Intelektualë, tregohuni inteligjentë
Tema që dua të trajtoj më thotë se intelektualët e kuptojnë realitetin më mirë se njerëzit e tjerë, kështuqë janë në gjendje të bëjnë dallim. Mirëpo, çfarë dallimi?
Vras mendjen dhe, ndërkaq, më vijnë ndër mend dy anekdota. E para bën pyetjen: Kush e ka shpikur komunizmin, intelektualët apo punëtorët? Dhe jep përgjigjen: Punëtorët. Intelektualët do të ishin treguar inteligjentë, pra, me mend, e do ta kishin provuar më parë në kavje eksperimentale. Anekdota e dytë thotë: Përse policët ecin gjithmonë në grupe treshe? Njëri mund të shkruajë, tjetri mund të lexojë dhe i treti i ndjek e i vëzhgon të dy këta intelektualë të rrezikshëm.
Në Poloninë socialiste e në mbarë bllokun sovietik, intelektualët shiheshin me dyshim nga të tjerët; shfrytëzoheshin, ua kishin frikën, mbikqyreshin me rreptësi nga regjimi. Shkëndija të mençurisë dhe urtësisë popullore, këto anekdota i dhanë rrugë këtij hulumtimi tim të shkurtër për rolin e luajtur prej intelektualëve në shekullin tonë.
Fjala intelektual vjen nga intelekt (lat. intellectus, nga intelligere, me kuptue), term që përdoreet për mendjen, për aftësinë që ajo ka për të kuptuar. Në Encyclopedia Bitannica të vitit 1910 thuhet:
Njeriu cilësohet “intelektual” përgjithësisht sepse merret me teori e parime e jo me praktikë, shpesh duke nënkuptuar edhe se teoritë e tij kanë të bëjnë kryesisht me çështje abstrakte: ai është i mënjanuar nga bota e është, sidomos, njeri i kualifikuar e me kulturë, që pak e vret mendjen për kënaqësitë e zakonshme ndijimore. Kësisoj, “intelekt” dallohet nga “inteligjencë” prej fushës së veprimtarisë, sepse “inteligjencë” përdoret në sferën e praktikës, kur duam të shënojmë aftësinë për të kapur e kuptuar situatat.
Intelektuali, sikundër është cilësuar që në fillim të shekullit tonë me pak rreshta nga, vetëkuptohet, një intelektual britanik, duket vërtet si dikush që mund të ketë shpikur komunizmin. Ky zë fjalori e bën të qartë se për gruan do të ishte thuajse e pamundur për t’u bërë intelektual – e jo vetëm sepse asaj “i mungon kualifikimi dhe kultura”. Nga pikëpamja gjuhësore, përkufizimi i intelektualit është ndërtuar në bazë të kundërvënies midis gjinisë mashkullore të fjalës latine intellectus dhe gjinisë femërore të fjalës intelligentia, kundërvënie që lë të kuptohet se mashkulli kupton “çështjet abstrakte”, kurse femra vetëm “kupton situatat konkrete” – mendim ky i hërpapur më pak sot se më 1920-ën, por që ende nuk është zhdukur. Këto pak rreshta lënë të kuptohet se intelektualët janë të rrallë në numër, janë specie e mbyllur njerëzish të humbur dhe tuhafësh pa të keq.
Enciklopeditë nuk e kanë idenë ç’bëhet poshtë e lart në jetë. Po të hedhim sytë prapa, periudha rreth vitit 1910 na shfaqet tamam koha e çeljes nga veza e sojit më të dëmshëm të intelektualëve: revolucionarëve, agjentëve të fshehtë dhe propagandistëve. Ata janë përshkruar në mënyrë të shkëlqyer nga intelektuali polako-anglez, shkrimtari Joseph Conrad, të cilin Londra e Karl Marx-it dhe e pasuesve të tij – një bashkësi intelektualësh në mërgim, që thurin plane për të hedhur në erë rendin ekzistues – e frymëzoi të shkruajë romanin The Secret Agent. Ky roman profetik, rrëfim emocinues për një shtresë prostitutash, ku kanë depërtuar urithë që punojnë për hesap të Rusisë cariste dhe Perëndimit, hyn ndër librat më të bukur që flasin për arrogancën, cinizmin dhe shpirtkazmërinë e intelektualëve. Kur lexon Conrad-in, të vjen ndër mend Lenini dhe çeta e tij e vogël e intelektualëve, që udhëtojnë në një vagon hekurudhor të plumbosur nga Zvicra në Shën Petërburg; të vjen ndër mend ehe “Viena tjetër”, mjedisi i errët i Adolf Hitlerit, ku para shpërthimit të Luftës I Botërore, qe hedhur fara e Main Kampf-it.
Nuk është nde për një grua inteligjente të bëjë pjesë në shoqërinë e këtij soji burrash, dhe më duhet ta pranoj se gjithmonë zihem ca ngushtë kur më quajnë intelektuale. Por kjo nuk është me vend. Ka këpucarë të mirë, ka edhe këpucarë të këqinj. Ka intelektualë të pëlqyer e të nderuar, ka edhe inteoektualë që më mirë mos i paçim. Ashtu si dy duart që kemi, edhe mendja mund të përdoret për çfarëdo. Çdo përpjekje intelektuale që synon të kuptuarit e kuptimit, mund të shpjerë te të keqkuptuarit e keqkuptimi.
E, prapseprap, lypset ta pranojmë faktin e pakëndshëm se, në shekullin tonë, ideologjitë dhe sistemet totalitare u krijuan nga një grup i vogël intelektualësh, por u përkrahën nga një masë gjigande njerëzish. Kjo mund të thuhet për fashizmin e nazizmin, sikundër mund të thuhet për komunizmin, por angazhimi dhe veprimtaria prokomuniste është më kuptimplotë. Rusia e Stalinit, diktatura e parë e kohëve moderne, bëhet model për Gjermaninë e Hitelirit, mbetet gjallë pas rënies së fashizmit e nazizmit dhe për gati shtatëdhjetë vjet bëhet burim frymëzimi intelektual në mbarë botën.
Ç’prej rënies së Bashkimit Sovietik numri i artikujve dhe librave për intelektualë komunistë dhe për simpatizantë majtistë ka ardhur duke u rritur. Mendësitë e tyre janë analizuar në studime shkencore, shpesh duke i parë në dritën e gabimit monumental; ndër më të fundit analiza është ajo në librin E kaluara e një iluzioni (Le passé d’une illusion, 1955) të François Furet-së, dhe figurat e tyre janë popullarizuar nga mjetet e komunikimit masiv, duke na mbytur me riprodhime fotografish të vjetra: shkrimtarë sovietikë të buzëqeshur, burra gazmorë dhe gra të bukura që vizitojnë kantierin, ku po ndërtohet kanali i Bjellomorskut, një para-Auschvitz gjigand i ndërtuar përgjatë vijës që Stalini kishte shënuar me llulën e vet në hartë; portreti i Stalinit i bërë nga Picasso; Mao duke i shtrënguar dorën Simone de Beauvoir-it.
Kjo paraqitje bashkëpunëtorësh dhe bashkudhëtarësh në fund të fundit e bën më të saktë tablonë dhe, në këtë kuptim, përfaqëson një hap pozitiv. Mirëpo, meqë çka na thuhet dhe tregohet sot ka qenë në pjesën më të madhe e ditur për dhjetëvjeçarë me radhë, ky demaskim që u bëhet sot intelektualëve komunistë do parë si shenjë oportunizmi, sikundër qe e tillë edhe demaskimi i intelektualëve fafshistë e nazistë pas vitit 1945. Sot, si atëherë, në shënjestër nuk vihet e keqja si e tillë, por bash ajo e keqe që nuk është më.
Duke demaskuar sisteme që i ka marrë lumi, njeëzit kryejnë aktin e çlirimit nga shpirtrat e këqinj, aktin e shfajësimit; duke u përqendruar tek e kaluara, lenë pa parë të sotmen. Sot do të kishte më shumë kuptim që sytë t’i drejtojmë kah spastrimi etnik, kah planet e reja imperialiste të Rusisë ose kah ish-maoistët të kthyer në fondamentalistë myslimanë, sesa ta teprojmë duke u shqetësuar për Auschvitzin apo Gulagun. Keq është të harrosh të kaluarën, por edhe më keq është të harrosh të tashmen.
Sulmet masive kundër trashëgimisë majtiste, të cilën për një periudhë të gjatë e kanë patur aq shumë për zemër sa e sa njerëz, kanë një rrjedhojë serioze. Jo më heërët se dhjetë vjetë më parë termi intelektual ishte gjysmësinonim me termin majtist në mbarë Perëndimin. Me diskreditimin që po pëson trashëgimia majtiste, po diskreditohen edhe intelektualët që kanë qenë pjesë e saj. Pra, ata po zhduken, rishikojnë qëndrimet e tyre, ndryshojnë. Me këtë mund të shpjegohej dukuria e kohëve të fundit, kur intelektualë zënë vend si funksionarë dhe këshilltarë të pushtetarëve ose si bamirës.
Në dimrin e vitit 1995 tout Paris pyeste veten: Cilët prej intelektualëve të njohur ish-anarkistë, ish-stalinistë, ish-maoistë, që pikërisht sot monopolizojnë shtypin dhe mjetet e komunikimit masiv, do të bëhen vërtet këshilltarë të presidentit të ardhshëm të Republikës Franceze e, madje, ministra? Po ashtu, në vendet e ish-bllokut sovietik, mjaft intelektualë – në fillim shumica pjesëtarë të opozitës demokratike, por tani së fundi edhe disa ish-komunistë – ndihmojnë qeveritë e sapozgjedhura ose bëjnë pjesë në to. Sot demokracia dhe kapitalizmi mbështeten nga një numër i madh i pazakontë intelektualësh në Perëndim e në Lindje.
Po aq kuptimplotë është aktivizmi i ri filantropik i intelektualëve. Ata marrin pjesë në fushata bamirëse e në shtyp në të mirë të fëmijëve që vdesin urie në Somali, të narkomanëve, të të sëmurëve me SIDA, të të pasttrehëve ap të popullsisë civile në Sarajevë. Mbetesh me gojë hapur kur shikon filozofë, shkrimtarë apo ish-revolucionarë të punojnë si përgjegjës mencash të supër apo të puthin foshnja të infektuara me HIV, sepse, sikundër dihet, në të kaluarën bamirësia – tradicionalisht fushë veprimi e zonjave të aristokracië – përqeshej dhe përbuzej prej intelektualëve. Kësaj veprimtarie humanitare i jepet publicitet i madh. Ky publicitet, intelektualët pjesëmarrës i shndërron në yje të TV-ve, në autoritete të fushës së moralit dhe në kandidatë të mundshëm për poste qeveritare, kurse librat ua bën best-sellers dhe kështu zbulon karakterin e tyre më egoist se karakteri i zonjave bamirëse aristokrate – pa qenë më të dobishëm e me më pak probleme se ato. Duhet thënë se njëfarë lehtësimi të gjendjes e sjellin, por edhe e ruajnë statukuonë.
Pjesëmarrja e intelektualëve në institucione demokratike dhe veprimtaria e tyre bamirëse – Milan Kundera e quan “xhudo morale” dhe qeshet me të në romanin e vet të fundit – bie erë oportunizëm, por për mua është gjë e mirë. Në fund të një shekulli kur mendimi i intelektualëve është i pushtuar dhe kapulluar me determinizëm historik, filozofi sistematike dhe sisteme të mbyllura, kalimi i tyre nga abstraksione kolektive në kompleksitetet e ngatërruara të rastit dhe veprimit individual, don të thotë kalim nga praktika në inteligjencë, larg nga utopitë totalitare.
Për fat të keq, vetëm një numër i vogël majtistësh të vjetër vazhdojnë të kapen pas tyre e të mos u ndahen (prirja e disiplinës së hekurt politike është mbeturinë e atij tipi mendimi) dhe një brez i ri intelektualësh mendjengushtë është në veprim, duke vazhduar me ëndërra me sy hapur, të vjetra e të reja, për besime fetare e raca superiore, për klasa, kombe e ideologji superiore, dhe për sisteme të përkthyer.
Fanatikët e vjetër e të rinj rrezikojnë zhvillimin e demokracive të reja të brishta, si dhe mbarëvajtjen e demokracive të vjetra. Duke pasur parasysh këtë rrezik, na bie të përcaktojmë rolin e intelektualëve në shekullin XX. Ky rol nuk mund të mjaftohet me poste qeveritare e me veprimtari bamirëse. Nëse pranojmë se intelektualët kanë pak më shumë interes për t’u marrë me rrahje problemesh filozofike, sociale e morale, dhe kanë pak më shumë talent për t’u shprehur se njeërzit e tjerë – këtë gjë, ma thotë mendja, kështu duhet ta mendojmë, përndryshe intelektualët do të na duken krejt pa dobi – atëherë duhet t’u kërkojmë të mësojnë vetveten dhe pjesën tjetër të njerëzimit si të mendojnë asisoj, që të jenë të dobishëm e jo destruktivë.
Po cila është kjo mënyrë e dobishme? Më lejoni t’i përgjigjem kësaj pyetjeje në mënyrë të tërthortë, duke ju dhënë emrat e filozofëve, revolucionarëve, shkrimtarëve dhe artistëve që ia kanë dalë mbanë të depërtojnë e të shohin mirë përtej perdes së tymit të abstraktimeve intelektuale, që nuk kanë pranuar të marrin pjesë në veprimtari propagandistike e publicitare dhe e kanë tëhënë hapur atë që kanë menduar, pavarësisht nga rreziku.
Ja disa emra:
Rosa Luxemburg, e re e majtë polako-çifute, e cila më 1904 merr guximin të mos pajtohet me idetë autoritare të Leninit dhe vë në dukje se centralizimi i skajshëm i partisë prej tij, do të sjellë një oligarki të rrezikshme intelektualësh.
Victor Serge, një nga të parët analistë të diktaturës dhe imperializmit sovietik.
Raul Hausmann, dadaisti i Berlinit, fotomontazhet e të cilit në fillim të viteve 1930 e paraqesin Hitlerin si kasap të mbarë botës.
Hannah Arendt, që gjatë luftës nuk studjon dallimet, por ngjasimet midis dy sistemeve totalitare në luftë me njëri tjetrin.
Aleksandër Sollzhenicin, i cili e bën botën të shohë çfarë është Gulagu para rënies së Bashkimit Sovjetik e jo pas saj.
Jacek Kuron, vepra e të cilit për kushtet e klasës punëtore në Poloni përgatit truallin për lëvizjen e Solidarnostit.
Rainer Verner Fassbinder, i cili vë gishtin një e nga një në të gjitha plagët e fshehura prapa fasadës së saj që u quajt mrekullia e Gjermanisë së pasluftës.
Sot unë e freskoj këtë listë me emrin e Taslima Nasreeen-it, që kohët e fundit doli para gjyqit në Dakka, Bangladesh, dhe me emrin e Sergej Kovaljovit, ish-biologu dhe ish i burgosuri i Gulagëve, i cili ngrihet kundër luftës në Çeçeni dhe vë jetën në rrezik në Grozni.
Këta njerëz janë heronjtë e kohës sonë, por prapa secilit prej tyre janë sa e sa heronj të padukshëm: gazetarë e mësues, mjekë e juristë, punëtorë e pastruese, që marrin mendimet dhe fjalët e atyre heronjve e i përhapin te të tjerët. Sot ata formojnë një rrjet të rezistencës intelektuale dhe dëshmojnë se depërtimi në kuptimin e sendeve dhe shprehja hapur e mendimit për to, e shpëton botën e nuk e lë të marë fund. Arritja e tyre mbështetet në një baraspeshë të brishtë midis arsyetimit intelektual, inteligjencës dhe kurajës për t’i shprehur mendimet hapur.
Prandaj më lejoni ta mbyll fjalën me një thirrje të ngutshme: Intelektualë! Bëhuni të vetëdijshëm për prirjet totalitare të intelektit. Kini kurajën të jeni inteligjentë.