Ku është engjëlli

Autorja: Denise Levertov

Përkthyesja: Luljeta Lleshanaku

Ku është engjëlli që do të ndeshet për mua?
Asnjë furi dëbore që të mund të prishë
paqen e bulëzave mbi xham,
nëntor i shtruar.

Jashtë, hijet e ngrira
kërcënojnë dhe shtrijnë krahët gjigantë
përreth së panjohurës.

Unë thith një ajër të vakët,
mjegullimi i astereve, i fierit të murrmë dhe pluhurit të artë
duket sikur murmurit,

e vetmja gjë kjo që dëgjoj.
Mure të tillë të kthjellët qelqurinash të lakuara:
shoh xhestet e dhunshme

dhe nuk ndiej asgjë, gjë prej gjëje. Megjithatë
brenda kësaj mjegulle të brishtë asgjë nuk ngjason me ta.
Këtu brenda kënaqesh. Historia flet me zë të fikur.

Një shirit hekuri, i ngjashëm me atë që vënë zakonisht
rreth një peme të çarë,
rrethon zemrën time.

Kënaqem këtu brenda, por kur hap gojën të flas
edhe unë nuk kam zë. Ku është engjëlli
që do të ndeshet me mua

dhe do t’më plagosë
jo kofshën por grykën,
që mallkimet dhe bekimet të vërshojnë,

xhami të thyhet dhe hekuri të copëtohet dysh?