Miti i Rozafës nga pikëpamja feministe

Autorja: Silke Liria Blumbach

Të gjithë e njohim mitin e Rozafës, i cili na paraqitet si shembull i lartë i vetëmohimit, i sakrificës së individit për hir të kolektivit ose fisit ose trashëgimisë. Në folklorin shqiptar ky nuk është i vetmi shembull për temën e vjetër të sakrifikimit njerëzor për të kryer një ndërtesë. Por, në krahasim me legjendën e burrit të murosur në kolonën e një ure, këtu del edhe diçka tjetër në plan të parë. Është fjala për fitoren e patriarkatit, pra të rendit shoqëror të prirë nga meshkujt dhe në bazë të elementeve mashkullore, mbi matriarkatin origjinal. Kjo fitore është brutale dhe ky brutalitet përligjet nëpërmjet një idealizimi moral të këtij vetëmohimi.
Le ta analizojmë legjendën e Rozafës një pas një.
Është e nevojshme sakrifica e Rozafës për të realizuar planet ambicioze të burrave muratorë: të ndërtohet një kala. Kalaja është simboli i madhështisë së një potentati, të fuqisë së tij dhe kjo do të thotë edhe fuqi hierarkike mbi të tjerët. Ajo është një fortifikatë për mbrojtje dhe muret e saja janë një armë lufte në kuptim të gjerë. Disa historianë e lidhin fortifikatën me arritjen e patriarkatit duke theksuar mungesën e saj në kultura matriarkale si për shembull në Kretën parahelene.
Por muret dhe gurët i simbolizojnë edhe muret e brendshme të një njeriu, i cili nuk i tregon ndjenjat e veta për të mos rrezikuar që të plagoset ose të konsiderohet i dobët. Kjo nuk e vështirëson vetëm komunikimin e hapur, por e ndan dhe largon njeriun nga ndjenjat e veta. Ky problem është më i përhapur tek burrat, ndërsa gratë kanë një lidhje më të drejtpërdrejtë me emocionet e tyre.
Bëhet fjala për tre vëllezër me gratë e tyre. Treshi është numër i shenjtë jo vetëm në krishterizëm, thelbi i të cilit është triniteti i Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Këtë trinitet e paraprin një trinitet pagan femëror: Hyjnesha, të cilën shpeshherë e quajnë „Nënë të Madhe“, parafytyrohej si treshe nga Vajza ose Virgjëresha, e lidhur me hënën e re dhe me pranverën, nga Gruaja e Matur ose Nëna, e lidhur me hënën e plotë dhe me verën, si dhe nga Plaka, e lidhur me hënën e ngrënë dhe me vjeshtën e dimrin.
Në legjendën e Rozafës shihet një ndarje e qartë e punëve të burrave dhe punëve të grave: burrat ndërtojnë, ndërsa gratë gatuajnë dhe i ushqejnë burrat. Kjo ndarje punësh, që nuk ka baza biologjike, por sociale, i përgjigjet dualizmit mes prodhimit dhe riprodhimit. Në fakt shtylla e rendit patriarkal është pikërisht kjo ndarje në mes të punës së prodhimit, që u takon meshkujve dhe që vlerësohet lart dhe punës së riprodhimit, që është puna e femrave, e nënçmuar, por bazë megjithatë. Mitet si ky i Rozafës shërbejnë si supërstrukturë ideologjike për t’ua ëmbëlsuar femrave këtë realitet të hidhur.
Pse nuk përfundohet dot ndërtimi i kështjellës? Sepse në strukturën e saj prej guri mungon elementi femëror, që e ushqen burrin dhe që e zbut gurin. Dhe ky element femëror do të integrohet duke u sakrifikuar.
Po sakrifikohet pikërisht çifti më i ndershëm. Fiton mashtrimi e jo sinqeriteti dhe korrektesa. Kjo është për t’u hidhëruar, por nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh korrupcionin edhe në nivel të lartë, edhe në jetën e përditshme dhe shfrytëzimin e shpeshtë të naivitetit. Si pasojë, nga frika që të mos mashtrohen, njerëzit zhvillojnë një mentalitet të mbyllur mosbesimi. Ndërtojnë kala të brendshme.
Askush nuk e shpëton Rozafën dhe as nuk i shkon mendja asaj të refuzojë atë që kërkohet prej saj. Ajo paraqitet si krejtësisht e pambrojtur. Pse?
Në fakt psikologja e Rozafës është thelbësore për të kuptuar mitin e saj.
Ajo vepron sikur të mos meritonte të shpëtohej dhe të jetonte një jetë për veten. Rozafa jeton vetëm për të tjerët, që në këtë rast janë i shoqi dhe i biri, meshkuj të dy dhe më shumë tipe dhe role sesa veta me personalitet të plotë (por ky është një tipar i përgjithshëm i përrallave). Ajo duket tepër përgjegjëse ndaj të tjerëve dhe aspak ndaj vetes. Ngaqë jeton vetëm për të tjerët, është krejtësisht në mëshirën e tyre.
Imazhin për vetveten dhe të drejtën e ekzistencës i merr nga të tjerët. Meqë nuk ka fytyrë të vet, kërkon pasqyra dhe pranon çdo imazh që i ofrohet. Brenda saj Rozafa ka një boshllëk të madh, i cili mbushet nga jashtë, kurse ajo nuk dallon dot a janë imazhe pozitive a negative, që e ushqejnë ose dëmtojnë. Kështu në thelbin e ekzistencës është krejt e varur nga të tjerët, që ia shfrytëzojnë këtë dobësi për ta krijuar dhe modeluar sipas dëshirave dhe nevojave të tyre vetjake. Rozafa jo vetëm që nuk mbrohet dot, sepse nuk ka fuqi të brendshme për t’u mbrojtur, por bile i mirëpret definimet dhe përcaktimet e huaja, sepse janë i vetmi identitet që ka. Pra e përqafon edhe sakrificën, sepse i përket këtij imazhi dhe këtij identiteti. Mirëpo, ky identitet është fals, një këllëf i huazuar përreth një boshllëku edhe më dëshpërues. Dhe nuk ka mundësi kthimi a shpëtimi për të zhvilluar një identitet të vet mbi baza të shëndosha, sepse shoqëria patriarkale ka nevojë për këto krijesa që bëjnë çmos për të pëlqyer të tjerët për të ruajtur këtë identitet të huazuar, për ta mos ndjerë boshllëkun. Për këtë arsye mbetet njëqind për qind e varur nga ndikimi i jashtëm dhe kjo lë të nënkuptohet që ajo është njëqind për qind e manipulueshme.
Nuk ka nevojë të theksohet se edhe sot ka mijëra Rozafa, që vuajnë pa ditur mirë pse.
Motivi i sakrificës njerëzore buron nga ndërgjegja e një rendi të botës me një ekuilibër të brishtë. Pas çdo veprimi të njeriut që e prek këtë rend duhet të rivendoset ekuilibri. Ndërtimi i kalasë është një sfidë enorme ndaj këtij rendi sepse është simboli i ngurtë se njeriu – ose burri – dëshiron t’i imponojë natyrës ligjet e veta. Kështjella është shenjë fuqie dhe pushteti dhe shënon edhe vazhdimësi të pandryshueshme kundër cikleve natyrore të jetës-vdekjes-jetës. Sakrifica e një njeriu është një kompromis, i cili tregon se njeriu e pranon këtë rend duke e transcenduar njëkohësisht.
Veçoria e mitit të Rozafës është që sakrifikohet femra dhe çdo gjë që nënkuptohet me të. Këtu kemi konceptin e dualizmit të parimeve mashkullore dhe femërore. Me parimin mashkullor lidhen mes tjerash dielli, kuptimi linear i kohës dhe zgjerimi, ndërsa me parimin femëror, hëna, kuptimi ciklik i kohës dhe thellësimi. Parimet nuk duhet ngatërruar me njerëzit, sepse një njeri i zhvilluar plotësisht duhet të ketë edhe tipare mashkullore edhe femërore. Ky union është rasti ideal dhe reflektohet në simbolin „Jin dhe Jang“, ku të dy kontrastet, që në fund janë të pandashme, bashkohen në qetësi lindore. Ndërsa Shqiponja jonë me të dy krerët e saj e simbolizon këtë bashkim me dinamizëm perëndimor.
Mirëpo në mitin e Rozafës ndrydhet larmia e parimit femëror për t’u kufizuar në cilësitë që i shërbejnë shoqërisë patriarkale: ushqimi i të birit, pra riprodhim material dhe mbështetja e bashkëshortit në projektet e tij, domethënë riprodhim shpirtëror.
Por edhe në këtë mit të zymtë jeta vazhdon të burojë nga gruaja. Ka një hapësirë në mur në mes të gurëve të vdekur, ku gufon jeta, ndonëse e reduktuar. Rozafa ia transmeton brezit të ri lëngun e jetës. Në mendimin shqiptar është domëthënës dualizmi mes linjës së gjakut dhe asaj të qumështit. Por gjaku nënkupton edhe vdekje, vrasje, traditat e gjakmarrjes, në krahasim me qumështin, që simbolizon ushqim, lindje, trashëgimimin e jetës.
Sidoqoftë, kjo nuk adhurohet as nuk vlerësohet më në mënyrë të duhur në shoqërinë patriarkale, nuk e sjell gruan më në pozita të larta në familje, në shoqëri dhe në jetën fetare. Anësia është nxjerrë nga konteksti i mëparshëm dhe i vihet në shërbim një rendi tjetër. Parimi origjinalisht i shenjtë bëhet një rol i thjeshtë, që e kufizon dhe skllavëron gruan.
Është domëthënës simbolizmi i organeve të „lira“ të Rozafës. Të gjitha janë simbole të rolit te saj të nënës. Por ky rol, që mund të jetë një nga shumë role të ndryshme, bashkë me rolin e bashkëshortes së mirë, bëhet identiteti i saj përreth boshllëkut, bëhet „persona“, që do të thotë maskë, pa fytyrë.
Syrin Rozafa nuk e ka për të parë botë të tëra nga horizonti në horizont e edhe më tej. Përkundrazi syri i saj ka një këndvështrim të kufizuar duke zënë vetëm djalin, gjë që përputhet me rolin e nënës.
Gjiri është zhveshur nga çfarëdo kuptimi seksual. Nuk ka kënaqësi për Rozafën, por vetëm për të birin. Organi i dhënies së jetës nga brezi në brez nuk është më atribut i pellshmërisë i Hyjneshës, i Nënës së Madhe, siç shihet në statujat e Venerës së Vilendorfit dhe të Dianës së Efezit. Diana si një nga paraqitjet e Hyjneshës adhurohej shumë edhe nga paraardhësit tanë ilirë dhe deri më sot kremtohet festa e saj pranverore. Mirëpo, tk Rozafa, gjiri është gozhda që e mban skllave e rolit mëmësor. Shenjtëria është e murosur, e dhunuar, e zvetënuar.
Krahu me dorën nuk ekziston për të kapur, mbajtur dhe përpunuar sendet përreth, për të sajuar dhe përdorur vegla, këtë tipar të „homo sapiensit“, as për të ndërtuar me të si burrat. Rozafa nuk e përdor për ta marrë jetën në duart e veta, por vetëm për ta mbajtur foshnjen, për ta për-krah-ur.
As këmba nuk është shtylla e fortë e gruas, lidhja e saj me Tokën amë, Tokën e shenjtë, lidhja që e mbështet dhe e fuqizon, por është shtyllë për tjetërkënd. Rozafa nuk ecën dot, nuk më-këmb-et dot, nuk këmbë-ngulet dot. Në kuptim figurativ nuk gjendet mbi këmbët e veta.
Mirëpo, kjo është vetëm njëra anë e Rozafës. Nuk është gruaja e plotë, se në patriarkat nuk ka nevojë për femra të plota. Ato bile janë një rrezik që duhet burgosur. Imazhi i zvetënimit është imperativi moral për femrat në këtë rend shoqëror.
Por shpëtimi i saj dhe i të gjitha Rozafave moderne, fuqia që mund t‘ia shpërthejë burgun, këtë simbol të palirisë psikologjike dhe sociale, ndodhet pikërisht në këtë anën dytësore, në gjysmën e saj të neglizhuar në hijen e gurëve. Kjo gjysmë nuk i shërben askujt, atë Rozafa e ka për veten.
Ka së paku një sy, një gji, një krah dhe një këmbë për vetveten. Ka edhe të drejtën për t’i përdorur. Kjo e drejtë i takon prej lindjes, sepse është lindur njeri.
Kjo nuk duhet të ngatërrohet me egoizëm, me mohimin absolut të rolit të nënës ose bashkëshortes, por është zgjerimi i mundësive të mendimit dhe veprimit. Jeta për të tjerët dhe jeta për vetveten nuk janë kundërshtime që e përjashtojnë njëra-tjetrin. Përkundrazi: ndihma ndaj tjetrit ka një bazë më të shëndoshë, kur nuk shërben për të mbushur një boshllëk, por kur nuk është asgjë tjetër përveç ndihmës së vërtetë. Rozafa duhet të kujtohet se kush është vetja dhe të kujdeset edhe për veten.
Atëherë do të ketë një sy kritik ndaj padrejtësive sociale dhe ndaj ideologjive që e zvetënojnë gjysmën e njerëzimit. Do të ketë një gji që do t’i kujtojë se për të ushqyer tjetërkënd, duhet të ushqehesh vetë. Do të ketë një krah për ta marrë jetën në dorën e vet dhe për t’i përkrahur motrat e saja. Dhe do të ketë një këmbë për të shëtitur e lirë dhe e vetëvendosur nëpër jetë, për të vrapuar, për të kërcyer, për të vallëzuar.