Gruri
Përkthyesi: Ukzenel Buçpapaj
Në kokat e gruas dhe vajzës sime
valëzojnë grunajat.
Flokarta: ç’fjalë bajate!
Dhe, megjithatë, buka e jetës
për mua bëhet në këto dy fusha.
AUTOPORTRET KOMANDOJE
Për të bërë krimin e përkryer, pikë së pari, duhet trungu i akullit. Me
një copë, présë do t’i pritet vena zgjedhore,
kurse gjaku i freskët ka për të tretur çdo shenjë gishti.
Pra, dhuna mund ta shndërrojë poezinë në qafë ushtari
në çastin para kapërcimit të gardhit me tela me gjemba
për të hedhur valle në oborrin e armikut.
Tetëmbëdhjetë vjeç përtypa gozhdë,
pështyva ndryshk.
Por vetëm për shkak të shikimit të dobët s’u pranova
në marinë.
Deti ishte pikturuar në sytë e bukur t’oficeres së rekrutimit,
dhe motobarkat zhurmonin në brigjet e buzëve të saj.
Për pak sa s’tha: “Merre aparatin dhe nxirre jetën në fotografi.
Po ta humbasësh ndonjëherë,
fundja, të tepron se të tepron
kopja”.
BALADA E LUGINËS SË QEJFIT
Vetëm mprihe tehun e kamës në kofshën e mikes së saj.
Te Lugina e Qejfit thika e dy-gisht-vendit vërvitet në majën e vet.
Policët e rokenrollit shtyhen së bashku, drejt, përpara.
Fqinj me djersën e mëkatit: bukën tonë të përditshme.
O vajzat e Luginës,
kukulla Barby në dhomën e lojës së rrezikshme!
Kush do t’i hapë këmbët tuaja sonte?
Ç’ninulla do t’i ulin fshikujt prej nailoni
përmbi sytë e qorrit të territ?
Lugina, ëndërr, ëndërr e keqe.
Hëna, drita e natës së dr. Freud-it.
P.S.
Shkoqitja e kuptimit t’ëndrrave në Luginë:
Vajza duke shëtitur me qenin – vetmitare.
Vajza duke shëtitur pa qenin – harrestare.
RRUGËS PËR N’ARD
Qingjat e bardhë rrugës për n’Ard,
dhëmbë qumështi në nofufllën e shkretëtirës.
Lufta vijon, ujku,
bariu i tyre, ende s’ka ardhur në jetë.