Kthim në grembin e historisë
(Motivi baladesk i ringjalljes dhe kompleksi i Orestit në romanet e fundit të Kadaresë)
Në krijimtarinë e pas ’90-ës, kur letërsia jonë çlirohet përfundimisht nga detyrimet ideologjike të kohës që sapo shkoi, procesi i të shkruarit shtanget e mrrolet i befasuar nga liria e pamatë, ndoshta nga parandjenja se tani duhej të paguante më shtrenjtë, me një tjetër mënyrë, dhunën që i ishte bërë në heshtje penës së tij. Fantazia pjellore e Kadaresë dhe mjeshtëria e fituar në lëmë të të shkruarit të llojeve të gjata të prozës bënë përpjekje për të krijuar një Shqipëri që t’i ngjante asaj që kishte krijuar më parë dhe, njëkohësisht, të mos i ngjante në asgjë. Dhe, më e rëndësishmja, bota duhej të bindej se ç’dëme i kishte sjellë izolimi dhe detyrimi ideor gjenisë së tij, se ç’ishte në gjendje të bënte ai në kushtet e lirisë. Në njëfarë mënyre, të gjithë krijuesit u gjendën përballë kësaj sfide, por Kadareja, duke u ndjeë primar, ishte më i shtypur se të tjerët nga e panjohura. Një lexues i zakonshëm ndoshta ka menduar se asgjë e rëndësishme nuk ka ndodhur ndërkaq brenda ngrehinës kadarejane të imazheve për e mbi botën shqiptare dhe me vetëndjenjen e krijuesit.
Kur rrëzohet dhe guri i fundit
Vendimet e rëndësishme që kishte marrë ndërkohë për të ardhmen e veprës së tij, nuk kishin kaluar lehtë. Atij iu desh të përballej me një lloj tjetër refuzimi, tani nga ata, prej fatit të të cilëve e kishte ndarë shpesh një fije floku: shkrimtarët e mohuar, disidentët, ata që e kishin pësuar, ndërkohë që atij i kishte ndjenjur zgjuar fatina e orës së parë të jetës dhe e kishte ruajtur nga të gjitha. Ata nuk mund t’ia falnin buzëqeshjen e fatit, pa pranuar se talenti dhe vetëm talenti, në të gjitha, e kishte shpëtuar. Në mes njerëzve të artit është më vështirë seç mendohet pranimi i talentit. Ka një pasazh diku në romanin e fundit, Lulet e ftohta të marsit, që sjell shkarazi egërsinë e kësaj kacafytjeje, sidomos kur bie frika nga shteti, madje pikërisht prandaj, ngaqë në fushën e artit nuk ka më ndërhyrje jashtë ligjësive të tij. Ndërkohë, ligjet e ekzistencës njerëzore, në të gjitha format e shfaqjes së saj, në fund të fundit, nuk janë aq shumë larg sa duket nga arti. Kështu ndodhi që edhe artistët, si gjithë të tjerët, pas shthurjes së vetëpërmbajtjes (ose, siç quhet: autocensurës), në pritje të rendit të ri të gjërave, bëhen nga pak banditë, me dhe pa maska.
Nën këto trysni, pena e Kadaresë kishte humbur spontaneitetin e hershëm, ishte bërë më pak e epshme për emocionin, sikur rrinte në përgjim të sulmeve që do t’i vinin s’dihej se nga e se kur. Skema e strukturave të romaneve të tij dukej që në faqet e para, krejt e lexueshme. Simbolet që rimerren nga miti dhe folku e që thurin së brendshmi skeletin e Përbindëshit, Shkabës etj., shijohen si jetje origjinale por, ndërkaq, sepse të lënë të ftohtë dhe të ngjethin nën hijen e rëndë të temës së diktaturave, të cilave duket se ka vendosur t’u nxjerrë themelet. Përpjekja për të hedhur mbi fatin e tij krijues pancirin e përgjakur të viktimës së madhe, kundërshtohet me tërsëllime nga disa gjeni gati në të shuar prej burgjeve të gjatë, nga të rinj ambiciozë që nuk kënaqen me ndërrimin e sistemit, pa rrëzuar edhe gurin e fundit të asaj që ishte ngritur ato pesë dekada, me shpresën se, më në fund, kishte ardhur dita e tyre. Dhe më e bukura është se ata nuk kënaqen me ndihmën që vetë Kadareja jep ër të rrafshuar gjithçka, me përjashtim të pjellës së vet. Ata duan ta shohin më në fund poshtë vetes.
’97-ta dhe kompleksi i Orestit
Ndërkaq, vendin e ajrit gati europian e intelektual që thithnin lexuesit në veprat e mëparshme (madje edhe në ciklin Nata islame ka një përndritje të përzishme fisnikërie europiane) e ka zënë ajri i ftohtë i cingërimës ballkanase të fundshekullit njëzet, i një fund dimri epokal të izolimit. Ai kishte dashur që shqiptarët, nëpërmjet veprës së tij, kur të zgjoheshin pas rënies së strukturave artificiale mbi thelbin autentik të kombit, të kishin të ngritura, ndërkaq, brenda vetes imazhet e “Shqipërisë së përjetshme”, siç ka pohuar në Dialog me A. Bosque. Tani që kjo kishte ndodhur, gati i lemerisur sheh të njëjtën fytyrë të deformuar, si atë të Shqipërisë së sapodalë nga pesë shekuj robërie osmane. Nga një deformim i tillë ishte skandalizuar F. Konica në njohjen e parë me Shqipërinë, ardhur drejt e nga majat e hierarkisë intelektuale europiane të kohës. Të njëjtin zëmërim të hidhur shkëndijojnë satirat e Fishtës për pseudot e çdo lloji, por sidomos për pseudopatriotët. E njëjta llavë djeg para kohe mushkëritë e Migjenit. Pas gjetjes mjeshtërore të përkitjeve me simbolikën universale të “korbave” dhe “pëllumbave” në S.P.I.R.I.T.U.S, si shprehje (jo aq e thjeshtë) e luftës së përjetshme mes së mirës dhe së keqes, te romani i fundit Lulet e ftohta… Kadareja synon të aktivizojë një tjetër simbolikë universale e ekzistenciale: atë të fajit universal, të fajit të parë, që vjen në kumtimet filozofike gjithëkohëse, që nga Eva dhe Adami. Ai rifut kështu në qarkulimin universal variantin shqiptar të mëkatit të parë, mbështetur në mitet dhe përrallën vendëse, atë të gjarprit-dhëndër, për shkak të një faji që nuk dihet se kur dhe nga kush është kryer për heë të parë dhe të cilit vajza shqiptare (grembi i brezave të ardhshëm) i nënshtrohet fatalisht, madje pakthyeshmërisht. Në roman, si rastësisht, kjo simbolikë vihet në një kuadër kohor që përkon me fillimin e fqinjërimit me sllavet e jugut në Ballkan. Dhe prej këtu nyjëtohet një motiv që mund të quhet i “rinjohjes së vetvetes” (politike, shoqërore etj.), aq sa edhe i kthimit në grembin nga ka dalë njeriu, si individ, si qenie në këtë univers, prejtë cilit ka miliarda shekuj që përpiqet të ikë, pa ia dalë. Interpretimi psikanalist i instinktit vetëruajtës, duke kërkuar shpëtim në kthimin pas (në “të çarën” që i ngjan vrimave të zeza të universit, përtej të cilave, ata që ia kanë dalë, nuk janë më ata që ishin më parë, se kanë hyrë ndërkaq në një sistem tjetër ligjësish), interpretohet në këtë rast si një regres në gjendjen e mëparshme, pas rënies së shtetit komunist. Themi regres, sepse anarkia, zvetënimi, rrënimi, perversiteti, incesti, primitivizmi etj., shoqërojnë këtë kthim prapa në vepër dhe në realitetin nga i cili është ngacmuar e që përjetohet me tmerr. Organizimi shtetëror del që është një nga mekanizmat e hershëm të shkëputjes së njerëzimit prej epokave historike drejt atyre moderne, qoftë ky edhe shtet komunist; ashtu siç ishte organizimi parashtetëror, të themi, demokracitë antike dhe absolutizmi mesjetar, mekanizma të shkëputjes nga kohët barbare parahistorike dhe atyre historike. Shqiptarët, që nuk i njohën të zhvilluara maksimalisht format e “ndërmjetme” të shtetit, bëjnë sikur i kthehen modelit të lashtë të tyre të shtetit, Kanunit, i cili fqinjëron pa u trazuar me modelin modern të shtetit që duan të ndërtojnë. Të dy shemrat “shtetare” ngjajnë më shumë me një ndjekje mode se një vetëdijësim, një lloj hibridi tragjik i psikologjisë sociale, që shpërfaqet, në planin intim, si perversitet më parë se ai moral, edhe në mendjen e një artisti. Jo rastësisht piktori i qytetit të vogël ndjen dyzimin, te vetja më parë se të vajza që e viziton fshehtas, si në këngët erotike të folkut, plot me trokitje në mesnatë, mistere e vrasje hasmësh që prishin fshehtësinë, duke provuar se fisi është mbi dashurinë. Nuk di pse, në vend të vajeve mbi “varre me gërma floriri”, pret të ndeshësh në ndonjë aventurë hotelesh të kryeqytetit a trafikantë gomonesh. Dhe papritur, ndesh më të pabesueshmen: incestin. Kështu, Kanuni rikthehet shumëfish më i rëndë dhe absurd, ndërsa e ndajnë nga shekulli XX hone të përgjakura të historisë, që s’mund të kthehet kurrsesi pas. Siç kishte bërë mijëra herë në histori kundër një shteti që nuk ishte i shqiptarëve, hija e tij zbret nga malet dhe bie si gjëmë, tani mbi jetët e njerëzve. Thërmimi i kobshëm i pjesës moderne të mekanizmit, në mënyrën më të habitshme (’97-të, mos ardhsh kurrë!), pikërisht për shkak të këtij fqinjërimi monstruoz, tregoi se sa e hollë është cipa civilizuese e mendjes njerëzore. Thonë se të njëjtat gjëra do të ndodhnin, në një rast të ngjashëm, edhe në vende me shtet të konsoliduar shumë më tepër se këtu. Masakrat, luftërat, krimet që ndodhin sot kudo në botë gjejnë kështu një mënyrë interpretimi, e kthyer në shekullin XX në parim krijues të letërsisë dhe kinematografisë, mbështetur në platforma filozofike e estetike postfrojdiane. Në po këtë rrugë, Kadareja, duke kërkuar të shpjegojë pse-të e asaj që ndodh me vendin dhe kohën e tij (të gjitha veprat e mëdha, në thelb, janë përpjekje për t’i dhënë përgjigje këtij ankthi krijues), i rikthehet kryetemës së tij: raportet e njeriut me shtetin. Te novela Kushqit janë të ngrirë kishim një kthim: të zërit të studentit në demonstratat për “Kosovën Republikë” (Kosova ende sot nuk është bërë republikë), ashtu si dhe te Doruntina… kemi një kthim baladesk të Konstandinit me mesazhin tashmë aq të njohur, mekanizmi i të cilit vazhdon të jetë aktiv, sa kohë që aspirata kombëtare nuk është realizuar plotësisht. (Lufta e fundit në Kosovë, kam parandjenjën, se do të fiksohet në kujtesën artistike të popullit pikërisht me mjetet e baladës. Këtë e ka ndjerë edhe Kadareja, kur ka projektuar Shkabën.) Te S.P.I.R.I.T.U.S. përligjej rrëzimi i një shteti që ka bërë krime monstruoze (ndërkaq rrëzimi kishte ndodhur), cili gjykohet, demaskohet e dënohet (ironikisht, ca gjyqe qesharake ndaj ish-nomenklaturës, sapo kishin përfunduar) si në një gjyq hyjnor prej vetë Zeusit, me një mallkim që shkon deri në tre breza. Edhe aty kemi një kthim: të zërit fantazmë nga përtejjeta, për të dëshmuar krimin e shtetit, që ndërkaq ishte përmbysur. Cila parandjenjë e kishte thirrur? Ndërsa në romanin e fundit Lulet e ftohta… ndjehet një përqethje tmerri përballë honit të hapur përpara këmbëve krejt pa kujtuar, gati të të përpijë. Çfarë ka ndodhur midis dy romaneve? Duket se ishte thyer një ligj “sacre”, i gjithëhershëm, është hapur një shteg, në të kundërt të çapitjes së mundimshme njerëzore nëpër mugun e epokave, nga jeta në vdekje. Zhvarrimi, shtegu nga vdekja në jetë, ka tmerruar gjithkënd që ka guxuar t’i afrohet. Një vit më vonë ndodhi ’97-ta… Lulet e ftohta… janë pasojat e atij marsi të çmendur, kur mbi këtë tokë u shfaqën ca qenie që sikur sapo kishin dalë nga mjegullat e ftohta të honeve të historisë. SHTËPIRITUS, ishte gati në të shembur (po të evokonim kështu titullin e romanit të Kadaresë, me një modifikim që bart kuptimin e shpirtit të shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë) se shqiptarët, si Orestë të çmendur, sapo e “kishin vrarë”. E tani endeshin nëpër theqafjet e historisë, si të ndjekur nga furitë e lashta, me banda e kallashnikovë, me banka e statuja të vjedhura, me shkolla e biblioteka të djegura. Sikur ishin dënuar me mallkimin: “Vrafshi veten!”. Asnjë alibi e rifutjes në qarkullim të “Librit të Gjakut” prej një mendjeje satanike nuk mund ta justifikojë sharlatanizmin e pseudombrojtësve të Kanunit. Atëherë thirret forca imponuese e shtetit të bëhet dorëzanë mes shpirtrave të trenuar dhe zërave primitivë të gjakut… Por askush nuk gjen një shteg për ta sjellë këtë ide gjeniale të njerëzimit mes njerëzve. Edhe kur vjen, si ide për zgjidhje, ngjan e zbehtë dhe vetëm sa bëhet motiv i asaj mbylljeje aq dëshpëruese të veprës.
Natyrshëm pastaj të kujtohet ai ajri gati europian e intelektual i veprave të mëdha të Kadaresë, i cili e ka emancipuar më tepër se shumëçka mendimin dhe vetëndjerjen e njeriut shqiptar në këtë gjysmëshekullin e fundit.