Unaza e martesës

Autorja: Denise Levertov

Përkthyesja: Luljeta Lleshanaku

E harruar thellë në një çantë
si në thellësinë e një pusi.
Asgjë nuk mund ta peshkojë atë nga ai fund i errët lart
për ta vënë sërish në gisht.
Kapërthyer me çelësat e shtëpive të braktisura,
gozhdëve që presin të bëhen të nevojshme në ndonjë faqe muri,
numrave të telefonit pa emra përkarshi,
apo kapseve të papërdorshme të letrave.
Nuk mund të flaket tej
nga frika se mos ndjell fat të keq.
Dhe as mund të shitet sepse martesa
ishte e mirë në kohën e vet,
megjithëse kjo kohë nuk është më.
A do të mundej ndonjë mjeshtër
që duke shtypur gurët e saj të ndritshëm
ta transformojnë unazën në një rreth verbues
të cilin askush s’mund ta përdorë
për një ceremoni martese apo për të bërë premtime
që jeta nuk të lë t’i mbash?
Ta shndërrojë atë në një dhuratë të thjeshtë
në shenjë miqësie?