Eva Luna
Përkthyesi: Arian Lleshi
Mbrëmjen e vigjiljes së Krishtlindjeve, kur isha gati gjashtë vjeçe, nënës sime i ngeci një kockë pule. Profesori, ndryshe nga shërbëtorët gjithnjë e më i etur pas dijeve, nuk kishte nge për asnjë lloj feste, madje edhe për çdo vit natën e Krishtlindjeve. Në kuzhinë përgatitej një prezepe me statuja ngjyrë rozë prej argjili, këndoheshin këngë të krishtlindjeve e të gjithë më bënin dhurata. Disa ditë përpara festës përgatisnim një frikasé alla kreola që ishte shpikur nga skllevërit kohë më parë. Në periudhën e Kolonisë, familjet bashkoheshin më 24 dhjetor rreth një tavoline të madhe. Tepricat e banketit të padronit përfundonin në taset e skllevërve të cilët e thërrmonin të gjithën, e mbështillnin me miell misri e gjethe bananesh dhe e zienin, rezultati ishte diçka që të kënaqte shpirtin dhe receta, e trashëguar në shekuj, përsëritej akoma çdo vit, edhe pse askush nuk kishte teprica nga ushqimi i të pasurve e duhej të gatuaje veçantë çdo lëndë përbërëse, me një mundim raskapitës. Në fund të oborrit të shtëpisë shërbëtorët e Profesor Xhonsit rrisnin pula, kaponj deti dhe derra, që për gjithë vitin shëndosheshin në pritje të të vetmit rast feste të potershme për t’u dëndur së ngrëni. Një javë më parë, fillonin t’i majmnin pulat me arra e rum dhe derrave u jepnin për të pirë qumësht me sheqer grezo dhe erëza derisa mishi i tyre të qe i butë në çastin kur do të gatuheshin. Ndërsa gratë tymosnin gjethet e përgatisnin tenxheret, burrat thernin kafshët në një orgji gjaku, pendësh e të çirrura derrash, derisa gjëndeshin të gjithë të dehur nga likeret e nga vdekja, të velur së ngjëruari llokma mishi, së piri lëngun e koncentruar të gjithë atyre mezeve të zgjedhura dhe së kënduari, derisa ngjirreshin, duke lëvduar Jezusin Fëmijë, ndërsa nga ana tjetër e banesës Profesori jetonte një ditë si gjithë të tjerat, pa i rënë ndërmend se ishin Krishtlindjet.
Kocka fatale ishte fshehur në atë përzierje dhe nëna ime nuk e vuri re derisa i ngeci në fyt. Pak orë më vonë nga ai moment nisi të pështynte gjak dhe tri ditë më vonë u shua në heshtje, ashtu siç kishte jetuar. Unë i qëndroja pranë e nuk e kam harruar atë çast, sepse që atëherë më është dashur të stërholloja aftësitë e mia perceptuese për të mos humbur midis hijeve të pandryshueshme ku përfundojnë shpirtrat e shpërhapur.
Për të mos më trembur, vdiq pa frikë. Ndoshta copa e kockës i kishte çarë disa të rëndësishme dhe e kishte gjakosur, nuk e di. Duke e ndjerë se jeta po e braktiste, u mbyll me mua në dhomën tonë në oborr, që të ngeleshim së bashku deri në fund. Ngadalë, për të mos e nxituar vdekjen, u la me një e me sapun për t’u çliruar nga era e mishit që kish nisur ta bezdiste, krehu gërshetin e gjatë, veshi një fustan të bardhë që e kishte qepur orëve të iqindisë e u mbështetet mbi të njëjtin dyshek kashte ku më kishte ngjizur mua bashkë me indianin e helmuar. Megjithëse nuk e kuptova në atë moment domethënien e gjithë asaj ceremonie, vështroja me aq kujdes, sa më kujtohet akoma çdo gjest.
– Vdekja nuk ekziston, bijë. Njerëzit vdesin vetëm atëherë kur harrohen, – më shpjegoi nëna ime pak më parë se të ikte përgjithmonë. – Nëse do të dish të më kujtosh do të jem gjithmonë me ty.
– Do të kujtohem për ty – i premtova.
– Tani shko të thërrasësh nunën tënde.
Shkova të kërkoja kuzhinieren, atë mulate të gjatë e të trashë që më kishte ndihmuar të lindja, e, që më pat pagëzuar.
– Kujdesu për vajzën time, kumbare. Ta besoj ty, – tha nëna ime duke fshirë pa u ndjerë atë fill gjaku që i rridhte poshtë në mjekër. Pastaj më kapi njerën dorë e me sy më tha se sa më donte, derisa shikimi iu mjegullua dhe jeta doli prej saj pa pikë zhurme.
Për pak çaste u duk se diçka e tejndritshme pluskonte në ajrin e ngritë të dhomës, duke e shndritur në një vegullim të kaltër e duke lëshuar një erë të lehtë misku, por shpejt gjithshka u ribë normale, ajri mbeti vetëm ajër, drita përsëri e verdhë, aroma përsëri aromë e një dite të zakonshme. I kapa fytyrën me duar e i thirra nënë, nënë, e dërrmuar nga ajo heshtje e re që u krijua mes nesh.
– Të gjithë vdesin, duhet t’i nënshtrohesh fatit, – tha kumbarja ime, e me tre të goditura të gërshërës i preu flokët që mendonte t’i shiste në një dyqan parrukesh. Ta heqim prej këtej më parë se padroni ta shohë e të më urdhërojë të çoj në laborator.
Mblodha atë gërshet të gjatë, e vura në qafë e u struka në një qoshe me kokën ulur midis gjunjëve, pa u përlotur, se nuk e kuptoja akoma sa e rëndë ishte kjo humbje. Ngela ashtu për orë të tëra, ndoshta gjithë natën, derisa hynë dy burra, që e mbështollën trupin me të vetmen mbulesë të krevatit dhe e morën pa thënë asnjë fjalë. Atëherë një zbrazëti mizore mbushi të gjithë hapësirën rreth meje.
Kur karroja e thjeshtë mortore ishte larguar, kumbarja erdhi të më kërkonte. Duhej ndezur ndonjë fije shkrepse për të më gjetur pasi dhoma ishte e errët; llamba në tavan ishte e djegur dhe drita e agimit dukej se ishte ndalur në pragun e dhomës. Më gjeti të mbledhur kruspull përtokë, e më thirri dy herë në emër e mbiemër, për të më sjellë në realitet. Eva Luna, Eva Luna. Në atë dritë të mekur vura re këmbët e saj brenda pantoflave dhe në fund hasa vështrimin e saj. Më buzëqeshi në atë çast kur flaka e shkrepses po fikej, më pak ndjeva se si u përkul në terr, më mori në krahët e saj të fortë, më shtërngoi në gjoks e nisi të më përkundë, duke më kënduar një vajtim të ëmbël afrikan, që të më zinte gjumi.
– Sikur të ishte djalë do të shkoje në shkollë e më pas të studjoje për avokat për të më siguruar bukën e pleqërisë sime. Avokatët ngatërrestarë janë ata që fitojnë më shumë, dinë t’i komplikojnë gjërat. Në ujë të turbullt ka gjithmonë peshk për ta, – thoshte kumbarja.
I mëshonte idesë se është më mirë të jesh mashkull se edhe mashkulli më mizerie ka një grua për ta urdhëruar. Vite më pas, arrita në konkluzionin se ndoshta kishte të drejtë, edhe pse nuk e imagjinoja dot veten time brenda një trupi mashkullor, me qime në faqe dhe me tendencën për të komanduar e me diçka të pakontrollueshme nën kërthizë, që, për të qënë e sinqertë, nuk e di mirë se ku duhet ta vendos. Me mënyrën e saj, kumbarja më qe bërë e shtrenjtë e nëse nuk arrinte dot të ma shfaqte kjo ndodhte sepse besonte që duhej të rritesha në rreptësi dhe sepse e humbiste shpesh gjykimin. Në ato kohëra, nuk ishte kjo gërmadhë që është sot; ishte një grua brune, arrogante, me gjinjë të mëdhenj, belhollë e me vithe të bëshme. Kur dilte në rrugë burrat kthenin kokën për ta parë, ulërinin duke i bërë komplimenta, mundoheshin t’i jepnin ndonjë të pickuar dhe ajo nuk i mënjanonte mollaqet, por u lëshonte çantën kokës ngacmimtarëve; kush kujton se je, i pacipë? Pastaj niste të qeshte për të nxjerrë në pah dhëmbin e veshur prej floriri. Bënte banjë çdo mbrëmje në tinar, duke hedhur ujë me një kanë e duke u fërkuar me një rreckë të sapunisur, i ndërronte bluzat dy herë në ditë, spërkatej me ujë trëndafilash, i lante flokët me vezë dhe i shpëlante dhëmbët me kripë për t’i bërë sa më të shndritshëm. Në orën e banjës, unë e ndihmoja duke i hedhur ujë përgjatë shpinës, e dalldisur përpara atij trupi të errët, me thithkat ngjyrë gështenjë, me mollaqet e buta si poltrona kapitone prej lëkure ku dergjej Profesor Xhonsi. Fërkohej me leckën e saj dhe qeshte krenare për atë bollëk mishrash. Ecte me një hir provokues, e kapërdisur, nën ritmin e një muzike të fshehtë që ndiente përbrenda. Gjithçka tjetër tek ajo ishte e ashpër, deri edhe të qeshurit e të qarët. Nxehej pa asnjë lloj preteksi dhe niste të godiste me shuplaka në ajër që të më zinin mua do ishin njësoj sikur të më gjuanin me top. Në këtë mënyrë, pa ndonjë qëllim të keq, ma shurdhoi njërin vesh. Pavarësisht nga mumiet, për të cilat nuk kishte pasur asnjë lloj simpatie, shërbeu te doktori për shumë vite, duke marrë një rrogë mizerje të cilën e shpenzonte të gjithën për duhan dhe rum. U kujdes për mua pasi kishte marrë përsipër një detyrë më të shenjtë se lidhjet e gjakut, po të harronte të kujdesej nuk kishte falje që ta justifikonte, ishte më keq se të braktisje birin tënd, thoshte, është një detyrim të rrisësh të shëndetëshme, të pastër e punëtore, sepse do më kërkojnë llogari ditën e Gjykimit Universal. Nëna ime nuk besonte në mëkatet e bashkëlindura, për këtë s’e kishte parë të nevojshme pagëzimin, por ajo kishte këmbëngulur me kokëfortësi. Mirë, nëse kjo të jep kënaqësi, kumbare, bëj si të duash, por mos i ndrysho emrin që kam zgjedhur për të, kishte pranuar më në fund Konsuelo. Mulatja kaloi tre muaj pa pirë cigare e rum për të kyrsyer ca para dhe ditën e caktuar më bleu një fustan organxe ngjyrë lyleshtrydheje, thuri një kordon me katër fije të verdha e m’i vendosi si kurorë në kokë, më spërkati me ujin e saj aromë trëndafili e më mori në krah deri në kishë. Kam një fotografi të pagëzimit tim, ku ngjaj si një pako gazmore dhuratash. Meqë nuk i mjaftuan paratë në këmbim të ceremonisë, u tregua e gatshme të pastronte tempullin nga fundi në majë, të lante dyshemetë e të lyente me qiri bankat prej druri. Kështu u pagëzova me pompozitet të madh, si një fëmijë e pasur.
– Nëse s’do kisha qënë unë, nuk do ishte pagëzuar akoma. Të pafajshmit që vdesin pa u pagëzuar përfundojnë në limb e nuk dalin më – më sillte ndërmend gjithmonë kumbarja. – Një tjetër në vendin tim do të kishte shitur. Është e lehtë t’i sistemosh vajzat e vogla me sy bojëqielli, thonë se gringot i blejnë për t’i dërguar në vendin e tyre, por unë i kam bërë një premtim të madh nënës tënde e nëse nuk do ta mbaja do të përfundoja e pjekur në tiganët e mëdhenj të ferrit.
Për të kufiri midis të mirës dhe të keqes ishte i prerë e ajo ishte e gatshme të më mbante larg nga veset edhe me dajak, e vetmja mënyrë që njihte, sepse me atë ishte rritur edhe vetë. Ideja se loja apo përkëdheljet ishin diçka e mirë për fëmijët nuk i shkonte kurrë ndërmend. Përpiqej të më mësonte të punoja me shkathtësi, pa humbur kohë me fantazra, e bezdisur nga hutimi e msheftësia donte të më shihte të turresha me vrap kur më urdhëronte. Më kokën e mbushur plot me tym e me copëra rëre, më thoshte ca fjalë të pakuptueshme e më masazhonte këmbët me krem Skot, një tonik me çmim të lirë por me prestigj të madh, pasi ishte fabrikuar me vajin e mëlçive të merlucit, që sipas reklamës krahasohej me gurin filozofik të mjekësisë ripërtëritëse.
Kumbarja e kishte trurin pak të mjegulluar për shkak të rumit. Besonte te shenjtorët katolikë, e të tjerëve me origjinë afrikane dhe e disave të trilluar nga ajo vetë. Në dhomën saj kishte ngritur një altar të vogël, mbi të cilin rreshtoheshin përkrah ujit të bekuar letishet e vuduve, fotografia e babait të vdekur dhe një bust që ajo besonte se ishte i San Kristofit, por që më vonë unë e zbulova se ishte i Bethovenit, e nuk më erdhi mirë teksa korrigjova atë gabim të sajin, pasi ishte më i mrekullueshmi i altarit. Iu drejtohej hyjnive të saj me një ton të përzemërt e fisnik, duke u kërkuar atyre favore pa vlerë, dhe më pas, kur ishte familjarizuar me telefonin, u drejtohej atyre në qiell, duke interpretuar sinjalet e telefonit si përgjigje të bashkëbiseduesve të saj hyjnorë. Ishte e devotshme e San Benitos, një biondi të bukur e që i kishte qejf festat, të cilin gratë nuk e linin në paqe, ky na ishte hedhur në tymin e një mangalli ku kishte ngelur i djegur si kongjilli e vetëm atëherë kishte arritur të adhuronte Zotin e tëpërmbushte mrekullitë e tij. Ajo i lutej derisa ta lehtësonte nga dehjet e saj. Ishte eksperte në vuajtjet dhe vdekjet e tmerrshme, dinte fundin e çdo martiri apo virgjëreshe dhe ishte gjithmonë e gatshme për të m’i treguar. Unë e dëgjoja si e sëmurë nga terrori çdo herë i kërkoja hollësi të reja. Tortura e Santa Luçias ishte e preferuara ime, doja ta dëgjoja vazhdimisht e me imtësi; sesi Luçia nuk kishte pranuar dashurinë e perandorit të saj, si i kishin nxjerrë sytë, e nëse ishte e vërtetë ato bebe të syrit ishin përndritur nga një dritë e fortë prej vazos së argjendit ku qëndronin të ngrira si vezë vetmitare duke verbuar perandorin, ndërsa asaj i kishin dalë dy sy të tjerë të kaltër, më të bukur se ata origjinalë.
Besimi i kumbares sime ishte i pathyeshëm dhe asnjë lloj fatkeqësie nuk arriti ta mposhtte. Pak kohë më parë kur erdhi këtu Papa, mora një autorizim për ta nxjerrë nga spitali, pasi do të ishte një mëkat të humbiste spektaklin e Kryepriftit me një veshje të bardhë e kryqin e artë, që predikonte besimin e tij të pademonstrueshëm, me një spanjishte perfekte apo në dialektin indian, sipas rrethanave. Tek e shihte kur ecte përpara me akuariumin e tij prej xhami të blinduar përgjatë rrugëve të pikturuara rishtazi, midis luleve, flamujve e truprojave, kumbarja, tashmë shumë e plakur, kishte rënë në gjunjë, e bindur se Profeti Elia kishte nisur një xhiro turistike. Pata frikë se mos turma do ta shkelte me këmbë dhe tentova ta largoja prej andej, por ajo nuk lëvizi derisa i bleva një kapele të Papës si relike. Ato ditë shumë njerëz ishin bërë të mirë, disa premtuan se do të falnin borxhet e të mos flisnin më për luftën e klasave apo kundër koncesioneve për të mos e trishtuar Papën e Shenjtë, por e vërteta është se unë nuk u entusiazmova për atë vizitë të shquar, sepse nuk kisha një kujtim të mirë nga besimi. Një ditë të diele të fëmijërisë sime, Kumbarja më çoi në kishë e më detyroi të ulesha në gjunjë në një kabinë druri e pajisur me perde, unë i kisha gishtat e fytyrë e nuk arrija t’i kryqëzoja si më kishte mësuar. Përmes një rrjete më erdhi një afsh i fortë, më thuaj mëkatet e tua, më erdhi një urdhër, dhe unë, në atë çast i harrova të gjitha ato që kisha trilluar enkas, nuk dija si të përgjigjesha, nxitimthi kërkova të mendoja ndonjë gjë, qoftë ky edhe i lehtë, por asnjë lloj mëkati i pakuptimtë nuk më erdhi ndër mend.
-E prek trupin me duar?
-Po…
-Shpesh, bijëz?
-Çdo ditë.
-Çdo ditë! Sa herë?
-Nuk i kam numëruar kurrë… Shpesh…
-Kjo është një fyerje e rëndë përpara syve të Zotit!
-Nuk e dija, at. Edhe po të vesh dorashka, është gjithmonë mëkat?
-Dorashka! Çfarë thua, torollake? Tallesh me mua?
-Jo, jo… – belbëzova e trembur, duke marrë me mënd se sidoqoftë do të kishte qënë e vështirë të laje fytyrën, dhëmbët apo të kruheshe me dorashkat veshur.
-Premtoma se nuk do ta bësh më. Pastërtia dhe pafajësia janë virtytet më të mira të një fëmije. Do të recitosh pesëqind herë Ave Maria si ndëshkim për të të falur Zoti.
-Nuk mundem, at – iu përgjigja, sepse dija të numëroja deri në njëzetë.
-Si kështu, nuk mundesh? – ulëriti prifti e një shi pështyme përshkoi kabinën e rrëfimit, dukje më rënë përsipër.
Dola me vrap, por kumbarja më kap fluturimthi e më tërhiqte veshin teksa fliste me priftin për të gjetur një mundësie për të më futur në punë, më parë se karakteri im të prishej akoma më tepër e shpirti im të bëhej i tëri i zi.
Pas vdekjes së nënës sime, i erdhi ora edhe Profesor Xhonsit. Vdiq nga pleqëria, i zhgënjyer nga bota dhe nga mënçuria e tij, por vë bast se vdiq i qetë. Përballë pamundësisë për të ballsamosur vetveten e të qëndronte me dinjitet midis mobiljeve angleze dhe librave të tij, la të shkruar në testament që eshtrat t’i çoheshin në qytetin e tij të lindjes, sepse nuk dëshironte të përfundonte në varrezat vendase, plot me pluhur, nën një diell të pamëshirshëm e i përzierë me gjithfarëlloj njerëzish, siç thoshte ai. Ra në agoni nën freskun e ventilatorit të dhomës së gjumit, i pjekur nën mundimin e paralizës, pa ndonjë shoqëri tjetër veç pastorit të biblës dhe meje. Humba thërrimet e fundit të frikës që ai më shtinte teksa kuptova se nuk mund të lëvizte pa pasur ndihmë dhe kur zëri i tij gjëmues u kthye në një regëtimë të mekur e të pambarimtë.
Në atë shtëpi të izoluar nga bota, ku vdekja ishte ulur këmbëkryq që kur doktori kishte nisur eksperimentet e tij, unë endesha pa asnjë lloj kontrolli. Disiplina e shërbëtorëve ishte shthurur që kur Profesori nuk qe më në gjëndje të dilte nga dhoma e tij, duke i korrigjuar vazhdimisht që ng karrikja e tij me rrota e duke u dhënë urdhëra kontradiktorë. Vija re se si zhdukeshin takëmet e argjendta, tapetet dhe pikturat deri edhe enët e qelqit ku Profesori ruante përzieriet e tij. Asnjëri nuk e përgatiste më tavolinën e padronit me mbulesa të kollarisura e vazo të shndritshme, asnjëri nuk i ndizte më llampadarët e pastaj t’i çonte llullën. Kumbarja hoqi dorë nga preokupimi për gjellët dhe i bënte vetëm banane të grira, oriz dhe peshk të skuqur çdo ditë. Të tjerët i vunë shqelmin pastrimit, dhe fëlliqësia e lagështia pushtuan muret dhe dyshemenë prej druri. Për kopshtin nuk ishte kujdesur më njeri pas incidentit të surukukusë vite më parë, dhe si rezultat i kësaj neglizhence një vegjetacion agresiv ishte gati për ta përpirë shtëpinë dhe të zaptonte trotuarin. Shërbëtorët i gëzoheshin orës së iqindisë, dilnin xhiro, pinin tej mase rum dhe e kalonin ditën me radion ndezur ku gjenin medoemos ritmet e boleros e të kumbos. Profesori i gjorë, kur qe me shëndet të mirë toleronte diçka vetëm për disqet e muzikës klasike, vuante sa s’thuhet nga këto zhurma e kapej më kot pas ziles për të thirrur shërbëtorët, asnjë nuk paraqitej. Vetëm kumbarja ime ngjitej në dhomën e tij kur ai ishte në gjumë, për ta spërkatur me ujin e bekuar që e kishte vjedhur në kishë, sepse i dukej një ligësi e madhe ta linte atë të vdiste pa ritet fetare, si një lypës.
Atë mëngjes kur njëra nga kamarieret i hapi portën priftit protestant vetëm me sytjena e një palë brekë veshur, sepse i nxehtit ishte tërbues, mendova se gjithçka po bëhej lesh e li dhe se nuk kishte asnjë motiv për t’u fshehur padronit. Nga ai moment shkoja shpesh ta takoja, në fillim duke e parë fshehtazi nga pragu i derës dhe pak nga pak duke hyrë në dhomë, deisa u gjendëm duke lozur në krevatin e tij. Kaloja orë të tëra pranë plakut duke u munduar të komunikoja me të, e më në fund, arrita t’ia kuptoja murmuritjet e paralitikut të huaj. Kur i qëndroja pranë, Profesori dukej se harronte për disa çaste poshtërimin e agonisë së tij dhe torturën nga që s’mund të lëvizte. Unë merrja librat nga raftet e shenjta e i mbaja hapur që ai të mund të lexonte. Disa syresh ishin të shkruara në latinisht, e ai m’i përkthente, ku dukej qartë se ishte i lumtur që më kishte si nxënëse e duke u ankuar me zë të lartë se si nuk e kishte vënë re më parë ekzistencën time. Ndoshta nuk kishte prekur kurrë me dorë një fëmijë dhe zbuloi tepër vonë se kishte prirje për gjysh.
-Nga na doli kjo krijesë? – pyeste duke përtypur ajrin. – Do të jetë vajza ime, mbesa ime, apo ndonjë aluçinacion i trurit tim të sëmurë? Është brune, por ka sy të ngjashëm me të mitë… Eja këtu, vogëlushe, të të shoh më afër.
Ai nuk arrinte të bënte lidhjen midis meje dhe Konsuelos, edhe pse i kujtohej mirë gruaja që i kishte shërbyer për më tepër se njëzet vjet e cila njëherë ishte fryrë si top për shkak të tretjes së ushqimit. Shpesh më fliste për të, i sigurtë se këto momente të tij të fundit do të kishin qënë ndryshe nëse do të kishte pasur atë në krye të shtratit të tij. Ajo nuk do ta kishte tradhëtuar, thoshte.
I vendosja topa të vegjël pambuku në vesh që të mos çmëndej për shkak të këngëve e romancave që transmetonte radioja, e laja dhe i vendosja peshqirë të palosur poshtë trupit, ajrosja dhomën dhe e mëkoja me çeçé për të sapolindurit. Ky plakush me mjekërr të argjendtë ishte kukulla ime. Një ditë e dëgjova tek i thoshte pastorit se për të unë isha më e rëndësishme se të gjitha sukseset e tij shkencore që kishte arritur deri atëherë. I tregonte ndonjë gënjeshtër; se gjoja kishte një familje që e priste në vendin e tij, sikur ishte gjysh i mjaft nipërve e mbesave dhe se zotëronte një kopsht me gjithfarë lulesh. Në bibliotekë ishte një punë e ballsamosur, rezultat i eksperimenteve të tij të para bërë me lëngun e mrekullueshëm. E tërhoqa zvarrë deri në dhomë dhe pasi e vendosa te këmbët e krevatit ia paraqita si qenin e tij qejfli, por atij nuk i vinte ndërmend. Bisha e gjorë kishte një pamje mjaft të trishtuar.
-Shkruaje në testamentim tim, pastor. Dua që kjo vogëlushe të jetë trashëgimtarja ime universale. Do të jetë gjithshka e saja kur unë të vdes, – arriti të thoshte duke i llomotitur njeriut të Zotit, i cili shkonte ta takonte çdo ditë, duke i hequr kënaqësinë e vdekjes me kërcënimet e botës së përjetëshme.
Kumbarja më rregulloi një shtrojë ngjitur me krevatin e atij që po jepte shpirt. Një mëngjes i sëmuri u zgjua më i zbehtë dhe më i dërrmuar se zakonisht, nuk dëshiroi të pinte kafen e tij me qumësht që më kërkonte t’ia jepja, por më lejoi ta laja, t’i krihja mjekrën, t’i ndërroja këmishën e natës e ta spërkasja me kolonjë. Ngeli deri në mesditë i mbështetur mbi jastëkët, i heshtur, e me vështrimin e fiksuar nga dritarja. Kundërshtoi të hante llapanë për drekë, dhe kur po e rregulloja në orën e iqindisë m’u lut që të shtrihesha heshturazi në krahë të tij. Po flinim të dy të qetë kur jeta e tij u shua.
Pastori erdhi në të ngrysur e u mor vetë me të gjitha formalitetet. Të dërgoje trupin e Profesorit në vendin e tij të lindjes nuk ishte aspak praktike, e mbi të gjitha kur nuk kishte asnjeri që ta merrte, kështu ai e injoroi porosinë e tij dhe e varrosi me një ceremoni të thjeshtë. Vetëm ne shërbëtorët morëm pjesë në atë funeral të trishtueshëm, tanimë fama e profesorit kishte rënë, progresi i shkencës kishte bërë të vetën, e asnjë nuk e mori mundimin për ta shoqëruar në varreza, dhe pse lajmi ishte publikuar në gazetë. Pas gjithë atyre viteve të një jete prej murgu, pak vetë kujtoheshin për të, ndonjë student mjeksie që e përmendte për dajakun që shndriste inteligjencën te debilët, apo për insektet që luftonin kancerin, si dhe për lëngun e famshëm me të cilin konservonin kufomat.
Me humbjen e padronit, bota ku kisha jetuar u shkallmua. Pastori bëri inventarin e pasurisë dhe vendosi të aplikonte kriterin sipas të cilit burri i mënçur kishte humbur arsyen kohët e fundit dhe nuk ishte në gjëndje të merrte vendime. Gjithshka përfundoi në kishën e tij, përveç pumës, nga e cila nuk dëshiroja të ndahesha, me të kisha lozur që në ditët e para të fëmijërisë sime dhe për shkakun e thjeshtë që i thosha padronit se bëhej fjalë për një qen, gjë që kisha arritur ta besoja dhe vetë. Kur hamejtë tentuan ta ngarkonin në kamion, nisa të ulërija dhe me të më vënë re prifti se si më dilte shkumë nga goja hoqi dorë. Besoj se ajo kafshë nuk ishte e dobishme për askënd, por megjithatë arrita ta ruaja. Qe e pamundur të shisje shtëpinë, pasi askush nuk dëshironte ta blinte. Ishte vulosur me damkën e eksperimenteve të Profesor Xhonsit dhe përfundoi ashtu e braktisur. Ekziston akoma edhe sot. Me kalimin e kohës u shndërrua në shtëpi frike ku djelmoshët për të vënë në provë kurajon shkonin ta kalonin natën midis kujës së dyerëve, nën llahtarin e vrapit të minjve dhe dënesave të shpirtrave që s’gjenin prehje. Mumjet e laboratorit i transferuan në Fakultetin e Mjekësisë, që në të vërtetë mbetën të lëna mënjanë në një kantinë për një periudhë të gjatë, deisa papritur u rindez interesi për formulën sekrete të doktorit dhe tre breza studentësh mundoheshin të shkulnin copëza për t’i shoshitur në makina të ndryshme, derisa i katandisën në ca skelete mjeranë.
Pastori pushoi nga puna shërbëtorët dhe mbylli shtëpinë. Ndodhi kështu që u largova nga ai vend ku kisha lindur, duke tërhequr nga pas pumën prej këmbëve të përparme, ndërsa kumbarja nga ato të prapmet.
-Tashmë je e madhe dhe unë nuk mund të të mbaj. Do të punosh, për të siguruar bukën e gojës dhe të bëhesh e fortë, ashtu siç duhet – tha kumbarja. Isha vetëm shtatë vjeçe.
Kumbarja ishte duke pritur në kuzhinë, ulur mbi një karrige kashte, me shpinën drejtuar lart, me një çantë plastike të qëndisur me rruaza mbi prehër, me gjysmën e gjoksit që gati sa nuk i shpërthente jashtë prej dekoltesë së këmishës dhe kofshët që i derdheshin mbi ndenjëse. Në krahë të saj unë kaloja në revistë me bisht të syrit enët prej hekuri të kuzhinës, frigoriferin e ndryshkur, macen e mbledhur krruspull poshtë tavolinës, bufenë me rrjetën e saj ku përplaseshin mizat. Kisha lënë shtëpinë e Profesor Xhonsit që prej dy ditësh dhe nuk kisha arritur ta merrja veten nga hutimi. Në pak orë isha bërë e paafrueshme. Nuk dëshiroja të flisja me akënd. Ulesha në ndonjë qoshe me fytyrën ngjeshur mes duarve e atëherë, kështu si tani, më shfaqej nëna ime, besnike ndaj premtimit që më kishte dhënë se do të ngelej e gjallë përsa kohë unë do ta kuptoja. Midis tenxhereve të asaj kuzhine të çuditshme dukej një zezake eshtake dhe e shkathtë që na vështronte gjithë mosbesim.
-Është juaja, kjo vajzë? – pyeti ajo.
-Si mund të jetë bija ime? Nuk e shikon se ç’ngjyrë ka? – ju përgjegj kumbarja.
-E kujt është atëherë?
-Është bija ime e pagëzimit. E kam sjellë të punojë.
U hap dera dhe hyri zonja e shtëpisë, një grua shtatvogël, me ca si toptha e kaçurrela të mbledhura fort, veshur me të zeza e me një kuti relikesh të arta si medalje ambasadorësh varur në qafë.
-Afrohu të të shoh – më urdhëroi, por unë isha gozhduar pas dyshemesë, e nuk arrija të lëvizja. E u desh të më shtynte kumbarja që padronia të më kontrollonte: në mes të flokëve të dendur se mos kisha morra, thonjë – për të vënë re ndonjë linjë të tërthortë tipike për epileptikët, dhëmbët, veshët, lëkurën, forcën e krahëve dhe të këmbëve, – ka krimba?
-Jo zonjë, është e gjitha e pastër, brenda e jashtë.
-Duket e dobët.
-Ka pak ditë që nuk ka oreks, por mos u merakosni, nuk është dembele. Nxe shpejt, ka vullnet të fortë.
-Është qaramane?
-Nuk ka qarë as kur i varrosëm të ëmën, që pushoftë në paqë atje ku është.
-Po e mbaj në provë për një muaj – vendosi padronia e doli pa përshëndetur.
Kumbarja më dha rekomandimet e fundit: mos u bëj e pacipë, bëhu e kujdesshme e mos thuaj asgjë, mos pi ujë në mbrëmje sepse larg krevatin, sillu mirë dhe bindju urdhërave.
U bë gati të më puthte, por ndërroi ide e më ledhatoi ngadalë kokën, bëri një rrotullim nga pas dhe u nis për nga porta e shërbimit me një hap të vendosur, por unë e vura re se ishte e trishtuar. Kishim qënë gjithnjë bashkë, ishte hera e parë që ndaheshim. Ngela atje ku isha me shikimin e fiksuar në mur. Kuzhinieria mbaroi së griri ca feta bananesh, më kapi nga supet e më uli në një karrige, pastaj m’u ul në krah e vuri buzën në gaz.
-Kështu pra, ti je shërbëtorja e re… Mirë, zogu im, ha tani! – E më vuri përpara një pjatë. – Unë quhem Elvira, kam lindur në bregdet, më 29 maj, ditë të diele por nuk e di se në cilin vit. Gjithë jetën time nuk kam bërë tjetër veçse kam punuar dhe, me ç’shoh, kjo do të jetë dhe rruga jote. Kam huqet dhe zakonet e mia, por do të merremi vesh nëse nuk do të jesh e pafytyrë, sepse gjithnjë më ka pëlqyer të kem nipër dhe mbesa, por Zoti më ka bërë aq të varfër sa që nuk kam as familje.
Atë ditë nisi një jetë e re për mua. Shtëpia ku më kishin marrë për të shërbyer ishte e mbushur plot me mobilje, piktura, statuja, fiere mbi kolonat e mermerit, por gjithë ato zbukurime nuk arrinin të fshihnin myshkun që rritej mbi tubat e ujit, muret e njollosur nga lagështia, pluhuri që prej vitesh ishte grumbulluar poshtë krevatëve e mbrapa dollapëve, gjithshka më dukej e pistë, krejt ndryshe nga banesa e Profesor Xhonsit, i cili, para se t’i binte hemoragjia cerebrale, përkulej mbi dysheme dhe e kalonte gishtin edhe në qoshet më të fshehta. Vinte një erë e rëndë pjepri të kalbur e megjithëse grilat ishin të ulura për t’u mbrojtur nga dielli, bënte një i nxehtë mbytës. Të zotërit e shtëpisë, gruaja me reliken në qafë dhe një trashaluq rreth të gjashtëdhjetave, me një hundë të madhe si një qofte e mbushur me kratere dhe me një tatuazh arabeske, ishin vëlla e motër, të dy të pamartuar. Elvira më tregoi se padronia kishte kaluar një goxha pjesë të jetës së saj pranë një studioje noterie, ku shkruante në heshtje duke ndrydhur në vetvete dëshirën për të bërtitur të cilën vetëm tani, që ishte në pension e në shtëpinë e saj, mund ta shfrynte lirshëm. Gjithë ditën jepte urdhëra me një zë të flashkët, me gishtin tregues drejtuar në mënyrë të prerë, e palodhur në maninë e saj të presekutimit, e xhindosur me botën dhe veten e saj. I vëllai kufizohej vetëm me leximin e të përditshmeve dhe gazetës mbi garat e kuajve, pastaj pinte dhe dremiste mbi karrigen lëkundëse në verandë, më vonë shëtiste i veshur me pizhama, duke tërhequr zvarrë pandoflat mbi pllakat e dyshemesë dhe gjithnjë duke u kruajtur midis kofshëve. Në të ngrysur ngrihej nga gjumi, vishej e dilte për të lozur domino në kafene. Ky ritual përsëritej çdo ditë përveç të dielave, kur shkonte në hipodrom për të humbur ato që kishte fituar gjatë javës. Banonin atje edhe një pjatalarëse, kockëdalë, me trurin si të një pule, që punonte nga agimi deri në perëndim të diellit dhe gjatë orës së iqindisë zhdukej në dhomën e beqarit; një kuzhiniere, macet dhe një papagall fjalëpak e gjysmë i rrjepur.