Gjymtimi i organeve gjenitale të femrës

Autorja: Shilla Eluwrdhi

Gjymtimi i organeve gjenitale të femrës është një çështje delikate dhe e ngatërruar, sepse ka të bëjë me aspekte të ndryshme të jeës seksuale, të shëndetit, të arsimit dhe të të drejtave themelore të njeriut, pa harruar pastaj ndikimin e rëndësishëm që kanë këtu edhe tabutë dhe traditat kulturore. Aty nga fundi i viteve 1970, ku kjo praktikë doli për herë të parë në sthypin ndërkombëtar, ngjalli menjëherë zemërimin dhe reagimin e ashpër në perëndim (nxitur pjesërisht nga shkrimet sensasionale dhe të shtrembëruara) duke mos e pasur të qaratë sfondin kulturor dhe traditën afrikane dhe duke shkaktuar zemërim dhe fyerje në shumë popuj afrikanë. Madje në këtë zemërim u përfshinë edhe disa lëvizje feministe si për shembull anëtaret e Shoqatës së grave afrikane për kërkim dhe zhvillim (AAVORD) të cilat, duke e dënuar ashpër praktikën e gjymtimit të organeve gjenitale të grave, ishin të indinjuara dhe dolën me një deklaratë ku tregonin për rreziqet që sillte ndërhyrja e perëndimit dhe theksonin që vetë gratë afrikane duhet ta ngrinin zërin dhe të udhëhiqnin fushatat e edukimit dhe informimit në vetet e tyre.
Më shumë se dhjetë vjetë më pas, shumë gra të përkushtuara – nga Egjipti dhe Somalia, dhe nga e gjithë Afrika – po bëjnë pikërisht një gjë të tillë. Sipas fjalëve të Shilla Eluërdhit, e cila shkroi hyrjen e raportit: “Këto gra të guximshme kanë filluar detyrën delikate për t’i ndihmuar gratë të çlirohen nga zakonet e prapambetura të cilat nuk kanë asgjë të mirë përkundrazi përbëjnë rerzik për shëndetin fizik dhe gjendjen psikologjike, dhe këtë detyrë po e bëjnë pa i prishur indet dhe fijet e dobishme kulturore.
Raporti u botua në 1992 nga Grupi i të drejtave të Minoriteteve me titullin Gjymtimi i Organeve Gjenitale të Femrës; Propozime për Ndryshim (një botim i përmirësuar dhe i përditësuar i: Rrethprerja e femrës, eksizioni dhe infibulacioni: fakte dhe propozime për ndryshime, redaktuar nga Shilla Eluërdhi në 1980), paraqet të dhëna rreth gjymtimit të organeve gjenitale, duke shpjeguar se si, ku dhe përse ajo praktikohet. Autorët vazhdojnë më pas të flasin për pikëpamjet e aktivisteve të grave në Afrikë dhe se çfarë hapash kanë ndërmarrë qeveritë afrikane, shtetet perëndimore dhe agjensitë ndërkombëtare për t’i dhënë fund këtij zakoni.
Një punonjëse e sektorit të shëndetësisë, me origjinë nga Gana, Efua Dorkenu, është drejtore e Fondacionit për Kërkime mbi Shëndetin e Grave (FORËARD), një organizatë joqeveritare që merret me përmirësimin e shëndetit te gratë dhe fëmijët afrikanë, duke e vënë theksin veçanërisht tek edukimi kundër gjymtimit gjenital. Shilla Eluërdhi ka punuar në edukimin shëndetësor në Afrikën e Jugut dhe si një konsulente për çështjet e grave në Degën e të Drejtave të Njeriut të UNESCOS.
Pjesa që vijon, me redaktime të vogla, është marrë nga raporti, i botuar me lejen fisnike nga Grupi i të Drejtave të Minoriteteve, përqendrohet në faktet, si edhe te problemet që kanë dalë nga gjymtimi i organeve gjenitale dhe nga problematika që sjell përpjekja për t’i dhënë fund këtij zakoni që ka rrënjë të thella tek tradita dhe është i përhapur në shkallë kaq të gjerë sa që përfshin afërsisht 74 milionë gra afrikane.

Faktet

Termi gjymtim gjenital përfshin katër lloje operacionesh:

1. Rrethprerjen ose prerjen e prepusit ose të kapuçit të klitoris-it, që në vendet muslimane njihet me fjalën synet që do të thotë “traditë”. Kjo rrethprerje, që është lloji më i lehtë, ka ndikim vetëm te një pjesë e vogël e miliona grave. Është i vetmi tip gjymtimi që mund të quhet me të drejtë rrethprerje. Megjithatë ka pasur një prirje për t’i grupuar të gjitha llojet e gjymtimeve nën termin e gabuar “rrethprerja e femrës”.

2. Eksizioni, që do të thotë prerja e klitoris-it e të gjithë ose të një pjese të labia minora.

3. Infibulacioni, që do të thotë prerja e klitorisit, labia minora dhe të paktën e një pjese të labia maxhora. Pastaj të dyja anët e vulvës qepen së bashku me sature mëndafshi apo katgute ose me kapse, duke e penguar kësisoj introtusin vaginal me përjashtim të një të çare shumë të vogël, që ruhet duke futur brenda saj një copë të vogël druri ose kallami për kalimin e urinës, apo gjakut të menstruacioneve. Këto operacione bëhen me thika speciale, me brisqe ose me copa xhami. Vajzës ia lidhin këmbët të dyja së bashku nga legeni deri tek kyçet dhe ajo rri pa lëvizur për dyzet ditë deri sa t’i mbyllet plaga.

4. Mesatar, që do të thotë heqjen e klitoris-it dhe të disa pjesëve të labia minora ose të gjithë ata. Ka shkallë të ndryshme operacioni sipas kërkesës së të afërmve të vajzës. Shpeshherë këto operacione bëhen nga plakat e fshatit ose nga mamitë pa shkollë dhe shumë rrallë nga mjekë apo infermierë të kualifikuar. Mosha e vajzës që operohet ndryshon nga krahina në krahinë. Kjo varet gjithashtu edhe nga fakti nëse legjislacioni vendor e lejon ose jo një praktikë të tillë. Operacioni mund të bëhet te foshnjet disa ditë pas lindjes (për shembull, Falashët Çifutë në Etiopi, dhe nomadët e Sudanit) ose – në raste më të rralla – te adoleshentet, si për shembull te Ibo-t e Nigerisë. Të gjithë ekspertët kanë vënë re se ka një prirje për ta bërë operacionin në moshë sa më të vogël, dhe tani sa vjen dhe ky zakon nuk ka më të bëjë me futjen e vajzës në moshën e pjekurisë.

Pasojat Fizike

Komplikacionet dhe rreziqet për shëndetin varen nga shkalla e gjymtimit, kushtet higjenike, zotësia dhe shikimi i asaj që e kryen operacionin dhe nga përpjekjet e fëmijës. Komplikacionet janë të rënda, të menjëhershme apo afatgjata. Nuk janë të pakta rastet kur pacientia vdes ngaqë nuk i pushon gjaku, ndërsa komplikacionet afatgjata përfshijnë infeksionet kronike të uterusit dhe të vaginës, menstruacione me dhimbje, dhimbje të mëdha gjatë marrëdhënieve seksuale, sterilitet dhe komplikacione gjatë lindjes së fëmijës. Megjithëse duhen grumbulluar të dhëna të tjera, ka shumë të ngjarë që rrjedhja e gjakut ose plagët e hapura t’i shtojnë gjasat për transmetimin e SIDËS dhe HIV-it.
Ka vështirësi të mëdha për të bërë kërkime mbi përvojën seksuale të grave të gjymtuara, sepse pjesa dërmuese ngurrojnë të flasin për këto tema dhe janë zakonisht të paqarta ndaj pyetjeve që kanë të bëjnë me kënaqësinë seksuale. Megjithatë, në të gjitha llojet e gjymtimit, madje edhe në klitoridektominë më të “thjeshtë”, hiqet një pjesë e trupit të gruas që përmban nervat me rëndësi jetike për kënaqësinë e saj seksuale.

Pasojat psikologjike

Akoma më paka kërkime janë bërë për të zbuluar pasojat psikologjike të këtyre traditave. Megjithatë, shumë rrëfime individuale dhe kërkime shkencore përmbajnë dëshmi të përsëritura për ankthin që ekziston para operacionit, për terrorin se kur do të vijë çasti për ta rrëmbyer halla ose xherahu i fshatit, e pazonja për ta duruar dhimbjen, dhe pastaj, ndjenja e poshtërimit, e tradhtimit nga prindërit, sidomos nga nëna. Nga ana tjetër, ceremonia shoqërohet me blerjen e rrobave të reja, përgatitjen e ushqimit të mirë, dhe pastaj, krenaria se ajo po bëhet njëlloj si të tjerat, që po “bëhet e pastër”, dhe që e ka duruar dhimbjen pa qarje dhe të bërtitura.
Të përpiqesh të jesh ndryshe natyrisht që të shkakton ankth dhe konflikte mendore. Një vajzë pa rrethprerje, pa infibulacion përbuzet dhe bëhet objekt i talljeve, dhe askush në komunitetin e saj nuk do të pranonte të martohej me të. Kësisoj, asaj do t’i mohohej jeta, martesa dhe lindja e fëmijëve për të cilën e ka sajuar natyra. Kështu që në fshatrat me tradita të forta ku gjymtimi është pjesë e pandarë e zakonit, vetëm ndonjë vajzë e jashtëzakonshme do të vuante nga ana psikologjike, vetëm nëse do të kishte ndonjë identitet tjetër të fortë të cilin e ka humbur.
Nuk ka dyshim se gjymtimi gjenital do të kishte ndikim shumë të madh psikologjik te ndonjë vajzë që nuk i përjeton këto motive, që nuk e ka mbështetjen e familjes, të fshatit, të moshatareve dhe të komunitetit. Për ato që vijnë nga një sfond tjetër kulturor, që nuk janë të njohura me forcën e këtij identiteti të veçantë me komunitetin, vetë ideja e prerjes së organeve gjenitale do t’i trondiste jashtë mase, ndjenjë e cila nuk ekziston te gratë për të cilat folëm. Për to, tronditëse do të ishte ideja nëse ato nuk do ta bënin rrethprerjen.
Këto vëzhgime kanë të bëjnë më tepër me faktorët psikologjiko-socialë se sa me pyetjen kryesore, domethënë, se çfarë ndikimi kanë këto operacione traumatike te vajzat e vogla në çastin e operacionit dhe kur rriten? E vërteta është se ne thjesht nuk dimë asgjë për këtë. Ne nuk e dimë se çfarë do të thotë për një vajzë apo grua kur organi i saj qendror i kënaqësisë ndijuese i pritet, kur kanali i saj jetëdhënës i qepet në mes të gjakut, frikës dhe sekretit, ndërsa atë e mbajnë fort të shtrirë për tokë dhe i thonë se po të bërtasë kjo do t’i shkaktonte vdekje nënës së saj dhe do t’i sillte turp familjes.

Praktika

Zona gjeografike
Janë mbi 20 vende ku praktikohen një a më shumë forma të gjymtimit të organeve gjenitale të femrës, në Afrikë, duke filluar që nga Atlantiku e deri në Detin e Kuq, Oqeanin Indian dhe lindjen e Mesdheut. Jashtë Afrikës, prerja praktikohet gjithashtu në Oman, Jemenin Jugor dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA). Rrethprerja praktikohet nga popullsia muslimane e Indonezisë dhe Malajzisë, si edhe nga muslimanët Bohra në Indi, Pakistan dhe Afrikën Lindore.
Në hartën e Afrikës ka një rrip të pandërprerë që kalon mes për mes kontinentit dhe pastaj vjen dhe zgjerohet në luginën e Nilit. Ky rrip, me përjashtim të tokëzës së Egjiptit, përputhet plotësisht me numrin e vendeve që kanë vdekshmëri më të lartë te fëmijët (më tepër se 30 për qind e fëmijëve të moshës nga një deri në katër vjeç). Këto nivele të larta pasqyrojnë dobësitë e kujdesit mjekësor, të mungesës së pastërtisë së ujit të pijshëm, të mungesës së infrastrukturës dhe ushqimit të përshtatshëm.
Gjendja e rëndë e gjymtimeve ndryshon nga njeri vend te tjetri. Sipas të dhënave, infibulacioni përfshin gati të gjithë popullsinë e Somalisë, Xhibutit dhe Sudanit (me përjashtim të popullsisë jo muslimane në jug të Sudanit), jugun e Egjiptit, bregun e Detit të Kuq të Etiopisë, veriun e Kenias, veriun e Nigerisë dhe disa pjesë të Malit. Shifrat më të fundit flasin për 74 milionë gra të gjymtuara.
Edhe pse grupet etnike janë gjeografikisht pranë njëri-tjetrit kjo nuk do të thotë që rrethprerja ka të njëjtat ndikime: për shembull, në Kenia, fisi Kikuju e praktikon rrethprerjen ndërsa Lou jo; në Nigeri, fiset Joruba, Ibo dhe Hausa e bëjnë, por jo fiset Nupes dhe Fulanis; në Senegal, te fisi Uolof gjymtimi nuk njihete fare. Ka edhe shumë shembuj të tjerë.
Kur tema e gjymtimit të organit gjenital të femrës doli në dritë të paktën për diskutim, filluan të raportohen operacione gjenitale pa përlqimin e femrave në disa vende të paparashikuara të botës. Gjatë viteve 1970, gratë në Suedi u tronditën nga ngjarjet mbi gjymtimet e bëra te vajzat e emigrantëve në spitalet e Suedisë. Në Francë, gratë nga Mali dhe Senegali një herë në vit sillnin në Francë një exceuse për t’i operauar vajzat e tyre në apartament. Në qershor 1982 një fëmijë maleizian vdiq nga operacioni i kryer nga një xherah profesionist, i cili, më vonë, u largua fshehurazi nga Franca. Në të njejtin vit, shtypi britanik zbuloi se në një klinikë private të Londrës ishte bërë një rrethprerje pa pasur ndonjë arsye mjekësore.

Legjislacioni
Në Afrikë: Në Sudan zyrtarisht ekziston ligji, i cili e ndalon gjymtimin gjenital ose më konkretisht infibulacionin. Një ligj që u miratua në 1946 parashikon deri në pesë vjet burg ose gjobë. Megjithatë (sipas Nenit 284 të Kodit Penal të Sudanit të vitit 1974) nuk quhet shkelje ligjore “thjesht heqja e pjesës së dalë dhe të lirë të klotiris”.
Janë bërë shumë citime për legjislacionin e Egjiptit, por pasi u studjua i gjithë dokumentacioni ekzistues, u gjet vetëm një rezolutë e firmosur nga ministri i Shëndetësisë në 1959, që rekomandonte vetëm klitoridektomi të pjesshme për ato që duan ta bëjnë operacionin dhe që operacioni të kryhet vetëm nga mjeku.
Në fund të 1978, kryesisht nga përpjekjet e Organizatës së Grave Demokratike të Somalisë (OGDS), Somalia ngritii një komision për të ndaluar infibulacionin. Në 1988 në një seminar të mbajtur në Mogadishu, u rekomandua që OGDS-ja të propozonte një projektligj pranë autoriteteve përkatëse për të zhdukur të gjitha format e gjymtimit gjenital të femrës.
Në shtator 1982, Presidenti Arap Moi ndërmori hapa për ta ndaluar me ligj praktikën e rrethprerjes në Kenia, pasi u raportuan vdekjet e 14 fëmijëve pas operacionit. Sipas Ligjit të Bajrakeve çdo xherah popullor që bënte rrethprerje mund të arrestohej dhe të gjykohej.
U bënë deklarata zyrtare kundër gjymtimit gjenital të femrës nga Kapiteni Tomas Sankara dhe Abdu Diuf, kryetarët e shteteve të Bukrina Fasos dhe Senegalit përkatësisht.
Në vendet perëndimore: Në korrik 1982, në Suedi u miratua ligji që e ndalon rrethprerjen e femrës dhe që parashikon dy vjet burg, për çdo operacion me ose pa miratim. Në Norvegji, në 1985, të gjithë spitalet u paralajmëruan që të mos kryenin operacione rrethprerje. Belgjika e ka ndaluar gjithashtu me ligj. Gjymtimin gjenital të femrës, disa shtete në SHBA e kanë përfshirë në kodin e tyre penal.
Në Mbretërinë e Bashkuar, legjislacioni i veçantë që ndalon rrethprerjen e femrës u fut në fuqi në fund të 1985. Një njeri që gjendej fajtor për këtë vepër penale mund të dënohet me pesë vjet burg ose me gjobë. Në nivelin e pushtetit lokal, gjymtimi gjenital i femrës është futur në procedurat e mbrojtjes së fëmijëve. Deri më sot, asnjë njeri nuk ka shkuar në gjyq për rrethprerjen femërore, por që nga 1989 në nivelin e pushtetit lokal ka pasur të paktën shtatë ndërhyrje ligjore, të cilat nuk i kanë lejuar prindërit apo infermierët të bëjnë gjymtimin seksual te vajzat.
Franca nuk ka ndonjë legjislacion të veçantë mbi gjymtimin gjenital të femrës por brenda nenit 312-3 të Kodit Penal francez, gjymtimi gjenital i femrës mund të konsiderohet si një vepër penale. Sipas këtij kodi kushdo që ushtron dhunë ose që dëmton seriozisht një fëmijë nën moshën 15 vjeç, nëse akti i dhunës rezulton në një gjymtim, prerje të një gjymtyre, humbje të njërit sy ose i pjesëve të tjera të trupit ose që padashur ka shkaktuar vdekjen e fëmijës.
Në 1989 në Francë, një nënë që paguante një xherah popullor për të bërë rrethprerjen e vajzës së saj një javëshe, në 1984, dënohej me tre vjet heqje lirie. Ndërsa në 1991 dënohej edhe xherahu me pesë vjet burg.

Praktikat bashkëkohëse
Ka mendime të ndryshme nëse praktika e rrethprerjes po zhduket për shkak të legjislacionit apo për shkak të ndryshimeve sociale dhe ekonomike. Fjala vjen, Esterë Ogunmodede beson se në Nigeri, vendi më i populluar i Afrikës, tradita po zhduket veçse me shumë ngadalësi, sepse ka ende miliona që e bëjnë rrethprerjen. Ajo dëshmon se në ato zona ku operacioni bëhet te vajzat që janë në moshën e martesës, ato “largohen nga shëpia që të shpëtojnë nga brisku”. Kjo vërteton thënien e Fran Hosken se operacionet po fillojnë të bëhen në mosha më të njoma, me qëllim që fëmija të jetë shumë “i vogël e të mos kundërshtojë dot”. Franë Hosken nuk mendon se ky zakon po zhduket, dhe ajo na jep një varg botimesh të pakundërshtueshme të cilat na informojnë për të gjitha vendet ku praktika është e njohur.
Në Etiopi ndodhi një ngjarje e rëndësishme gjatë luftës civile, e cila përfundoi në 1991. Kur Fronti i Çlirimit të Popullit Etiopian (FÇPE) pushtoi krahina të tëra nga janari 1977 deri në dhjetor 1978, midis reformave të ndryshme, ata ndaluan kategorikisht dhe në mënyrë të suksesshme gjymtimin gjenital të femrës dhe martesat me detyrim. Në të vërtetë, arsyeja e një pjesëmarrjeje të madhe të grave në ushtrinë e FÇPE-së ishte se ato braktisnin familjen nga zona të ndryshme të Etiopisë për të shmangur martesat me detyrim dhe thikën. Sadoqë praktika vazhdon në zona të largëta, duhet thënë se ndërgjegjësimi i grave etiopiane ka ndryshuar rrënjësisht gjatë viteve të luftës, dhe tashmë është e lehtë t’i bindësh burrat dhe gratë të heqin dorë nga kjo praktikë.
Që nga 1983, në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar është rritur numri i programeve arsimore për ta ndërgjegjësuar publikun mbi rreziqet shëndetësore që lidhen me gjymtimin gjenital të femrës. Media ka luajtur një rol kryesor për t’i bërë të qarta këto çështje për publikun. Si rezultat i këtyre përpjekjeve mund të themi se tabuja që mbizotëronte dikur për rrethprerjen e cila as që mund të përmendej publikisht, tani është thyer. Ka një rritje të ndërgjegjësimit të njerëzve për ndikimin e dëmshëm që ka gjymtimi gjenital te femra.
Është vënë re se gjymtimi gjenital i femrës nuk pëlqehet nga elita qytetare e disa vendeve afrikane. Për shembull, në Siera Leone, Kosto-Tomas mëton se burrat e qytetit janë të gatshëm të martohen me vajza që nuk e kanë bërë rrethprerjen, me kusht që martesa të mos bëhet me lajmësi.
Në përgjithësi, gratë qytetare të arsimuara shpesh japin arsyet përse nuk duhet bërë gjymtimi gjenital. Ndër to përmendet kotësia e rrethprerjes, rreziqet shëndetësore dhe ulja e ndjeshmërisë seksuale. Arsyeja e fundit tregon një ndryshim në qëndrimin e grave për të drejtat themelore njerëzore të grave në qytetet afrikane.
Në vija të përgjithshme, praktika është ende e përhapur në sektorë dhe grupe të mëdha brenda kontinentit afrikan. Për vazhdimin e kësaj praktike, siç thuhet në studimin e OKB-së të 1986, është pjesa dërmuese, pasive e popullsisë që kërkon ruajtjen e traditës, duke mos dashur të diskutojë vlerat e vërteta të shoqërisë. Në disa raste të tjera, praktika me sa duket po përhapet në grupe të popullsisë të cilat tradicionalisht nuk e kanë praktikuar kurrë gjymtimin gjenital të femrës, siç thekson një qytetare nga Uau, Sudan, e cila e quan këtë si një modë, sidomos midis grave të mbuluara muslimane në jug të Sudanit, të cilat martohen me burra në veri të Sudanit. Përveç kësaj, madje edhe në zonat ku disa grupe po e kundërshtojnë hapur këtë praktikë, duke se po rritet numri i gjymtimeve. Rritja e popullsisë me ritme të shpejta në Afrikë do të thotë një shtim i numrit të vajzave, të cilat pastaj i pret rreziku i gjymtimit.

Çështja
Gjymtimi gjenital i femrës është një çështje komplekse, sepse ai ka të bëjë me tradita kulturore të vjetra, të cilat kanë hedhur rrënjë dhe kanë ndikim te miliona njerëz. Megjithatë, kjo mund të ndahej të paktën në katër grupe të qarta.

Të drejtat e grave
Gjymtimi gjenital i femrës është një shembull i skajshëm i shtypjes së gruas, aq i skajshëm dhe i tmerrshëm sa që u jep të drejtën grave dhe burrave të venë në pikëpyetje argumentin përse gratë duhet ta zbatojnë një praktikë të tillë, përse e kanë pranuar atë deri më sot, mos vallë thjesht për hir të shoqërisë dhe traditës.
Djegia e grave të veja në Indi dhe kyçja e këmbëve të vajzave të vogla në këpucë druri në Kinë janë shembuj të tjerë të skajshëm, aq të ashpër dhe të çuditshëm sa që hedhin dritë edhe mbi mënyrat e tjera më pak të dukshme të nënshtrimit të grave në të gjithë botën. Ka rëndësi të mos harrojmë faktin se praktika të tilla janë apo ishin ruajtur për hir të një tradite shekullore, dhe, se kyçjes së këmbëve iu dha fund revolucioni masiv politik dhe social (duke i zëvendësuar shumë tradita, të cilat sistemi i zhduku dhe paraqiti një sistem social krejt të ri, dhe revolucionar në shumë drejtime: pronësimi mbi tokën, sistemi klasor, arsimi, barazia e sekseve, etj.), të cilat reformatorët iu paraprinë me një punë të gjatë dhe me durim.
Prandaj, për të pasur sukses fushatat mbi gjymtimin gjenital të femrave duhet të mos harrojnë se nuk mjafton të zhdukin zakonin e prapambetur, por duhet të mendojnë edhe për ta zëvendësuar atë me një formë të re. (Shembull i Eritreas, që u citua më sipër, është shumë domethënës). Për më tepër, suksesi duhet të jetë afatgjatë dhe të parashikojë ndryshime në pikëpamjet dhe qëndrimet si të burrave ashtu edhe të grave.
Në dhjetor 1979 Asambleja e Përgjithshme e OKB miratoi Konventën mbi zhdukjen e të gjitha formave të diskriminimit kundër grave, duke dhënë kështu një shembull të qartë të synimeve ndërkombëtare të barazisë midis burrit dhe gruas. Kjo Konventë hyri në fuqi në shtator 1981. Konventa bën thirrje për të drejta të barabarta për të gjitha gratë, pavarësisht nga gjendja e tyre civile, dhe në të gjitha fushat: politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe civile. Neni 5(a) i detyron vendet pjesëmarrëse të marrin:

Të gjitha masat për të ndryshuar mendësitë kulturore dhe sociale të sjelljes së burrave dhe grave, me qëllim që të zhduken paragjykimet e prapambetura dhe të gjitha praktikat e tjera, të cilat bazohen në mendimin e inferioritetit apo superioritetit të njërit apo të tjetrit seks ose në rolet stereotipe të burrave dhe grave.

Për të pasur sukses në zhdukjen e praktikave të tilla duhet në radhë të parë të bëhen ndryshime themelore në qendrimet dhe në mënyrën se si shoqëria i kupton të drejtat njerëzore të grave. Pika e fillimit të ndryshimeve duhet të jenë programet e edukimit që i ndihmojnë gratë t’i njohin këto të drejta themelore njerëzore. UNESCO, Qendra e OKB për të drejtat ndërkombëtare dhe agjensi ndërkombëtare mund të ndihmonin pikërisht në këto programe ndërgjegjësimi.

Të drejtat e fëmijëve
Një i rritur është i lirë që të zbatojë një rit apo traditë, por një fëmijë, që nuk ka ende gjykim të pavarur, nuk jep pëlqim por thjesht i nënshtrohet operacionit (i cili në këtë rast është i pariparueshëm), ndërsa vajza është krejtësisht e pambrojtur. Përshkrimet që kemi për reagimin e fëmijëve – paniku dhe tmerri nga dhimbja shumë e madhe, duke kafshuar gjuhën, përpëlitjet, që duan gjashtë të rritur për ta mbajtur pa lëvizur një vajzë tetë-vjeçe, dhe vdekja – tregojnë se kjo praktikë i ngjan një torture të vërtetë.
Shumë vende nënshkruese të Nenit 5 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (sipas të cilit askush nuk duhet t’i nënshtrohet torturës, apo qëndrimit poshtërues, johuman dhe mizor) nuk duhet ta shkelin këtë dispozitë. Këto shkelje diskutohen dhe nganjëherë dënohen nga komisione të ndryshme të OKB-së. Megjithatë, gjymtimi gjenital i femrës si një aspekt torture nuk zbatohet kundër të rriturve por ndaj vajzave të vogla, dhe arsyet që jepen në këtë rast nuk kanë të bëjnë fare me bindjet politike apo ushtarake, por tortura bëhet thjesht në emër të një tradite.
Deklarata e të drejtave të fëmijëve, e aprovuar në 1959 nga Asambleja e Përgjithshme, shprehet qartë se fëmijët duhet të kenë mundësi të zhvillohen fizikisht në mënyrë normale dhe të shëndetshme në kushtet e lirisë dhe dinjitetit. Ata duhet të kenë kujdes mjekësor të përshtatshëm dhe të jenë të mbrojtur nga të gjitha format e mizorisë.
Sipas mendimit të Rëne Bridel, e Fédération Internationale des Femmes de Carrières Juridiques, ata shtete “Që janë anëtarë dhe që i lejojnë këto praktika nuk bëjnë gjë tjetër veçse shkelin në radhë të parë detyrimet që parashikohen nga Karta [e OKB-së]”.
Në shtator 1990, hyri në fuqi Konventa e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e fëmijëve. Ajo u bë pjesë përbërëse e ligjit ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut. Në Nenin 24(3) thuhet se: “Shtetet pjesëmarrëse duhet të marrin të gjitha masat e përshtatshme dhe efektive për të zhdukur praktikat tradicionale, të cilat shprehin paragjykime për shëndetin e fëmijëve”. Ky nen i rëndësishëm nuk duhet të mbetet vetëm në letër, ajo thjesht vetëm të përmendet gojarisht nga ata që e kanë për detyrë ta zbatojnë atë. Anëtarët e OKB-së duhet të punojnë në mënyrë që klauzolat e këtij neni të shndërrohen në programe të veçanta për t’u zbatuar në terren. Në këtë drejtim mund të mësohet shumë (sidomos nga shtetet afrikane) nga ato vende të cilat kanë ngritur sisteme të mbrojtjes së fëmijëve.

E drejta për shëndet të mirë
Asnjë mjek apo punonjës shëndetësie në zë nuk thotë se gjykimi është një gjë e mirë për shëndetin mendor dhe fizik të vajzave dhe grave. Edhe një numër studimesh dëshmon për dëmtime serioze dhe të përhershme të shëndetit si dhe për rrezikshmërinë e vdekjes. Paraqitja e fakteve mjekësore, të shpjeguara me kujdes, do të ishte një mënyrë e mirë për të hequr dorë një herë e përgjithmonë nga praktika e rrethprerjes, sepse këto fakte janë pothuajse të kundërta me atë çka besohet dhe dihet që faktet mund të tregohen dhe të demonstrohen lehtë.
Këto agjensi të OKB-së dhe departamentet qeveritare që kanë për detyrë të kujdesen për shëndetin e grave dhe të fëmijëve duhet ta kenë të qartë se iu takon atyre t’i përkrahin programet e veçanta dhe pozitive për parandalimin e gjymtimit gjenital të femrës, sepse dihet që po të vazhdojë kjo praktikë atëheë cilësia e jetës dhe e shëndetit natyrisht që do të ulet. Megjithatë, ky qëndrim, po të paraqitet jashtë kontekstit, nuk merr parasysh forcën e trysnisë sociale, e cila i detyron gratë ta bëjnë operacionin, pavarësisht nga rreziqet që i kanosen, në mënyrë që të sigurojë martesën e vajzave të tyre, dhe mos t’i thyejë kodet e rrepta të sjelljes së femrës, të cilat janë ngulitur nga shoqëritë e dominuara nga meshkujt.

E drejta për zhvillim
Praktika e gjymtimit gjenital të femrës duhet të trajtohet në kontekstin e prapambetjes ekonomike, dhe realitetit të jetës për shtresat e shfrytëzuara dhe të pambrojtura – për gratë dhe fëmijët. Forcat ekonomike dhe politike ndërkombëtare shpesh i kanë penguar programet e zhvillimit për të plotësuar nevojat themelore të popullsisë fshatare. Mirëpo, në mungesë të një zhvillimi arsimor dhe të burimeve njerëzore, si edhe të një strukture të pushtetit lokal, të varfërit do t’i drejtoheshin traditës si një mekanizëm mbijetese në kohën e ndryshimeve social-ekonomike.
Në shoqëritë ku martesa për gruan është mjeti i saj i vetëm për të mbijetuar, dhe ku një formë e eksizionit është një parakusht për martesën, është shumë e vështirë për t’i mbushur mendjen gruas apo fëmijëve të saj që të heqin dorë nga kjo praktikë. Analistet (dhe disa analistë) afrikane të zhvillimit të strategjive kanë theksuar herë pas herë se fokusi për ndryshime duhet vendosur në kushtet e këqija të përgjithshme të jetës së grave të varfëra, sepse po nuk u përmirësuan kushtet e tyre të jetesës, ka shumë pak mundësi që të ndryshojnë praktikat tradicionale.

Drejtimet për të ardhmen
Gjymtimi gjenital i femrës është praktikuar në shumë zona dhe ndër shekuj. Për ta zhdukur një praktikë të tillë, kërkohet vendosmëri e madhe, e shoqëruar kjo me një ndjeshmëri dhe mirëkuptim ndaj kushteve të vendit. Në çdo vend dhe krahinë ku bëhen operacionet, kushtet janë të ndryshme, ashtu siç është i ndryshëm dhe vullneti politik, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë kombëtar. Në vendet perëndimore rruga në të cilën duhet ecur është pak a shumë e qaratë. Në Afrikë problemi është më i thellë dhe kushtet ekonomike he politike janë shumë herë më të vështira, ndërsa agjensitë ndërkombëtare ende nuk kanë filluar të rishqyrtojnë rolin dhe mundësitë e tyre.
E përbashkëta për të trija këto është se, deri më sot, pothuajse të gjitha programet kanë qenë individuale ose përpjekje ad hoc, pa bërë ndonjë integrim në strukturat e tjera dhe pa strategji dhe synime afat-gjata. Që të bësh ndryshime të vërteta duhen më shumë burime, një planifikim më i hollësishëm dhe një angazhim i vazhdueshëm nga organizatat ndërkombëtare dhe qeveritare.