54.GRUAS SË USHTARIT NË SARDI, ANAKTORIAS

Safo

Një kompani kalorësish, një togë ushtarësh,
Një skuadër anijesh, janë gjërat më të bukura,
Për t’u parë, në këtë botë të begatë,
Por për mua është njeriu që dua.

S’ka asgjë më të lehtë sesa ta vërtetosh këtë:
Helena, bukuria e së cilës errësonte çdo grua,
Zgjodhi njeriun më të humbur,
Dhe braktisi burrin më të mirë.

Me dëshirën e saj lundroi drejt Trojës,
Pa pyetur për fëmijën e prindërit e plakur,
Sepse e joshte për larg dashuria e verbër.

Gruaja e ka gjithmonë më lehtë,
T’i nënshtrohet dëshirës së zemrës.
Por Anaktoria s’më hiqet nga mendja,
Megjithëse është larg prej nesh.

Udha, ku ajo bredh, sjellja e saj e ëmbël,
Shprehja e gjallë e fytyrës së saj,
Për mua janë më të dashura sesa kuajt e Lidisë
Dhe llamburitja e parzmoreve të kalorësve.

Dhe e di se dëshirat s’të plotësohen
Krejtësisht në këtë botë, por kujtimi
I miqësisë së dikurshme, e ngushëllon zemrën
Më tepër sesa harrimi.