, sepse NATO nuk do të na bombardojë ne, por ata. Këtu nuk bëhet fjalë për fatin e popullit, por për një integritet tonin njerëzor. Do t’ju shkruajmë rregullisht. Ti së paku di të na mbash ligjërata për faktin se njeriu ka të drejtë të zgjedhë se çfarë do të bëjë me jetën e vet. Sa herë kemi biseduar për këtë problem! Ti e di se çfarë kemi përjetuar për këto dhjetë vitet e fundit dhe tani nuk dëshirojmë të ikim, në momentin, kur e gjithë kjo më në fund duhet të përfundojë.
Të do Mami.
E enjte, 25 mars 1999, ora: 8:56
E dashura Mami,
Po e ndiej veten më lehtë që kur ju dëgjova në telefon, por po brengosem për shkak se po më duket që ju nuk e dini se ky është vetëm fillimi i luftës. Millosheviqi nuk do të lëshojë pe, sepse ai nuk jep as pesë para për askë, por vetëm për veten e vet dhe për shkak se ai nuk është normal. Këtu të gjithë e dinë se ai psikikisht është person jostabil. Sot në lajme një psikolog politik e analizoi Millosheviqin dhe gruan e tij. Ai tha midis tjerash se gruaja e tij ka ndikim të fuqishëm në të, se ai është nacionalist, kurse ajo socialiste, dhe se të gjithë e njohim një kombinim të tillë në histori, pra dimë për nacio-socialistët, përkatësisht nacistët. E qëlloi saktë. Kam frkë se ky është vetëm fillimi. Mami, çfarë do të bëni ju atje, kur të fillojë të mungojë rryma, uji, lidhjet telefonike, ushqimi, pastaj kur të fillojnë plaçkitjet dhe vrasjet? Sikur t’i shikonit lajmet tona do ta kuptonit pse po brengosemi. Po mësoj, po përgatitem për testime, po punoj, këtë javë e kam të rëndë dhe nuk po më jetohet.
Ju puth e juaja Sellma.
E enjte, 25 mars 1999, ora: 9:15
E dashur Sellma,
Mbrëmë nuk patëm rrymë dhe ujë. Mendova se do të mund të mbledhim plaçkat, por kah do t’ia mbanim, kur së pari erdhi rryma e me siguri së shpejti do të vijë edhe uji. Shpresoj se do të kesh sukses t’i përgatitësh testet, koncentrohu në mësim. Përndryshe Amra më ngushëlloi më së shumti. Më rrëfeu se si i përballoi ajo bombardimet në Bijelinë. Më ngushëllon që të mos kemi merak, sepse NATO nuk i godet civilët. Ne do ta përcjellim situatën dhe do të shohim se çfarë do të bëjmë, nëse këta këtu tërbohen. Në fund të fundit, ata janë vazhdimisht të tillë. Mos u brengos dhe mëso! Do të na gëzosh më së shumti, nëse punon, i kalon testet rregullisht dhe merr nota të mira. Sot në mëgjes jemi dëgjuar me Ademin. Gjëja më e rëndësishme është se kemi rrymë, besoj se uji do të vijë së shpejti. Kemi bërë rezerva mjaft. Mos u brengosni. Përshëndete vëllain.
Ju duan Mami dhe Babi.
E enjte, 25 mars 1999, ora: 19:19
E dashura Nadirë,
Të lutem gjatë natës mos rri në banesë. Nëse mund ta realizoni disi dilni nga Kosova sa më parë, por nëse duhet të mbeteni, kurrsesi mos rrini në banesën tuaj. Kam biseduar me Ademin, ai është mirë, por po brengoset shumë për ju. Mbrëmë e shikuam në TV raportin tënd gazetaresk.. Ti akoma po punon! Strehohuni, nëse mundeni. Ruajuni.
Zyka e juaj.
E enjte, 25 mars 1999 në orën 22:29
E dashur Nadirë,
Po e shoh se nuk më paske dëgjuar, kur të shkrova se duhet të përgatitesh për luftë e kjo do të thotë të sigurosh rezerva të ushqimit. A nuk e keni pranuar këtë këshillë pak me neglizhencë. Por tani u bë si u bë. Përballoni me kujdes të madh me sytë hapur. Po dëgjojmë se Prishtina përsëri është në cak, përkatësisht caqet rreth saj. Me siguri ke bërë rezerva të ujit nëpër enë. Njerëzit këtu janë të llahtarisur me marrëzinë, e cila e solli tërë këtë situatë.Të gjithë e kemi provuar me lëkurën tonë se çfarë është lufta. Nuk po shihen shenja të mira, kam frikë se nuk do të zgjasë shkurt. A po punon? Hapësira ajrore në Kroaci është e mbyllur. Kjo do të thotë se do të kemi humbje të mëdha, të huajt tashmë po i anulojnë aranzhmanet turistike për Pashkë që janë në javën e dytë. Të gjithë do të vuajmë për shkak të sulmeve të NATO-s. Sikur të ishe larguar së paku me kohë, por çfarë të bësh? Ndoshta duhet ta mbijetosh edhe këtë. A e keni derën kryesore të hyrjes në banesë të fortë? Ndihmoji Azemit, jeni bashkë e kjo është më e rëndësishmja. Mendoj se tashmë kanë kaluar dy vite që kur jemi takuar për herë të fundit, ishte marsi i vitit 1997, kur Mlladeni qe në spital. Këtu është vapë, ne nuk na zihet vendi vend, në TV flitet vetëm për sulmet, jepen lajme, analiza, fotogarfi, thonë se NATO nuk do të lëshojë pe dhe do të jetë akoma më ashpër. Ruajuni, qetësoni fëmijët, më premtoni se do të vini, kur të hapen kufijtë. Vazhdimisht, po mendojmë për ju!
Tamara.
Sot më telefonoi nëna, e ka të vështirë ditën sot edhe për shkak se fotografitë nga televizioni po ia përkujtojnë shumë ngjarjet nga e kaluara. Bombardimin e Zagrebit më 1945, kur e kishte ruajtur motrën time pak më të madhe dhe mua atëherë njëvjeçar, pastaj sërish alarmet ajrore më 1991 dhe bombardimet e Zagrebit deri më 1995 dhe tani kjo. U detyrova ta qetësoj plakën e mjerë duke ia shpjeguar. Vazhdimisht po i dëgjojmë lajmet po frikësohemi nga ndonjë hakmarrje e madhe atje, sepse të gjithë i mbajnë në mend rafalet, të cilat i shtiu Mile Mrkshiq, pas vendimit politik të Mile Martiqit nga fillimi i muajit maj të vitit 1995, kur në qendër të Zagrebit ranë viktima një grup i kalimtarëve të rastësishëm. Ruajuni sa të mundeni. Uji përgatitet dhe mbahet në shishe të viskit. Mbahuni!
Mlladeni.
E enjte, 25 mars 1999, ora: 23:10
E dashura Nadirë, shumë herë kam provuar të të marr me telefon, mirëpo nuk po mund ta marr lidhjen. Ndoshta lidhjet nuk ekzistojnë më?
Isabella.
Atë ditë më 26 mars, në mëngjes, ditën e tretë të bombardimeve, pasi shkoi Seada, Azemi doli të blejë bukë. Pastaj më thirri Irena, gazetarja nga televizioni gjerman. Numrin tim të telefonit, siç ma sqaroi, e kishte marrë nga redaktorja e programit boshnjak të DW-es Verica Spasovska. “Dëshirojmë të jeni mysafire e drejtëpërdrejtë e emisionit tonë të dielën, për shkak se ju jeni korrespondentja e vetme, e fundit që po raporton nga Prishtina.” Parimisht pranova. Ajo më tha që do të më merrte me telefon edhe një herë pas një ore me qëllim që të merremi vesh lidhur me disa detaje teknike dhe biseda u krye.
Mbeta duke qëndruar në këmbë pranë telefonit, duke u munduar të sjell nëpër mend faktin, se kur dhe me cilët kolegë jam dëgjuar gjatë këtyre ditëve. Para dy ditësh kam biseduar me Bexhetin nga “Hina”, me Smajin nga “Vijesniku”, Gëzimin nga RFE, me Ibron nga “Zëri i Amerikës”. Me Buqen nuk jam dëgjuar më. Smajo punonte ende, Bexheti ma sqaroi, se si e kishin këshilluar nga redaksia të pushojë së punuari gjatë këtyre ditëve. Diçka të ngjashme më tha edhe Gëzimi. Ibro qysh më herët kishte pushuar së raportuari. E solla numrin e telefonit të shtëpisë së Smajit. Nuk u përgjigj askush. Edhe tek të tjerët ndodhi e njëjta gjë.
Azemi Hyri në shtëpi. Më shumë vetvetes se sa atij i thashë me një gjysmë zëri: “Si duket të gjithë kanë shkuar. Po punoj vetëm”. Nuk m’u përgjigj asgjë. U shikuam disa minuta, por nuk e pamë njëri-tjetrin. E ngrita receptorin e telefonit që t’i telefonoj motrës sime në Beograd. Lidhja ishte e këputur. Qeshë e llahtarisur, e dëshpëruar për shkak të shumë obligimeve, të cilat nuk mund t’i kryeja pa telefon.
– Nuk di a na e kanë ndërprerë vetëm neve telefonin? As që do të provoj të kërkoj ndonjë telefon i cili punon, sepse njerëzit kanë frikë. E di si duket kjo që nga ajo koha, kur ti ishe në burg. Veturën nuk e kisha këtu dhe asnjë nga miqtë tanë nuk guxonte të më voziste deri në Mitrovicë që të të sjell gjërat, për të cilat kishe nevojë. Nëse telefoni nuk punon, nuk ka as email-porosi, nuk mund të kontaktojmë me fëmijët. Vetëm atëherë u vetëdijësova për situatën. Jemi të shkëputur! Të izoluar. Kjo njohuri më goditi si një dush i ftohtë, ashtu që fillova të ecë si e dehur dhe u ula.
Azemi heshtte. Vetëm atëherë e shikova. E ndizte cigaren dhe gishtërinjtë i dridheshin ngadalë. U drodha. Shtangimi në fytyrën e tij të zbehur më tmerroi. Diçka ka ndodhur. Akoma nuk pyeta asgjë.
U ul në kolltuk, mori frymë thellë:
– E takova vëllain e Nekibes, Ejupin- tha me një zë të tjetërsuar dhe të çjerrë.
Nekibe Kelmendi është anëtare jashtëzakonisht aktive politikisht e udhëheqësisë më të ngushtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkëshortja e Bajram Kelmendit, gjithashtu i angazhuar politiksht. Derisa qe në Këshillin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut prej nga ishte dërguar në Hagë kërkesa për ngritjen e aktakuzës kundër Sllobodan Millosheviqit për krimet e Luftës, në të cilën ai punoi personalisht. Kelmendin së bashku me dy bijtë e tij policia e mori në shtëpinë e tij, pas mesnatës, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s. Lidhur me këtë raportova dy netë.
– Dhe çfarë të tha për Bajramin? A e kanë lëshuar?
– E kanë vrarë. Nekibes ia kanë kurdisur që ta gjejë trupin e tij, kur po shkonte drejt pompës së bezinës. Jo shumë larg në një fushë janë hedhur edhe trupat e pajetë të bijve të tyre. I vogli sapo i kishte mbushur 16 vjet.
O, Zot! Shikoheshim thuajse nuk po kuptonim se çfarë po fliste ai. Iu afrova dhe e përqafova. U kthye ajo frika e përparshme, të cilën e ndjeva një kohë të gjatë pas daljes së tij nga burgu. Do të ma marrin përsëri! Vetëm të mbetemi bashkë. Pastaj u rrëzova në kanape.
Nja dhjetë minuta e shtanguar nuk mund të merrja frymë. Ndieja mundim. Më erdhi që të bërtas me gjithë zërin që kisha, të bërtas, t’i shaj ato egërsira, ata kriminelë, ata përbindsha, atë popull, I cili u klith, që miraton plane monstruoze të trurëve të sëmurë nga SANU-ja, Kisha Ortodokse, politikanët serbë, partinë në pushtet, opozitën. Janë të helmuar. Të gjitha të këqijat e kësaj kohe janë koncentruar në udhëheqësinë e tyre. Kurse opozita, gjingjiqët e ndryshëm, drashkoviqët, koshtunicët po hidhërohen me Millosheviqin që nuk u bëri të këqija më të mëdha shqiptarëve. Vendosi t’ua plotësojë dëshirën edhe atyre. Ai, komandant suprem i njëmendtë i një ushtrie të sëmurë mentalisht. Që të mos i them i një populli të sëmurë.
Nga të gjitha anët po arrijnë lajmet për krimet e reja. Është dhënë lajmi se policia në Mitrovicë e ka vrarë kryetarin e Unionit të Sindikatës së pavarur Agim Hajrizin, nënën e tij dhe bijën e tij, në Gjakovë kryetarin e LDK-së Muhamet Shalën.
U ngrita në këmbë dhe pa kurrfarë qëllimi fillova të ecë nëpër dhomë. Në një moment shikova nga dritarja e kuzhinës që e ka pamjen nga rruga. Dhjetë vitet e para, kur erdhëm të banojmë këtu kjo rrugë mbante emrin “Rr. Hajdar Dushi”, gjatë kampanjës së serbizimit e mori emrin ”Vojvoda Putnik”, pastaj ia dhanë emrin e njëfarë selanikasi “Trajko Dimitrijeviq”. Tani ishte e zbrazët. Si edhe rruga fqinje, rruga e “Beogradit”. Në drejtim të barakës së “Zhitoprometit” i pashë vetëm tre persona. Kreatura njerëzore me automatikë në duar. Njëri me kapelë, tjetri me një lidhëse të kuqe të lidhur në ballë, që të tretë në fanela dhe pantallona të larme ushtarake. I tundnin shishet me birrë, ia ofronin njëri-tjetrit, qeshnin dhe bërtisnin. U drodha. Për herë të parë i pashë të gjallë paramilitarët. Banditët, vrasësit, dofarë arkanovcësh, frankoviqësh, kush e di cilët janë. Kam raportuar dhe kam dëgjuar aq shumë për ta. Domethënë, është e vërtetë! E kanë marrë urdhërin e njësisë elite të Millosheviqit dhe Sheshelit për pastrim etnik të hyjnë në Prishtinë. E ndjeva kundërmimin e atyre hijenave jo larg banesës sonë. Më nuk duhet të hamendemi: definitivisht jemi vonuar për t’u larguar nga Kosova. Më ra ndër mend që Bajramin nuk e morën paramlitarët, por policët e vërtetë me uniforma. Nekiben e lanë të gjallë që të rrëfejë kush ia vrau burrin dhe bijtë. Nuk ka më vdekje misterioze, por ata duan që të dihet. Kjo është vërejtje, paralajmërim i asaj që po vjen. I hoqën dorëzat dhe i adresuan krimet e tyre. Po i lënë dëshmitarët që i shohin krimet që të flasin. Ekzekutuesi është i njohur: policia serbe, ushtria, paramilitarët, të gjithë ata janë forca serbe nën komandën e vetme të Millosheviqit. Vetëm emërtimet i kanë të ndryshme.
Në rrugë po e shoh edhe fqinjin nga hyrja e dytë, Dushan Ristiqin, njërin nga organizatorët më ekstrem të lëvizjes fushëkosovase, aktiv në rrënimin e autonomisë që nga para-fillimi, që nga viti 1981, me detyra të posaçme në nxitjen e udhëheqësisë kosovare nga brenda. Millosheviqi e braktisi midis të parëve bashkë me bashkëpunëtorin e tij të parë Momqillo Trajkoviqin. Po i afrohet grupit te “Zhitoprometi”. U largova nga dritarja. Do të mjaftonte të ngritte kokën, të më shihte dhe t’u tregonte atyre hijenave: Atje janë Vllasët. Vendosa të pranoj cilëndo ide të Azemit në lidhje me largimin nga Prishtina.
– Të nisemi deri te Besniku dhe të flejmë atje dhe nesër do të kthehemi në banesë? Ose të provojmë të shkojmë deri në Novi Pazar, duke rrezikuar që të shpenzojmë benzinën që na kishte mbetur dhe në punktin e Leposaviqit dhe Zubin Potokut të na kthejnë policët? Mua më duket se më së miri është të nisemi për në fshat për këtë vikend dhe të mbetemi atje më gjatë, nëse duhet. Duke i shqiptuar që të tri propozimet me një frymë, Azemi mu drejtua me një shikim pytetës.
– Nuk di. Do ta shpenzojmë benzinën, nëse nisemi në drejtim të Novi Pazarit. Nuk di pse të flejmë diku tjetër dhe të khehemi nesër në banesë, kur na e kanë ndërprerë lidhjen e telefonit? Pa telefon nuk mund të punoj, nuk mund të dëgjohem me fëmijët.
Për mua ishte krejt njësoj. U lodha nga të gjitha. Përndryshe nuk dëshiroja të ndikoj me vendosmëri në vendimet tona të përbashkëta. U frikësohesha pasojave.
Në ndërkohë Azemi e mori një thikë të thjeshtë (nga escajgu) nga kuzhina, derisa unë ia tregoja paramilitarët, e hapi dhe e hoqi mbishkrimin “Vllasi”, të cilin e patëm sjellë nga banesa jonë e parë në Beograd, kur u shpërngulëm këtu. E ndërruam me këtë në Prishtinë, pikërisht para 20 vitesh. Azemi erdhi në Prishtinë, posa i kaloi mandati për kryetarë të rinisë së Jugosllavisë, në muajin mars 1979. Unë me fëmijët erdha më vonë, në nëntor.
Gjeta pak ngjyrë dhe e leva vendin, në të cilin kishte mbetë gjurma e pllakëzës me mbiemrin tonë. Së paku që të mos hasnin rastësisht në ne. Dera e hyrjes në ndërtesën tonë mbyllet. Mirëpo, në bazë të përvojës së boshnjakëve e dija që kjo nuk mund të na shpëtonte, duke pasur parasysh se në hyrjen tonë ishin dy familje serbe. Dhe çfarë familjesh se! Në katin e parë anëtari i pushtetit të parë të dhunshëm, siç i thonë serbët “për Kosmet” (insistonin që të përmendin këtë emërtim nga Koha e Rankoviqit dhe në këtë mënyrë dëshironin të bënin me dije se në cilën periudhë përpiqen ata t’i kthejnë shqiptarët). Në katin përdhesë jeton familja Milladinoviq. Vazhdimisht silleshin nëpër bodrum, rreth rrymës elektrike, telefonave, futnin dhe nxirrnin diqka. E mora vesh se biri i tyre i vogël ishte vullnetar në Bosnje. Dridhesha sa herë që e takoja. Kishte një shikim të turbulluar, të një personi të sëmurë psikikisht. Shumë ftohtë i murmurisnin përshëndetjet në shakllë. Armatoseshin deri në dhëmbë, kur i festonin festat ortodokse, shtinin me armë nga dritarja në ajër. Asnjëra nga nëntë familjet shqiptare nuk reagoi, kur sivjet për herë të parë e vendosën buzmin jo vetëm në dyert e tyre, siç vepronin më parë, por tani edhe në derën kryesore të hyrjes në ndërtesë. Kjo do të thoshte se ndërtesa do të jetë serbe. Nga fqinjë të tillë mund të prisnim vetëm gjëra të këqija.
Qysh më herët pata vendosur në valixhe disa gjëra më se të nevojshme dhe dokumente si dhe një zgjedhje të fotografive familjare: U nisëm.
Cili është ky qytet? Ndërtesat, rrugët janë këtu, por çdo gjë është ndryshe. Nje qetësi e pazakonshme, aty këtu ndonjë veturë, por njerëz nuk kishte askund. Ne të dytë në Opelin tonë të vjetër “GTX” por të ruajtur mirë me syza dielli në sy, grupit të parë të paramilitarëve që takuam me siguri iu dukëm si serbë. Atë ditë kishin djegur, demoluar dhe plaçkitur lokalet shqiptare. Ditëve të shkuara njësoj si në Bijelinë, avangarda e tyre civile kishte vendosur eksploziv nëpër kafiteri shqiptare dhe serbe, duke krijuar kështu një atmosferë të përgjithshme të pasigurisë dhe kaosit.
Nuk kalojmë nëpër rrugën kryesore, por pranë rrugës në të cilën ndodhet ndërtesa e Qendrës informative Amerikane. Një grup paramilitarësh të dehur të mbështetur në automjetin e blinduar, në të cilin e shohim flamurin amerikan të djegur deri në gjysmë, i ndalin veturat. “Qentë e luftës”, kush e di sa kanë vrarë nëpër Bosnje, u ngjanjë hijenave me shishe të ngritur dhe me ata tre gishtat famëkeq. Serbëve të entuziazmuar nga vetura ua tregojnë, shoqëruar me britma fitimtare, mbeturinat e flamurit. Ata me sirena, me duar të hedhura jashtë dritares, ua kthejnë përshëndetjen me tingujt e sirenës.
– Mëshoji edhe ti sirenës – i thashë Azemit. Ai “iu ngjit” një familjeje serbe duke vozitur pas “Shkodës” së tyre.
Kaluam.
Në rrugë e sipër e sollëm vendimin që të mos shkojmë te Besniku. As te fqinjët që insistonin ta kalojmë natën te ata. Të fshehurit dhe fjetja nëpër banesat tjera në Prishtinë nuk është kurrfarë zgjidhjeje. Nuk dëshiroj ta sjell askë në rrezik, nëse na gjejnë. Të dalim nga Kosova nuk mundemi. Vendosëm edhe pse tashmë qe mjaft vonë, të nisemi për në Rubovc, në shtëpizën tonë. Dhe le të bëhet si të bëhet! Që andej akoma nuk pati lajme dramatike. Kur u nisëm Jehona, fqinja përballë rrugës sonë, duke u përshëndetur me ne na tha të mos shkojmë në Kamenicë, sepse kishte dëgjuar që ka probleme në Gjilan dhe shqiptarët nuk i lejojnë që të shkojnë në drejtim të Preshevës. Mirëpo, kjo megjithatë nuk ishte në drejtimin tonë.
Po kalojmë, siç kemi kaluar gati në çdo vikend, pranë Hajvalisë dhe gjendemi afër manastirit në Graqanicë. Në vendin me të njëjtin emër e arrijmë një kolonë përplot me vullnetarë serbë. Vendasit pranë rrugës, gra, fëmijë i përshëndesin me zhurmë, me tre gishta të ngritur lart dhe duke u hedhur lule. Gëzohen. E dinë që ata paramilitarë nuk po shkojnë për të luftuar kundër forcave të NATO-s, kundër avionëve dhe pilotëve, por po shkojnë që të vrasin, plaçkisin dhe dëbojnë shqiptarët. Populli është i entuziazmuar, në ekstazë, për këtë shkak. Me një stil të një kënge, njëfarë lloji të himnit serb për Serbinë, e cila ishte në tri pjesë dhe tani ishte bërë e tërë, për Serbinë, e cila luftoi tri herë “Dhe do të luftojë përsëri po të ketë fat”. Gjithmonë jam tmerruar nga fjalët e asaj kënge për luftën si një fat!
Një grua kaloi fluturimthi me një fëmijë dhe me lule drejt shoferit të kamionit të fundit, pas të cilit ishte vetura jonë. Ai e frenoi përnjëherë, ne u detyruam t’i shmangemi dhe u gjetëm në mes të kolonës së vullnetarëve serbë.
– Nëse na njohin, në eufori në vend që të gjuajnë në ajër do të na korrin me rafale – mendova dhe e hapa dritaren. E zgjata dorën me tre gishta. Azemi më shikoi i hutuar.
– Ç’po bën ashtu?
– Asgjë. Hesht. E dëgjova këtë nga disa njerëz nga Bosnja. Kështu nuk do ta ndalin shikimin tek ne. Aq më bën për tre gishtat e tyre. Për mua s’kanë kurrfarë rëndësie.
E kaluam kolonën. Na ndali patrolla ushtarake te liqeni në dalje të Graqanicës. Disa të rinjë pa mjekrra dhe të padisponuar, të veshur me uniforma afrohen ngadalë. Na pyesin ku po shkojmë, ne shkurt u themi:
– Në Kamenicën e Kosovës, përkatësisht në fshat.
Njëri i shikoi dokumentat. Për këta nëntëmbëdhjetëvjeçarët, fatbardhësisht emrat tanë nuk kanë ndonjë rëndësi. Kur e pa se Azemi është i lindur në fshatin Rubovc, komuna e Kamenicës së Kosovës, ushtari ia ktheu patentën e shoferit dhe letërnjoftimin dhe i painteresuar tregoi me dorë:
– Mirë, shkoni!
Te punkti në Bresalc na njohën. Pas legjitimimit polici, njëri nga ata më normalët nga kohët e autonomisë së Kosovës, i brengosur dhe i lodhur provon të bëjë një bisedë me ne:
– Ju, ja, e keni kërkuar NATO-n, kurse tani 90 % të shqiptarëve ikën.
– Ne nuk po ikim, por po shkojmë në vikendicën tonë – iu përgjigj Azemi.
Unë ndërhyra nga anash me një zë të qetësues.
– Atë që e kërkuam ne dhe e patëm u rrënua. Kurse tani po shihet se nuk ishte edhe aq keq.
Polici më shikoi dhe duke i rrudhur krahët u përgjigj:
– Po, nuk qe keq.
Dhe na e bëri me dorë që të vazhdojmë rrugën.
Nuk mund t’u besojmë syve tanë. Në Gjilan ende ka shqiptarë në rrugë! Janë të hapura dyqanet dhe lokalet! Këtu dëgjojnë çfarë po ndodh në Prishtinë dhe vendet tjera, por sigurisht ngushëllohen me atë të zakonshmen: nuk do të ndodhë vallë edhe te ne. Na befasoi gjallëria nëpër rrugë. Dallimi midis asaj atmosferës së mjerë prishtinase dhe atmosferës relativisht normale gjilanase ishte aq i madh sa që të hutuar, nuk u ndalëm të blejmë gjëra ushqimore në ndonjë dyqan. Kush e di sa kohë do të jenë të furnizuara dyqanet? Mirëpo nguteshim që të mos na zinte terri. Ngryset herët. Pa ndonjë problem arrijmë në Kamenicë. Tek ura kthejmë udhën. Tre policë vendas na panë. Kaluam shpejt dhe ata u gjetën në bafasi. Nuk na ndalën.
Familja e madhe e Azemit u gëzua. Lajmi për kidnapimin e pastaj për vrasjen e Bajram Kelmendit dhe të tjerëve tashmë kishte arritur dhe kishte futur në ta frikën plotësuese për fatin tonë. U shtanguam, kur na thanë se telefonat po punojnë normalisht, përveç telefonit tonë në vikendicë, i cili për shkaqe të (pa)njohura ishte i çkyqur. U ngutëm t’u lajmërohemi fëmijëve, motrave të mia Biserës dhe Amrës. U telefonova edhe fqinjëve tanë nga ndërtesa jonë, Prekazëve.
– Jemi në fshat. Do të mbetemi gjatë vikendit.
– Mos u ngutni që të ktheheni prapa. Mos u ktheni – u përgjigj në mënyrë misterioze tezja ime e mirë, tezja Mubera. Nuk e pyeta asgjë, por mesashi i saj mund të jetë se tashmë na kishin kërkuar në banesë.
29 Mars, e hënë
Në fshat dy netë fjeta e qetë. Sot vendosa të shkruaj një lloj ditari. Pas gjithë asaj ngarendjeje të dërgimit nga pesë raporte në ditë, është e pazakonshme të rri tani pa punë. Nuk di çfarë të bëj me vetveten. Do të shënoj diçka. Kjo do të mund të jetë psiko-terapi e mirë. Jam në stres nga lodhja, pritja se çfarë do të ndodhë, nga lajmet e këqija. Megjithatë, është mirë që arritëm të dalim nga Prishtina. Vazhdimisht mendoja se si ishte në Sarajevë. Këtu së paku nuk do të shkoj të pres në radhë për ujë, për bukë, dru ka në mal. Por nga ana tjetër është rrezik. Forcat serbe u përqendruan në rrethimin e fshatrave shqiptare, të cilat pësuan më së shumti gjatë ofenzivës së vitit të kaluar, të nisur në Drenicë. Pas dy ditësh po ndiej njëfarë ngushtie, pasiguria po fillon të ma zëjë frymën. Thuajse ndodhem në një pus pa dritë, pa ajër, pa lëvizje. Psherëtiva pa vetëdije.
– Do të kalojë- më shikoi Azemi i brengosur.
Rubovc
Kjo pjesë e Kosovës lindore ma përkujton Semberinë, në të cilën e kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë sime, deri në përfundimin e shkollës së mesme. Vend i butë, i rrafshët, midis Gjilanit dhe Kamenicës, që kur të nisesh drejt Rubovcit pejzazhi të bëhet më i llojllojshëm, kodrinor, me shpate të vogla dhe shumë gjelbrim. Këtu erdha për herë të parë në verën e vitit 1974, kur erdha nga Beogradi, pas kurorëzimit dhe muajit të mjaltit të kaluar në Greqi, në Nea Macri afër Athinës. Ajo qe vizita ime e parë në familjen e madhe të Azemit. Desha secilit t’ia sjell nga një dhuratë – “boshçe”, siç është zakoni te ne. Kurse familja e Azemit në krahasim me familjen time ishte vërtetë e madhe. M’u nevojit një kohë shumë e gjatë t’ua mësoj emrat së paku anëtarëve të familjes më të ngushtë. Përveç babait dhe nënës, pesë vëllezërvë dhe katër motrave aty ishin edhe katër kunatat, dy dhëndurë duke pasur parasysh se dy motra ende nuk ishin martuar. Pastaj fëmijët e tyre! Vëllai i madh, Raifi ka tetë fëmijë, motra Gjemilja ka pesë fëmijë e kështu me radhë. Për dhurata është paraparë edhe xhaxhai me familjen e vet gjithashtu të madhe. M’u desh të përgatis mbi dyzet boshçe!
Të gjitha i patëm paketuar në dy valixhe. Pas Vranjës, erdhi Bujanovci dhe fshatrat shqiptare. Mendova se tashmë jemi në Kosovë. Shtëpitë e rrethuara me mure aq të larta sa që nga rruga mezi shiheshin kulmet e tyre. Çfarë u duhen këto mure? Që t’i mbrojnë nga kurreshtarët? Pse? Përgjigjet i mora shumë më vonë. Muret nuk janë ndërtuar vetëm për shkak të mentalitetit që përpiqet ta ruajë atë që është personale e familjes, por janë pasojë e pasigurisë së shqiptarëve në këto vise. Brenga e zakonshme e policisë për rend dhe qetësi nuk kishte të bënte me shqiptarët, të cilët u detyruan ta mbrojnë vetveten. Përjashtim bëjnë njëzet vite, vitet e shtatëdhjeta dhe tetëdhjeta të lulëzimit të autonomisë së Kosovës. Gjatë asaj periudhe shqiptarët në Kosovë jetuan më mirë se në cilindo vend tjetër. Jo vetëm në krahasim me bashkëkombasit e tyre në jug të Serbisë dhe në Maqedoni, por posaçërisht edhe në krahasim me ata në Shqipëri. Asnjëherë asnjë regjim i huaj nuk i shkeli të drejtat e shqiptarëve deri në atë masë, në të cilën e bëri pushteti diktatorial i Enver Hoxhës. Për fat të keq, akoma ka pak shqiptarë që janë të gatshëm të flasin hapur për atë që është reliteti i hapur.
Megjithatë, që të tejkalohet ndjenja e pasigurisë për fshatin shqiptar duhej kohë akoma. Politka serbomadhe po e humbte betejën. Më në fund e këndoi këngën e tmerrshme të përgjakshme “këngën e mjellmës” para se të detyrohej të hiqte dorë nga qëllimi jocivilizues i nënshtrimit dhe shkatërrimit të popujve më të vegjël.
Pata shqetësim deri sa po i afroheshim Kamenicës së Kosovës për shkak se nuk i dija zakonet, gjuhën shqipe. Përveç kësaj nuk i dua ceremonitë, dasmat, festimet… Do ta përballoj, sido që të jetë! Azemi do të më ndihmojë! E ngushëlloja vetveten.
Në Kamenicë na priti baba-Ahmeti dhe dy-tre kushërinj të afërt. Disa nga shtëpitë e para në vetë fillimin e rrugës së paasfaltuar drejt fshatit qenë shtëpi të serbëve. Pastaj nga ana e majtë në fushë disa shtëpi të familjes Hoxha me një oborr dhe mur të përbashkët. Pak më tutje janë Lozancët, pastaj vjehrri im u ndal më shikoi me vëmendje dhe tha duke treguar me dorë jo pa krenari anën e majtë dhe të djathtë: Prej këtu është pasuria jonë! Dhe vërtetë, para nesh shtriheshin ara të pafundme në rrafshinë, mali në kodrat përreth, pasuri e madhe bujqësore e familjes Vllasi. Këtu, shtoi baba Ahmet, siç thuhet toka rrit çdo gjë përveç njeriut. U përpoqa të shfaq admirim, por se kisha idenë se çqfarë rëndësie kishte kjo. Nëna ime rridhte nga një familje e pasur tregtare, kurse im atë nga një familje funksionerësh. Gjeneratat e reja të socializmit të pas Luftës së Dytë Botërore si sukses e vlerësonin arsimimin, e jo pasuritë e patundshme dhe pasuritë e cilitdo lloj tjetër.
Mendova se unë në këtë fshat do të jem dhe do të mbetem vetëm vizitor. Ashtu edhe u bë deri në vitin 1979, kur u shpërngulën nga Beogradi në Prishtinë dhe më 1984 e ndërtuam vikendicën. Mirëpo, edhe atëherë kurrë nuk patëm mjaft kohë. Gjatë verës me fëmijët shkonim në det, gjatë dimrit në Brezovicë. Megjithatë ditët e vikendit i ruanim për t’i kaluar në fshatin jashtëzakonisht të bukur.
Në këtë mënyrë e njoha mirë dhe e kuptova se shqiptarët po përshtaten, mirëpo edhe me tutje po i ruajnë zakonet e tyre. Dasmat janë karakteristike dhe ndryshe nga tonat.