Ç’bën ti kur unë dal nga shtëpia?

Autorja: Doris Dörrie

E pyes: “Ç’bën ti kur unë dal nga shtëpia?”
“Asgjë, – përgjigjet ai, – hiç asgjë. Ngroh gjellën e rrehatohem para televizorit”. S’mundh ta besoj dot. Vetëm ulet para televizorit dhe ha darkë? Kjo gjë përsëritet dy herë në muaj. Tashmë e kuptoj menjëherë kur ai ka nevojë përsëri për një mbrëmje krejtësisht për vete. Kështu e quan ai këtë, madje as në sy s’më sheh kur thotë me ngadalë: “E dashur, mendoj se kam nevojë për një mbrëmje krejtësisht për vete”.
Ndoshta e ka bërë këtë edhe më parë, madje edhe më parë se të njiheshim. Ndoshta nuk e kam pasë vënë re unë. Ai ishte kaq normal, ndoshta pak i mërzitshëm, por me mua sillej mirë, edhe sot e kësaj dite më sjell kafenë në shtrat. Sikur ta dinin këtë kolegët e tij, Por e vetmja që e di jam unë. Vetëm unë. Dhe jam krenare për këtë. Kemi një sekret të vërtetë midis nesh dhe kur ai ma zbuloi atë, ne kishim mëse y vjet martuar. Papritur, pikërisht për këtë, nuk m’u duk më i mërzitshëm. Kjo nuk është normale dhe çdo gjë që nuk është normale, nuk ka si të jetë e mërzitshme. E kam pyetur shpesh edhe më parë, nëse mund të rrija me të në shtëpi e ta shihja, por ai gjithmonë shpërthente se unë nuk e lija të shijonte as një mbrëmje të vetme në dy javë. Në fakt, s’doja gjë tjetër veç ta shihja, të ulesha në kolltuk e ta shihja. E ç’të keqe kishte këtu? Nuk e besoj që ai vetëm ulet para dritares dhe ha darkë. Kam dy orë tashmë që vij varavingo nëpër rrugë, por atij i nevojiten të paktën katër. Kështu kemi rënë dakort.
Kur u njohëm, ai e kishte me qejf të më bënte dhurata, të brendshme ose buzëkuq. Kalonte me orë të tëra në repartin e kozmetikës të ndonjë dyqani duke kërkuar buëkuqin e duhur për mua. Shitëset i tërbonte fare, nuk i linte rehat derisa gjente ngjyrën e duhur, ndërsa unë i bëja shpesh vetes pyetjen: Pse kjo gjë të jetë vallë kaq e rëndësishme? Cili burrë i kushton kaq shumë vëmendje ngjyrës së një buzëkuqi? Mirëpo asgjë s’më ka rënë në sy për keq, asgjë.
Po, më vinte mirë kur më shihte tek vishesha, por akoma më shumë më pëlqente kjo gjë kur zhvishesha, e po fundja këtë e bën me kënaqësi çdo burrë. Gjithë të brendshmet e mia m’i ka blerë ai, sepse nuk i pëlqente të vishja ato të mbathurat e bardha e të lira prej pambuku. Ato duhet të ishin të zeza ose të kuqe. Prej mëndafshi. Gjithmonë prej mëndafshi. Një grusht me para shpenzonte për të m’i blerë. Mëndafshi mbi lëkurë duket bukur, por unë mendoj se ka gjëra edhe më të rëndësishme. Mirëpo për të kjo ishte e rëndësishme. Dhe unë e dua atë. Pavarësisht nga këto, unë e dua, ndryshe nuk do ta kisha pranuar kurrë këtë gjë. Në fillim shkoja në kinema ose takoja mikeshat e mia, por me kalimin e viteve interesi për to sa vinte e zbehej. Dua të di, çfarë bën ai kur unë dal nga shtëpia.
Gjithçka filloi një ditë, teksa ishim ulur para televizorit, duke parë një shov-quiz. Deri atëherë çdo gjë shkonte më se normalisht. Por nganjëherë ai e ndjente këtë nevojë të brendshme dhe, thjesht, nuk bënte dot ndryshe. Ishte përpjekur shpesh ta mposhtte, por në qoftë se nuk e bënte, sikur mungonte diçka. Po më mirë kështu sesa një ditë të më urrente që nuk e lejova. Qesha dhe u çudita pakëz, por në fillim s’e vrava mendjen shumë. Doja që ai të ishte i lumtur.
Ai vesh rrobat e mia. Kemi thuajse të njëjtën masë. Pra, paratë nuk i ka shpenzuar për mua ose, më mirë, jo vetëm për mua. Pyesja veten në më dashuronte. Por në të vërteë çdo gjë është normale. Ndoshta pasioni i dikurshëm është shuar ca, po martesa jonë ecën shumë më mirë se ajo e shumicës së çifteve. Këtë e di nga mikeshat e mia. Asnjë fjalë nuk u kam rrëfyer atyre. Është sekreti ynë. A vesh ai të zezat apo të kuqet? Po këpucët? Të miat nuk i bëjnë. Unë nuk e pyes kurrë, se e di që kjo gjë nuk i pëlqen. Fustani im blu i pëlqen sa s’ka. Kur ma sheh në trup. Apo kur s’vesh asgjë? Trupin e ka të mirë. Vithet më të ngushta se të miat; është elegant, tepër elegant, megjithëse ha më shumë se mua. Kurse unë shnëdoshem vetëm duke parë edhe një copëz çokollate. Më duhet të numëroj çdo kalori të vetme që marr; ai tallet me mua. Pyes veten si do t’i dukej po të shtoja në peshë aq, sa masa të më rritej tre numra. Do t’i duhej të blinte pantallona më vete.
Ndoshta atëherë do t’i jepte fund, kush e di. Por unë s’dua që e gjitha kjo të marrë fund. Dua që ai të jetë i lumtur. Ja ku po e përshkoj për të katërtën herë të njëjtin bllok shtëpish. Kur kthehem në shtëpi, ndonjëherë e pyes çfarë kishte televizori. E di gjithmonë me përpikmëri. Por më duket e pamundur të rrijë vetëm ulur. Mos bën gjë tualet? Gojën e ka të bukur e të madhe. Por jo dhe aq shumë. Buzët e mia janë më të holla se të tijat.
Nuk mund ta përfytyroj dot asisoj. Mund ta përfytyroj duke bërë gjithçka tjetër, ngaqë e njoh prej kohësh. Di çfarë pozicioni merr në zyrë dhe si e hedh vështrimin nga dritarja, si duket kur lan dhëmbët krejt lakuriq në banjë, kur fle apo kur pastron thonjtë me një fije shkrepse. Kjo nuk më pëlqen ehe aq. Thonjtë i ka shumë të shkurtër dhe i pret çdo javë. A i lyen me manikyr? Dhe a e heq atë para se të kthehem unë në shtëpi? Thua i bën gjithë këto përkujdesje vetëm për t’u ulur para televizorit? Më parë bëhesha shpesh e bukur. Për të. Ose kur dilnim. Por krejt vetëm? Pse të shqetësohesh? Ai thotë se e bën për vete, vetëm për vete. Dhe se s’ka asnjë lloj lidhjeje me mua.
Apartamenti ynë është në katin përdhes. Nga kopshti mund të shohësh kollaj në dhomën e ndenjes. Perdet janë të trasha dhe të rënda, ai nguli këmbë për to, kurse mua do të më pëlqente pa perde fare. Ditën që hymë në këtë shtëpi, ai vendosi për to. Ndoshta e dinte që atëherë se ç’donte të bënte. Pothuaj s’kemi ndryshuar fare gjatë këtyre viteve. Mua më janë shtuar rrudhat, më shumë se atij, ai e ka lëkurën të trashë, siç e kanë zakonisht burrat, nuk u rruhet lehtë. Unë dukem më e vjetër se ai. Jam dy vjet më e re dhe kështu do të jem gjithmonë. Gjithçka do të jetë gjithmonë kështu. Unë do të shëtis me orë të tëra çdo dy javë, në dimër do të ulem në ndonjë kafene të kthej dy tre gota konjak… do ta kisha shumë më të të lehtë po ta dija se ç’bën. Atëherë po, do të kishte kuptim. Por nuk dua që ai ta ndërpresë ritualin e tij. Dua që të jetë i lumtur.
E di që nuk duhet ta bëj. Është kaq kollaj t’i ngjitem gardhit të ulët, dhe perdja nuk është krejt e mbyllur, vetëm sa të hedh një sy.
Zemra më rreh fort, papritur më pushton një ndjenjë idiote, që më thotë se në këtë çast po mashtroj tim shoq. Mbyll sytë, e shoh veshur me kostumin e tij, ashtu siç shkon mëngjeseve në punë, një burrë i vërtetë. Pastaj shoh vjedhurazi përmes të çarës së ngushtë të perdeve. I mbyll ato para se të dal, por vetëm pak; ai s’më vë re.
Shoh dhomën tonë, drita blu e televizorit bie mbi murin prapa divanit. I ngul sytë murit, pastaj shumë ngadalë e hedh vështrimin mbi pikturën me peizazhin dimëror dhe te mbështetësja kafe e divanit tonë prej lëkure. Shoh cicoret e mia të zeza, ato me majë, çorapet e mia me pika të argjendta anash, këpucët e mia të kuqe, një grua shumë të bukur. Ajo mban një tabaka mbi gjunjë, ha ngadalë dhe me kujdes, pa ia ndarë kurrë sytë televizorit, një grua me buzë të kuqe, buzë të mëdha, të bukura, me këmbë të kryqëzuara lehtë, këmbë të gjata, të holla. Ajo rri atje e qetë, duke qeshur me diçka në televizor. Duket e lumtur. Dhe e bukur. Më e bukur se mua.