Antonia Young dhe interesimi i saj për traditën shqiptare

Autorja: Arbnora Dushi

Interesimi i studiuesve te huaj për vlerat e traditës shqiptare ka qenë gjithmonë i madh, sidomos kur dihet se populli shqiptar është popull i vjetër në Ballkan dhe vetitë që e cilësojne atë i ka kultivuar me shekuj. Antropologë, etnologë, folkloristë e studiues tjerë të huaj kanë qëndruar në trojet shqiptare në periudha të caktuara të historisë, me misione të ndryshme dhe njëkohësisht kanë studiuar cilësitë e shqiptarit si individ dhe të shqiptarëve si popull. Në kohë të rënda për popullin tonë, atëherë kur studiuesit e shqiptarë ishin shumë të rrallë, apo kur e kanë pasur gati të pamundur të prezentohen në botë, kontributi i tyre ka qenë shumë i vlershëm.
Studiuese të shumta janë interesuar për shqiptarët dhe traditën e tyre. Përmendim miken më të madhe të popullit shqiptar, Edith Durhamin, pastaj Rose Wilder Lane, Janet Reineck, Berit Backer, Rebecca West etj., për të arritur tek antropologja angleze dhe mikja e shqiptarëve Antonia Young.
Pas lidhjeve jo te rastit që krijoi me Ballkanin dhe vizitave që i bëri fqinjëve të shqiptarëve, ajo e përqëndroi interesimin e vet në Shqipërinë e Veriut. Për t’u përcaktuar për objektin e studimit e ngacmoi ribotimi i librit të Mis Edith Durhamit “Shqipëria e epërme”.1 Nga ai libër dhe krijimtaria tjetër e Durhamit për shqiptarët, Young u njoh me detaje antropologjike e fenomene të rralla të shqiptarëve, të cilat sot edhe nuk ekzistojnë. Një dukuri që asaj i tërhoqi vëmendjen, qenë virgjëreshat e përbetuara, femrat e veshura si mashkuj që përbetohen në nder e beqari, e që Durham i pat takuar nëntë prej tyre2. Për t’I hyrë hulumtimit të këtij fenomeni, shkaqeve dhe pasojave të tij Antonia Youngut iu desh hulumtim i gjatë i literaturës, asaj profesionale nga fusha e antropologjisë e etnologjisë dhe nga fusha e studimeve mbi shqiptarët, por studimi nuk do t’i dilte i plotë edhe pa anën praktike. Ajo në kërkim të virgjëreshave arriti në fshatrat e Malësisë së Veriut, në qytetet Shkodër e Bajram Curr dhe doli edhe në disa fshatra të Kosovës.Gjurmëve të virgjëreshave ajo vërejti shumë zakone që i paraqitnin veriun e Shqipërisë dhe Kosovën, zona shumë të afërta etnografike. Ajo me këtë rast shkruan ‘Shqipëria e Veriut ka më shumë elemente të përbashkëta me Kosovën se me pjesën tjetër të Shqipërisë (vetëm gjatë periudhës së komunizmit ato u zhvilluan në mënyra të ndryshme). Të dyja qenë për një kohë të gjatë pjesë të një vilajeti dhe bashkë luftuan për t’u liruar nga sundimi otoman, sidomos në pjesën e dytë të shekullit XIX. Në ate kohë Shkodra ishte qendër intelektuale, shkrimtarët e së cilës bashkëpunonin vazhdimisht me ata në Prizren më shumë se me tjerët në Shqipërinë e Jugut. Në Shqipërinë e Veriut dhe nË Kosovë flitet gegërishtja dhe të dyja kanë të njejtin organizim farefisnor të familjes; familjet e mëdha që jetojnë në bashkësi.’3
Me të dhëna mbi tiparet etnologjike e antropologjike që i karakterizojnë shqiptarët si popull Antonia Young prezenton para studiuesit të huaj, librin më serioz të saj për shqiptarët ‘Gratë që bëhen burra – Virgjëreshat e përbetuara shqiptare’
Pasi kish dëgjuar për ekzistimin e virgjëreshave edhe në ditët e sotme, autorja i hyn gjurmimit të tyre. Në vitin 1993 për herë të parë kish pasur rastin të takohet me Pashkën, vajzën me veshje e pamje burri e cila e kish pasur rolin e burrit mikpritës në një ceremoni dasme në një fshat afër Shkodrës. Dukja e saj nuk e përjashtonte nga burrat, por ish qenia e saj psiko – fizike , që e ngacmonte autoren për ta zbërthyer këtë karakter. Patjetër, që për praninë e virgjëreshës së përbetuar në një shoqëri, shkaktarë ishin faktorët e jashtëm të cilët kishin shkaktuar krijimin e një qenieje me gjini të kryqëzuar, grua – burrë.
Young kërkon origjinën e fenomenit në familjen tradicionale shqiptare dhe shpejt arrin te Kanuni i Lekë Dukagjinit, sistemi ligjor që ende ishte i fortë dhe i respektueshëm në Malësinë e Veriut. Lisi i gjakut e lisi i qumështit çonin në një diferencim shumë të dallueshëm të statusit social që u jepte Kanuni i maleve, meshkujve veç dhe femrave veç. Shoqëria rurale në Shqipërinë e Veriut është patriarkale dhe egzogame. Ajo dominohej nga burri i cili e sillte gruan nga një fshat i largët në shtëpinë e vet, ku ajo do të krijonte familje dhe fëmijët mashkuj do t’i edukonte që nga lindja për rolin e trashëgimtarit që ka në përcjellje të brezit e në administrim të familjes. Njëkohësisht ajo që ishte më e ndieshmja dhe më e rëndësishmja; detyra e fëmijës mashkull krahas trashëgimisë së pasurisë dhe administrimit të familjes ishte, të shkonte në luftë, të merrte hakun dhe me një fjalë do të ruante nderin e familjes, kurdo që do t’i cenohej.4 Nga këto kërkesa shihet se nevoja e të pasurit mashkull, në familjet shqiptare ishte e pashmangshme, prandaj në ato familje ku mashkulli mungonte apo ishte i paaftë për detyra, vetëm bija e përbetuar në virgjëri të përjetshme do të arrinte do të arrintë të ishte e barazvlershme me birin. Me aktin e përbetimit se nuk do të martohej, ajo e privonte veten nga kënaqësitë e jetës dhe e ndryshonte statusin e saj social. Merrte emër mashkulli, vishte rroba mashkulli, përdorte gjestikulacionin e lëvizjet e mashkujve dhe ia arrinte të fitonte pamje mashkulli, pasi edhe shoqëria e njihte dhe e pranonte si të tillë. Por autorja interesohet për botën e brendshme të kësaj krijese. Derisa ndryshon vetëm statusi social, ai gjinor mbetet i njejti, d.m.th. ai ndien si femër, dha ajo është kureshtare për raportet e virgjëreshës me pjesëtarët e gjinisë opozitare, por edhe të gjinisë së njejtë me të veten, pasi ajo tani kishte dy gjini, një të jashtme dhe një të brendshme. Nga bisedat që bën me virgjëreshat, edhepse temat intime, ishin tabu në zonat rurale ku ishin të pranishme ato, autorja me shumë vështirësi (duke qenë vazhdimisht në kontradiktë me literaturën perëndimore që kish në shfrytëzim, ku transeksualiteti, homoseksualizmi, lesbianizmi e perversionet tjera seksuale ishin të njohura dhe të shpeshta në shoqëri) arrin të flasë me disa prej tyre dhe të vie në përfundim se në këto zona ku ekzistonin ligje të rrepta mbi nderin, besën, mikun e gjakmarrjen, çnderimi dhe pervesionet seksuale ishin të panjohura. Sidomos te virgjëreshat, që këtë vendim për beqari të përjetshme e merrnin për të ruajtur nderin e familjes, parim ky që çonte në ruajtjen e nderit të tyre njëkohësisht.
Virgjëresha është një burrë nderi5, e cila sakrifikohet për familje dhe këtë e bën e shtyrë nga faktorët e jashtëm (familja, prindërit) e fare rrallë nga kërkesat e vetë asaj (refuzimi i martesës me personin e padëshiruar)6. Derisa në shoqëritë tjera ndërrimi i gjinisë bëhet duke u nisur nga motive të brendshme të individit dhe shihen si dukuri negative të shoqërisë (zakonisht ndërrimet bëhen nga mashkull në femër dhe këto bëhen me intervenime kirurgjike), në shoqërinë shqiptare individi viktimizohet për shoqërinë dhe shihet me respekt nga rrethi ku jeton e vepron, (ndërrimet janë gjithmonë nga femër në mashkull dhe kjo vjen nga një shoqëri patriarkale shqiptare ku mashkulli pranohet si privilegj7.Asnjëherë nuk ka raste të ndryshimit kirurgjik të gjinisë).Ku ndryshojnë virgjëreshat shqiptare nga femrat tjera në botë që synojnë të vishen si burra, pyet autorja? ‘Këto marrin vendim dhe ky ndryshim nuk shihet si devijim brenda shoqërisë; nuk është rezultat i ndryshimeve psikologjike, por si status brenda modeleve të rregullta të statuseve. Madje kjo shihet si nje zgjidhje e varfër sociale në mes të stileve të jetës’.8
Autorja, fenomenin e virgjëreshave të përbetuara, e gjen të pranishëm edhe në ambientet urbane, edhepse jo me të njejtën masë. Virgjëreshat urbane nuk e kanë aq të fortë motivin e administrimit të familjes. Ato këtë vendim e marrin për të pasur më të lehtë mundësinë e të jetuarit vetëm dhe të komunikimit me mashkuj, në ato mjedise ku edhepse urbane, gjejmë elemente të shoqërive patriarkale.E përbashkëta e dy tipeve të virgjëreshave (rurale dhe urbane) krahas ambientit patriarkal prej nga vinin ato ishin edhe vështirësitë ekonomike, që ndikuan në formimin e tyre.
Një pjesë të veçantë në studim, autorja i kushton veshjes në shoqërinë shqiptare pasi fenomeni i virgjëreshave zë vend mjaft në elementin e veshjes. Në një shoqëri ku veshja është përcaktues i gjinisë, dallimet në veshje burrash e grash, janë esenciale9 Veshja është ajo që i shtyen virgjëreshat të ndihen mirë në imazhin e vet.
Fenomenin e virgjëreshave autorja e sheh në aspektin historik, tradicional,socio – ekonomik, në raport me fenomenet e përafërta në botë, si pjesë e antropologjisë sociale e materiale.Në pjesën e fundit të librit përpiqet ta parashohë të ardhmen e fenomenit, duke e parë në kontekstin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Ndryshimet në shoqërinë postkomuniste krijojnë sfida të reja për shoqërinë patriarkale në Shqipërinë e Veriut. Punësimi i mashkujve në botën e jashtme krijoi kontakte me kulturën perëndimore dhe e vuri në diskutim traditën. Depërtimi i aparateve televizive e mjeteve tjera teknike, ndikoi në ndryshimin e dukjes por edhe të qëndrimeve e sjelljeve ndaj rrethit. Kjo padyshim që ndikoi edhe në dukjen e virgjëreshave. Veshja nuk mbeti i vetmi element përcaktues për gjininë. Në anën tjetër, trazimet që pësoi Kosova me deportimin e refugjatëve në Shqipëri, me humbjen e mashkujve në luftë, më vonë me ndeshjen me kulturat e ndryshme që sollën të huajt, ndikoi në ndryshimin e shumë cilësive të traditës shqiptare. Në familjet e mbetura pa mashkuj, gruaja kosovare u detyrua ta marrë në dorë administrimin e familjes, por në rrethanat e reja nuk është e pëlqyeshme t’i shtyejmë ato të marrin rolin e virgjëreshave 10, thotë Young. Në shoqërinë e sotme shqiptare ka ndryshuar statusi social i femrës. Me arsimim e edukim, me organizimet e lëvizjeve të ndryshme të grave, synohet në rregullimin e statusit të femrës edhe në ambientet rurale. Dy motivet kryesore që e shtyenin femrën të bëhet mashkull, martesat e paracaktuara dhe trashëgimia, janë dobësuar kështuqë edhe nevoja për të qenë virgjëreshë po zbehet. Autorja nuk ka vërejtur interesim të gjeneratave të reja për një staus të tillë. Për më tepër, ato që në të kaluarën e konservuan traditën e virgjëreshës së përbetuar, ato vetë do të dijnë t’i orientojnë të drejtat e veta.
Kontributi i Antonia Youngut për shqiptarët nuk përfundon këtu. Në një përmbledhje punimesh që bën ajo (bashkëautorësi me John Allcock) për femrat udhëtare në Ballkan11, ofron materiale për vizitat e misionareve të huaja që ia bënë Ballkanit. Për shqiptarët si popull i Ballkanit ofron të dhëna mbi qëndrimet e vizitoreve Mary Edith Durham, Rose Wilder Lane, Flora Sanders, Rebecca West e të tjera.
Dhe ajo, për të cilën ndoshta e meriton falënderimin më të madh, kjo studiuese e huaj, është bibliografia12 e literaturës, kryesisht angleze (megjithëse me mjaft të dhëna edhe për botimet në gjuhët tjera duke përfshirë edhe botime nga autorët shqiptarë që janë botuar nëpër botë) për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me numrin rendor 94, bibliografia e shkrimeve per Shqiperinë futet në serinë e 203-të të bibliografive botërore.
Me dëshirë që shqiptarët të kënë sa më shumë miq në botë, i falënderohem Antonia Jangut për gjithë atë që bëri për ne.

_______________________________________________

1 Durham, M.E.(1909) High Albania, London: Edward Arnold. I redaktuar dhe ribotuar nga John Hogson më 1985 në Londër në Virago Press; dhe më 1987 në Boston: Beacon Press.
2 Shih për këtë, Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra tjera për Shqipërinë e shqiptarët, (Shqipëria e Epërme), Sh. B. Naum Veqilharxhi, Tiranë, 1998
3 Young Antonia, Women who become men, Berg, Oxford, 2000, fq.14
4 vep. e cit. fq.18
5 autorja e quan , honorary man
6 shih për këtë, Young Antonia, Women who become men, Berg, Oxford, 2000, fq.69
7 Fredman ‘Self made man’ Independent on Sunday’ (3 Nov.1996) fq.14
8 Antonia Young, vep.e cit. fq.113
9 Për këto i referohet punimeve të etnologes shqiptare, Andromaqi Gjergjit
10 Antonia Young, vep.e cit. fq.125
11 është fjala për librin ,Black Lambs and Grey Falcoons – Women travellers in the Ballkans, bashkëautorë John B. Allcock dhe Antonia Young, Bradford University Press, London 1991
12 Antonia Young, Albania, Revised Edition, (World bibliographical series; v.94), Clio Press, London, 1997