Mënyra pushtimi

Autorja: Denise Levertov

Përkthyesja: Luljeta Lleshanaku

Ju ma pushtuat atdheun rastësisht
pa e ditur se kishit kaluar kufirin.
Ju tërhoqën vreshtat në rritje.
Rendët pas tyre,
duke shkundur piklat e shiut nga gjethet – ju ose era.
Dhe midis kodrave
gjetët rrugën për në brendësi.
Ua pushtova atdheun tuaj me gjithë pasionin e forcës sime,
me pontonet dhe parashutat e verbërisë sime.
Por tani, duke jetuar në rrethinat e kryeqytetit,
si i panjohur,
dëshira për të marrë zemrën e qytetit
më është lëkundur.
E dua jetën e tij drejt-e-drejt,
adoleshentët që vijnë të më rrëfejnë
ëndrrat e tyre në parkun e pluhurosur
midis shkëmbinjve dhe stolave,
mua, të huajit që dëshiron t’i dëgjojë.
I dua çafkat e egra
që rikthehen çdo vit në rrethinat moçalore.
Ajo që pushtova
më pushtoi një ditë.