Safoja

Autori: Perikli Jorgoni

Një zë hyjnor në poezinë botërore

1.
Kanë kaluar e janë rrokullisur me gjëmë e me zhurmë aq mote e shekuj mbi faqen e këtij dheu, që ka parë me sytë e ballit bukuritë nga më mahnitëset të natyrës, të dorës e të mendjes së njeriut e ka përjetuar me tmerr luftërat më të përgjakshme e dramat më të dhimbshme, dhe përsëri shpirti i ndjeshëm që nuk mund të rrojë pa të fshehtat që na abulon filozofia dhe pa mushtin dhe verën e athët, dehëse e mundonjëse, që na shkund e na cirkon në pikëzat e gjakut arti dhe që na e zbulon poezia, ndjen dëshirën të dëgjojë, krahas zërave më të fuqishëm poetikë e dramatikë edhe zërin e brishtë, të mëndafshtë, të ngrohtë e njerëzor të Safos, poeteshës më të madhe të antikitetit dhe të të gjitha kohërave. Magjinë dhe fuqinë e këtij zëri s’ia arritën as Emili Dikinsoni e as Silvja Plethi, as Ana Ahmatova e as Marina Cvetajeva, as Zhorzh Sandi e M. Debor Valmori, dhe as Gertruda Shtajn e Else Shyler Lasken. Megjithëse ka mijëra vjet që eshtrat të kallura në dhe, në një ciktinë a zall të ishullit të Lesbos i prehen në token e lindjes, të nanuritur nga hijet e ullinjve e të limonave e nga shushurima e vajtimit i përjetshëm i detit, zëri i Safos si një shpirt i arratisur apo një ëngjëll flatrafarfuritës fluturon e kumbon nëpër botë, me një tingull magjepës e drithëronjës si harpat e dikurshme eoliane. Ky zë na troket e na flet brenda shpirtit, duke na shpalosur thesaret e ngrohtësinë që ngërthen mallin e dashurinë e zjarrtë e tëpashuar për jetën e njeriut. Dhe përmes kaq shekujsh ai tingëllon i afërt dhe i dashur, i freksët dhe modern, pa asnjë tjetërsim nga koha e rrebeshet e moteve. Kjo rini e përjetshme që gjallon nëpër timbrin e tij, që i jep forcë e ngjyrime të mahnitshme, me magjinë e madhështinë e artit që krijoi, me lirshmëri e natyrshmëri komunikimi që krijon, me aftësinë për të na futur kaq papritmar e pafundësisht në thellësirat e botës sonë më intime. Dhe për çdinë e fatit të mbrapshtë, figura e Safos dhe vlera e poezisë së saj, nuk u zvetënua dhe nuk u zbeh nga kjo rrjedhje e pandalshme e kohës. Ajo na tingëllon, për çudi, e freskët dhe e fuqishme, kur mjaft poetë, shkrimtarë e skrivanë, që jetuan në periudha historike mjaft më afër kohës sonë u vjetëruan dhe u harruan, u bënë demode dhe anakronikë, sa askush nuk ka asnjë ngasje, t’i nxjerrë nga raftet e bibliotekave e t’i shfletojë. Sikur të mos kishin jetuar kurrë në këtë botë, edhe pse kanë lenë me qindra e mijëra faqe, jeta nëpër to është pasqyruar në mënyrë anemike, të zbehtë e të shpëlarë. Shpeshherë është shtrembëruar dhe ngurtësuar, sipas porosisë së pushtetarëve dhe kanuneve estetike zyrtare. Shpeshherë është ngjyer me varak, është e zhyer, e ndragur me llak, për t’ia maskuar dhe fshehur të çarat dhe eplasat. Shpesh është paraqitur skematike, pa vrullin dhe forcën e vërtetë, pa atë galeri pamjesh e tipash psikologjikë, pa të cilat arti nuk mund të marrë frymë e të afirmojë vlerat. Shpeshherë është ngujuar në batakë të amullta e të molepsura, ku të shurdhojnë këlthitjet e kukuvajkave e britmat e të dëshpëruarve, sikur jeta iu dhënka njeriut vetëm për të vuajtur e për t’u munduar. Sa e ndryshme nga këto është zëri dhe poezia e Safos! Dhe pse e gjymtuar dhe e humbur dhe shpesh fragmentare, ajo na mahnit e na befason, duke na nxitur t’ia plotësojmë me fantazi konturet e atij skicimi virtuoz, që është cënuar dhe fshirë nga lagështia e shkatërrimi. Veçanërisht gjatë lindjes dhe gjallërimit të Krishtërimit, poezia e saj pësoi dëmtimin dhe egërsinë më të përbindshme. Idhtarët e fesë së re, meshtarët dhe murgjërit, priftërinjtë dhe peshkopët u turrën me tërbim e neveri kundër gjithçkaje që kishte krijuar gjenia e Safos. Ata ia zhdukën nga bibliotekat veprat, grisën e shqyen fletë librash antologjie, gramatika dhe libra historie, ku ishin shkruar poezitë e ku bëhej fjalë për të, dogjën në zjarr fletë pergamenesh e papirusesh dhe s’lanë shpifje e blasfemi pa derdhur. Ata i trembte madhështia, pasionet e zemrës, që nuk mund ta kuptonte jetën dhe rrojtjen si një ndrydhje e zymtë e si një zvarritje e mundimshme dhe asketike.
E ndjenin dhe murgjërit të trullosur nga tymi i temjanit dhe leximi i kodikëve, se Safon nuk ishte e lehtë ta mposhtje, prandaj i duhej zhdukur e djegur çdo faqe e shkruar, çdo vlerësim e gjykim i shfaqur. Studiuesit dhe dijetarët e antikitetit e kishin krahasuar për nga fuqia e artit me Homerin, ndërsa Platoni e kishte quajtur i mahnitur nga magjia e fjalës së saj, muza e dhjetë. Por artistët e mendimtarët e mëdhenj, janë dhe sfiduesit më të mëdhenj e më të guximshëm të fatit e të padrejtësive. E ardhmja punon gjithmonë për ta, sado hendeqe e pengesa që të ndeshë përpara.
Dhe ja si për inat të idhtarëve të krishterë, fanatikë e të qorollepsur, si për inat të shpifarakëve e të cmirëzinjve që ia helmuan shpirtin sa ishte gjallë, gjatë viteve 1879-1906 nga Shoqata e Kërkimeve Arkeologjike të Egjiptit, ku morën pjesë dhe profesorët e shquar anglezë G. P. Grenfell dhe A. S. Hunt, në qytetin e vjetër të Afërditës e të Oksinit, 110 milje nga pjesa jugore e jugperëndimore e Kajros, në oazin e Fajumit, në luginën e Nilit, nga gërmimet arkeologjike, të ruajtura nga ajri i thatë dhe nga dheu pa lagështirë, u gjetën rrotullime papirusësh e fletë pergameni me dorëshkrime veprash të autorëve të lashtë. Nëpër varret, së bashku me karkasën e krokodilëve e të kafshëve të tjera të zhdukura u gjt dhe një numër jo i vogël i poezive të Safos.
Metodat dhe aparatet e reja shkencore laboratorike, ritmet e zhvillimit të paleografisë, bënë të mundur të shpëtojnë nga humbja dhe harrimi shekullor. Nëpër papiruse e pergamena njerëzit e lashtë u kishin futur njerëzve të dashur të vdekur dhe vargjet e poezisë së Safos, sepse ata besonin se të vdekurit do të jetonin jetën e përjetshme të botës së nëndheshme, dhe atje do të kishin nevojë dhe për ato gjëra e vepra që i ksihin dashur gjatë jetës tokësore, pra do t’u duheshin dhe vargjet e poeteshës, Safo, që eçmonin dhe e adhuronin kaq tepër.

2.
Nga burimet arkivale të lashta dhe nga arritjet e sotme në fushën e studimit të antikitetit helenik, mendohet që Safoja të ketë lindur e jetuar në ishullin Lesbos në shekullin VII para erës së re. Ajo ka lindur në qytetin Eres, nga një familje që nderohej nga banorët e ishullit, kaq të pasur në vreshta, ullinj e agrume; të ishullit që kishte arritur një zhvillim të lartë ekonomik e kulturor. Babai i Safos quhej Skamon dhe e ëma Kleida. Këtë emër ajo i dha dhe vajzës që lindi me të shoqin, tregtar i pasur nga ishulli Andros dhe që vdiq i ri. Edhe i vëllai, Karaksi u njoh dhe u dashurua marrëzisht me një kurtizane të bukur e me nam të madh, me Radopinën, por kjo dashuri e përfolur nuk i pëlqente familjes dhe vetë Safos, prandaj në letrat prekëse që i shkruante, e këshillonte të hiqte dorë prej saj e t’i nënshtrohej një jetese të qetë e të rregullt. Për vëllanë harakat e të pabindur shkroi dhe një poezi, ku janë pasqyruar tronditjet dhe shqetësimet që i shkaktoi asaj dhe familjes së Skamonit, që nuk ishte përfolur nga gojët e liga asnjëherë, por krahas mllefit dhe pezmit të zemrës së vrarë, ndihet humanizmi i thellë i një zemre të madhe, ndjeshmëria e rrallë, që ndeshet në vjershat kushtuar bijës së saj të dashur, Kleas:

Unë kam një vajzë të vogël e të bukur,
Të dashur për shpirtin si një lule e artë,
Klean e shtrenjtë, Klean e dua kaq shumë
Sa s’do të pranoja ta këmbeja as me Libinë
E as me Lesbosin, që më është fort i dashur.

Dhe pse e zgjuar dhe me një talent të rrallë, jeta e Safos dhe e familjes së saj nuk rrodhi aspak e qetë. Atë e fshikulloi ashpër padrejtësia dhe vrazhdësia e pushtetarëve dhe e njerëzve meksinë e mendjengushtë. Me ngjitjen në fron, me mbështetjen e aristokracisë skllavopronare, të sundimtarit tiran Mirsilit, Safoja u detyrua të largohet, për të jetuar në qytetin e vogël Pirra. Siç duket kastës pushtetare, nuk i pëlqente qëndrimi i pavarur e krenar dhe mosbindja ndaj urdhërave e ligjeve të tyre. E shtrënguar nga atmosfera politike e rëndë dhe varfëria ajo mori udhët e mërgimit për në Siçili. U strehua në qytetin e Sirakuzës, që ishte bërë qendër e madhe ekonomike dhe kulturore për të gjithë Mesdheun dhe vendet përreth. Banorët e kulturuar dhe artdashës në nderim të talentit të saj i ngritën një shtatore. Poezia e Safos mori famë ngado, talenti i saj shkëlqeu si një yll i ndritshëm. Historiani Straboni e quan “një grua të jashtzakonshme, një mrekulli të natyrës”, ndërsa Soloni, kur dëgjoi të nipin të këndojë me harpë një këngë të Safos, mes gostisë dhe gëzimit të verës, u ngrit dhe i thirri t’i vinte pranë: “Ma mëso edhe mua këtë këngë, o bir!” Një nga besnikët që i rrinte pranë e pyeti me kërshëri: “Po përse të duhet ta dish, o mbret?” E sepse dua ta mësoj, ta këndoj e pastaj të vdes” – ia ktheu Solomoni gojëmjaltë e mendjethellë, duke i lënë të gjithë të habitur përreth tryezave të shtruara me të gjitha të mirat e begatitë e tokës. Në shekullin IV dhe III para erës së re, Safoja u bë personazh kryesor i pjesëve dramatike. Autorët e këtyre dramave, për t’i bërë tërheqëse për spektatorët e për të mbajtur të gjallë tensionin dramatik, shpesh spekulluan mbi jetën e saj, duke e nxjerrë si një grua të shfrenuar e të papërmbajtur, që s’mund t’i gjendej shoqja kollaj. Jehona e tyre u ndje dhe në veprën e poetëve të shquar latinë, në veprën e Horacit e të Ovidit, me gjithë nderimin dhe vlerësimin që patën për poezinë e Safos, nga mjeshtëria e së cilës mësuan, të përsosnin e të zhdërvjelltësonin poezinë, për ta bërë më të vetvetishme e më të natyrshme.
Zbulimet arkeologjike të këtij shekulli, bënë të mundur rivlerësimin e figurës e të poezisë së Safos. Ajo u pastrua nga njollat e damkosjet e shpifarakëve, të fanatikëve, të shkrimtarëve cinikë e spekullantë dhe sot na vjen më e dëlirë e më fisnike se kurrë. Këtë dukuri e vërente dhe prof. Aleksandër Xhuvani, kur shkruante në faqet e tekstit mësimor “Historia e letërsisë greke klasike”, Tiranë 1941, faqe 49-50, se: “Edhe fjalët e liga që kanë qenë përhapë në kohët e vjetra mbi jetën private të saj, kinse ka qenë e shëmtueme, ka pasë vese të çorodituna, dhe ka vra veten tue ra prej kepit të Leukadesë, për punë të dashunisë së pafat me një djalë me emrin Faon, të gjitha këto e të tjera dokrra mbi jetën e sj, kritika e sotme e qit poshtë, pasi këto tfillëzohen prej dokeve të trevës, ku rronte Safoja e prej rrethit, në të cilin jetonte ajo: ndaj Eolëve, sikundër ndaj Dorianëve, gratë shkojshin nji jetë sui generis, kishin nji farë lirije e mvetësije analoge me atë të burrave. Kjo gja e ka burimin e vet tek zakonet e vjetra të kohës prehistorike, punë që haset edhe në botën herike, ndaj akejve, sikurse përshkruhet në epopenë e Homerit. Përkundrazi, ndaj joneve sidomos ndaj atenasve, gratë nuk ishin të lira si në Eoli, ato rrijshin mbyllë në shtëpi dhe çdo grua që dilte prej tharkut të vet dhe nuk vrahonte punët e shtëpisë, quhesh syresh si një etera, dmth si e përdalur”.
Nëpër tekstet shkollore universitare e nëpër botime të ndryshme enciklopedike, përmendet dhe dashuria e poetit bashkëkohor Alkeut, dashuri që Safoja nuk e priti me ftohtësi e mospërfillje:

ALKEU:
O Safo me buzëqeshje të ëmbë si mjalti,
Dhe e stolisur me manushaqe,
Dua të të them diçka, por, ah,
Nga turpi, nuk mundem
Të nxjerr as dhe një fjalë.

SAFOJA:
Nëse je “zotëri” i mirë dhe i drejtë,
Dhe nëse gjuha nuk të rreket të më thotë fjalë të turpshme,
S’duhet të kesh aspak turp nga vetja, zotëri,
Gjithçka të ma thuash, haptas si një njeri i ndershëm.

3.
Safoja na la të shkruar 9 libra, sipas përcaktimit, në shekull in e III para erës së re të filologëve të Aleksandrisë së Egjiptit, të cilët e sistemuan të gjithë veprën e saj, duke e gjykuar dhe mbarështruar sipas përmbajtjes dhe elementëve estetikë e metrikë që përbëjnë të veçantën dhe origjinalitetin e papërsëritshëm të saj. Mjaft nga këto poezi kanë humbur, apo ndoshta nuk do të gjenden kurrë, por nuk mund të ndodhë dhe e kundërta, që zbulimet arkeologjike, apo hulumtarë të zellshëm të na dhurojnë poezi të panjohura, apo të na plotësojnë boshësitë e ndejshme të fragmenteve jo të plota.
Me gjithë këto hamendësime krejtësisht të mundshme, poezia që kemi nëpër duar tani dhe shkalla e njohjes së letërsisë antike dhe e asaj botërore, na lejojnë të bëjmë përqasje e të vemë në dukje, disa veçanti të poezisë e të estetikës poetike të Safos, teknikën e vargëzimit, gjerësinë e imazheve e të përfytyrimeve, begatinë e materialit jetësor, ndjeshmërinë e rrallë emocionale, harmoninë e lirshmërinë virtuoze të vargjeve aq të befasishëm e me nerv. Para së gjithash Safo jetoi në një kohë, kur poezia lirike greke kishte arritur kulme të larta, me poezinë e poetëve më të shquar, duke treguar ballëhapët para gjithë botës nivelin e lartë të kulturës dhe thellësitë e fuqitë e shpirtit të një populli të lashtë e vital, nga shpirti dhe nga fantazia e të cilit u krijua tërë ajo mitologji e mahnitshme, që ushqeu nëpër shekuj gjithë artin dhe filozofinë botërore, dhe dolën ata titanë të mendimit e të artit, më madheshtorë e më të fuqishëm se sa vetë perënditë e Olimpit hyjnor.
Lesbosi dhe kryeqyteti i tij Mitilena dhe Eresi, gjallonin nga vrulli i jetës, nga tregtia, nga vrulli i pasioneve politike e artistike. Familjet në gjendje ekonomike i dërgonin fëmijët të mësonin në shoqëri e grupe që udhëhiqeshin e drejtoheshin nga njerëz të mësuar e të talentuar. Në këto grupe mësonin parimet e përgjithshme të moralit, dituritë, artet e bukura, këngët e vallet. Një nga këto grupe drejtonte dhe vetë Safoja. Emrat e vajzave që vinin nga ishujt dhe nga vendet e tjera, për t’u mësuar prej saj, i ndeshim nëpër mjaft poezi si: Anaktoria, Heroja, Arkenasa, Praksinoja, Sindro, Mnasidika (apo Dika), Girina, Megara, Anagora e plot të tjera.
Poezia e Safos gjatë mbrujtjes dhe ngjizjes ka përthithur gjithçka që kishte arritur arti dhe filozofia në Atdheun e saj. Ajo e përpunoi gjithçka në subkoshiencë. E pasuroi këtë dije me njohje teknikash të ndryshme poetike, me përshtypjet që mblidhte nga kontakti i vazhdueshëm me njerëzit. Ajo arriti të krijojë një poezi krejtësisht të vetën e që dallohet nga poezia e poetëve të tjerë, për shkak të veçantive të saj origjinale.
Ntë të vihet re thjeshtësia poetike, eleganca e rrallë, ngjeshja e lëndës pasuria jetësore dhe larmia e ngjyrimeve të ylberta. Safo di ta derdhë mendimin në masën e duhur, duke zbuluar nëpër faktet dhe në psikologjinë e njeriut atë që është thelbësore dhe e veçantë. Poezia e saj na zbulon jetën në të gjitha pamjet e saj, dhe pse, përgjithësisht, ka si strumbullar kryesor, dashurinë, bota madhe e poeteshës, interesat e saj të gjera, nxjerrin lastarë e sythe dhe në këto poezi. Përmes imtësive dhe penelatave të hedhura me kaq shkathtësi e zgjuarësi, ndjejmë dinamikën dhe ritmin e jetës së Lesbosit e të qyteteve të tjera greke, pasionet, gjakimet, shtysat e rropatjet e njeriut që jeton nëpër mote të trazuara nën kërcënimin e shtypjes dhe të pasigurisë.
Poezia e Safos, si dhe e gjithë poezia lirike antike greke, është poezi me ngarkesë filozofike e psikologjike, poezi refleksive dhe me një konkretësi të mahnitshme. Çdo poezi na zbulon diçka të re, një gjendje emocionale inkandeshente të papërsëritshme, një optikë shikimi të gjerë dhe me dritë.
Poezia e Safos ka nëpër rremba shpërthimet dhe flakën e një gjeniu të lindur. Ky demiurg ngriti banesën në shpirtin e saj të brishtë, në atë trup të hajthëm e që mundua aq shumë nga fatkeqësitë e nga mundimet e mërgimtarit, që u jep fjalëve kumbim të rrallë, ndez në folezat e tyre thëngjijtë e një zemre të madhe e fisnike.
Shpeshherë poezia merr trajtën e epigrameve, mjaftojnë një apo dy vargje që tablloja të na pikturohet dhe të ndjejmë me saktësi e fuqi të madhe emocionale, atë që ka përjetuar shpirti i poeteshës nën flakërimat e ndjenjës:

Po dëgjoj pëshpëritjet e pranverës,
Meloditë që këndojnë bilbilat.

(Po dëgjoj)

Po humb mjaft kohë,
Më kot mundohem t’i mbaja të ndrydhura,
Hovet e zemrës kryeneçe.

(Po humb mjaft kohë)

Poetesha me mprehtësi futet menjëherë brenda vorbullës së mendimit. Me nuhatje të rrallë ajo kap thelbin e gjërave e dukurive, situatat dhe dramat që luhen në shpirtin e njeriut, dridhjet dhe regëtimat e shpirtit, shpërthimet dhe shfrimet e tij, dehjet dhe mahnitjet, akuzën dhe denoncimin e varfërisë dhe të shtypjes, nderimin për të madhërishmen dhe fisniken, mospranimin e hipokrizisë e të shtirjes. Edhe kur në shpirt mblidhen re të zymta, edhe kur atë e mundon poshtërimi, mospërfillja, padrejtësitë që i shkaktojnë të tjerët, edhe kur vëren me vështrimin e saj të zgjuar e të mprehtë se në jetë nuk është gjithçka e lëmuar dhe e ndritshme, veçanërisht në një shoqëri e botë të egër e të padrjtë, ku sundon ligji i më të fortit dhe interesat shoqërore janë kaq të koklavitura dhe shpesh të kamufluara e të padeshifrueshme, ajo nuk e humb torruan, nuk bie në pellgun e një dëshpërimi e të një gjendjeje depresive pa as edhe një dritare, nga vezullon nga larg drita dhe qielli i pafund dhe plot hapësira i jetës. Megjithëse natyrë tepër e ndjeshme, nga tipat psikologjikë më të ndjeshëm e më të brishtë, Safoja nuk ngujohet në vetvete, nuk bie në një gjendje shpirtërore pesimiste dhe apatike, por gjen forca në atë trup të hijthëm e të lodhur nga kaq e kaq telashe, kurthe, andralla dhe thashetheme, në atë trup shpesh të paushqyer mirë e të munduar, të gjejë forca, për të dalë nga kurthet e pikëllimit e të vetmisë, dhe të ndjejë brenda kraharorit të saj frymëmarrjen e gjerë të jetës e nevojën e komunikimit e të afrimit me njerëzit. Tek ata ajo gjen mbështetjen, ngushëllimin, prehjen dhe atë lëndë të çmuar qdë i duhet për poezinë e shpirtit të saj fisnik dhe aq njerëzor:

Unë nuk jam as dhe një lloj grindaveceje e shamatare,
Shpirtin e kam aq të dëlirë si një çupëzë e mitur.

(Megjithatë)

Dhe sa për kritikë,
Leji kokëçarjet që t’i marrë lumi!

(Jetoje jetën)

Ky vështrim filozofik e dialektik i jetës njerëzore, kjo gjerësi e fisnikëri kaq e madhe njerëzore, ky zjarr vullkanik e fuqi jetësore e jashtëzakonshme, që na shfaqen nëpër poezitë e shkruara dhe në fragmentet e mbetura nga vepra e saj poetike, në pjesën më të madhe të humbur e të panjohur gjer më sot nga lexonjësit e studionjësit, me një elegancë e forcë shprehëse të jashtëzakonshme e plot nerv, i japin dimensionet e një gjeniu poezisë e artit të saj, që e ka befasuar e mahnitur gjithmonë shpirtin njerëzor me humanizmin e thellë, më fuqinë sintetike e magjike të fjalës, me ngrohtësinë e ndjenjës, me lirshmërinë, befasinë e timbrin e zërit të saj kaq të ndjeshëm, kaq të mëndafshtë, kaq me ngjyrime e kaq të afërt e njerëzor.