Dashuria, mjet për të lindur fëmijë

Autori: Arthur Schopenhauer

Çdo prirje për dashuri, nën çdo mbulesë fantastike qoftë, në realitet i ka përherë rrënjët e saj brenda në ndjenjën natyrale të bashkimit të sekseve. Bile dashuria është ndjenja e këtij bashkimi, është prirja për shumëzimin dhe përjetësimin e racës njerëzore.
Dashuria luan një rol me rëndësi të madhe jo vetëm në drama e romane por në jetën reale ku ajo paraqitet me një forcë të barabartë me dashurinë për jetën. Ajo thith të gjitha forcat e njerëzimit djaloshar duke sjellë në shumë raste turbullime të mëdha, duke hutuar e ngatërruar deri kokat gjeniale, duke ndërhyrë fshehtazi në bisedimet e diplomatëve, duke u fshehur ngandonjëherë edhe nëpër çantat e ministrave, duke krijuar skandale midis miqve besnikë, duke transformuar në viktimë herë shëndetin ose jetën, herë pasurinë, nderin dhe lumturinë, duke e bërë të ndershmin të ç’ndershëm dhe besnikun tradhëtar.
Po e gjithë kjo përse? Përse dashuria turbullon kaq shumë jetën e njerëzve kur qënka fjala vetëm që Paridi të gjejë helenën e tij dhe asgjë më tepër? Jo! Dashuria nuk është një gjë pa rëndësi. Që ajo është tema kryesore në veprat e poetëve, shkrimtarëve a dramaturgëve; që vepra të tilla si: “Romeo e Zhulieta”, “Eloiza e re”, “Verteri’ etj., kanë fituar famë të pavdekshme, që dashuria zë një pjesë të madhe dhe të rëndësishme të jetës sonë do të thotë se nuk është diçka “e parëndësishme” apo “e panatyrëshme” siç shprehen Roshefuko apo Lihtenberg. Është e pamundur që një fantazi apo diçka jo e natyrshme, të paraqiten pa u lodhur, në të gjitha kohërat dhe të mirëpriten nga njerëzimi. Asgjë nuk mund të jetë e rëndësishme pa qenë e vërtetë.
Bile, është aq e rëndësishme sa e vlen tërë seriozitetin dhe rrëmbimin me të cilin bota tërhiqet prej saj. Qëllimi i çdo aventure dashurie është prirja e domosdoshme për të formuar brezin që do të vijë pas nesh, është prirja instiktive për të lindur fëmijë, ndonëse ne nuk e ndjejmë këtë gjë në mënyrë të kthjellët.
Sado që na duket ideal dhe pa interes admirimi për një person, qëllimi kryesor është krijimi i një qenieje të re. Kjo provohet me faktin se dashuria kurrë nuk kënaqet e nuk mjaftohet me ndjenjën ideale reciproke, por ka edhe pretendimin ta zotërojë personin e dashur. Edhe kur dikush e ka sigurinë se dashurohet, nuk gjen ngushëllim poqese nk e zotëron plotësisht personin e dashuruar. Përkundrazi, ngjet që njerëz pa u dashuruar të mbeten të kënaqur vetëm me arritjet e bashkimit natyral. Shembull kemi martesat e detyruara dhe bashkimet seksuale me forcë.
Shpirtrat bujarë e sentimentale, ata që dashurohen në mënyrë ideale, më kot do të protestojnë për ashpërsinë e predikimit tim, se krijimi i qenieve të reja është një ideal shumë më i lartë e më bujar se idealet e tyre të gënjeshtërta. Por dashuria në vetvete nuk është njëlloj si te burri dhe te gruaja.

Preferimet e veçanta të grave

Mosha e burrit që preferojnë gratë është prej 30-35 vjeç sepse kjo moshë dallohet prej shkallës më të lartë të forcës lindëse. Përgjithësisht femrat nuk e shikojnë bukurinë, veçanërisht bukurinë e fytyrës pasi e marrin përsipër vetë t’i japin bukuri fëmijës. Ajo që tërheq gruan është forca, bukuria e trupit (muskulatura) dhe trimëria, sepse këto cilësi premtojnë fëmijë të fortë. Mjaft mungesa që ka burri, si p.sh. bukuria etj., neutralizohen nga gruaja. Dhe kjo është arsyeja që gratë shumë herë bien në dashuri me burra që nuk kanë asnjë vlerë, por kurrë me burra që u ngjasin grave, sepse një të metë të tillë s’kanë fuqi ta neutralizojnë.
Cilësitë që tërheqin gruan janë forca e vullnetit, vendosmëria e karakterit, guximi dhe veçanërisht drejtësia e mirësia e zemrës, cilësi këto që fëmija i trashëgon nga babai. Kështu shpesh martesa të tilla; burri është banal, mendje – ngushtë, gruaja e ëmbël dhe mjaft e zgjuar, ose burri i zgjuar, kurse gruaja budallaqe… Kjo ngjet se prirjet që mbizotërojnë në këto raste nuk lidhen me mendjen por me instinktin.
Kushdo dashuron atë që i mungon. Kështu, çdo person i njërit seks e gjen plotësimin, te personi i seksit tjetër i cili shfaq si të thuash pjesën e domosdoshme për t’u bërë e plotë qënia që pritet.
Qëllimi kryesor i martesës nuk është bashkëjetesa mendore, por lindja e fëmijëve. Martesa është lidhje zemrash e jo truresh. Kur një grua e zgjuar çmon zgjuarsinë e burrit ose një burrë studion karakterin e të dashurës së tij, atëhere këtu vepron arsyeja për të cilën unë nuk kam folur këtu.

Të metat e Grave

Gratë janë të zonjat të kujdesen për moshën tonë foshnjore, sepse ato janë vetë foshnja të mëdha. Një vajzë e rritur ditë të tëra mund të lozë e të qeshë e kënaqur me një fëmijë. Merreni me mend se çdo të bënde një burrë në këto kondita, sado vullnet të mirë të ketë.
Natyra nuk është kujdesur mjaft për gruan. I dhuroi asaj bukurinë të cilën prap ia merr pasi kjo lind disa herë.
Përgjithësisht grave u mungon arsyeja dhe si krijesa më të dobëta ato janë të udhëhequra nga natyra që të mbështeten jo mbi forcën, por mbi dinakërinë, gënjeshtrën dhe hipokrizinë.
Koketëria, e cila e tërheq krejt gruan, e pengon të merret me gjithçka, (disa përjashtime sigurisht nuk i ndryshojnë punët). Gratë duke u shqyrtuar si tërësi janë subjektive.

Logjika dhe marrëzia e dashurisë

Kur humb të dashurën, dashnorit i duket se jeta ka humbur çdo bukuri e tërheqje dhe kjo mërezitje arrin të mposhtë edhe frikën e vdekjes. Kështu, atij që i takojnë fatkeqësira në dashuri e këput me dashje perin e jetës.
Dashuria nuk gjendet vetëm në kundërshtim me kushtet shoqërore të të dy personave, por edhe me predispozicionin personal. Kështu dashuria e detyron njeriun të lidhet shumë heë me persona, që me përjashtim të bashkimit seksual do ta urrenin njëri tjetrin. Është vullneti i llojit që ushtron fuqinë e vet të madhe dhe i zhduk këto të meta; por kjo ndjenjë e gënjeshtërit zhduket me t’u përmbushur vullneti i llojit (bashkimi seksual), për të lënë prapa një ndjenjë zhgënjimi të urryer.
Martesat me dashuri bëhen siç thamë për interesin e llojit e jo të personit. Personat është e drejtë që kujtojnë se veprojnë kështu për lumturinë e tyre, por qëllimi i vërtetë s’ka të bëjë me ta, por vetëm me krijimin e qenies së re, kështu ata kërkojnë tek njëri – tjetri një harmonizim të jashtëm. Por shumë shpesh nga shkaku i kësaj ndjenje të gënjeshtërit, që është përmbajtja e dashurisë çifti gjendet papritur në mosmarrveshje mbi të gjitha pikat. Kjo kuptohet menjëherë me t’u zhdukur fatalisht ndjenja e gënjeshtërit.
Ja pra, pse zakonisht martesat me dashuri dalin fatkeqe, se vërtet sigurojnë formimin e brezit të ardhshëm ndoshta më të përkryer, por kjo ndodh në kurriz të brezit të tanishëm. Kështu, vajza e re në kundërshtim me këshillat e prindërve refuzon të martohet me një burrë me cilësi dhe në gjendje të mirë ekonomike, duke flakur tej logjikën për të zgjedhur sipas prirjes së saj instiktive, pra kështu ajo sakrifikon lumturinë personale për hir të llojit. Por megjithatë nuk do të kishim të drejtë t’i mohonim një farë aprovimi për veprën e saj, se kështu e shtyu natyra dhe ajo iu bind kësaj, e jo egoizmit personal.
Vetëm sa herë që bashkë me arsyen merret parasysh edhe prirja natyrale atëhere çdo gjë shkon mirë.
Pra vetëm kur dashuria me pasion lidhet me ndjenjën e miqësisë (ndjenjë që del nga një burim tjetër), e cila mbështetet në harmoninë e karaktereve, atëherë kemi arritjen e lumturisë në martesë, sepse kur shuhet dashuria seksuale mbetet miqësia.