Dhuna në familje

(Nga Manuali i Kombeve të Bashkuara Strategji për të përballuar dhunën në familje)

Kombet e Bashkuara (OKB) janë një nga organizmat ndërqeveritarë që sa vjen e shtohen, të cilat merren me çështjen e dhunës në familje. Pjesë e strategjisë së saj (OKB) për ta trajtuar këtë problem (e shprehur në rezolutën 45/114 të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme në 1990) ka qenë mbledhja e një grupi pune të ekspertëve për të hartuar një manual për punonjësit e kësaj fushe. Si rezultat i punës së tyre, u botua manuali me Titull Doracak burimor: Strategji për të përballuar dhunën në familje (Kombet e Bashkuara, qershor 1993), ku pasqyrohet një informacion i gjerë nga burime të policisë, prokurorisë, punonjësve të shërbimit shëndetësor, punonjësve socialë, grupeve të grave dhe agjensive qeveritare në të gjithë botën. Pjesa e mëposhtme përshkruan natyrën e fshehtë dhe përmasat e problemit, të cilat mund të gjenden kudo dhe në çdo familje.

Natyra dhe përmasat e dhunës në familje

Termi “dhunë në familje” përdoret për të përshkruar një varg veprimesh dhe moskryerjesh të detyrave që ndodhin në marrëdhënie të ndryshme. Në kuptimin e tij të ngushtë termi përdoret për të përshkruar incidente të sulmeve fizike, kur ato kanë formën e dhunës seksuale apo fizike, si për shembull goditje me grusht, zënie e frymës, ngulje e thikës, hedhje e ujit të nxehtë apo acidit dhe hedhje në zjarr, pasojat e të cilave mund të shkojnë nga blanat e mavijosura e deri te vdekja: ajo çka shpeshherë fillon me sulme në dukje të vogla, mund të rritet si në intensitet ashtu edhe në shpeshtësi.
Ka njerëz që e përdorin termin “dhunë në familje” edhe me kuptimin e dhunës mendore dhe psikologjike, e cila mund të jetë fyerje e përsëritur me fjalë; ngacmime; izolime; dhe privime të burimeve personale, financiare dhe fizike. Mund të kontrollohen edhe kontaktet e grave me anëtarët e familjes dhe shoqet e tyre. Format e dhunës mund të ndryshojnë nga njëra shoqëri dhe kulturë te tjetra. Disa njerëz të tjerë e përdorin termin për të përshkruar dhunën kundër grave vetëm në familje, dhe për të tjerë ai është një etiketë e përgjithshme për të mbuluar çdo lloj dhune ku viktima dhe persekutuesi kanë një formë marrëdhënieje personale ose kur kanë pasur marrëdhënie të tilla në të kaluarën. E përdorur në këtë kuptim më të gjerë, dhuna në familje përfshin abuzimin ndaj fëmijëve, qoftë ai fizik, psikologjik apo seksual, dhuna midis vëllezërve dhe motrave, abuzimi dhe braktisja e të vjetërve dhe keqtrajtimi i prindërve nga fëmijët. Megjithatë, këtu termi “dhunë në familje” do të thotë sulm mendor apo fizik kundër grave nga partnerët e tyre meshkuj. Në shumë vende termi “sulm ndaj gruas” përdoret për këtë lloj qëndrimi.
Dhuna në familje është një problem i fshehur. Studimet mbi dhunën në familje janë krejt të reja, dhe kanë filluar vetëm këta 25 vjetët e fundit. Kryesisht ato kanë filluar në Evropën Perëndimore, në Amerikën e Veriut, në Australi dhe në Zelandën e Re. Studimet merren në përgjithësi me kulturën dominuese, megjithatë ka edhe një numër jo të vogël të tyre që përqendrohen te popullsitë vendase, te grupet e refugjatëve dhe të emigrantëve. Një numër i madh studimesh po bëhen në vendet në zhvillim. Për shembull, ka studime të qarta dhe sistematike për dhunën shtëpiake (sipas këtij përkufizimi këtu përfshihet dhuna kundër grave dhe burrave në familje) të cilat janë kryer në Papua të Guinesë së re. Përveç këtyre, kohët e fundit është botuar një përmbledhje artikujsh nga Fondi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM) që përgjithëson studimet shkencore mbi dhunën në familje që janë ndërmarrë në rajone të ndryshme të vendeve në zhvillim.
Sadoqë mund të thuhet se gratë janë zakonisht viktimat e dhunës në familje dhe burrat janë zakonisht shkaktarët, mbetet ende e paqartë se cilat janë pikërisht gratë apo burrat që ka të ngjarë të përfshihen në të. Studimet tregojnë se dhuna martesore ndodh në disa komunitete, pothuajse një në tri maratesa. Me sa duket nuk ka asnjë vend të botës ku ajo të mos njihet.
Është e vështirë që të vlerësosh dendurinë e rasteve të dhunës në shtëpi. Komunitetet e mohojnë problemin, duke pasur frikë se një pranim i ekzistencës së saj do të ishte një sulm mbi integritetin e familjes, kësisoj mbahen shumë pak statistika zyrtare. Metodat bashkëkohore të llogaritjes së numrit të grave që janë sulmuar nga burrat e tyre janë të dyshimta. Statistikat bazohen në rastet e raportuara të abuzimit të cilat merren, për shembull, nga policia, nga të dhënat e spitaleve dhe sigurimeve shoqërore mbi numrin e grave që përdorin shtëpitë e urgjencës ose nga raportimet vetjake në linjat e veçanta telefonike ose nga anketimet direkte.
Statistikat e mbledhura nga të dhënat e policisë dhe nga burime të tjera zyrtare tregojnë se abuzimi i gruas ekziston, por ato janë shumë larg përfaqësimit të vërtetë të problemit. Viktimat shpeshherë ngurrojnë që të thonë se mbi to është ushtruar dhunë: ato ngurrojnë të raportojnë për keqtrajtimet, sepse iu vjen turp që i kanë sulmuar burrat e tyre; ato mund të kenë frikë; ato mund të kenë ndjenjën e besnikërisë familjare.
Edhe kur gratë e bëjnë raportimin për keqtrajtim, statistikat mund të humbasin, sepse zyrtari harron ta mbajë shënim incidentin ose e shënon atë në një mënyrë që nuk i shërben më studimit shkencor. Për shembull, statistikat penale edhe pse ato mund të shërbenin si një burim kryesor i të dhënave të qarta për dhunën kundër grave në familje, ato shpesh nuk e përcaktojnë seksin e viktimës dhe atë të sulmuesit dhe rrallë i shënojnë marrëdhëniet midis të dyve. Në këto raste, është e pamundur të dallosh sulmin ndaj gruas nga ndonjë sulm tjetër dhe kështu, nga pikëpamja statistikore, sulmi mbi gruan mbetet i padukshëm.
Ky problem haset edhe te vëzhgimet mbi raportimet vetiake. Gratë që janë abuzuar mund të parapëlqejnë që t’i mbajnë për vete faktet. Edhe kur reagojnë, ato mund t’i mbivlerësojnë ose, në më të shumtën e rasteve t’i nënvlerësojnë përmasat e dhunës nga e cila kanë vuajtur. Për shembull, gratë nuk iu japin rëndësi shpullave apo përplasjeve dhe nuk i përmendin ato.
Anektimet me telefonata kufizohen vetëm te gratë që kanë telefon në familje dhe që tregohen të gatshme t’ia japin informacionin intim dikujt të cilin ato nuk e njohin. Anketime të tilla mund të përjashtojnë gjithashtu gratë nga minoritetet etnike.
Anektimet e çifteve që bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, nuk japin dëshmi për dhunën në marrëdhëniet e mëparshme që tashmë i kanë përfunduar. Studimet mbi gratë që i kanë përdorur shtëpitë e urgjencës kufizohen kryesisht te gratë që tashmë janë identifikuar si të rrahura dhe që nuk përfaqësojnë popullsinë në përgjithësi.
Pavarësisht nga këto probleme, dëshmi të ndryshme qoftë dhe anekdotat, nga pjesë të ndryshme të botës, e bëjnë të qartë se dhuna kundër gruas në familje është një problem serioz.
Në Kanada, në bazë të statistikave të nxjerra nga mjekët, avokatët, punonjësit socialë dhe regjistrat e rajoneve të policisë, është llogaritur se një në dhjetë gra abuzohet nga partneri i saj. Në Bangladesh vrasjet e grave nga burrat përbëjnë pesëdhjetë për qind të të gjithë vrasjeve. Në 1992, UNIFEM hartoi statistikat mbi dhunën ndaj grave duke bërë një përmbledhje të keqtrajtimit të femrës në të gjithë botën. Nga të dhënat doli se rrahja e gruas është një gjë e rëndomtë në Bangladesh, Barbedos, Kili, Kolumbi, Kosta Rika, Guatemalë, Indi, Kenia, Norvegji dhe Sri Lanka.
Përmasat e vërteta të dhunës në familje mund të mos merren vesh asnjëherë në mënyrë të saktë, por një gjë është e qaartë se një dhunë e tillë është pjesë përbërëse e dinamikës së shumë situatave familjare në vendet e zhvilluara dhe në ato në zhvillim. Me fjalë të tjera, studimet ekzistuese theksojnë faktin se gratë vriten, sulmohen fizikisht dhe përdhunohen, kërcënohen dhe poshtërohen brenda familjeve të veta nga burrat, tek të cilët ato duhet të kishin besimin më të madh. Fatkeqësisht, kjo nuk përbën ndonjë përjashtim apo diçka të pazakontë.
Dhuna në familje mund të ndodhë në familje të çdo klase. Duke ditur kufizimet e sundimeve ekzistuese, e kemi të vështirë të dalim në përfundime rreth pozitës shoqërore të viktimës së dhunës në familje. Disa studime tregojnë se ka një numër të madh të viktimave që janë në pozita jo të favorshme ekonomike të cilat mund të përkufizoheshin si klasa të ulta ose grupe të moshave më të reja. Dhuna në familje mund të ketë përqindje më të lartë në familjet që janë të dobëta ekonomikisht ose kur burri ka arsim më të ulët se gruaja.
Megjithatë, pjesa më e madhe e informacionit që ekziston bazohet në studimet të njerëzve që janë në mbikëqyrjen e zyrtarëve. Këta njerëz janë më pak në gjendje që ta mbrojnë jetën e tyre intime nga vëzhgimi zyrtar. Për shembull, gratë nga klasat e larta dhe ato të mesme kanë më pak të ngjarë që t’i përdorin strehimet e urgjencës për gratë. Në disa vende, spitalet publike përdoren kryesisht nga njerëzit me gjendje të keqe ekonomike. TË pasurit janë në gjendje të përfitojnë nga shërbimi i mjekëve dhe klinikave private, dokumentacioni i të cilëve nuk është i hapur për punimet shkencore. Dokumentacioni i dosjeve të punës dhe mirëqenies sociale, në përgjithësi, përmban informacion për grupet shoqërore më pak të privilegjuara, të cilat duhet t’iu përgjigjen formularëve dhe pyetësorëve të qeverisë për të përfituar ndihmë dhe asistencë qeveritare. Njerëzit e pasur e kanë më të lehtë ta izolojnë veten nga vëzhgimi policor dhe qeveritar.
Shembujt e pakët studimorë dhe materialë që mbështeten mbi rrëfimet tregojnë se sulmet ndaj grave hasen në të gjitha klasat, kulturat dhe ndarjet e racave. Këto studime dëshmojnë se dhuna kundër grave mbizotëron në të gjitha strukturat sociale dhe ekonomike dhe me sa duket nuk ka ndonjë kufizim kulturor.

Efektet e dhunës në familje

Edhe pse nuk kemi mundësi që të japim një pamje të plotë të përmasave të dhunës kundër grave në shtëpitë e tyre, rezultatet e kësaj dhune janë fare të qarta.
Përveç dëmtimeve fizike që i kemi përmendur, duke filluar nga shenjat e mavijosura deri te vdekja, gratë e abuzuara vuajnë nga probleme psikologjike dhe shëndetësore. Ato kanë një nivel shumë të lartë ankthi, depresioni dhe ankesa somatike në krahasim me gratë që nuk kanë vuajtur nga një abuzim i tillë. Shpesh ato mund të paralizohen nga terrori dhe janë të stresuara nga prania e përhershme e rrezikut të ndonjë sulmi. Ato kanë më tepër gjasa të jenë në gjendje depresive, gjë qqë mund të çojë në një shkallë të lartë vetvrasjeje në krahasim me rastet e grave mbi të cilat nuk është ushtruar dhunë.
Pasojat e mbrapshta të dhunës në familje nuk kufizohen vetëm te viktima e abuzuar. Vetë abuzuesi mund t’i vuajë pasojat e sjelljes së tij. Studimet tregojnë se gratë që i vrasin burrat e tyre, në më të shumtën e rasteve, veprojnë kështu si reagim i ndonjë sulmi ose kërcënimi të afërt.
Dhuna në familje është gjithashtu e rrezikshme për anëtarët e familjes apo për të tjerë që përpiqen të ndërhyjnë, të cilët mund të dëmtohen ose të vriten nga abuzuesi. Fëmijët në familjet ku ndaj gruas abuzohet, rrezikohen të plagosen apo të vriten nga abuzuesi, nëse ata përfshihen në një incident dhune, qoftë rastësisht apo duke u përpjekur të mbrojnë nënën e tyre.
Ndikimi mbi fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës, është bërë temë e diskutimeve të shumta. Disa studime kanë dalë në përfundimin se fëmijët e familjeve ku ka dhunë ndaj nënës së tyre vuajnë më shumë nga probleme të sjelljes dhe janë më pak të aftë për të vepruar në shoqëri në krahasim me fëmijët që vijnë nga familje ku nuk ka ndonjë dhunë të tillë. Për shembull, një studim kanadez tregon se nëse gjatë fëmijërisë dikush është i pranishëm në konfliktet dhe dhunën ndërmjet prindërve “ka shumë gjasa të parashikohet se dhe ai vetë do të bëjë krime kundër personit kur të rritet” (p.sh. sulme, përpjekje për përdhunim, përpjekje për vrasje, rrëmbime dhe vrasje)”. Një përqindje e lartë e fëmijëve të rrugës tregojnë gjithashtu për dhunë prindërore në familjet e tyre. Megjithatë, duhen bërë studime më sistematike për ndikimin e vërtetë të dhunës familjare mbi fëmijët përpara se të dalim në përfundime mbi pasojat negative të saj.
Përveç shpenzimeve personale shumë të mëdha që vijnë nga dhuna shtëpiake janë edhe shpenzimet ekonomike dhe sociale të kësaj sjelljeje. Shpenzimet sociale përfshijnë turpin e familjes së veçantë, izolimin shoqëror dhe vartësinë e përkohshme a të përhershme ekonomike dhe psikologjike të anëtarëve të familjes për t’u mbajtur nga grupe bamirëse apo nga sistemi i sigurimeve shoqërore.
Të rëndësishme janë edhe shpenzimet financiare për komunitetin. Shuma të mëdha parash shpenzohen për të mbajtur policinë dhe shërbimin gjyqësor, shërbimet shëndetësore dhe sociale, strehimet e emergjencës për gratë dhe ndihmat e sigurimeve shoqërore. Sipas një vlerësimi kanadez, në 1980, taksapaguesit kanadezë, nëpërmjet qeverisë së tyre lokale, paguan të paktën 32 milion dollarë kanadaezë për ndërhyrjen e policisë në rastet e rrahjeve të grave dhe për ndihmën dhe shërbimet administrative që lidhen me të. Sipas një studimi australian kostoja e shpenzimeve për 20 viktimat e dhunës në familje ishte mbi 1 milion dollarë australianë.

Shkaqet e dhunës në familje

Edhe pse shkaqet e dhunës në familje mund të jenë të panjohura, nevoja për të marrë masa është e qaratë. Ka shumë teori për të shpjeguar ekzistencën dhe përmsat e problemit. Disa teori përqendrohen te individët dhe kërkojnë shpjegime personale si fjala vjen përdorimi i alkoolit dhe i drogës, veprimet e viktimës, sëmundjet mendore, stresi, dëshpërimi, zhvillimi i ulët dhe prejardhja nga familje të dhunshme.
Gjerësia dhe pranimi i heshtur i dhunës në familje drejtuar kundër gruas i ka bërë disa shkencëtarë që ta vënë në pikëpyetje vërtetësinë e teorive që përpiqen ta shpjegojnë dhunën duke u nisur nga karakteristikat individuale dhe personale. Ata e shpjegojnë problemin nga pikëpamja sociale dhe strukturore. Dhuna në familje e ka origjinën në të gjithë kontekstin social. Rrahja e gruas është një pasqyrim i strukturës së gjerë të pabarazisë ekonomike dhe seksuale në shoqëri. Studimet tregojnë se dhuna në familje nuk përbën një përjashtim, por tolerohet dhe pranohet si një fenomen i përgjithshëm. Është një zgjerim i idesë se shoqëria tashmë e ka pranuar se janë burrat ata që duhet të luajnë rol në sferën e tyre familjare. Në këtë kuptim, abuzimi i gruas mund të trajtohet si një shfaqje e pushtetit të mashkullit, rezultat i marrëdhënieve shoqërore në të cilat gratë mbahen në pozita inferiore nga burrat, përgjigjen para tyre dhe kanë nevojë për mbrojtjen e tyre. Këto teori tregojnë se vartësia ekonomike, politike dhe shoqërore e grave nga burrat krijon një strukturë ku burrat e kanë të lehtë ta përjetësojnë dhunën kundër grave.
Origjina e dhunës i ka rrënjët në strukturën shoqërore dhe në një tërësi të ndërlikuar vlerash, traditash, zakonesh dhe besimesh që kanë të bëjnë me pabarazinë e gruas. Në më të shumtën e rasteve viktima e dhunës është gruaja dhe keqbërësi është burri dhe struktura shoqërore vepron si mburojë e kësaj pabarazie. Dhuna kundër grave është pasojë e një mendësie, që ushqehet në shumë kultura, se burrat kanë epërsi dhe gratë me të cilat ata jetojnë janë pronë e tyre që duhen trajtuar ashtu siç e shohin burrat të arsyeshme.
Së fundi, nuk ka ndonjë shpjegim të thjeshtë apo të vetëm për dhunën në familje, dhe të kërkosh me këmbëngulje shkaqet e saj mund të çojë në justifikime për mosveprim. Pavarësisht nga shkaqet, individët duhet ta pranojnë përgjegjësinë për veprimet e tyre të dhunshme dhe shoqëria duhet të merret me dhunën në familje.

Dhuna në familje dhe punët e brendshme të familjes

E drejta për jetën private familjare nuk përfshin të drejtën për të abuzuar mbi anëtarët e familjes. Dokumentet rajonale dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut iu garantojnë të gjithëve të drejtën e jetës private dhe atë të banimit. Familja është një vend intim, një burim komforti dhe ushqimi për rritjen e përbashkët të anëtarëve të saj. Po kështu, kjo vlerë përfshihet në dokumentët rajonale dhe ndërkombëtare e të drejtave të njeriut dhe janë të miratuara nga Kombet e Bashkuara në, fjala vjen, shpalljen e vitit 1944 si Viti Ndërkombëtar i Familjes. Sadoqë rëndësia e familjes si një strukturë shoqërore nuk duhet të nënvlerësohet, një besim i tepruar në aftësinë e saj rritëse dhe edukuese mund të çojë në përpjekje për ta ruajtur bërthamën familjare edhe kur anëtarët e familjes bëhen viktimë e anëtarëve të tjerë të familjes. Kështu që, ruajtja e familjessi një njësi e paprekur, në rastet e dhunës në familje, i jep asaj përparësi në dëm të interesave të individëve brenda saj. E drejta për të qenë i lirë nga dhuna në familje ose nga kërcënimi i kësaj dhune është një e drejtë njerëzore universale dhe e rëndësishme.
Së fundi, çdo njeri që punon në fushën e dhunës në familje duhet ta ketë të qartë se një farë niveli i dhunës në familje pranohet në shumë shoqëri. Lejohet ndëshkimi fizik i fëmijëve dhe, në të vërtetë, nxitet nga shumë sisteme të drejtësisë dhe një numër i madh vendesh e lejojnë një rrahje të lehtë të gruas ose, nëse nuk e lejojnë tani, ato kanë vepruar kështu të paktën këto 100 vjetët e fundit. Përsëri, pjesa më e madhe e sistemeve të drejtësisë nuk i kanë kriminalizuar rastet kur gruaja detyrohet të ketë marrëdhënie seksuele me burrin kundër dëshirës së saj. Me këtë lidhet edhe mohimi i faktit se dhuna në familje është një çështje serioze, e cila mund të ketë efekte të gjata mbi viktimën, shkaktarin dhe anëtarët e tjerë të familjes. Në të vërtetë, në rastin e dhunës kundër bashkëshorteve, mbizotëron një besim i përgjithshëm se gratë provokojnë vetë, madje mund ta tolerojnë dhe iu pëlqen njëfarë dhune nga bashkëshortët e tyre.
Këto mendësi, të cilat e ligjërojnë njëfarë dhune familjare, përcaktojnë qëndrimet e njerëzve që punojnë në këtë fushë. Ato dalin si tema kur shqyrtohen strategjitë novatore për të luftuar dhunën në familje dhe, për më tepër, pengojnë në një shkallë të madhe zbatimin e këtyre strategjive.
Kryesisht, dhuna në familje është trajtuar si një problem që kërkon zgjidhje juridike, mirëpo politikat që kanë ndjekur njerëzit që merren me ligjigjishërinë dhe qëndrimet e njerëzve brenda sistemit të drejtësisë nuk kanë qenë të njëjta kur janë përballur me këtë problem. Në të gjitha vendet ku dhuna në familje ka dalë si një çështje e rëndësishme, njerëzit e ligjit kanë qenë të detyruar t’i japin përgjigje pyetjes kryesore, se çfarë roli duhet ose nuk duhet, të luajë sistemi i drejtësisë kriminale në menaxhimin e dhunës në familje.